9.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçi, studiues i apasionuar dhe ligjërues i rrallë

Më të lexuarat

Vehbi Gavoçi ka lindur në Shkodër, në një familje me tradita të thella fetare dhe atdhetare. Gjyshi i tij, Halil Gavoçi dhe i ati, Sulejman Gavoçi kanë qenë hoxhallarë të nderuar, shërbyen për një kohë të gjatë si vaizë dhe imamë në xhaminë e Kuçit, te xhamia e Skelës dhe e Selvisë në pazar të Shkodrës, në Ajasëm e në Garuc.

Në vitin 1913, kur Shkodra u rrethua nga forcat serbe e malazeze, Hafiz Halil Gavoçi dhe Haxhi Hafiz Sulejman Gavoçi, babë e bir rrokën armët e dolën vullnetarë për mbrojtjen e qytetit nën komandën e Hasan Riza Pashës. Si shumë qytetarë të tjerë ata u dalluan për trimëri, sa edhe fituan falënderimet e komandantit të shquar, Hasan Rizasë dhe dashamirësinë e bashkëluftëtarëve.

Hafiz Sulejmani kreu 7 herë haxhillëkun, qe një predikues i aftë, me punën e tij arriti të fitojë popullaritet e të krijojë një emër të mirë për familjen. Me kontributin e tii arriti të ndërtojë xhaminë në lagjen Garuc të Shkodrës dhe pati një rreth të gjerë miqësor me dijetarët e hoxhallarët e shquar të kohës.

Hafiz Sulejmani duke vlerësuar nevojën e arsimit, u tregua i kujdesshëm për shkollimin e djemve të vet. Në shkollën e Parrucës, në arkivin dhe muzeun e saj gjenden mjaft dokumente dhe fotografi të djemve të kësaj familjeje të nderuar. Jo vetëm kaq, por, sapo u krijuan mundësitë, i dërgoi djemtë e vet të kryenin shkollat e larta e të mesme në vendet më të përparuara arabe, si në Universitetin e famshëm El-Ezhar të Kajros në Egjipt.

Haxhi Hafiz Sulejmani, kur emigroi familjarisht në Siri, ngriti një shkollë fillore në lagjen shqiptare të Shamit, ku mësonin fëmijë të larguar nga trojet shqiptare, disa nga të cilët më vonë do të bëheshin studiues të afirmuar në botën islame. Mes tyre shquhet Abdul-Kader Arnauti, një prej hadithologëve më të shquar.2

Haxhi Vehbiu ka lindur në Shkodër më 17.5.1923. Mësimet e para fetare i mori nga i ati e më vonë nga mësuesi i besimit në Xhaminë e Kuqe të lagjes Perash, Hasan Mustafa, ndërsa shkollën fillore e kreu në lagjen Parrucë në vitin 1936. Në vitin 1937 emigroi në Siri, ku së pari u regjistrua në një shkollë të mesme tregtare, të cilën e ndërpreu shpejt, sepse dha me sukses provimin e pranimit si student në El-Ezhar, ku ndoqi dhe përfundoi me rezultate shumë të mira radhazi shkollën e mesme 4-vjeçare, fakultetin 4-vjeçar në degën e Sheriatit dhe për dy vjet bëri specializimin në degën juridike fetare, që njihet si doktoraturë. Studimet i përfundoi në vitin 1947, për dhjetë vjet në Kajro. Gjatë këtij dhjetëvjeçari ai u formua me një arsim solid, mësoi mirë gjuhën letrare arabe e angleze, mori një kulturë të thellë islame, fitoi bazat për një punë të kualifikuar si mësues dhe edukator, si predikues, si studiues dhe si bamirës.

Haxhi Vehbiu ndërmjet alternatives për të punuar në degën juridike apo në atë arsimore, nën ndikimin e babait dhe me dëshirën e vet ndoqi rrugën e arsimit, të cilën e konsideronte të dobishme, sepse i dha mundësinë për të shfaqur vullnetin e pasionin e tij për këtë profesion të dashur dhe të nderuar.

Arsimit Haxhi Vehbiu i ka kushtuar dhe vazhdon t’i kushtojë pjesën më të madhe të veprimtarisë së tij, nga e cila ai ka siguruar një përvojë të pasur dhe të vyer.

Detyrën e mësuesit ai e filloi në vitin 1948, kur fitoi konkursin e shpallur. Në të gjithë pjesëmarrësit fitoi vendin e dytë, një sukses i parë plotësisht i merituar, falë përgatitjes së tij serioze.

Karriera e mësuesisë e Haxhi Vehbiut është interesante, ka ardhur gjithnjë në ngritje, është shtrirë në qytete e vende të ndryshme, ka kërkuar angazhim të madh, ka pasur rezultate të kënaqshme, ka siguruar autoritet e prestigj të merituar.

Haxhi Vehbiu fillon në vitin 1949 si mësues në shkollat femërore të qytetit të Halepit deri në vitin 1951, prej këtu në Damask deri në vitin 1965 ndër shkolla të ndryshme si pedagog i Institutit që përgatiste mësues dhe në Universitetin e Damaskut.

Në vitin 1966 nga Siria kalon në vende të tjera arabe. Në këtë vit u emërua pedagog në Universitetin e Riadit në Arabinë Saudite, më pas shkoi si profesor në Medine për 5 vjet, deri në vitin 1971. U kthye përsëri në Siri, ku shërbeu si mësues deri në vitin 1980. Në vazhdim, për tre vjet përsëri kaloi në Medine, ku shërbeu si studiues në Universitetin Islamik. Nga Arabia shkoi në Jordani për tre vjet të tjerë, ku u mor edhe me punë studimore e botime librash. Në vitin 1986 u thirr dhe u emërua pedagog në Fakultetin Fetar e Gjuhësor në Dubai të Emirateve të Bashkuara Arabe, ku jep lëndën e Fikhut.

Nga sa shihet, veprimtaria arsimore e Haxhi Vehbiut është e gjerë, ka lëvizur nga njëri vend në tjetrin pa marrë parasysh vështirësitë, duke u nisur nga synimi për t’i shërbyer zhvillimit fetar islam, për të përgatitur kuadro të rinj të arsimuar e për të ngritur nivelin e propagandës fetare, për të arsimuar rininë islame, pra, ka kontribuar në shumë drejtime, për të dy sekset e moshat e ndryshme.

Krahas veprimtarisë arsimore Haxhi Vehbi Gavoçi është edhe predikues i shquar. Ligjëratat e tij fetare janë mbajtur me masën e gjerë të popullit ndër xhami e në salla konferencash apo në qendra kulturore.

Ndryshe nga veprimtaria shkollore që është zhvilluar në disa vende të Lindjes së Mesme me studentë nga vende të ndryshme në gjuhën arabe, ligjëratat e Haxhi Vehbiut kanë dalë edhe jashtë vendeve arabe, duke u shtrirë në të gjitha trevat ku punojnë e jetojnë shqiptarë, në bashkësitë islame për të mbajtur gjallë si frymën kombëtare, ashtu edhe ndjenjat fetare të besimtarëve myslimanë shqiptarë. Për këtë problem ai ndoqi traditën e krijuar nga babai i tij, Haxhi Sulejman Gavoçi. Pas vdekjes së babait në vitin 1958, në Siri, Haxhi Vehbiu e zëvendësoi duke dhënë ligjërata në xhaminë “Arnauti” ndërtuar nga i ati, që kishte kryer detyrën e imamit dhe të vaizit. Për tre vjet në këtë xhami Haxhi Vehbiu ishte imam dhe vaiz, pastaj ligjëron në xhamitë “E Shemsije”, “Randa”, “Lalabasha”. Përveç Sirisë ka ligjëruar edhe në xhaminë e Profetit a. s. në Medinë më shumë se dy vjet dy herë në javë e në kohën e haxhillëkut, për çdo ditë, që në verën e vitit 1967, por në mënyrë sistematike në vitet 1969-1970.

Për shqiptarët dhe Shqipërinë ka filluar të interesohej që herët. Ndonëse u arsimua dhe punoi e jetoi në vendet arabe, Haxhi Vehbi Gavoçi ka ruajtur të gjallë mallin për atdheun, për vendlindjen e tij, Shkodrën, për farefisin, miqtë e dashamirët. Një pjesë të mirë të kohës së vet ia ka kushtuar lidhjeve me shqiptarët e me vendlindjen. Për këtë nuk u lodh e nuk u mërzit nga udhëtimet e gjata, nuk u kursye për shpenzimet e mëdha, nuk u thye nga pengesat e shumta, vetëm e vetëm që të ishte pranë bashkatdhetarëve, që ata të kishin në zemër dhe në mendje atdheun e mësimet e fesë.

Që në vitin 1974 Haxhi Vehbiu kërkoi të vinte në Shqipëri për t’u çmallur me vendin, me miq e kushërinj, por regjimi komunist në atë kohë nuk e lejoi. Prandaj udhëtoi në Maqedoni e në Kosovë, të paktën të shihej me shqiptarë vendës e të çmallej me tokën e vendit të vet, pa le se në Shkodër nuk e lejuan të vinte.

Në Maqedoni me ndihmën e Myftiut së Shkupit, Hafiz Bedredini, organizon ligjërata të ndryshme dhe predikon në xhaminë e Shkupit. Prej Shkupit shkon edhe në Prishtinë, ku me ndihmën e Hafiz Hasan Nahit, përkthyes i Kuranit të madhërueshëm në gjuhën shqipe, jep ligjërata të ndryshme në tubime popullore, në xhami e në familjet kosovare. Në mes vëllezërve të vet gjeti një pritje e bujari të pashoqe, prandaj në shenjë falënderimi, sapo kthehet në Siri, shkruan në gjuhën shqipe librin “Si dhe Pse?”. Ky është libri i parë i Haxhi Vehbiut në gjuhën amtare e pas tij do të vijnë dhjetëra të tjerë.

Haxhi Vehbiu nuk u mjaftua me kaq. Ai shkoi pranë vëllezërve të vet shqiptarë edhe në Belgjikë, ku kishte një emigracion të ndjeshëm nga viset shqiptare të Kosovës, të Maqedonisë dhe të Malit të Zi. Sapo arriti në Siri, përktheu dhe përshtati në gjuhën shqipe librin “Parimet e islamizmit”. Në Xhaminë e Bardhë e në shumë tubime shqiptarësh kumboi fjala e ëmbël, e bukur, e matur dhe e urtë e Haxhi Vehbiut.

Haxhi Vehbiut i digjej shpirti të vinte në Shqipëri, por në pamundësi të realizonte këtë dëshirë, përgatiti një tufë letrash, të cilat mendoi t’ia dërgojë mikut të vet, z. Rasim Zekja në Shkodër. (Këto letra tani në kushtet e demokracisë në Shqipëri arritën të botohen “Letra të një emigranti”, Shkodër, 1995, 184 faqe). Në letrën e parë mes të tjerash shkruan : “Vendosa të shkruaj këto letra, që të jenë mësime fillestare feje për fëmijët tanë atje, në Shqipëri, në vendin tim të dashur… E tashti që, lavdi Zotit, u ndreq situata edhe te ju, si në vendet e tjera të Lindjes dhe filluan njerëzit të nuhasin aromën e lirisë, të lirisë fetare, kam shumë shpresë të vij atje i lirë, të heq mallin me kushërinj, me shokë e me vendin tim.

Derisa të vijë ajo ditë, po ju dërgoj këto letra të njiheni përmes tyre, para se të shihemi dhe ndoshta ju shërbejnë në disa pika fetare të nevojshme”.

Pas proceseve demokratike në Shqipëri Haxhi Vehbiu qe ndër të parët që shkëmbeu letërkëmbim me Hirësinë e tij Haxhi Hafiz Sabri Koçi, duke shfaqur gatishmërinë për të ndihmuar në të gjitha fushat e ripërtëritjes së fesë në Shqlpëri.5

Haxhi Vehbiu, duke zbatuar zotimet e tij vizitoi disa herë vendlindjen të dashur. Por ai nuk qe vizitor i thjeshtë, përkundrazi, zhvilloi një veprimtari të dendur me ligjërata, konferenca, biseda, këshilla e me ndihma humanitare. Tani fillon një punë shumë e dendur për hartimin e librave fetarë në ngritjen e nivelit të ndërgjegjes fetare islame në bashkëqytetarët e vet.

Ligjëratat e tij qenë të shpeshta në Xhaminë e Parrucës në Shkodër, ku u komunikoi dëgjuesve të shumtë tema tërheqëse e të dobishme, duke zbërthyer versetet e Kuranit, hadithet e Profetit a.s., ngjarje të Historisë Islame, probleme të rëndësishme të besimit islam e duke i lidhur këto në mënyrë logjike e bindëse me përmbushjen e detyrave të përditshme të myslimanëve.

Formimi i thellë fetar, horizonti i gjerë kulturor, përvoja e pasur pedagogjike, njohja me baza e gjuhës arabe, komunikimi i natyrshëm dhe i njerëzishëm, tematika e zgjedhur, konkretizimi me shembuj e probleme interesante ndikuan tek besimtarët, shtonin pjesëmarrësit, krijonin tek ata emocione, ndjenja respekti e vlerësime, dëshirë e interes për biseda të tilla.

Haxhi Vehbiu në funksion të punës propagandistike ka shfrytëzuar çdo rast për të thënë fjalën e tij, për të shprehur kulturën dhe përgatitjen e thellë prej intelektuali, si: në inaugurimin e xhamive, këndimin e Mevludeve, në përkujtimin e festave fetare etj. duke siguruar përgëzimet e përzemërta të pjesëmarrësve.

Lidhur ngushtë dhe paralelisht me veprimtarinë pedagogjike e fetare H. Vehbiu ka punuar për studimet dhe botimet. Kjo fushë e veprimtarisë ka qenë e gjerë, e pasur dhe me shumë vlerë. Ajo ka përfshirë probleme të shkollës, të propagandimit të fesë, të historisë Islame, të shtyllave të besimit. Studimet dhe librat janë shkruar në gjuhën shqipe dhe arabe. Një punë e tillë kërkonte kulturë të thellë studimi të vazhdueshëm, njohje të gjerë të burimeve të literaturës, të nevojave të besimtarëve për botimet fetare.

Për ushtrimin e profesionit duheshin tekste e ai hartoi libra fetare, për besimtarët kërkohej literaturë e ai hartoi libra të tillë, për rininë, për popullin e për besimtarët e moshave të ndryshme lypeshin studime e artikuj me karakter problematik, me synime profesionale e ai i hartoi, i kumtoi e i botoi në organe të ndryshme.

Bibliografia e botimeve të Haxhi Vehbiut është shumë e gjerë dhe provojnë më së miri vullnetin, përpjekjet dhe përkushtimin e tij të pareshtur në një punë afro 50-vjeçare.

Mbi 400 artikuj, kumtesa e referime të botuara në shtypin e vendeve arabe, në revistat e gazetat e njohura për seriozitetin shkencor, si: në gazetat “Menar”, “El ejan”, “Zëri i arabëve”, “Shkopi i Xhenetit” etj, në revistat “Përparimi Islam”, “Dauve”, “Menarul Islam”, “Hadave el Islam” etj.

Veprimtarinë botuese e ka filluar që në vitin 1949. Ajo gjithnjë është rritur e në vitet e fundit ka pasur ritme shumë të larta, sidomos në gjuhën shqipe, për t’i ardhur në ndihmë me botimet fetare ringjalljes së fesë në Shqipëri.

Në gjuhën shqipe ka filluar të botojë që në vitin 1974, por këto katër vitet e fundit ka bërë një punë vërtetë të jashtëzakonshme, e kjo në shërbim të ngritjes së kulturës fetare e të besimit islam në vendin tonë. Shkëputja nga burimet e diturisë islame për 50 vjet dhe nga njerëzit që e kanë predikuar fenë, bëri që në popullin tonë të krijohej një boshllëk i ndjeshëm, prandaj Haxhi Vehbiu duke ndjerë nga afër nevojën e madhe, me një vullnet prej dijetari të stërvitur dhe entuziazmin e një luftëtari të fesë po punon për hartimin në gjuhën e ëmbël shqipe të një serie veprash, me të cilat u drejtohet të gjitha moshave, fëmijëve dhe të rriturve. Nuk ka vatër shqiptare, nuk ka familje të besimit islam që të mos ketë marrë falas librat e Haxhi Vehbiut. Ato janë botuar në Prishtinë, në Shkup e ne Shkodër. Disa prej tyre janë :

Nuk është nevoja t’u bëhet asnjë koment këtyre botimeve, që në shumicën e rasteve kanë dalë në 5000 kopje. Ato janë një punë me vlera të mëdha, sepse tematika e tyre është e gjerë, u përgjigjet nevojave të besimtarëve islamë në Shqipëri, ato po plotësojnë boshllëkun e mungesës së literaturës fetare.

Sipas temës, destinacionit dhe përmbajtjes librat kanë struktura të ndryshme. Ata zakonisht kanë parathënie, hyrie për paraqitjen e temës, vështrim historik të saj, zbërthim në çështje përbërëse. Shpesh këta zbërthehen mbi bazën e një verseti Kur’anor të një hadithi, të një ngjarjeje historike, të një fakti o dukurie qe pastaj analizohet nga ana teorike e praktike e gjithnjë ata mbylle me përfundime e detyra, me këshilla e porosi o me thirrje për zbatimin e detyrave fetare, për mënjanimin e veseve, të gabimeve e të fajeve, për paqë e harmoni për bashkim e tolerancë, për dashuri për bashkatdhetarët e Shqipërinë. Kritika e ka vlerësuar kontributin e H. Vehbiut në këtë fushë, ka vënë në dukje meritat e tij, ka analizuar vepra të veçanta e ka shprehur përgëzime për punën e autorit.

Kështu p.sh., studiuesi Prof. dr. Shefik Osmani në punimin tij për librin”Jeta e Profetit Muhammed a.s.” ka dhënë ndër të tjera një gjykim përgjithësues duke thënë se ” … kjo vepër me të dhëna të shumta, e pasur me ngjarje, ndodhi e bëma të Profetit të krijon mundësinë të shijosh përmbajtjen që është shkruar me patos. Mjafton të lexosh parathënien për të vënë re dashurinë dhe sinqeritetin e thellë të autorit”.
Në veprat e H. Vehbi Gavoçit ka pasazhe shumë të bukura, tërheqëse, që lënë mbresa, që shkaktojnë emocione, që nxisin meditime e refleksione, që shtrojnë probleme e detyra, që komunikojnë mesazhe e apele për një jetë të pastër morale të lidhura ngushtë me besimin e thellë në Zotin dhe dashurinë për njëri-tjetrin e Atdheun tonë të shtrenjtë.

Ndihmesa e Haxhi Vehbiut nuk kufizohet vetëm në fushën e ligjërimeve dhe të botimeve, ai ka dhënë e jep një kontribut të shquar edhe në shumë fusha bamirësie. Ai në Shqipëri qe pranë Medreseve si institucione e nxënësve të tyre, qe pranë studentëve shqiptarë në vendet e ndryshme të botës islame, pranë jetimoreve, pranë nxënësve në veprimtaritë kulturore e fetare, pranë Bashkësisë Islame, pranë popullit në ndërtimin dhe përurimin e xhamive. Në të gjitha këto raste nuk u kursye, por ndihmoi dukshëm me fonde e me dhurata.

Të gjitha fushat e veprimtarisë së Haxhi Vehbi Sulejman Gavoçit janë realizuar me sukses, nga se profesori i ditur dhe i nderuar ka harmonizuar drejt formimin e tij në veprimtarinë praktike, ka kontribuar në këto fusha me kompetencë e me kulturë, ka ditur të përçojë krijimtarinë e tij drejtpërdrejt tek nxënësit, tek besimtarët e të gjitha moshave, tek institucionet fetare, tek xhamitë e medresetë, tek studiuesit e tek çdo familje islame.

Me jetën e veprimtarinë e tij Haxhi Vehbiu është renditur ndër personalitetet e shquara fetare islame, i cili me gjithë moshën e thyer vazhdon të japë ndihmesën e vet të çmuar për edukimin shpirtëror e atdhetar të besimtarëve islamë në të gjitha trojet shqiptare.

Marrë me shkurtime nga libri “Në kujtim të brezave” i autorëve; Fak Luli, Islam Dizdari, Nexhmi Bushati. (Dritaislameal)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit