15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Frutat e përmendura në Kur’anin famëlartë

Më të lexuarat

Shpesh Kur’ani Famëlartë na e tërheq vëmendjen të kthejmë shikimin nga libri i natyrës duke na nxitur të meditojmë dhe të bëjmë kërkime në fusha të ndryshme.

Frutat e përmendura në Kur’an njihen si një burim i mirë ushqyerjeje dhe shërimi të shumë sëmundjeve. Për këtë arsye në këtë shkrim ne do të japim versionin dhe mendimin e mjekësisë së sotme në lidhje me dobitë e këtyre produkteve. Për ta bërë këtë ne kemi kontaktuar persona specialistë të kësaj fushe.

Me anë të këtij shkrimi ne nuk i drejtohemi lexuesit me fjalët “lërini mënjanë metodat kuruese të mjekësisë moderne dhe kurohuni me frutat e përmendura në Kur’an”. Qëllimi i artikullit është përdorimi i këtyre produkteve në trajtë melhemi, tablete, shurupi apo çamçakëzi pasi të bëhet analizimi i tyre nga farmacistët dhe të jenë zhvilluar eksperimentet e nevojshme.

Kur’ani nuk është mjaftuar me transmetimin tek njerëzit të ligjeve fetare, sociale dhe ligjore, por në të njëjtën kohë ka shpalosur dhe principet më të përkryera mbrojtëse mjekësore. Madje mund të themi se Kur’ani ka si qëllim mbrojtjen e shëndetit njerëzor jo vetëm në fushat e mjekësisë por në të gjitha fushat e jetës së njeriut me anë të ligjeve të sjella.

Para së gjithash Islami dhe libri i shenjtë Kur’ani i drejtohet njeriut me çdo gjë të shkruar në të. Për këtë arsye Kur’ani kërkon ta mbrojë njeriun ndaj çdo lloj sëmundjeje fizike dhe shpirtërore, duke sjellë ligje dhe principe të përkryera në lidhje me këto tema. Principet dhe ligjet solide të Kur’anit sigurojnë trupin e njeriut dhe shpirtin e tij përballë sëmundjeve të ndryshme, duke mos harruar rrugët dhe mënyrat e shërimit në rast të sëmundjes.

Në Kur’an përmenden emrat e disa frutave dhe produkteve ushqimore, por nuk i lihet shumë vend veçorive të këtyre produkteve. Parë nga ky aspekt pasqyrimi i hollësishëm i një produkti ushqimor do të binte ndesh me qëllimin e Kur’anit. Por në këtë pikë ekziston një çështje shumë e rëndësishme, pasqyrimi i emrave të këtyre frutave apo produkteve ushqimore. Frutat dhe ushqimet e përmendura në Kur’an sigurisht që përmbajnë yndyrat, proteinat dhe karbohidratet e nevojshme për shëndetin e njeriut. Kur’ani përmend ushqimet e pasura me proteina si peshku, mishi dhe qumështi, ushqimet e pasura me karbohidrate si gruri, qepa, hudhra, thjerrëza, hurma dhe rrushi. Siç e shohim përmend fruta, zarzavate të ndryshme dhe yndyra bimore.

Përmendja pikërisht e këtyre produkteve në mesin e shumë produkteve tjera ushqimore nuk është e rastësishme. Në shekullin tonë është kuptuar edhe më mirë rëndësia e këtyre ushqimeve në shëndetin e njeriut. Madje mund të themi se këta produkte janë mbrojtëset kryesore të shëndetit të tij. Me përmendjen e tyre Kur’ani ka nënvizuar mjetet të cilat ndikojnë pozitivisht në shëndetin e njeriut, duke na tërhequr vëmendjen pak më shumë. Edhe specialistët e ushqyerjes të kohëve të sotme pohojnë të njëjtën gjë. Sepse siç e dimë zgjedhja e ushqimeve, ndikimi i tyre në shëndetin e njeriut, dëmet e ushqyerjes së tepërt dhe ushqyerja e pamjaftueshme luajnë një rol të rëndësishëm në ngrënie.

Sigurisht që përmendja e këtyre ushqimeve në Kur’an, librin udhërrëfyes për të gjithë njerëzimin deri në ditën e fundit, duhet të mbartë një urtësi më vete. Pra ata nuk janë përmendur pa qëllim. Padyshim që dobia e tyre është e padiskutueshme përderisa janë përmendur vetëm emrat e tyre në mesin e shumë frutave dhe zarzavateve të tjera. Por ne me këto fjalë nuk duam të themi se ushqimet e tjera janë të padobishme. Në këtë artikull ne duam të ndalemi pak tek vendi që zënë këta ushqime në ushqyerjen e njeriut, dobitë e tyre mjekësore dhe anët kuruese. Krahas kësaj nuk mund të themi se ky është shkaku i vetëm i përmendjes së tyre në Kur’an. Sepse këta fruta mund të kenë dhe shumë anë të tjera pozitive. Ajo që ne po bëjmë tani është ndoshta analizimi i njërës prej urtësive të shumta të Kur’anit. Allahu e di më së miri.

Frutat e përmendura në Kur’an njihen si një burim i mirë ushqyerjeje dhe shërimi të shumë sëmundjeve. Për këtë arsye në këtë shkrim ne do të japim versionin dhe mendimin e mjekësisë së sotme në lidhje me dobitë e këtyre produkteve. Për ta bërë këtë ne kemi kontaktuar persona specialistë të kësaj fushe.

Me anë të këtij shkrimi ne nuk i drejtohemi lexuesit me fjalët “lërini mënjanë metodat kuruese të mjekësisë moderne dhe kurohuni me frutat e përmendura në Kur’an”. Qëllimi i artikullit është përdorimi i këtyre produkteve në trajtë melhemi, tablete, shurupi apo çamçakëzi pasi të bëhet analizimi i tyre nga farmacistët dhe të jenë zhvilluar eksperimentet e nevojshme.

Nuk është e drejtë të themi se frutat që do të përmendim më poshtë të jenë të dobishme për çdo njeri. Sepse përmasat e një njeriu, sasia e ilaçit, mënyra e përdorimit të tij, zona gjeografike ku jeton mund të japin rezultate të ndryshme nga një person tek tjetri. Mjekët përputhen në një mendim: ilaçi i së njëjtës sëmundje ndryshon sipas moshës, kohës, zakoneve dhe forcës së natyrës së personit. Prandaj ata të cilët nuk arrijnë të gjejnë shërim nga një produkt për të cilin themi se është kurues le ta lidhin shkakun e mosshërimit me ato të përmendura pak më sipër.

Ndërkohë që në ditët e sotme po vihet re një braktisje e ilaçeve efektet anësore të të cilave njihen nga ana tjetër shohim se është rritur interesi në përdorimin e ilaçeve bimore. Shpresojmë që ky punim modest të ndikojë në nxitjen e specialistëve të fushës në zhvillimin e kërkimeve më të detajuara.

Tani le të kalojmë tek frutat e përmendura në Kur’an dhe dobitë e tyre.

1. Hurma

Hurma [1] përmendet 20 herë në Kur’an si frut dhe pemë e hurmës.

“Nëpërmjet tij (ujit) rriten të lashtat, ullinjtë, palmat, rrushi dhe fruta të llojllojshme. Këtu ka vërtet tregues (të fuqisë hyjnore) për njerëzit që kuptojnë!” (Nahl, 11). Ajete të tjera ku përmendet hurma janë: Bekare, 266; Ra’d, 4; Merjem, 23, 25; En’âm, 99, 141; Rrahmân, 11, 68; Nahl, 67; Isrâ, 91; Kehf, 32; Tâhâ, 71; Mu’minûn, 19; Shuarâ, 148; Jâsîn, 34; Kâf, 10; Kamer, 20; Hâkka, 7; Abese, 29.

Hadith në lidhje me hurmën: “Hurma është nga frutat e xhenetit. Ajo është e dobishme kundër helmatisjes.” (Tirmidhi, Tip, 22) “Hani hurmë në mëngjes pa konsumuar asgjë tjetër sepse ajo zhduk parazitët e zorrëve.” (Kenzu’l- Ummâl, X, 26)

Hurma mundëson zhvillimin e trupit dhe mendjes. Është ushqyese dhe mbrojtëse kundër kancerit. Relakson mendjen dhe mundëson një qumësht gjiri të bollshëm dhe ushqyes për gjidhënëset. Sugjerohet që gratë lehona të konsumojnë hurma. Ajo gjithashtu heq dhimbjen e fytit, kollën, bronshitin dhe ankesat e të ftohurit. Është e dobishme në kurimin e sëmundjeve të kockave.[2]

Hurma është fruti më ushqyes për trupin në mesin e frutave të tjera. Nëse konsumohet herët në mëngjes pa ngrënë mëngjesin minimizon parazitët e zorrëve ose i zhduk plotësisht.

Esenca e hurmës është e rëndë për stomakun por ndikon në gjallërimin e gjakut. Hurma axhve shëron helmatisjen apo helmimet e rënda si ajo nga pickimi i akrepit.[3]

Mjekësia moderne sot ka zbuluar se hurma përmban 10 elementë të rëndësishëm në ruajtjen e shëndetit të njeriut. Krahas kësaj hurma përmban dhe sheqerin i cili ndikon në lëvizjen e organeve, shton energjinë e nxehjes dhe lehtëson tretjen e ushqimit.[4]

Hurma përmban të gjitha proteinat dhe vitaminat themelore. Për këtë arsye mjekësia moderne e quan atë si ‘ushqimin kryesor’. Sepse njeriu mund të jetojë edhe me një hurmë për shkak të përmbajtjes të të gjithë elementëve të nevojshëm për ushqyerjen e trupit të tij.[5]

Siç e dimë doktorët i këshillojnë gratë shtatzëna në konsumimin e një lëngu me sheqer para lindjes. Qëllimi i kësaj është shtimi i energjisë së trupit të lodhur të shtatzënës dhe prodhimi i qumështit të nevojshëm për fëmijën e porsalindur. Në këtë pikë hurma tregohet si ushqimi më i mrekullueshëm në rritjen e karbohidrateve dhe shtimin e qumështit, ushqimit kryesor të fëmijës së porsalindur. Allahu i Madhëruar e urdhëroi Merjemen të hante hurma dhe të pinte ujë ditën kur lindi Isanë (a.s): “Shkunde trungun e palmës që të bien mbi ty hurma të freskëta. Ha, pi dhe qetësohu!” (Merjem, 25-26)[6].

2. Fiku

Përmendet një herë në Kur’an: “Pasha fikun dhe ullirin, pasha malin e Sinait dhe për këtë qytet të sigurt (Mekën).” (Tîn, 1-3).

Duke na kujtuar se fiku është një nga frutat e xhenetit, Profeti ynë i nderuar ka shprehur rëndësinë e tij me këta fjalë: “Hani fikun. Nëse do të më duhej të përmendja një frut të zbritur nga xheneti do të përmendja fikun. Sepse frutat e xhenetit janë pa bërthamë. (nga fjala pa bërthamë kuptojmë frutat si hurma apo ulliri të cilat konsumohen pasi hiqet bërthama). Hani fiq sepse fiku heq hemorroidet (majasëllin) dhe zhduk dhimbjet e kyçeve.” (Kenz, 10, 44)

Fiku konsiderohet edhe si ilaç edhe si frut. Fiku është një frut i tretshëm lehtësisht, nuk qëndron shumë në stomak, pakëson sekrecionet, pastron mushkëritë, parandalon rërën në fshikëzën e urinës, hap enët dhe sinuset e gjakut të mëlçisë dhe shpretkës dhe është një nga frutat më të dashura. Krahas kësaj fiku ndikon në largimin e erës së pakëndshme të gojës, zgjat flokët dhe parandalon paralizën. Mund ta shfrytëzojmë si një ilaç për të hedhur jashtë toksinat e trupit.[7]

Fiku është një frut që ndikon në uljen e kolesterolit të gjakut dhe në parandalimin e ngritjes së menjëhershme të nivelit të sheqerit tek diabetikët. Kohëve të fundit janë zhvilluar studime rreth veçorisë antikancerogjene të fikut. Bëhet e ditur se lënda benzaldeh e gjendur tek fiku krijon mbrojtjen kundër kancerit. Benzaldehi është provuar mbi 57 të sëmurë të prekur nga kanceri, 19 prej tyre janë shëruar plotësisht ndërsa 10 prej tyre pjesërisht. Gjendja e 19 të sëmurëve të parë ka ardhur duke u përmirësuar.[8]

Qumështi i fikut ndikon në heqjen e lythave të shfaqura në lëkurë.[9]

Në të njëjtën kohë fiku është i dobishëm në lehtësimin e kollës, dhimbjeve të fytit, gjoksit. Ndikon në pastrimin e mëlçisë së zezë dhe shpretkës. Luan një rol të rëndësishëm në pastrimin e sekrecioneve të stomakut dhe hedhjen e tyre jashtë trupit. Nëse zihet me qumësht apo ujë është i dobishëm kundër fruthit dhe linjës së dhenve. Fiku ashtu siç shëron gripin në kohë të ftohtë apo të nxehtë, ashtu shëron dhe plagët e gojës dhe mishrave të dhëmbëve.

Sugjerohet të konsumohet nga gratë shtatzëna apo ato gjidhënëse si dhe tek të sëmurët me paralizë.[10]

Fiku ndikon në shkurtimin e kohës së shërimit të pacientit dhe në maturimin e çibanëve. Ai ndikon pozitivisht në lehtësimin e dhimbjeve të shkaktuara nga djegiet.[11]

3. Ulliri

Ulliri përmendet gjashtë herë në Kur’an: “Pasha fikun dhe ullirin, pasha malin e Sinait dhe për këtë qytet të sigurt (Mekën).” (Tîn, 1-3). Ajete të tjera ku përmendet ulliri janë: Nahl, 11; En’âm, 99, 141; Nûr, 35; Abese 29.

Lëvozhga e trungut të pemës së ullirit dhe gjethet ndikojnë në shtimin e oreksit, uljen e temperaturës, pastrimin e urinës dhe në uljen e sheqerit tek diabetikët. Gjethet e ullirit përmbajnë lëndë efektive në uljen e tensionit. Mund ta përdorin të sëmurët me tension jo shumë të lartë. Ndihmon në heqjen e parazitëve të zorrëve. Gjethja e ullirit duhet të konsumohet pas ushqimit sepse është e rëndë për stomakun. Krahas kësaj mund të përdoret edhe si një copë e butë në shërimin e plagëve të lehta, sepse ka veçori antimikrobike. Përdoret edhe në djegiet e shkallës së parë.[12]

b. Vaji i ullirit: përmendet dy herë në Kur’an: “si dhe pemën që rritet në malin e Sinait, që u jep vaj dhe mëlmesë atyre që e hanë.” (Mu’minûn, 20). Si dhe në ajetin 35 të sures Nur.

Profeti i nderuar në lidhje me vajin e ullirit thotë: “Përdoreni vajin e ullirit si ushqim dhe për t’u lyer me të. Sepse ai është nxjerrë nga një pemë e shenjtë dhe e begatshme.” Tirmidhi, Etime 43; Ibn Maxhe, Etime 34; Ahmed b. Hanbel, Musned, 3, 497; Hâkim, Mustedrek, 2, 398)

Në studimet e bëra rreth yndyrnave të ndryshme shtazore dhe bimore është parë se vaji i ullirit ndryshon prej tyre në efektin e uljes së kolesterolit në gjak. Këtë e realizojnë acidet e pangopura yndyrore të ullirit. Prandaj ky është vaji i mrekullueshëm të cilin mund ta përdorin të sëmurët me zemër dhe të prekur nga sëmundjet e enëve të gjakut.

Vaji i ullirit përmban dhe shumë përbërës të cilët nuk gjenden në vajrat e tjerë. Këta përbërës ulin tensionin, janë antibiotikë natyralë dhe njihen si antikancerogjenë.[13]

Vaji i ullirit me të vërtetë që është një mrekulli ashtu siç thuhet edhe në mesazhin hyjnor. Ai mund të qëndrojë pa u prishur për një kohë të gjatë dhe të përdoret si në prodhimin e ilaçeve ashtu edhe në fushën e pastrimit.[14]

Në disa ajete është përmendur pema e ullirit dhe ulliri ndërsa në disa të tjera është përmendur si vaj dhe mëlmesë për ato që e hanë frutin e ullirit. (Mu’minun, 20) Nisur nga kjo mund të themi se vaji i ullirit ka qenë një lëndë ushqyese shumë e rëndësishme në kohën e Profetit Muhamed (s.a.s).[15]

Vaji i ullirit i pasur me lëndë ushqyese dhe vitamina është vaji më i tretshëm nga të gjithë vajrat e tjerë. Krahas ndikimit të tij pozitiv në kurimin e sëmundjeve të zemrës dhe enëve të gjakut vaji i ullirit ndihmon zhvillimin e trurit të fëmijëve, forcimin e kockave dhe mbron stomakun nga ulçera. Krahas kësaj është një depozitë vitaminash dhe luan një rol të rëndësishëm në rigjenerimin e qelizave dhe shtyrjen e plakjes.

Vaji i ullirit është një burim ushqyes i pazëvendësueshëm për fëmijët sepse përmban vitaminat A, D, E dhe K. Ai minimizon acidin e gastritit, s’ka rëndësi nëse konsumohet i ftohtë apo i nxehtë. Ndikon në funksionimin e rregullt të tëmthit dhe është vaji i cili thithet më mirë nga zorrët. Ai ndihmon në funksionimin e rregullt të mëlçisë së zezë sepse zotëron një strukturë e cila ndikon në pastrimin e gjakut nga lëndët e dëmshme. Vaji i ullirit është ideal për të filluar dietën. Përdoret edhe në përgatitjen e disa ilaçeve në farmaci.[16]

Ulliri në të njëjtën kohë është një kundërhelm i rëndësishëm. Për këtë arsye ai parandalon rënien e flokëve.[17] Sot shumë specialistë të kozmetikës dhe bukurisë pohojnë ndikimin pozitiv të vajit të ullirit në forcimin e rrënjës së flokëve dhe shndritjen e tyre. Vaji i ullirit ushqen lëkurën. Studimet kanë treguar se përdorimi i rregullt i vajit të ullirit pengon deformimin e lëkurës dhe mbron trupin nga plakja, duke filluar nga kockat, truri e deri tek lëkura.

Vaji i ullirit ndikon në uljen e nivelit të kolesterolit të dëmshëm në gjak duke parandaluar kështu infarktet. Perëndimi sot e përdor vajin e ullirit në mbrojtjen e zemrës.[18] Vaji i ullirit ndikon pozitivisht në zbutjen e fekaleve.[19] Përdoret gjerësisht edhe në industrinë e sapunit.[20]

4. Rrushi

Rrushi, përmendet 11 herë në Kur’an “është Ai që lëshon ujë nga qielli nëpërmjet të cilit Ai nxjerr sythat e çdo bime. Prej kësaj Ne nxjerrim gjelbërim, kokrra gruri në kallinj, palma hurme të ngarkuara me kalaveshë të ulët, kopshte rrushi, ulliri dhe shege….” (En’âm, 99). Ja disa nga ajetet ku përmendet rrushi në Kur’an: Bekare, 266; Ra’d, 4; Kehf, 32; Jâsîn, 34; Nahl, 11, 67; Isrâ, 91; Mu’minûn, 19; Nebe’, 32; Abese, 28.

Frutin e rrushit mund ta përdorim që nga filizat e njomë, e deri në trajtën e fundit. Në fillim çelin filizat e parë jeshilë, të cilët kanë një shije të hidhur, me këta mund të bëhet edhe gjellë. Më pas çelin kokrrat e para të cilat janë të dobishme jo vetëm për të sëmurët, por edhe për personat e shëndoshë. Nga këto kokrra mund të përgatiten shurupe të nevojshme për të sëmurët me tëmth. Kur piqet plotësisht rrushi është shumë i ëmbël. Rrushi edhe mund të thahet dhe të mblidhet duke përftuar kështu ushqimet më të ëmbla. Nga rrushi mund të bëhet pistil, pekmez, uthull, etj.

Edhe fara e rrushit është e dobishme. Sipas analizave të zhvilluara nga mjekët fara e rrushit është shumë e dobishme për personat me stomak të dobët. Mjekët gjithashtu pohojnë se fara e rrushit mund të konsumohet pasi të jetë tharë dhe shtypur në trajtë pluhuri. Nuk është thënë kot që rrushi është mbreti i frutave.[21]

Rrushi është një produkt i fortë me shumë dobi mjekësore. Krahas kësaj ai pastron urinën dhe është një burim i madh energjie. Ashtu siç është benzina apo nafta burimi kryesor në lëvizjen e makinës, ashtu edhe energjia është kryesore në lëvizjen e njeriut. Rrushi është një frut me shumë kalori prandaj konsumimi i tij ia shton energjitë njeriut dhe e mban gjithnjë vital. Ndikon në shtimin e fuqisë fizike dhe mendore. Luan një rol të rëndësishëm në shtimin e gjakut dhe uljen e tensionit të lartë. Është i dobishëm në shërimin e ulçerës së stomakut, gastritit, sëmundjeve të mëlçisë së zezë, sëmundjeve të shpretkës, reumatizmës. Ushtron efekt pozitiv në heqjen e kapsllëkut dhe pastrimin e gjakut. Ndihmon në heqjen e të përzierave tek shtatzënat, pastron lëkurën dhe ndihmon në rënien e gurëve në veshka.[22]

Rrushi përmban vitaminën C. Kjo vitaminë konsiderohet si guri themelor i një ndërtese. Në mungesë të vitaminës C shfaqen gjakderdhje të lehta në kyçe. Krahas kësaj vihet re zbehje e lëkurës dhe nervozizëm. Një lëndë tjetër e cila ndikon në mbajtjen në formë të trupit është vitamina A. Vitamina C luan një rol të rëndësishëm në heqjen e nervozizmit, krahas kësaj edhe vitaminat B1 dhe B6, kalciumi dhe fosfori ndikojnë pozitivisht në këtë pikë. Tek personi i cili konsumon rrushin nuk do të vihen re zbehje të lëkurës, me ndihmën e vitaminë C nuk do të gjenden vatra gjakderdhjeje dhe me ndihmën e vitaminës A dhe C nuk do të gjenden sëmundje mikroskopike dhe pasoja të shkaktuara nga ato në trup.[23]

5. Shega

Shega përmendet në tre vende në Kur’an: “është Ai që lëshon ujë nga qielli nëpërmjet të cilit Ai nxjerr sythat e çdo bime. Prej kësaj Ne nxjerrim gjelbërim, kokrra gruri në kallinj, palma hurme të ngarkuara me kalaveshë të ulët, kopshte rrushi, ulliri dhe shege…” (En’âm, 99). Ajete të tjera në lidhje me shegën janë : En’âm, 141; Rahmân, 68.

Hz. Aliu (r.a) thotë: “Hajeni shegën bashkë me cipën e hollë brenda saj sepse pastron stomakun.”[24]

Lëvorja e shegës, lulet e saj dhe lëngu i shegës përdoren kundër diarresë.[25] Lëngu i shegës është parë se ndikon pozitivisht në forcimin e zemrës dhe është shumë i dobishëm për njerëzit e dobët. Nuk duhet përdorur shumë nga personat e sëmurë nga stomaku dhe zorrët, fëmijët e vegjël dhe shtatzënat.

6. Qershia

Qershia përmendet një herë në Kur’an: “E njerëzit e së djathtës, sa të nderuar që janë fatlumët! Ata do të qëndrojnë në mes të lotusve pa gjemba, bananeve të mbushura me fruta, nën hije të gjera, pranë një uji rrjedhës dhe mes frutave të llojllojshme të cilat kurrë nuk sosen as nuk janë të ndaluara.” (Vâkia, 28-33).[26]

Njeriu mund të shfrytëzojë qershinë, bishtat e saj, lulet dhe lëvoret e trungut. Fruti zakonisht konsumohet si ushqim, ashtu siç është ndërsa pjesët tjera konsumohen në trajtë ilaçi pasi të jenë tharë. Bishtat e qershive nuk duhen hedhur, por duhet të thahen dhe të ruhen në një qese. Kur përdoren në trajtë çaji këta bishta ndihmojnë në pastrimin e trupit nga toksinat. Tek qershia gjendet sheqeri, acidi i limonit dhe vitaminat A dhe C, ndërsa tek bishtat dhe trungu i saj gjendet tanin dhe kripërat potasium. Është një frut shumë i shijshëm dhe në të njëjtën kohë ndihmon në pastrimin e veshkave nga lëndët e dëmshme.[27] Ndihmon në pastrimin e gjakut dhe është shumë e dobishme në kurimin e reumatizmës, ashpërsisë së enëve të gjakut dhe gëlqerosjes së kyçeve. Ndihmon në minimizimin e fryrjes së mëlçisë së zezë, ekuilibrimin e gjëndrës së tëmthit, forcimin e fijeve nervore, rritjen e imunitetit të trupit, parandalimin e puçrrave dhe heqjen e etjes.

Lëvoret e trungut ndikojnë në uljen e temperaturës dhe në heqjen e diarresë. Lulet e saj janë efektive në heqjen e kollës.[28]

7. Banania

Banania përmendet një herë në Kur’an: “E njerëzit e së djathtës, sa të nderuar që janë fatlumët! Ata do të qëndrojnë në mes të lotusve pa gjemba, bananeve të mbushura me fruta, nën hije të gjera, pranë një uji rrjedhës dhe mes frutave të llojllojshme të cilat kurrë nuk sosen as nuk janë të ndaluara.” (Vâkia, 28-33).

Talh-i mendûd, do të thotë banane e suvatuar, fruti i së cilës është stivosur nga poshtë lart. Sipas shumicës së komentuesve të Kur’anit fjala talh do të thotë pema e bananes. Ndërsa mendud do të thotë e stivosur njëri mbi tjetrin si dhëmbët e krehërit.[29] Disa të tjerë mendojnë se nuk bëhet fjalë për bananen. Është përmendur një pemë fruti i së cilës është më i ëmbël se mjalti, e ngjashme me bananen që njohim ne. Po sigurisht që ka edhe komente të tjera.[30]

Banania plotëson të gjitha nevojat e trupit. Ndihmon në zhvillimin e kockave dhe në shkurtimin e kohës së shërimit të të sëmurit. Ka efekte pozitive në zbutjen e nervozizmit dhe heqjen e lodhjes. Mund të përdoret në rastet e sëmundjeve të veshkave dhe zorrëve. Ato të cilët vuajnë nga kapsllëku nuk u sugjerohet ta konsumojnë shpesh atë.[31] Kur fruti piqet, niseshteja që përmban kthehet në sheqer dhe bashkë me elementë të tjerë të rëndësishëm përzihen në gjak. Një banane e pjekur tretet për 1 orë e 45 minuta. Banania ndihmon në krijimin e qelizave të reja mbrojtëse në stomak, në shërimin dhe parandalimin e ulçerës.[32]

Përfundim

Kur’ani Famëlartë është një det i mbushur me njohuri dhe shkenca të ndryshme. Ata të cilët kërkojnë të arrijnë njohuritë e shpalosura në të, duhet të zhyten në thellësi të detit. Megjithëse në ditët e sotme mund të gjejmë shumë libra të përgatitur nga shkencëtarë të cilët mundohen t’i shërbejnë Kur’anit, Ai mbetet një libër i mbushur me margaritarë e safirë të çmuar, të cilët na i tregon herë pas here. Ai është i mbushur me gjëra mahnitëse, dritë hyjnore, dhurata të çmuara, të cilat mund ta shpëtojnë njeriun nga një jetë e pavlerë dhe fatkeqe. Ashtu siç thotë dhe Profeti ynë i nderuar: “Në të janë fshehur lajmet e të kaluarës dhe ato të së ardhmes. Në të mund të gjeni dhe vendimet në lidhje me çështjet që keni dyshime.. kuptimet e tij origjinale nuk kanë të sosur, Ai nuk plaket duke u përsëritur…”[33] Pra ai është një thesar. Për këtë arsye qindra shkencëtarë dhe dijetarë të nderuar, të cilët kanë bërë komentin e tij, në çdo shekull e kanë komentuar atë duke e analizuar nga anë të ndryshme. Myslimanët i kanë shfrytëzuar këta komente dhe vazhdojnë t’i shfrytëzojnë. Shpresojmë që kuptimet e tij origjinale të mos sosen deri në ditën e fundit. Padyshim që në të ardhmen do të dalin dijetarë të tjerë, të cilët do të komentojnë shumë anë të fshehta dhe të mbyllura të Kur’anit.

Autor: Prof. Dr. Davut Aydüz,
profesor në niversitetin Sakarya, Fakulteti i Shkencave Islame, Turqi.

____________________
[1] Bëhet fjalë për “hurmën e Arabisë”. Hurma axhve është emri i një lloj hurme të cilën e ka mbjellur vetë Profeti Muhammed (a.s) pas mërgimit në Medine. Ka një ngjyrë të afërt me të zezën, është kokërrmadhe, shumë e bukur dhe e shijshme. İbnü’l-Esîr, en-Nihâye, Acve md. Ayhan Yalçın, Şifalı Bitkiler Ansk., Geçit Kitabevi 1981, s.549.

[2] A. Rıza Karabulut, Tıbb-ı Nebevî Ansk., Ankara 1994, s.323-326.

[3] İbn Kayyim el-Cevziyye, Zâdu’l-Meâd, (trcm. heyet), İst., 1990, 5, 24.

[4] İnci Beşoğlu, Aile Ansk., İst., 1977, 2, 609.

[5] Farika Teymur, Kur’ân ve Tıb’ta Hurma, Zafer dergisi, sayı 96, s. 30-31.

[6] Râzî, Tefsîr-i Kebîr, Tîn suresi tefsiri.

[7] Kemal Sümbül, Bilinmeyen Yönleriyle İncir, Sızıntı, sayı 182, s.76-77.

[8] Adil Asımgil, Şifalı Bitkiler, İst, 1993, s. 126.

[9] A. R. Karabulut, a.g.e., 1, 346.

[10] Ayhan Yalçın, a.g.e., s. 551.

[11] A. Asımgil, a.g.e., s. 288-289.

[12] C. Kemal Sünbül, Zeytinyağı ve Kolesterol, Sızıntı, sayı 141, s. 404.

[13] Cumhur Erten, Sızıntı, Tabiatın Bağrında, sayı 36, s, 23-24.

[14] Derveze, İ., Kur’ân’a Göre Hz. Muhammed’in Hayatı, Yöneliş yay, İst., 1989. s.80.

[15] Akdeniz’den dünyaya yayılan sağlık ve lezzet: Zeytinyağı, Zaman, 12 Kasım 1995; A.Yalçın, a.g.e., s.610.

[16] İnci Beşoğlu, a.g.e., 2, 612.

[17] Zaman Gazetesi, 14 Ekim 1995, Zeytinyağı sağlık garantisi.

[18] A. Asımgil, a.g.e., s. 288-289.

[19] Turhan Baytop, Farmakognozi Ders kitabı, İ.Ü. Eczacılık Fak. yay. 2, 229.

[20] H. Yazır, Hak Dini Kur’ân Dili, 3, 475.

[21] A. Yalçın, a.g.e., s.604; Hasan Günaydın, Kur’ân Işığında Faydalı Gıdalar ve Beslenme, İst. 1995, s.189.

[22] Polat Has, Peygamberimizden Günümüze Beslenme, Töv., yay., İzmir 1991, s.166-169.

[23] Ahmed b. Hanbel, Müsned, 5, 382; Mecmau’z-Zevâid, 5, 96.

[24] Turhan Baytop, a.g.e., 2, 208.

[25] Ayhan Yalçın, a.g.e., 582.

[26] “mes frutave të llojllojshme”- sipas komentuesve të Kur’anit, ndër ta Elmalılı-ja një prej këtyre frutave të përmendura në ajetin e mësipërm është edhe qershia.

[27] İlhan Yardımcı, Halk ilaçları ve şifalı bitkiler, s. 99.

[28] Adil Asımgil, a.g.e., s.163; Ayhan Yalçın, Şifalı Bitkiler Ansk. s. 567.

[29] İbn Kayyim Zâdu’l-Meâd, 5,61.

[30] H.Yazır, a.g.e., 7, 399.

[31] A.Yalçın, a.g.e., s.580; H.Günaydın, a.g.e., s.135.

[32] Polat Has, a.g.e., s.186.

[33] Tirmizî, Fedâlilü’l-Kur’ân, 14.

Marrë nga Revista Zani i Naltë: http://zaninalte.al/2013/11/frutat-e-permendura-ne-kuranin-famelarte/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit