Fule: Urime! Tash e tutje do të ketë më shumë BE në Kosovë!

0
29

Komisioneri për Zgjerim dhe Politika Evropiane të Fqinjësisë, Shtefan Fule, ka përshëndetur përfundimin e mbikëqyrjes ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës. “Jam këtu sonte t’u gëzohem arritjeve tuaja dhe t’ju inkurajojë që ta ndërtoni një Kosovë të qëndrueshme, demokratike, të begatë dhe shumetnike”, ka thënë Fule në fjalimin e mbajtur të hënën në mbrëmje në pritjen e organizuar në Prishtinë me rastin e përfundimit të mbikëqyrjes së pavarësisë.

“Kosova e ka zgjedhur rrugën e saj të reformave, të cilat do ta shpijnë drejt Bashkimit Evropian. Andaj jam këtu t’jua përçoj një mesazh të mbështetjes së fuqishme nga Bashkimi Evropian. Ne do t’ju mbështesim edhe më shumë gjatë përballjes tuaj me këto sfida të reja… Prania ime këtu sonte e shpreh qartë përkushtimin tonë. Tash e tutje do të ketë më shumë e jo më pak BE në Kosovë. Ne jemi të përkushtuar që t’ju ndihmojmë në përpjekjet tuaja dhe jemi të përcaktuar që ta luajmë një rol edhe më të rëndësishëm se gjer tani”.

“Kosova ka bërë përparim të madh në rrugën e saj drejt Bashkimit Evropian, e veçmas gjatë këtij viti. Dialogu për viza ka filluar në janar të vitit 2012… Hapi i përparimit të Kosovës drejt integrimit evropian nuk varet prej Bashkimit Evropian, as prej Komisionit Evropian e as prej shteteve anëtare. Ai varet krejtësisht prej punës suaj në reforma, aq sa edhe prej aftësisë së të gjitha partive politike që të ndërtojnë një konsensus të fuqishëm rreth idesë evropiane. Një konsensus i tillë po mungon sot. Siç është parë gjatë proceseve të mëhershme të zgjerimit, vendet me përkushtim më të madh që t’i bashkohen Bashkimit Evropian janë edhe më efektivet në zbatimin e reformave”.

“Ftoj udhëheqësit e të gjitha bashkësive që t’i përkrahin reformat e vështira, por të nevojshme. Tani më i keni bërë hapat tuaj më të rëndësishëm në rrugëtimin tuaj plot sfida. Tani duhet vetëm të vazhdoni, me një vizion, kurajë dhe angazhim konstruktiv. Jam i bindur se mund ta bëni këtë për Kosovën. Jemi krah me ju dhe do t’ju mbështesin në çdo hap tuajin përpara. Sot e keni përmbyllur një kapitull të rëndësishëm. Ndërsa, po e hapni një tjetër që është edhe më i rëndësishëm. Pres t’ju bashkohem në një darkë të ngjashme në të ardhmen për ta shënuar anëtarësimin e Kosovës në Bashkimin Evropian, pasi ky është fati i cili na pret në fund të rrugëtimit tonë të përbashkët në vitet në vijim”, ka thënë ndër të tjera Fule. /Tg/kohaislame