13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Futbollistët shqiptarë që praktikojnë fenë (Foto)

Më të lexuarat

Krahas futbollit, i cili kërkon përkushtim shumë të madh për të qenë i suksesshëm, disa yje shqiptare e praktikojnë maksimalisht edhe fenë Islame, të cilës i takojnë.

Shumë futbollistë shqiptarë tashmë janë bërë emra të njohur e të mëdhenj në Evropë. Dhe, si të tillë që janë, çdo veprim i tyre përcillet me kujdes të veçantë. Në kuadër të vëzhgimit të vazhdueshëm, shumë yje të futbollit shqiptarë janë vërejtur se janë shumë të dhënë edhe pas fesë, krahas futbollit, shkruan Zëri.

Shumica prej tyre i përkasin Islamit. Por, disa nga ta kanë konfirmuar se janë besimtarë shumë të devotshëm. Një gjë të tillë së fundmi e bëri Shkodran Mustafi.

Kampioni botëror me Gjermaninë, të shtunën, nëpërmjet rrjetit social ia uroi nënës së tij ditëlindjen, nëpërmjet një thënie të profetit Muhamed. “Profeti Muhamed ka thënë: ‘Parajsa është ndër këmbët e nënës’. Urime Ditëlindjen”, kishte shkruar futbollisti shqiptar nga Maqedonia, i cili është bërë lojtar i rëndësishëm i Valencias. Duke e përsëritur këtë thënie të profetit Muhamed, Mustafi dëshmoi se e njeh në thelb Islamin.

 

Xherdan Shaqiri,

Ndër futbollistët shqiptarë që e praktikojnë fenë islame është edhe Xherdan Shaqiri. Ylli i Zvicrës dhe Interit këtë e ka dëshmuar me dhjetëra herë. Çdo festë islame futbollisti nga Zhegra ua uron besimtarëve nëpërmjet rrjeteve sociale.

Ai fal edhe namaz. Por, jo vetëm kaq. Edhe e agjëron Ramazanin. Siç dihet, Kampionati Botëror “Brazili 2014” u zhvillua në të njëjtën kohë me muajin e Ramazanit.Mediat botërore shkruanin se si do të gjendet Shaqiri në atë rast: do të agjërojë apo do të heqë dorë nga agjërimi për ta ndihmuar maksimalisht Zvicrën. 23-vjeçari e kishte zgjedhur këtë të dytën, pasi edhe vera ishte shumë e nxehtë në Brazil, por besohet se ditët e humbura pa agjëruar, Shaqiri i ka zëvendësuar pas Botërorit. Por, kjo ende nuk është e konfirmuar.

Përndryshe, sa luante te Bayern Munichu, Shaqiri iu është shmangur festave me birra (pije alkoolike të ndaluara me fenë islame), kur ekipi i tij fitonte trofe. Kur ka shënuar ka pasur raste kur është parë duke e falënderuar Zotin.

Kalimi i tij te Inter ishte arsyetuar me disa raportime, kinse klubi italian ia ka mundësuar ta praktikojë maksimalisht fenë e tij.

 

Mavraj e Azemi, kampionë në fe

Përkushtimi i madh në fenë islame është vërejtur edhe te Mërgim Mavraj, i cili madje mund të konsiderohet si “kampion fetar”. Mbrojtësi i Kolnit edhe për mediat gjermane ka rrëfyer se sa është i përkushtuar për t’i kryer obligimet që ia përcakton feja e tij.

“Unë jam shumë fetar dhe merrem shumë me veten time. Sa shpesh luteni? Pesë herë në ditë. Lutja në vetvete është po ashtu një lloj meditimi. Shokët e mi më respektojnë plotësisht. Unë kur jam në autostradë, shkoj në një parking dhe falem. E bëj atë pothuajse kudo, pasi është diçka normale për mua. Kjo është jeta ime”, kishte deklaruar Mavraj për Bild, derisa ka bërë foto edhe nëpër xhami, por edhe duke e mbajtur në dorë librin e shenjtë, Kuranin.

Sikurse Mavraj, në fe është i përkushtuar maksimalisht edhe sulmuesi i Kosovës, Ilir Azemi. Sa luanin bashkë me Mavrajn në Greuther Furth bashkë faleshin dhe bashkë luteshin dhe agjëronin. Para pak kohësh, Azemi e pësoi një aksident në trafik. Dhe fjalët e para të tij ishin ato falënderuese për Zotin që ia shpëtoi jetën. Ndërsa sot, lutet që t’u kthehet sa më shpejt fushave.

 

Cana fal namaz

Lorik Cana është një tjetër mysliman dhe besohet se e praktikon goxha shumë fenë islame. Futbollisti më i dashur te tifozët shqiptarë thuhet se fal namaz, ndërkohë më herët në rrjetet sociale ishte shpërndarë një foto, në të cilën kapiteni i Shqipërisë shihej duke shkruar në gjuhën arabe “Allahu Ekber”, që në shqip do të thotë “Zoti është më i madhi”.

Por mbetet enigmë vërtetësia e asaj fotografie. Në dallim prej të tjerëve, publikisht Cana më shumë merret me çështje kombëtare sesa fetare.

 

Lenjani, Meha, Krasniqi dhe tjerë

Përpos Shaqirit, Mustafit, Canës, Mavrajt e Azemit, edhe shumë futbollistë të tjerë shqiptarë janë deklaruar publikisht se i përkasin fesë islame. Ndër lojtarët tjerë që kryejnë obligimin fetar është edhe mesfushori fantastik i Kombëtares së Shqipërisë, Ermir Lenjani, i cili falet, ndërsa xhaminë rregullisht e viziton edhe mesfushori i Përfaqësueses së Kosovës, Liridon Krasniqi.

E njëri nga specialistët e gjuajtjeve të lira, Alban Meha, fal pesë vaktet e namazit, dhe është njeri i përkushtuar ndaj fesë islame. /Zëri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit