7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Guliveri, ose mahnitja e zemëruar

Më të lexuarat

AGIM BAÇI

Në udhëtimin e tretë mes katër udhëtimesh të përshkruara, Lemuel Guliver, personazhi i famshëm i Jonathan Swift-it, arrin në ishullin Balibarbi dhe viziton akademinë e kryeqytetit të ishullit Logadon, ku njihet me përpjekjen e akademikëve të ishullit për ta bërë gjuhën më efikase, duke mbajtur me vete objektet, për të cilat ata flasin. Libri “Udhëtimet e Guliverit” është botuar më 1726, por nëse Swift do të kishte jetuar në kohën e sotme, do ta kishte identifikuar lehtësisht objektin që duhet të mbanin me vete banorët e Lagadonit me celularin dhe internetin, me anë të të cilit, për të bashkëbiseduar dhe për t’i dhënë tjetrit mesazhin që duan të përçojnë, klikojnë diku dhe përfitojnë menjëherë shënime apo referenca. Mënyra e sotme e të menduarit është kthyer në një fast-food, duke servirur gjithçka të gatshme, pa menduar më parë nëse gjendemi në të njëjtat rrethana, në të njëjtat kushte me të atyre që e kanë shkruar, që e kanë dhënë apo thënë nëpër televizione.

Në fakt, si për të plotësuar këtë “komunikim me objekte”, Guliveri bën një udhëtim të shkurtër anësor edhe në ishullin Glubbdubdrib, në jugperëndim të Balnibarbit, atje ku viziton banesën e një magjistari, me të cilin diskuton historinë me fantazmat e figurave historike, fantazma që vijnë me portretet e Jul Çezarit, Homerit, Aristotelit, Rëne Dekartit dhe Pierre Gassendit. Ardhja e këtyre personazheve si fantazma mund të shënohet si parathënia e dëbimit të dijetarëve dhe burrështetarëve nga përditshmëria dhe zëvendësimi i debateve të duhura rreth jetës dhe vlerës njerëzore me spektaklin dhe gënjeshtrën. Pra, Swift i ka paraprirë kohës kur dija do të jetë thjesht një gjë që i përket më tepër së pamundurës, madje një rruge të lodhshme për të jetuar. Duket sikur kjo frikë ndaj diturisë tashmë është kthyer në realitet. A nuk i kemi çuar ne sot në hiçasgjë dijet që na vijnë nga librat? A nuk janë sot akademitë institucionet me një ndikim pothuajse të papërfillshëm në jetën e përditshme? A nuk bëjnë më shumë njerëz në publik apo përpara televizorit Noizi, Kejvina, Morena e Stresi sesa gjithë profesorët e fakulteteve?

Kjo situatë lidhur me pamundësinë e dijes dhe moralit për të mbështetur përditshmërinë, ka vënë në vështirësi thuajse çdo prind përballë fëmijëve, që t’u kërkojnë të mbështeten te shkollimi sa më i mirë dhe te ruajta e dinjitetit. E gjitha kjo ka thelluar idenë e shkrimtarit dhe gazetarit italian, Corrado Alvaro, i cili kohë më parë shkruante se: “Dëshpërimi i madh i një shoqërie është kur krijohet ideja se të jetosh në mënyrë të ndershme është krejtësisht e kotë”

Për pasojë, imitimi ka marrë vendin e origjinalit, prezantimi ndryshe nga ai që je në të vërtetë është në modë dhe mund të kthehet në një variant fitimprurës. Përballë një situate të tillë, prindërit e kanë të vështirë të evidentojnë përpara fëmijëve të tyre ata që e shkaktojnë këtë dekurajim, duke sjellë kështu një situatë ku rrezikojmë që të admirohen ata që krenohen me vjedhjen, me të keqen apo me aftësinë për të dëmtuar dikë tjetër.

Paralajmërimi i fundit dëshpërues, ndoshta nga më të vështirat për t’u kuptuar edhe nga sociologë e psikologë, është raporti i kuptimit të jetës dhe vdekjes. Një shoqëri që ka flakur nga përditshmëria këndvështrimin e një gjykimi moral mbi fuqinë e vdekjes, mund të na vërë përballë asaj situate që Guliveri has në ishullin e Luggnagg, Stuldbrugët, ku janë njerëz të pavdekshëm. Ata nuk kanë dhuratën e rinisë së përjetshme, por vuajnë nga sëmundjet e pleqërisë dhe konsiderohen ligjërisht të vdekur në moshën tetëdhjetëvjeçare, edhe pse janë gjallë. Një ironi e madhe kjo e moskuptimit të jetës dhe ndaj të gjithë atyre që, edhe pse ende në jetë, në shoqërinë e sotme shihen si Stuldbrugë, pasi nuk i pyet askush, sepse edhe kur i merret prona, edhe kur i mohohet shërbimi, ata mbeten qenie pa asnjë autoritet, pa asnjë fuqi. Njerëz të tillë i dorëzohen bindjes, u dorëzohen shpresave të rreme dhe jetojnë në dëshpërim dhe urrejtje të papërcaktuar.

Ka një ironi të madhe të së sotmes te romani klasik i Swift, ku komplotet politike zbulohen duke ekzaminuar jashtëqitjen e personave të dyshimtë. A mundet, pra, që duke kontrolluar në jashtëqitje, të gjesh një gjë që do të vlejë, që do të jetë e vërtetë dhe e drejtë? Ndoshta, ai parashikoi aty ku do të rrëmohet në betejën politike, nga ku më pas gjithçka bëhet e vështirë për të sjellë sa më pranë dhënies së ideve apo vendimmarrjes ata që duan të jetojnë ndershmërisht jetët e tyre, jashtë çdo përbaltjeje apo banalizimi në gjirize.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit