15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Fuqia e besimtarit është në zemër dhe jo në trup

Më të lexuarat

Kur qëndrojmë për një kohë të gjatë për ta bërë një punë të dynjasë, trupi ynë e duron atë pa ndonjë vështirësi të madhe, por kur e falim namazin, atëherë i lexojmë suret më të shkurtra nga Kurani, edhe pse kemi forcë të qëndrojmë më gjatë në namaz. Kjo do të thotë, se nuk është problemi në trup, por në zemër.

Sa herë e kemi pritur agimin në lojë dhe argëtim, në kotësi, dhe sa pak net kemi kaluar në namaz të natës. Trupi ynë është i gatshëm dhe i aftë për namaz të natës, por zemrat tona nuk janë të gatshme, sepse janë të dobëta dhe të përgjumura.

Për 10 ose 15 vjet ne insistojmë t’i zgjojmë fëmijët tanë për në shkollë dhe kjo nuk na mërzit, sepse e dimë se po i zgjojmë ata për diçka, prej së cilës do të përfitojnë në jetë, por ne nuk insistojmë që në mënyrën më të bukur t’i zgjojmë për namaz të sabahut, i cili është më i dobishëm dhe më i vlefshëm sesa tërë dynjaja dhe gjithçka që ka në të. Për më tepër, shpesh herë edhe vetë neve na ndodh që të flemë në sabah, jo sepse kemi një problem të zgjohemi herët, por sepse zemrat tona janë të dobëta dhe të përgjumura, dhe që me vështirësi i zgjojmë ato në sabah. Nuk është problemi në trup, por në zemër.

Ne me orë të tëra mund të ulemi, të dëgjojmë dhe të bisedojmë biseda dhe thashetheme të ndryshme, por nuk mund të ndajmë çdo ditë nga një orë për dhikër dhe lexim të Kuranit. Nuk është problemi në trup, por në zemër.

Për dallim prej nesh, Zekerija (a.s.), iu ankua Allahut për dobësim dhe këputje të trupit, dhe jo për dobësim të zemrës, duke thënë: “O Zoti im, me të vërtetë, më janë dobësuar eshtrat, e koka më është zbardhur nga pleqëria. E, lutja ime Ty, nuk ka mbetë kurrë pa u pranuar.” (Merjem, 4)

Eshtrat i janë dobësuar, por zemra nuk i është dobësuar, sepse zemra e besimtarit është gjithmonë e re dhe nuk plaket. Ai u ankua për dobësim të eshtrave dhe zbardhje të kokës, por nuk u ankua për dobësi të shpirtit, dobësi të vullnetit dhe të aspiratave të larta. Forca e besimtarit është në zemrën e tij, jo në trupin e tij.

Sa shumë ka gra e burra muslimanë të moshuar, të cilëve ju janë dobësuar eshtrat dhe ju janë zbardhë kokat, por ata agjërojnë çdo ramazan, madje bëjnë edhe agjërim vullnetar dhe falin namaz të natës, ndërsa shumë të rinj, duke qenë në kulmin e forcës së tyre, nuk janë në gjendje ta bëjnë këtë, jo për shkak të trupit të tyre të dobët, por për shkak të dobësisë së zemrës dhe shpirtit.

Nuk është problemi në dobësimin e eshtrave, por problemi është në dobësinë e zemrës dhe në pavendosmëri.

Çelësat e mirësisë

Mos i harroni dhe mbani në mend këta katër çelësa:

(1) – Çelësi për çdo vështirësi në jetën tënde është istigfari – kërkimi i faljes nga Allahu.

(2) – Çelësi për lumturi dhe sukses në jetën tënde është bamirësia ndaj prindërve tu.

(3) – Një nga çelësat për të hyrë në xhenet është t’i falësh të gjithë muslimanët që të kanë lënduar dhe çdo natë të shtrihesh në shtrat me zemër të pastër.

(4) – Çelësi i afërsisë me Pejgamberin (savs), në Ditën e Gjykimit është morali i mirë dhe sjellja e bukur ndaj të gjithë njerëzve. http:

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit