7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Haradinaj: Shkollat e fondacionit Maarif mundësi për fëmijët e Kosovës

Më të lexuarat

PRIZREN (AA) – Kryeministri i Republikës së Kosovës, Ramush Haradinaj, i cili së bashku me ambasadoren e Turqisë në Kosovë, Kıvılcım Kılıç, vizitoi shkollën turke “International Maarif Schools of Kosova” në Prizren, deklaroi se “kjo shkollë është vërtet një mundësi e mirë për fëmijët e Kosovës që të mësojnë me standarde të larta dhe me një program kaq të mirë të edukimit”, raporton Anadolu Agency (AA).

Kryeministri Haradinaj u informua lidhur me aktivitetet e Fondacionit Maarif nga drejtori i Shkollës Ndërkombëtare Maarif në Kosovë, Mesut Ozbaysar, ndërsa më pas për të gjithë të pranishmit u prezantua edhe një video e shkurtër lidhur me fazën përgatitore të kësaj shkolle.

Nxënësit e shkollës Maarif, të veshur me veshje kombëtare shqiptare, performuan me këngë e valle në gjuhën shqipe. Ndërsa, kori i mësimdhënësve të Shkollës së Mesme të Lartë “Anadollu Yavuz Sulltan Selim” nga qyteti Trabzon i Turqisë argëtoi të pranishmit me një performancë të këngëve në gjuhën turke.

Në ceremoninë e organizuar kushtuar vizitës së kryeministrit Haradinaj, përveç ambasadores Kilic dhe drejtorit Ozbaysar, të pranishëm ishin edhe ministri i Administratës Publike të Republikës së Kosovës, Mahir Yagcilar, koordinatori i Fondacionit Maarif për Ballkanin, Salih Sagir, drejtori i Institutit “Yunus Emre” në Kosovë, Mehmet Ülker, si dhe zyrtar të tjerë të shkollës Maarif, mësimdhënës dhe nxënës të kësaj shkolle.

Kryeministri Haradinaj, i cili u adresua para të pranishmëve, deklaroi se: “Kjo është vërtet një mundësi e mirë për fëmijët e Kosovës që të mësojnë me standarde të larta duke patur një program kaq të mirë të edukimit. Shkolla Maarif në Prizren vërtet ka një nivel të lartë të edukimit dhe është shumë serioze”.

Haradinaj i cili i uroi sukses të gjithë nxënësve në këtë shkollë veçoi edhe marrëdhëniet e mira mes Kosovës dhe Turqisë, duke theksuar se: “Ne si Kosovë kemi një bashkëpunim shumë të mirë me Republikën e Turqisë. Edhe, këtë bashkëpunim do e rrisim edhe me rastin e shkollës tuaj”.

“Shkolla e parë e fondacionit Maarif është hapur në Kosovë”

Ndërkaq, koordinatori i Fondacionit Maarif për Ballkanin, Salih Sagir, në një prononcim për AA theksoi se shkolla e parë në Ballkan nga ky fondacion është hapur në Kosovë. Ai rikujtoi se fondacioni në Kosovë ka dy shkolla, edhe atë në Prishtinë (Lipjan) dhe në Prizren.

Këto dy shkolla aktivitetet janë duke i vazhduar që nga shtatori i këtij viti, me momentalisht 230 nxënës, 120 në Prishtinë dhe 110 në Prizren. Siç tha Sagir, interesimi për këtë shkollë është mjaft i kënaqshëm.

Sa i përket vizitës së kryeministrit Haradinaj, Sagir u shpreh se kjo vizitë do të ndihmojë në përforimin e marrëdhënieve të mëtejshme mes dy shteteve, duke përfshirë edhe fusha të tjera të bashkëpunimit si në ekonomi dhe kulturë.

“Vizita e kryministrit të Kosovës është shumë domethënëse, sepse është vizita e parë në nivel kryeministrash në njërën nga 90 shkollat e fondacionit turk Maarif në botë. Ne mendojmë se kjo vizitë është realizuar për të përforcuar marrëdhëniet miqësore dhe vëllazërore mes dy shteteve, sepse marrëdhëniet me Kosovën kanë një lidhje historike. Kjo vizitë është shumë motivuese dhe forcuese për ne, që tregon se puna jonë në këtë rajon, posaçërisht në trojet shqiptare është shumë e drejtë dhe domethënëse”, deklaroi Sagir për AA.

Sagir, poashtu bëri të ditur se nxënësit në këtë shkollë mësojnë në gjuhën angleze, por gjithashtu në mënyrë intensive edhe gjuhën shqipe dhe atë turke. Sipas tij, politika e fondacionit Maarif është që të punësojnë mësimdhënës vendor, për arsye se dëshirojnë t’u ofrojnë mundësinë e punësimit mësimdhënësve dhe arsimtarëve lokal.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit