FSK-ja, me kapacitete për misione jashtë vendit

0
51

Forca e Sigurisë së Kosovës ka kapacitete edhe për misione jashtë vendit, ka theksuar për Radio Kosovën, Komandanti i saj, Gjeneral-lejtnant, Kadri Kastrati. Sipas tij, deminimi, logjistika, fusha e mjekësisë dhe kërkim-shpëtimit, janë fushat në të cilat FSK-ja mund të jap kontributin, për çka njësitet përkatëse janë të licencuara ndërkombëtarisht.

Komandanti i FSK-së, gjeneral-lejtnant Kadri Kastrati tha se forca që ai drejton është e aftë të kryejë operacione jashtë vendit. Por, për ta bërë këtë, sipas Kastratit, FSK-ja duhet të ketë mbështetje logjistike.

“Ne nuk mund t’i zbarkojmë trupat jashtë vendit. Në rajon ne i transportojmë trupat me forcat tona, por e kam fjalën me larg siç është Afganistani, Iraku, ndoshta nesër Afrika që na nevojitet transport ajror. Ne nuk i kemi këto mundësi dhe për këtë arsye neve na nevojitet një shtet përkrahës që të na merr nën ombrellën e tyre që ne të marrim pjesë në kontingjentin e tyre në misione paqeruajtëse”, ka thënë Kastrati për RTK.

Kastrati bëri të ditur se i është bërë kërkesë shteteve të fuqishme të NATO-së që ta ndihmojnë FSK-në, në këtë aspekt.

Ai tha se Republika e Shqipërisë ka premtuar që do të lobojë tek vendet anëtare të NATO-së për t’i bindur ato se FSK-ja ka kapacitete për misione paqeruajtëse.

“Kontributi më i madh që FSK-ja mund ta japë është në fushën e dominimit, gjë që është duke e bërë qe 10 vjet në Kosovë dhe njësitet e deminimit janë të licencuara ndërkombëtarisht”, bëri të ditur gjeneral Kastrati.

“Një prej operacioneve që ne kishim mundur me dhënë kontribut është edhe deminimi ku jemi të licencuar ndërkombëtarisht dhe jemi duke e bërë tashmë 10 vite. Pastaj në kapacitetet e logjistikës, mjekësisë ku ne mund të jemi krah për krah me ushtritë tjera dhe iu garantoj juve dhe opinionin që FSK-ja do kryente me sukses këtë detyrë që do të na jepej në një të ardhme të afërt”, tha ai.

Misioni i FSK-së është që të kryej operacionet e reagimit ndaj krizave në vend dhe jashtë tij; operacionet e mbrojtjes civile brenda Kosovës si dhe t’i ndihmojë autoritetet civile në përgjigje ndaj katastrofave natyrore dhe emergjencave të tjera.kohaislame