15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

“Hello Brother”

Më të lexuarat

Ajo që ka ndodhur ditën e Xhuma në Zelandën e Re dënohet dhe cilësohet masakër njerëzore në të gjitha gjuhët dhe kodet zakonore të botës. Në një rast të tillë nuk mund të themi vetëm se atë që na mëson Allahu xh.xh. “ Të Allahut jemi dhe te Ai do të kthehemi”. Për të rënët lusim Allahun xh.xh. ti pranojë shehidë, të plagosurit tu japë shërim sa më të shpejtë dhe pastrim nga mëkatet ndërsa të afërmve të viktimave lusim Allahun xh.xh. tu japë durim dhe shpërblim ashtu siç di vetë Ai të dhurojë.

Raporti i autoriteteve vendore.

Policia e Zelandës së Re ka raportuar për dhjetëra të rënë po aq edhe më shumë të plagosur nga sulmi i paramenduar terrorist në dy xhami në qytetin e Christchurch të Zelandës së Re gjatë faljes së Xhumasë. Policia deklaroi se ka ndalur tre persona, 2 meshkuj dhe 1 femër si përgjegjës të kësaj tragjedie.

Ky sulm u dënua edhe nga Kryeministrja e Zelandës së Re e cila deklaroi se “ Besohet se më shumë se 40 vetë kanë humbur jetën nga ky sulm që nuk mund të ketë emër tjetër vetëm se akt terrorist”. Po ashtu policia kërkoi evitimin e grumbullimeve të mëdha në xhamitë e vendit si mënyrë parandalimi ndaj ndonjë sulmi të ngjashëm.

Mësime përtej tragjedisë

Ky krim i kryer në gjakftohtësi të plotë nga një person i ushqyer me ideologji ekstreme është argumenti më i qartë i produktit gjithnjë e në rritje të gjuhës së urrejtjes dhe islamofobisë në mediat globale. Për një masakër të tillë, si njerëz duhet të ndihemi të gjithë përgjegjës. Përgjegjës nga pasiviteti, nga neglizhenca, e ndoshta edhe pse indirekt si nxitës të fenomeneve të tilla. Ligjërimi ekstrem, idetë rraciste ekstreme janë ushqyesi më i madh i këtyre akteve që lënë gjurmë të pashlyera për një kohë të gjatë në subkoshiencën e shoqërisë njerëzore.

Shtimi i zhargonit islamofob, pompimi i stereotipeve dhe urrejtjes fetare, mbjellja e kësaj lloj fare do të prodhojnë medoemos daljen e një psikopati që do ta kryejë masakrën.

Por prapë se prapë, në situata të tilla kërkohet vetëpërmbajtje, zbatimi i parimit hyjnor që na ka mësuar Allahu xh.xh. në aktin e parë të krimit njerëzor “Nëse ti zgjat dorën të më vrasësh mua, unë nuk e zgjas dorën time ndaj teje, unë kam drojë Allahun, Zotin e botërave” Maide 28.

Çmendurisë nuk i përgjigjet me çmenduri, masakrës nuk i kthehet me masakër, derdhja e gjakut nuk pushon me derdhje gjaku. Përshëndetja e djaloshit të parë të vrarë nga dora e katilit islamofob ishte “Hello Brother”. Qoftë ajo përshëndetje e çiltër një moto për zgjidhjen dhe paqëtimin e situatave të tilla.

Nuk duhet neglizhuar fakti që edhe në rajonin tonë të ndjeshëm hasim jo pak herë shkrime e postime nëpër media dhe rrjete sociale të tilla si, “Kthimi në fenë e të parëve”, “Rracë e fëlliqur”, “Shkoni në Arabi ju tradhëtarë të kombit” e të tjera të ngjashme me këto. Asnjëherë nuk duhen marrë me nënqeshje dhe tallje thirrjet që direkt apo indirekt ushqejnë zjarrin nën hi. Të mos harrojmë se krimet e luftës në Bosnjë dhe Kosovë nuk janë shumë larg, plagët janë akoma të freskëta. Ja pra që çetnikët dhe ideologjia e tyre që vjell vrer paskan ndikim që nga Ballkani e deri në Zelandën e Re të largët.

Le të jetë kjo ngjarje një moment reflektimi për të gjithë të zotët e mendjes se ka diçka që nuk shkon.

Le të jetë gjaku i pafajshëm i këtyre të rënëve një apel për të gjithë njerëzit që akoma se kanë humbur njerëzoren e tyre se terrori, urrejtja s’paskan fe, rracë apo ngjyrë.

Larg pra nga urrejtja, nga përbuzja, nga fara e prishtë e İslamofobisë, në emër të çfarëdolloj preteksti qoftë ajo.

Në mënyrë që shprehja e çiltër “Hello brother” të mos pasohet edhe njëherë me masakrimin e 50 njerëzve të pafajshëm…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit