Gripi dhe ajri i ndotur shtojnë dukshëm numrin e pacientëve

0

Në kohën kur temperaturat kanë shënuar rënie, ndërkaq është përkeqësuar shumë edhe cilësia e ajrit, në Kosovë janë shtuar rastet e gripit dhe viruseve sezonale.

Në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, thuhet se viruset sezonale, rrezikojnë më shumë shëndetin e fëmijëve, personave në moshë si dhe ata që vuajnë nga sëmundjet kronike.

Aktualisht në Klinikën Pediatrike në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, po vazhdojnë të trajtohen numër i madh i fëmijëve me gripin sezonal.

Për 24 orë ndihmë mjekësore thuhet se po kërkojnë rreth 100 fëmijë, ngjashëm siç ishte raportuar edhe para pak javësh.

Drejtori i kësaj Klinike, Muharrem Avdiu, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se rastet e shtuara të gripit rrezikojnë më shumë fëmijët me sëmundje kronike.

“Gripi sezonal është duke vazhduar me intensitet të njëjtë, sikur edhe muajin e kaluar. Epidemia po zhvillohet dhe shenjat dhe komplikimet janë kallje e mushkërive e pezmatime të ndryshme”.

“Fëmijët me sëmundje kronike, si ata me diabet e asmë, me bronhite, fëmijët e keq-ushqyer janë seriozisht të rrezikuar. Përpjekjet tona janë që t’i stabilizojmë, por është krijuar një seri e rasteve të rënda në repartin intensiv të klinikës së pediatrisë, e që gjithë shtretërit aty janë të mbushur”, ka thënë Avdiu.

Ndërkaq, infektologu Sali Ahmeti, nga Klinika Infektive në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës, i ka thënë Radios Evropa e Lirë, se edhe të rriturit në masë të madhe janë prekur nga virusi sezonal, e që kapacitetet e kësaj klinike mezi po i përballojnë fluksit.

Sipas Ahmetit, nga Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik, megjithatë nuk është shpallur epidemi gripi.

“Muajt e fundit ka pasur shtim të numrit të rasteve me grip sezonal, por pa diskutim që është sezonaliteti i gripit, dhe pritet numër i shtuar”.

“Por patjetër që ajri i ndotur e shton numrin e rasteve me grip, meqenëse ajri i ndotur është faktor favorizues për përhapjen dhe shtimin e rasteve me grip”, ka deklaruar Ahmeti.

Në anën tjetër, Muharrem Avdiu, flet edhe në lidhje me ndotjen e ajrit, duke e cilësuar atë si një ndër faktorët që po ndikon në rritjen e numrit të sëmurëve.

“Ajri i ndotur është faktor që e ndihmon të keqen. Rreth 100 fëmijë po vazhdojnë të kërkojnë ndihmë mjekësore për 24 orë. Edhe pranime të shumta me ndërlikime të ndryshme ka në klinikën tonë, e që ndërlidhen me ajrin e ndotur, ndonëse ky është virus sezonal”, ka thënë ai.

Ndryshe, Kosova është radhitur nga mekanizmat ndërkombëtarë në nivelin më të ulët të standardeve mjedisore në Ballkanin Perëndimor dhe në Evropë.

Përkeqësimi i nivelit të cilësisë së ajrit, sidomos në Prishtinë, ka vënë në alarm edhe Ministrinë e Mjedisit të Planifikimit Hapësinor të Qeverisë së Kosovës, por edhe dikasteret tjera, konfirmojnë zyrtarët të kësaj ministrie.

Sipas Ilir Morinës, kryeshef ekzekutiv në Agjencinë për Mbrojtjen e Mjedisit të Kosovës, në bazë të matjeve që i ka bërë kjo agjenci, ka rezultuar se janë dy periudha kohore brenda 24 orëve që ajri është më i ndotur, ku edhe ka thënë se ka tejkalime enorme.

Kurse udhëheqësi i Organizatës Botërore të Shëndetësisë në Kosovë, Skender Syla ka dhënë disa rekomandime se si të dilet nga kjo situatë e krijuar sa i përket ajrit të ndotur.

“Qeveria e Republikës së Kosovës duhet të marrë masa urgjente në adresimin e ndotjes së ajrit, para se gjithash përmes rregullimit teknik të automjeteve që qarkullojnë në trafikun rrugor pa kritere të mirëfillta teknike . Duhet të ju përmbahen emisionit të gazrave” .

“Do të mund të reduktohet qarkullimi i automjeteve, pasi kjo dëmton shumë shëndetin , dhe të përdoret transporti publik, në mënyrë që kjo e fundit të përdoret më shumë, e më pak veturat, pasi që ne kemi një numër enorm të veturave që qarkullojnë e që janë të stërvjetruara. Kjo duhet të ndodhë sidomos gjatë kësaj periudhe kur ajri është më i ndotur”, ka thënë Syla.

Viruset sezonale, vlerësohet se bëhen më agresiv për shëndetin e njeriut kur ambienti është i papastër, Personat me sëmundje të mushkërive dhe organeve respiratore, konsiderohen ndër më të prekurit.

Pulmologët në Qendrën Klinike Universitare të Kosovës thonë se numri i të sëmurëve nga mushkëritë është rritur shumë, çka sipas tyre ka bërë që të sfidojë kapacitetet në Klinikën e Pulmologjisë, ku thuhet se të gjithë shtretërit janë tashmë të zënë me pacientë të shtrirë. (REL)

Nuk ka komente