9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Frika e studentëve brenda hipokracisë sonë

Më të lexuarat

REDI SHEHU

Edhe pse pothuaj të gjithë e kishim humbur shpresën se instinkti qytetar kishte pushuar së ekzistuari në shpirtin e këtij populli, përsëri një farë shprese e vakët qarkullonte se dikush, diku në këtë lëmshin tonë shqiptar, të cilin e urrejmë dhe e duam njëkohësisht, do të dilte e të shpërthente publikisht. Në fakt, ishte krejt e qartë se një arrogancë qeveritare e shkaktuar nga dehja që pushteti i vetëm të jep, kishte nevojë për një ftillim apo shkundje, sepse siç ka ndodhur dhe vazhdon të ndodhë, arroganca ka qenë dhe është përherë virusi shkatërrues i çdo pushteti. Një ortek zanafillon nga arroganca e krismës ndaj masës së dëborës, të cilën një fije e papërfillshme e ndan nga qëndrueshmëria dhe rrëzimi.

Dalja e studentëve në protestë, në atë formë dhe në atë mënyrë, rrëzoi përfundimisht tezën se ky popull nuk zgjohet kur e do kauza dhe se ky vend nuk bëhet. Se këtë vend nuk e do askush dhe se i vetmi qëllim përmblidhet në ikjen sa më parë prej tij. Protestat e studentëve janë të një rëndësie të veçantë sepse detyrojnë qeverinë të bëjë për elitat e ardhshme të kombit, atë që ajo në gjendje normale nuk do ta bënte kurrë. Pra, ky është një revolucion qe kërkon të përmirësojë dhe lehtësojë rrugën për daljen e lidershipit të së nesërmes. Një revolucion arsimor i domosdoshëm, por edhe i veçantë sepse kërkon zgjidhje politike përmes apolitikes. Pra, një lëvizje që në softin e saj ka thelb politik. Refuzimi që studentët u bënë partive politike për t’u përfshirë në protestë, tregon se sa larg qëndron te ne politika me partitizmin. Frika e studentëve që kjo protestë të mos ndotej nga partitë, ishte një frikë e natyrshme që buron nga zullumi partiak mbi politikën e pastër dhe vetë demokracinë. Protesta ne vetvete është një fletërrufe ndaj këtij establishmenti, që i tregon pushtetit dhe partive se si duhen bërë politikat.

Kjo keqvendosje mes politikës dhe partitizmit në Shqipëri ka kohë që ka zënë shtresa dhe po kalçifikohet brenda ndërgjegjes qytetare të secilit, duke e bërë më konfuz kuptimin mbi ngjarjet politike. Refuzimi për të kontaktuar me establishmentin partiak, më shumë sesa me pikat dhe zgjidhjen, ka të bëjë me shndërrimin e politikës shqiptare në partitokraci. Sa herë që ndodhin ngjarje të tilla, të vjen në mendje demokracia jonë, e cila ka gjithmonë nevojë për demokraci! Demokraci që nuk është gjë tjetër, veçse hipokraci, ku hipokrizia ngrihet në sistem dhe gjërat zhvillohen për hir të asaj që duhet të bëhen dhe jo për shkak të thelbit të tyre. Për këtë arsye, brenda logjikës së tregut, partitë tona konsiderohen si sipërmarrje, të cilat nuk duhen humbur, por duhen mbajtur me çdo kusht për të garantuar vazhdimësinë e pushtetit politiko-ekonomik. E kjo mund të arrihet vetëm brenda një fasade demokracie, e cila në thelb është hipokrizi për të certifikuar mungesën e standardeve demokratike në të. Për këtë arsye, hipokracia shqiptare ka nevojë që të zhvillohet në një skenë, ku teatraliteti i saj të jetë i shijueshëm nga të gjithë, i prekshëm nga të gjithë dhe ajo çka është më e rëndësishmja, i pasueshëm nga të gjithë.

Në këtë kuptim, një veprim hipokratik nuk ka se si të bëjë lajm në një shoqëri, ku hipokrizia është mjet jetese dhe skena ku ajo aktualizon teatralitetin e saj është atdheu i të paudhëve. Kjo hipokrizi, në sajë të përhapjes në formë kapilare dhe të ngulmimit për të mbërritur deri në çdo pore të jetës sonë, transformohet nga hipokraci në hipokraturë, në diktaturën e hipokrizisë, ku të mos jesh hipokrit përbën faj dhe identifikohesh si subjekt i veprës penale të ndershmërisë e përjashtohesh nga qenia shoqërisht i pranueshëm dhe shoqërisht i drejtë. Në këtë atmosferë të rendit hipokratik, pasimi i zgjidhjeve hipokratike nga partitë e tjera kthehet në model dhe përfundimisht bëhet tejet i vështirë rikthimi në procedurat e normales dhe së drejtës. Kështu, përfundimisht sistemi ynë politik e gjen veten brenda partitizmit si përfaqësuese e rendit hipokratik dhe jashtë politikës së drejtë për një shtet të së drejtës si thelb i demokracisë.

Frika e studentëve për të mos u bërë pjesë e kësaj hipokrature politike (diktature të hipokrizisë) ishte një nismë, e cila të ngjallte shpresa për një lëvizje apo formë organizmi që do të shembte establishmentin e hipokrizisë dhe do të fillonte ta orientonte thelbin politik të protestës nga partitizmi i rëndomtë drejt politikës së drejtë dhe përmirësuese. Mirëpo, frika e studentëve tashmë nuk është më frika e tyre, ajo po transformohet në frikën tonë se mos vetë studentët po bien brenda kurthit të partitizmit hipokratik shqiptar duke u fragmentarizuar, atomizuar në komunitete studentore kundërshtuese me njëra-tjetrën në disa raste dhe në komunitete studentore vetëkundërshtuese në disa raste të tjera. Kjo, si për të vërtetuar se edhe vetë studentët tanë nuk janë një masë njerëzish që vijnë nga bota ideale, por janë të njëjtët anëtarë të familjeve tona, të cilat prej kohësh kanë furnizuar me karburant këtë “luftën civile” të partitizmit mes popujve të majtë e të djathtë shqiptarë.

Ajo që shfaqet më shumë problematike kur bëhet fjalë për ngjarje të tilla protestash, nuk është vetë ngjarja, sesa mesazhi që ajo përçon dhe mesazhi që vjen vazhdimisht pas këtyre protestave tregon për përpjekjet për ta shitur hipokracinë si demokraci, si procedura të standardizuara e të certifikuara politikisht, të cilat duken të pakundërshtueshme. Pra, të certifikojmë një procedurë pa standarde në emër të standardeve, në mënyrë që të standardizojmë përfundimisht mospasjen e standardeve. Prandaj, zgjidhja e krizës studentore është zgjidhje që do reformë të thellë politike për të dalë nga rendi hipokratik i joni, në mënyrë që të mos arrihet që me procedura të përshpejtuara, nën presionin e protestave, të certifikohet si zgjidhje mospasja e zgjidhjeve në tërësi.

Shpresa ishte që protesta pikërisht këtu do të sillte ndryshimin, duke dalë mbi konceptin “studentët” si koncept abstrakt dhe të konkretizohej në një ekstrakt dhe substancë ideore përfaqësuese, e cila do të shembte gjithë këtë rend të mbrapshtë të të bërit të gjërave. Pikërisht për këtë ka nevojë ky vend, për këtë kemi nevojë të gjithë ne. Nëse studentët do të vazhdojnë të sorollaten brenda abstraktes pa u konkretizuar dhe unifikuar, jo vetëm në pikat e universitetit, por në një lëvizje, e cila do ta trondiste hipokracinë tonë nga themelet, atëherë ata fatkeqësisht do të ktheheshin në një zgjatim entuziast të asaj që rëndom ndodh përditë në këtë vend.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit