10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

“Gjatë periudhës 1998-2005, në Kosovë 11 gazetarë të vrarë dhe 4 të zhdukur”

Më të lexuarat

Asociacioni i Gazetarëve të Kosovës (AGK) në bashkëpunim me Misionin në Kosovë të Organizatës për Siguri dhe Bashkëpunim në Evropë (OSBE) kanë mbajtur konferencë për gazetarët e zhdukur dhe të vrarë në Kosovë në periudhën 1998-2005.

Në konferencë u bë e ditur se që nga viti 1998 deri në vitin 2005 janë raportuar 4 gazetarë të zhdukur dhe 11 të vrarë.

Shefi i Misionit të OSBE-së në Kosovë, Jan Braathu, tha se mosndëshkimi me drejtësi i këtyre rasteve inkurajon përsëritjen e gabimeve edhe më tutje.

“Jemi këtu për të kërkuar drejtësi për gazetarët dhe punëtorët e mediave që nuk kanë heshtur me punën e tyre gjatë një kohe të vështirë. Aspekti njerëzor ka aq rëndësi sa aspekti politik. Është me rëndësi të mos harrojmë se çfarë ka ndodhur në të kaluarën. Është më rëndësi për mua të theksoj që ne në OSBE nuk e shohim këtë si çështje etnike, por si çështje njerëzore”, tha Braathu.

Braathu tha se në dy dekadat e fundit Indeksi i Lirisë së Shtypit dhe Reporterët pa Kufij renditi Kosovën në vendin e 75-të, por siç tha ai, me rastin e përparimit të Kosovës duhet ende punë.

“Në këtë vit janë bërë 28 raste kërcënimesh dhe sulmesh ndaj gazetarëve që janë raportuar në AKG. Kjo tregon një rënie nëse e krahasojmë me vitet e kaluara. Rastet që nuk trajtohen nga e kaluara mund t’i bëjnë njerëzit të mendojnë se mund të ikin pa u ndëshkuar”, shtoi Braathu.

Kryetarja e AGK-së, Gentiana Begolli-Pustina, tha se gazetarët përmes punës synojnë të parandalojnë krimin dhe abuzimin me pushtetin.

Begolli-Pustina ka kërkuar nga OSBE dhe nga të gjitha organizatave e ambasadat për krijimin e një fondi që do të kontribuonte për hulumtimin e rasteve dhe që do të shërbente si kujtim për gazetarët e vrarë.

Ndërkaq, kryesuesi i Asociacionit të Gazetarëve të Serbisë të regjistruar në Kosovë, Budimir Niçiq, ka propozuar që të formohet një komision i posaçëm që do merret me rastet e gazetarëve të zhdukur, pasi siç tha ai “Kosova është në vend të parë në nivel të Evropës sa i përket rasteve të pazgjidhura”.

Në këtë konferencë kanë folur edhe familjarët e disa gazetarëve të vrarë, të cilët theksuan se “është patetike në një Kosovë të vogël nuk është zgjedhur asnjë rast i gazetarëve të vrarë” dhe shprehën shpresë që “urdhërdhënësit e vrasjeve do të dalin para drejtësisë”./AA

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit