Fotoja e Papës në zyrën e Thaçit, servilizëm apo keqpërdorim i autoriteteve fetare për ta mbuluar vetveten!?

0

Koment: Almakos.com

Presidenti i ndjerë, Ibrahim Rugova në selinë e Presidencës në Velani kishte të vendosur fotografinë e Papa Gjon Palit II. Njëjtë po vepron edhe Hashim Thaçi me fotografinë e Papës Françesku. Dhe me foton e Papës në ballinë të kabinetit të vet, Presidenti i Kosovës i priti liderët partiak të shqiptarëve të Maqedonisë, pra  kryetarin e Lëvizjes Besa Bilall Kasami, Ali Ahemtin e BDI-së dhe kreun e LR-PDSH, Ziadin Sela.

Në ndërkohë edhe liderët partiak nga Maqedonia, edhe mediat e Kosovës, Shqipërisë dhe Maqedoni – që me aq devotshmëri e luftojnë ‘islamin politik’ dhe përdorimin e fesë në politikë – u shtirën se nuk e vërejtën këtë detaj, gjë që flet shumë për realitetin tonë të shtrembëruar politik e fetarë. Pra që flet për dystandardin që përdorim kur janë në pyetje fetë e popullit tonë, e ku jo se është e padukshme simpatia e pafshehur e shumicës së burshtetasve tanë ndaj krishterimit dhe antipatia e tyre e hapur ndaj çdo gjëje islame dhe Lindore.

Dhe tani, kur për shembull, Lëvizja Besa ballafaqohet me akuza te ashpra nga qarqe politike e mediatike në Shqipëri, Kosovë e Maqedoni, edhe atë vetëm pse drejtuesit e saj nuk e kanë problem të pohojnë se janë myslimanë te devotshëm dhe praktikantë të kësaj feje, apo pse dikush prêt tyre ka qenë në haxh, shtrohet pyetja se mos vallë vetëm simbolet myslimane mund të keqpërdoren për qëllime politike dhe se vetëm ato janë provokuese dhe të rrezikshme për shqiptarinë!?  Pastaj pason edhe pyetja e dytë e logjikshme: si do silleshin mediat shqiptare, poqese në zyrën shtetërore të ndonjë burrështetasi shqiptarë, do qëndronte fotografia e tij pranë ndonjë vendi të shenjtë mysliman, si për shembull, pranë Xhamisë së Madhe të Medinës, ku ndodhet varri i Pejgamberit a.s.?!

Ndërkaq duhet thënë edhe atë se në vendet tona ku veprojnë ambasadat e të gjitha shteteve, nuk janë të rralla rastet kur ato përkrahin projekte te ndryshme, por asnjëherë nuk kemi dëgjuar, për shembull, që dikush t’i kritikojë ato pse i  financojnë projektet për komunitetit LGBT, apo siç ndodhi para ca ditëve në Shkup, ku u mbajta parada për legalizimin e prostitucionit, paradë kjo e financuar nga ambasada e një shteti te huaj perëndimor. E në ndërkohë kritikohen thuajse të gjithë projektet e mbështetur nga Turqia, apo nga ndonjë vend arab, thuajse çdo gjë që vjen nga andej, është fare e së keqes?

Po pra, në zyrën e Presidentit të një Kosove sekulare dhe me shumicë myslimane, qëndron fotografia e Papës që simbolizon vlerat fetare të katolicizmit. Dhe jo se fotoja e Papës mund t’i pengojë cilitdo shqiptari, që e dine se kalaja jonë kombëtare ka shenjë njohëse shumëfetarizimin dhe se për një pjesë të vëllazërisë sonë Papa është Ati i tyre i Shenjtë, por mbase ka ardhur koha të shpaloset hapur dystandardi politik e mediatik që përdoret kur janë në pyetje fetë e shqiptarisë.

Ku ta dish, ndoshta bëhet fjalë për servilizëm të skajshëm të burrështetasve tanë, të cilët, për ta  fshehur dhe mbuluar destruktivitetin dhe papërgjegjësinë e tyre politike, janë të gatshëm të keqpërdorin autoritetin e personaliteteve të pakontestueshëm të kësaj bote, qofshin ato fetare apo politike. Dhe në ndërkohë, ata nuk e shohin se sa më shumë u  përulen autoriteteve dhe të fortëve të kësaj bote, se sa më shumë e mbulojnë vetveten me fotografitë e të mëdhenjve të botës, aq më e dukshme bëhet vogëlsia, injoranca dhe pafytyrësia e tyre politike.

Nuk ka komente