GHB, droga e fundit e përhapur në Prishtinë

0
43

Fakti se në Kosovë shumë të rinj përdorin substance narkotike mbetet shqetësues.

Sipas statistikave të organizatave joqeveritare që merren me këtë problematikë, vetëm në shkolla 20 për qind e nxënësve përdorin lloje të ndryshme të këtyre substancave. E, mosha më e re e nxënësve që përdor këtë substancë është 12 vjeçe. Kjo problematikë është ngritur edhe në Kuvendin e Kosovës nga Burim Ramadani, deputet nga radhët e Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, në seancën e 20 dhjetorit.

Por, kohëve të fundit në treg po hyjnë lloje të reja të drogave, të cilat sipas zyrtarëve shëndetësorë, janë me rrezikshmëri të lartë.

Substanca narkotike më e re në treg, e quajtur GHB (Hydroxybutyric acid), po përdoret nga të rinjtë në masë të madhe. Për një gjë të tillë na tregon Mirlinda, një e re, e cila po ballafaqohet me pasojat e kësaj droge që e përdor vëllai i saj.

Ajo shpjegon për ndikim e GHB-së në organizmin e njeriut, si dhe pasojat që po i sjell kjo substancë narkotike:

“Droga GHB është përhap shumë sidomos në Prishtinë. Nëse del në kafeteri e vëren që ka shumë njerëz që janë të ndikuar prej asaj droge. Ndikimi i drogës GHB në organizëm vërehet nga sjelljet e shthurura të personit. Kam lexuar që ndikon si afrodiziak në trurin e njeriut, andaj edhe ka shenja të vulgaritetit seksual. Konsiderohet si drogë e rrezikshme, për shkak të ndikimit të saj te njeriu që e konsumon dhe tek tjetri që mund të ketë ndikim”, tha Mirlinda për Radion Evropa e Lirë.

Safet Blakaj, drejtues i Qendrës rehabilituese nga droga “Labirinthi”, pohon se tashmë substanca narkotike GHB, e cila ka hyrë në treg, është shumë e përhapur dhe po përdoret nga të rinjtë, sidomos në Prishtinë.

“Tash kanë filluar të paraqiten drogat e reja që quhen ‘drogat e reja të dizajnuara’ e që komplikojnë shumë çështjen e problematikës së drogave. Sidomos në qytetin e Prishtinës ka marrë hov droga që i takon grupit të depresantëve, përdorimi i gjatë i së cilës shkakton probleme të mëdha shëndetësore”, sqaron Blakaj.

Mirlinda thotë se i është dashur shumë të konsultohet me mjekë dhe të lexojë shumë, derisa ka ardhur në përfundim se çka me të vërtetë po konsumon vëllai i saj.

“Kemi pasur problem në sjelljet e vëllait për shkak se është drogë likuide dhe drejtpërdrejt e atakon trurin. Kriza dhe varësia ishin shumë të mëdha nga kjo drogë.

Vëllai im ka rënë në mbidozë nga droga GHB, dhe e kemi dërguar në emergjencë, por nuk kanë pasur trajtim adekuat për ta trajtuar mbidozën, nuk ka pasur ndonjë trajtim emergjent për ta ndihmuar në atë rast. Por, i kanë dhënë ndihmën e parë, si frymëmarrja artificiale dhe masazh i zemrës”, tregon Mirlinda.

Ndërkaq, Shaban Mecinaj, neuropsikiatër në Qendrën Klinike Universitare, thotë se është në dijeni për këtë lloj substance, por që, siç thotë ai, është shumë e çuditshme pse askush prej përdoruesve të GHB-së nuk ka kërkuar ndihmë në Klinikën Neuropsikiatrike për trajtim nga kjo substancë!

“Te ne askush nuk kërkon ndihmë, shumë e çuditshme pse, pasi është drogë shumë e përhapur, por që nuk po kërkojnë trajtim lidhur me këtë dukuri! Është drogë shumë helmuese, sepse ka komponentë jashtëzakonisht të dëmshme toksike dhe kancerogjene, si dhe krijon varësi. Quhet edhe drogë e dhunës, sepse kur përdoret në doza të mëdha pëson ndryshime personi dhe bëhet i dhunshëm. E keqpërdorin të rinjtë edhe për rritjen e epsheve, për keqpërdorimin e gjinisë së kundërt, e kështu me radhë”, thekson Mecinaj.

Por, neuropsikiatri Mecinaj megjithatë e ka një shpjegim pse përdoruesit e kësaj substance nuk kërkojnë ndihmë mjekësore.

“Është drogë që është problem për gjykatën, hetuesinë, policinë e kështu me radhë”, shton Mecinaj.

E, autoritetet e rendit deklarojnë për REL se lidhur me substancën narkotike GHB kanë informacione se ajo është e pranishme. Sipas tyre, ende nuk ka filluar të përhapet sikur tri drogat tjera: marihuana, kokaina dhe heroina, megjithatë, ata pohojnë se kjo substancë narkotike po përdoret nga të rinjtë

Ata thonë se janë duke mbledhur informacione lidhur me mënyrën e arritjes se kësaj droge në Kosovë, si dhe mënyrën e shpërndarjes dhe përdorimit.

Edhe Safet Blakaj, këtë substancë narkotike e quan drogë e dhunimeve, meqë, siç thotë ajo edhe në Evropë njihet si e tillë.

“Është në formë të lëngët, është e pangjyrë, si uji, por më e dendur. Është shumë problematike, sepse përzihet me të gjitha pijet e mundshme dhe është problematike edhe për policinë që të ndiqet kjo drogë dhe të identifikohet”.

“Në Evropë quhet droga e dhunimeve, për arsye se doza e ulët e jep një efekt të eksitimit seksual, dhe nën ndikimin e saj kanë ndodhur dhunime të shumta dhe është shumë e vështirë edhe nga gjykatat të identifikohet se a ka qenë dhunimi nën ndikimin e kësaj lloj droge”, shpjegon Blakaj.

Ndryshe, autoritetet e rendit për periudhën 1 janar – 13 qershor të këtij viti kanë konfiskuar 49 kilogramë heroinë, 456 kilogramë marihuanë , 4 kilogramë kokainë, si dhe 1 682 bimë kanabisi./koha/kohaislame