15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Gjyshja nga Halepi që kujdeset për nipat dhe mbesat jetimë: Këtu nuk ka ‘Ditë të Nënës’

Më të lexuarat

Fethiye Ali, 62-vjeçare, po kujdeset për 8 nipa dhe mbesa në një kamp pranë kufirit me Turqinë, ku janë shpërngulur nga Halepi si pasojë e sulmeve të regjimit të Asadit

Idlib

AHMAD WAİS/EŞREF MUSA

Fethiye Ali, gjyshja 62-vjeçare e shpërngulur si pasojë e sulmeve të regjimit të Bashar al-Asadit dhe mbështetësve të tij në Halep, është bërë “nënë dhe baba” e pesë fëmijëve të djalit të saj të vrarë nga bombardimet dhe tre fëmijëve të djalit tjetër të plagosur.

Nënat e shkatërruara nga lufta civile në Siri e cila la pas nëntë vjet, edhe këtë vit do ta presin të ngrysura Ditën e Nënës që do të shënohet nesër.

Fethiye Ali, e zhvendosur pranë kufirit Siri-Turqi si pasojë e sulmeve në zonën Han al-Asal të Halepit katër muaj më parë, po përpiqet t’u bëjë ballë kushteve të vështira për të qëndruar në jetë së bashku me tetë nipa dhe mbesa.

Ajo humbi njërin djal tre vjet më parë, kurse djali tjetër po shërohet në Turqi.

Në kampin Ihlas, ku ajo po qëndron me nipat dhe mbesat, Ali rrëfeu për Anadolu Agency (AA) tregimin e saj të hidhur.

Ajo tha se nga sulmet kishte arritur të ikte me ndihmën e një fqinji, duke u vendosur në qytetin e tendave Ihlas, ku strehohen gratë të cilat kanë humbur bashkëshortët e tyre.

“U nisëm vetëm me rrobat tona. Nuk kemi asgjë. Nuk kam asgjë pos tetë jetimave. Unë kujdesem për fëmijët e dy djemve të mi. Më i madhi është dhjetë vjeç, kurse më i vogli tre. Nuk kanë askënd që t’i përkdhelin”, u shpreh gjyshja Fethiye Ali.

Ajo po ashtu tha se kanë vështirësi të sigurojnë ushqime, duke shtuar se bukën që e sigurojnë e hanë duke e kursyer, pasi nuk mjafton.

“Ndonjëherë, vjen shitësi mobil. Kur pyet se a do të blej ndonjë gjë, ngelem pa zgjidhje. Të pikëllohem apo të qaj? Mishin për herë të fundit e kemi shijuar në Bajram. Ka gjashtë muaj që nuk kemi ngrënë peshk. Një kilogram mish kushton shumë. Fëmijët nuk e dinë mishin”, tha Ali.

“Bajrami shënohet me familjen”

Duke theksuar se ajo po përpiqet të mbijetojë në gjendjen e vështirë të shkaktuar nga lufta në Siri, Ali tha: Këtu nuk ka Ditë të Nënës. Nuk ka as Bajram. Nuk e kam askënd. Nipat dhe mbesat nuk e kanë askënd. Askush nuk është i qetë. Bajrami shënohet me familjen”.

Ajo tha se gjatë natës përjeton çaste të vështira, pasi i mungojnë fëmijët.

“Pse është kështu bota? Më parë, nuk mungonin mysafirët. Tani, përveç disa të moshuarve si puna ime, nuk vjen askusht tjetër”, shprehet gjyshja siriane.

Gjendja në Idlib

Në kuadër të takimit të zhvilluar mes Turqisë, Rusisë dhe Iranit më 4-5 maj 2017 në Astana, u shpallën 4 zona të deeskalimit, përfshirë qytetin Idlib dhe disa zona të qyteteve fqinje rreth tij (Latakia, Hama dhe Halep), në pjesën veriore e qytetit Homs, Gutën Lindore në kryeqytetin Damask dhe rajonet Dera dhe Kunejtra në jug të vendit.

Por, forcat e regjimit dhe terroristët me mbështetje iraniane nëpërmjet mbështetjes ajrore të Rusisë duke shkelur armëpushimin, përveç Idlibit morën nën kontroll zonat e tjera të mbetura nga 4 rajonet për të cilët ishte vendosur që të ruhej situata.

Pasi forcat e regjimit përshpejtuan përforcimin ushtarak në shtator 2018, Turqia dhe Rusia më 17 shtator 2018 në Soçi arritën një marrëveshje shtesë për të forcuar armëpushimin. Regjimi pas një kohe të shkurtër rifilloi sërish sulmet që i kishte ndërprerë, dhe në maj 2019 filloi operacionin tokësor për të marrë nën kontroll gjithë rajonin.Ministri turk i Mbrojtjes, Hulusi Akar, në një deklaratë më 10 maj 2019, tërhoqi vëmendjen duke njoftuar se sulmet dhe provokimet në rritje të njësive të regjimit në jug të Idlibit janë shndërruar në operacion tokësor që nga 6 maji.

Regjimi dhe mbështetësit e tij që nga kjo periudhë si rezultat i sulmeve intensive artilerike dhe sulmeve ajrore, krahas rajoneve të mëdha si Kafranbuda, Khan Shaykun, Maarat al-Numan, Saraqib, morën nën kontroll edhe pjesën jugore dhe juglindore të Idlibit, pjesën veriore dhe periferinë lindore në Hama, pjesën jugore dhe periferinë perëndimore të Halepit si dhe shumë vendbanime të tjera.

Që nga Marrëveshja e Soçit më 17 shtator 2018 e deri më tani, nga sulmet e kryera në Idlib nga regjimi dhe mbështetësit e tij kanë humbur jetën rreth 2.000 civilë. Ndërkaq, numri i të zhvendosurve që nga janari 2019 e deri më tani ka arritur në 2 milionë.

Më 12 janar 2020, Turqia dhe Rusia sërish ranë dakord për fillimin e një armëpushimi, por regjimi i Asadit dhe aleatët e shkelën atë dhe i vazhduan sulmet në Idlib. Armëpushimi i fundit ka hyrë në fuqi më 6 mars dhe respektohet në masë të konsiderueshme, me shkelje të kohëpaskohshme nga forcat e regjimit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit