13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Formula e shpëtimit të njeriut – Doc. Dr. Mehmet Soysaldi

Më të lexuarat

Doc. Dr. Mehmet Soysaldi

Universiteti Fërat, Fakulteti Teologjik, Stamboll

 

Kur’ani është fjalë e All-llahut të Madhërishëm, i cili nëpërmjet Xhibrilit [alejhis-selam] i është shpallur Pejgamberit të fundit, e që njëkohësisht është edhe Libri i fundit i shpallur nga ana e All-llahut, është udhërrëfyes dhe shpëtim për njeriun. Se Kur’ani në të vërtetë është libër që njeriun e nxjerrë prej errësire në dritë tregohet edhe në ajete të ndryshme të Tij.[1] Po ashtu, Kur’ani është një dritë[2] për njeriun. Ja, pra, edhe kjo sure (kaptina asr), edhe pse është shumë e shkurtër, është formula për shpëtimin e njeriut. Edhe ne, duke u munduar që t’i qasemi kësaj sureje, më gjerësisht do të mundohemi të tregojmë shkaqet që njeriu të shpëtojë e të jetë i lumtur si në këtë, ashtu edhe në botën tjetër.

Rëndësia e kësaj sureje

Në këtë sure shumë shkurtë, por qartazi, tregohet rruga se si njeriu mund të shpëtojë. Mu për këtë Imam Shafiu thotë: “Sikur Zoti të mos kishte shpallur sure tjetër përveç kësaj, kjo do të mjaftonte për njeriun”. Kurse sipas një transmetimi tjetër: “Po qe se njeriu me vëmendje e lexon këtë sure, kjo bile do të ishte e mjaftueshme”.[3] Poashtu prej muhadithinëve, Imam Bejhekiu thotë: “Nuk kishte prej shokëve të Pejgamberit që kur të takoheshin njëri me tjetrin të mos e lexonin suren Asr, e më pastaj me selam largoheshin”.[4] Ndërsa poeti Mehmet Akifi për rëndësinë e kësaj sureje shprehet kështu:

Krijuesi ka një emër të bukur, Hak

Kjo për robin është vleftë e madhe, sepse njeriun e udhëzon në të vërtetë.

Kur shokët e Pejgamberit para ndarjes

Patjetër këndonin suren Asr, përse?

Pra, kjo ka një vleftë të madhe

Së pari imani më pastaj vepra (puna)

Pastaj e vërteta dhe sabri (durimi). Kjo është njerëzi

Po i bashkove këto katër cilësi, nuk ka humbje për ty.[5]

All-llahu i Madhërishëm tregon se me të vërtetë njeriu është në humbje, mirëpo po qe se punon sipas këtyre ajeteve, shpëton nga humnera.

Porositë e këtyre ajeteve, që njeriu të jetë i shpëtuar, janë:

1. Të ketë besim (iman)

2. Të punojë vepra të mira

3. Të porosisin njëri-tjetrin për të vërtetën

4. Të këshillojnë njëri-tjetrin për durueshmëri.

Pra, nëpërmjet këtyre ajeteve njeriu këshillohet që, për të qenë i shpëtuar, patjetër duhet të punojë sipas porosive të ajeteve në fjalë. Po ashtu, në këtë sure është përmbledhë haku ndaj All-llahut të Madhërishëm dhe haku ndaj njeriut, sepse për të shpëtuar njeriu prej nefsit, e të jetë shpirtëpastër, lypet besimi në All-llahun dhe veprimi në punë të mira, e kjo tregon hakun ndaj All-llahut. Të porosisë tjetrin për të vërtetën, e të këshillojë tjetrin për durim (sabër), ky është haku ndaj njeriut.[6] Që njeriu të fitojë shkallën e lumturisë, duhet t’i kompletojë këto dy hake.

Humbja (falementimi) e njeriut në aspektin kohor

Kjo sure, e cila përmban tre ajete, fillon me betimin në kohën. Sipas Ibni Abbasit, Ibni Zubejrit dhe komentatorëve tjerë të Kur’anit, kjo sure është mekase, kurse disa prej tyre pohojnë se kjo është sureja e parë që ka zbritur në Mekë, ndërsa Katadeja dhe Mukdit thonë se kjo është sure medinase.[7] Nëpërmjet kësaj sureje tregohet se njeriu lumturinë mund ta fitojë po qe se ka iman (besim), punon punë të mira dhe porositë në të vërtetën dhe në durim.

Në emër të All-llahut Mëshiruesit Mëshirëbërësit

1. Pasha kohën!

2. Nuk ka dyshim se njeriu është në një humbje të sigurtë.

3. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

Pra, në ajetet e sipërpërmendura tregohet qartazi se të gjithë njerëzit janë në humbje, përveç atyre të cilët besuan, punuan punë të mira, porositën njëri-tjetrin për të vërtetën dhe durimin.

1. Vel-Asr. Kjo sure fillon me betimin e All-llahut në kohën. Mund të parashtrohet pyetja se pse All-llahu i Madhërishëm të betohet në kohën? Duke treguar vlerën dhe rëndësinë e kohës, do të mundohemi t’i përgjigjemi kësaj pyetjeje.

Asr ka këto kuptime:

a) Koha prej kur dielli është në zenit e gjer në perëndimin e tij

b) Shekull ose 80 vjet

c) koha e namazit të Ikindisë etj.[8]

Zejd bin Eslemi transmeton prej Ibni Abbasit, se ai thotë: “Po qe se All-llahu betohet për kohën të cilën e kuptojmë ne, për njerëzit që pak logjikojnë është një argument për ekzistimin e All-llahut”.[9]

Ndërsa Fahrudin Raziu thotë: “Shkaku që All-llahu të betohet në kohën është se koha i përfshinë të gjitha: gjerësinë, ngushtësinë, shëndetin, sëmundjen, pasurinë, varfërinë. Të gjitha këto janë brenda kohës, pra edhe betimi në kohën është një betim më se i realtë”.

Po qe se njeriu një pjesë të jetës së vet e kalon në injorancë, mirëpo kah fundi, brenda kohës, me pendim të sinqertë i kthehet All-llahut, ai shpëton, pra edhe këtë ia mundëson koha. Dmth. koha është gjëja më e shtrenjtë për njeriun.

Arsyeja tjetër që All-llahu të betohet në kohën është në atë se koha është më e vlefshme se sa vendi, ajo është pa të meta. Humbja dhe të metat janë te njerëzit që jetojnë brenda kohës. Imam Shafiu shumë bukur e shpreh këtë kur thotë:

Turpi është te ne… fajësojmë kohën

I bëjmë shpifje kohës, e ajo nuk ka faj

Përderisa ujku nuk e han trupin e ujkut të ngordhur

Njeriu po e han mishin e vëllait të tij.

اdonjëri prej nesh është ujk në lëkurë qengji

Ai që vjen mendojmë se është qengj

Dhe dije se puna e tij ka marrë fund.[10]

Pra, edhe betimi që është bërë është bërë në një gjë që është pa të meta, pa gabime, që këtë meritë e ka vetëm koha, sepse ajo s’ka të meta e as faje.[11]

– Po qe se betimi që është bërë për kohën ka për qëllim kohën prej kur dielli është në zenit e gjer në perëndimin e tij, mund të konkludojmë kështu: Zoti betohet në kohën e atyre njerëzve që e çojnë në humbje, sepse menjëherë si përgjigje vjen ajeti tjetër, ku thuhet: Padyshim se njeriu është në një humbje të sigurtë. Jeta e njeriut është brenda suazave të kohës, siç përfundon dielli gjatë perëndimit të tij, po ashtu edhe jeta e njeriut përfundon. Ka disa ajete ku All-llahu betohet në paraditën, kohë kjo kur njeriu bën shitblerje dhe ka fitim, sepse në këtë kohë fitimi është më shumë se sa humbja. Pra All-llahu me betimin e kohës na jep të kuptojmë se ashtu si perëndon dielli me shpejtësi, ashtu edhe jeta e njeriut përfundon, mirëpo po qe se njeriu brenda kësaj kohe i kthehet All-llahut me një pendim të sinqertë, ka shpresa që edhe ai të jetë i shpëtuar, e ndoshta edhe njëra prej këtyre shkaqeve është kjo që All-llahu të betohet në kohën.

– Nëse betimi ka për qëllim namazin e ikindisë, po ashtu All-llahu i Madhërishëm tregon vlerën e këtij namazi. Namazi i ikindisë konsiderohet namaz i mesëm. Për këtë All-llahu në një ajet të Kur’anit thotë: “Vazhdoni rregullisht t’i falni namazet, edhe atë namazin e mesëm”,[12] që na përkujton se ne duhet rregullisht t’i falim namazet, sidomos namazin e mesëm – namazin e ikindisë.

Në këtë kohë kur dielli fillon të humbë nxemjen e tij, besimtarët mblidheshin rrotull Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] për të dëgjuar porosi të Kur’anit dhe këshilla prej tij. Pra, kjo kohë ishte më se e përshtatshme, sepse i përfundonin punët e tyre të përditshme, dhe duke marrë parasysh këtë, koha e namazit të ikindisë ka pasur një vlerë të veçantë[13]. Po ashtu, namazi i ikindisë konsiderohet namaz i fundit që bëhet ditën, sepse me namazin e akshamit fillojnë ibadetet e natës, e ndoshta mu për këtë All-llahu i Madhërishëm betohet për vlerën e këtij namazi.

– Përveç këtyre mendimeve, thuhet se betimi në kohën ka për qëllim kohën kur ka jetuar Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] së bashku me shokët e tij. Kjo mund të komentohet në këtë mënyrë: “Vel asril-ledhi ente fihi”. Betohem në kohën që ti gjindesh brenda saj. Mos të harrojmë se Zoti betohet edhe për vendin ku ka jetuar Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem], si për shembull: “Betohem në këtë qytet”,[14] apo betimi që bëhet për jetën e Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem]: “Pasha jetën tënde”[15]. Sikur All-llahu të thotë: betohem në kohën, vendin dhe jetën tënde, ku na jep të kuptojmë se njeriu duhet të ketë respekt për kohën, vendin dhe jetën e Muhammedit [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem].

2. Padyshim se njeriu është në një humbje të sigurtë

Fjala Husr-husran ka këto kuptme: mangësi, mashtrim gjatë shitblerjes, humbje, mallkim etj.[16]

El-Insan: Elifi në fillim të kësaj fjalie përfshinë njerëzimin në përgjithësi, që na jep të kuptojmë se në përgjithësi njerëzimi janë në humbje. Njeriu pasuri më të vlefshme në këtë botë ka jetën, e jeta për çdo frymëmarrjen tonë, çdo orë që kalon, tregon se po shkojmë nga përfundimi i jetës sonë dhe se hap pas hapi po i afrohemi fundit të kësaj pasurie, si dhe përgjegjësisë për këtë pasuri që kemi pasur (jetën). Sikur frymëmarrja (shpirti) të kishte qenë që ta krijojë njeriu, ajo nuk do të mbaronte kurrë dhe njeriu nuk do të ishte në humbje. Por kjo është e pamundur për njeriun, meqë është dhuratë e All-llahut që ia ka dhënë njeriut emanet që ai të jetë i kufizuar gjatë shfrytëzimit të jetës. Po qe se njeriu jetën e shfrytëzon sipas dispozitave të Kur’anit, nuk konsiderohet si njeri i humbur. Në lidhje me këtë All-llahu thotë: “Dhe se njeriut nuk i takon tjetër vetëm se ajo që ka punuar”[17]. Secili njeri është peng i asaj që ka punuar.[18] Sipas këtyre ajeteve, po qe se njeriu ka harxhuar kohën për të mirë, do të shpërblehet për këtë, mirëpo po qe se kohën e ka harxhuar në vepra të këqija, do të dënohet. Pra, puna që ka punuar gjatë jetës së tij mund të jetë e dobishme apo e dëmshme për të, apo ndoshta as e dobishme e as e dëmshme. Mirëpo edhe për këtë është në humbje, sepse i është dhënë koha që ai të punojë punë të dobishme. Pra, njeriu gati se në çdo moment është në humbje. Mirëpo, edhe po qe se njeriu kohën e harxhon në punë të mira, kjo nuk e largon prej vdekjes, por për çdo frymëmarrje po i afrohet vdekjes, me ose pa dëshirë. Vërtet çdo frymëmarrje është vdekje.[19]

Raziu pasi që komenton ajetin “Pa dyshim se njeriu është në një humbje të sigurtë”, thotë se vetë harxhimi i jetës së njeriu konsiderohet humbje.[20]

3. Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës, dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm.

Pra, All-llahu i Madhërishëm në ajetin e parë të kësaj sureje betohet në kohën, e në ajetin e dytë tregon se njeriu është në humbje, mirëpo në ajetin e fundit na bën me dije se cilët njerëz janë në humbje. Pra, njerëzit janë në humbje, por përveç atyre që besuan, punuan punë të mira, këshilluan njëri-tjetrin për të vërtetën dhe për durimin.

Pra, për të qenë njeriu i shpëtuar, patjetër duhet t’i plotësojë këto katër kushte që vijojnë:

1. Të ketë besim (iman). Të besojë se çdo lajm që solli Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] është fjalë e All-llahut dhe e vërtetë.[21] Njeriu që iu beson këtyre gjërave me gjithë zemër, konsiderohet mu’min. All-llahu i tregon njeriut se, po qe se don që mos të jetë i humbur, para së gjithash lypset imani. Për të qenë ndonjë punë e pranuar tek All-llahu si punë e mirë, së pari njeriu që kryen atë punë duhet të ketë iman,[22] përkundrazi, puna e mirë pa iman nuk shpëton prej humbjeve. Në Kur’an qartazi tregohet se puna pa iman është sikur të mos ishte kryer fare (pa vlerë). All-llahu thotë: “Shembulli i veprave të atyre që nuk besuan është si hiri, të cilin me puhi e shkapërderdh në ndonjë ditë të stuhishme, e ata nuk mund të realizojnë asgjë nga veprat që kanë bërë, e ky është ai dështim i madh.”[23] E poashtu thotë: “E veprat e atyre që nuk besuan janë si valët (nga rrezet e diellit) në një rrafshinë ku i etshmi mendon se është ujë, derisa t’i afrohet atij e nuk gjen asgjë, por aty e gjen All-llahun dhe ai do të japë llogarinë e tij, All-llahu është i shpejtë në llogaritje.”[24]

Në ajetin e tretë të sures Asr All-llahu, përpos që kërkon prej njeriut të ketë iman, kërkon që njeriu të punojë punë të mira (dobishme), gjë që tregon lidhshmërinë e imanit me veprat e mira.

a. Veprimi i punëve të dobishme (të mira).

Sa i përket veprimit për të mirë, janë bërë komentime të ndryshme, disa prej tyre kanë bërë komentim global, e disa komentim më të hollësishëm.

Ibni Abbasi rreth kësaj çështjeje jep dy mendime. Njëri prej këtyre mendimeve është se kur flitet për punë të dobishme, nënkuptojmë kryerjen e farzeve[25], si fjala vjen faljen e namazeve, agjërimin e Ramazanit, dhënien e zekatit, kryerjen e haxhxhit.[26] Sipas hazreti Aliut punë e mirë konsiderohet: kryerja e ibadeteve në kohën e vet, dhe atë me përulësi.[27] Ndërsa Katadeja mendon se çdo punë e mirë që bëhet me bindje të fortë në All-llahun konsiderohet punë e mirë.[28] Ndërsa komentatorët tjerë të Kur’anit rreth kësaj çështjeje kanë ardhur në përfundim se besimi në All-llahun, në të Dërguarin e Tij,[29] kryerja e të gjitha urdhërave[30] dhe largimi nga të gjitha ndalesat[31] konsiderohet punë e mirë.[32]

Për të përfituar kënaqësinë e All-llahut me bindje të plotë, vepimi sipas Kur’anit dhe Sunnetit, si dhe përdorimi i logjikës së shëndoshë[33], konsiderohet punë e mirë.

Ndërsa Ahmed Hamdi Aksekiu (1951) jep këtë mendim: اdo punë që punon njeriu, e që është në përputhshmëri me Kur’anin, Hadithin, si dhe me logjikën e njeriut, e të mos jetë në kundërshtim me ligjet natyrore, pa marrë parasysh se njeriu punon për vete, familjen, për popullin apo në përgjithësi për njerëzinë, konsiderohet punë e mirë.[34]

Pra, edhe pse janë bërë komentime të ndryshme, qëllimi është i njëjtë, sepse si kusht lypset imani. Puna e mirë është një vazhdimësi e imanit, apo janë si dy kritere të pandara njëra prej tjetrës, me ç’rast këto në Kur’an bashkërisht janë përmendur 52 herë. Në disa prej këtyre ajeteve thuhet: “Kush beson dhe punon punë të mira”, kurse në disa ajete tjera: “Kush punon punë të mira duke pasur besim”,[35] apo si në ajetin vijues, ku All-llahu i Madhërishëm thotë: “Kush bën ndonjë punë të mirë, qoftë mashkull ose femër, duke qenë besimtar, të tillët hyjnë në Xhennet dhe nuk u bëhet fare padrejtësi.”[36]

Nga ajetet e sipërpërmendur mund të konkludojmë se, për t’u konsideruar punë e mirë tek All-llahu, kryerësi i veprës patjetër duhet të ketë edhe besim.

b. Porosia për të vërtetën

Me përjashtim të atyre që besuan, që bënë vepra të mira, që porositën njëri-tjetrin t’i përmbahen të vërtetës dhe që këshilluan njëri-tjetrin të jenë të durueshëm. Në fund të këtij ajeti All-llahu tregon kushtin e tretë dhe të katërt të shpëtimit të njeriut. Njeriu që ka iman dhe punon punë të mira, duhet që të këshillojë tjetrin që t’i përmbahet të vërtetës. E vërtetë konsiderohet çdo punë që është e dobishme për njeriun, pa marrë parasysh se ka për qëllim këtë apo botën tjetër, dhe është e kundërta e gënjeshtrës. Të flitet e vërteta për ekzistimin e Zotit, ose secili ta flasë të vërtetën si për vete ashtu edhe për të tjerët. Pra, çdonjëri të dijë për të drejtën e vet së pari, e pastaj të flasë për të tjerët. Në shoqërinë islame nuk guxon asnjëri të shkelë të drejtën e tjetrit dhe nuk ka heshtje ku ka padrejtësi, por çdonjëri duhet të ketë ndërgjegjje të pastër. اdo individ duhet të dijë dhe të kuptojë përgjegjësinë që ka ndaj tjetrit. Nëse në një shoqëri dominon padrejtësia, e kemi obligim moral dhe fetar që të mundohemi në çdo mënyrë ta eliminojmë atë padrejtësi, duke u munduar që ta ndalim vepruesin e padrejtë me fjalë, me këshilla, madje edhe me forcë. Vetëm në këtë mënyrë arrihet uniteti shoqëror, forcohet besimi ndaj njëri-tjetrit, si dhe lartësohet morali i ndërsjellë. Në të kundërtën, është e pamundur të mos shkatërrohet ajo shoqëri. Mu për këtë All-llahu na këshillon dhe thotë: “Ruajuni nga e keqja (nga dënimi) që nuk i godet vetëm ata që bëjnë mizori prej jush.”[37] Në ajetin tjetër thotë: “Ata që mohuan të vërtetën nga Beni Israilët, u mallkuan prej gjuhës së Davudit dhe Isait, të birit të Merjemes. Kështu u veprua sepse kundërshtuan dhe e tepruan. Ata ishin që nuk ndalonin njëri-tjetrin nga e keqja që punonin. E ajo që bënin ishte e shëmtuar.”[38] Mirëpo ata që mundohen t’i tregojnë tjetrit për të vërtetën, All-llahu i lavdëron dhe në një ajet thotë: “Ju jeni populli më i dobishëm i ardhur për të mirë, të ndaloni nga veprat e këqija dhe të besoni All-llahun.”[39]

c. Këshillimi për durimin

Kusht i katërt që njeriun e nxjerrë prej humnere, po qe se e plotëson kuptohet, është durimi (sabri). Sabër do të thotë që njeriu t’iu bëjë ballë të gjitha ngjarjeve që e godasin atë. Mos të humbasë shpresën kur ta kaplojë ndonjë vështirësi. Këta janë ata njerëz të cilët me iman punojnë punë të mira, këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën, respektojnë të drejtën e tjetrit, nuk ndahen nga e vërteta, kur i kaplon ndonjë ngjarje e padëshiruar nuk gjunjëzohen, por me vetëdëshirë i përkulen dhe i mbështeten All-llahut. Sabër (durim) po ashtu don të thotë që të mundohesh t’iu kundërvihesh dëshirave epshore, e kjo padyshim kërkon një mundim kundrejt epshit. Durimi është dy llojesh:

1. Durimi gjatë vështirësive, si gjatë kryerjeve të ibadeteve apo gjatë veprimit të ndonjë pune të dobishme. Pra, për të kryer këto lypset mundim; njeriu duhet që gjatë kryerjes së veprave të mira të mos mërzitet, por të ketë durim.

2. Durimi kundër oreksit dhe dëshirave epshore, që në fillim këto duken të shijshme, por përfundimi i tyre është katastrofal.[40] Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] në një hadith na jep shenjë për këto dy lloje të durimit dhe thotë: “Xhenneti është i rrethuar me gjëra të vështira, ndërsa Xhehennemi me gjëra të lakmueshme”.[41] Ndërsa All-llahu në lidhje me durimin në disa ajete të Kur’anit thotë: “O ju besimtarë, bëni durim, bëhuni të qëndrueshëm kundër armikut, rrini të përgatitur dhe, që të shpëtoni, ruajuni dënimit të All-llahut.”[42] ; “O ju që keni besuar, kërkoni ndihmë me durim e me të folur, se vërtetë All-llahu është me durimtarët.”[43] ; “… Ndërsa të durueshmëve u jepet shpërblimi i tyre pa masë.”[44]

Sipas kësaj që u përmend më lartë nënkuptohet se sabri i lavdëruar konsiderohet ai sabër që bëhet për të treguar apo realizuar obligimet fetare, e jo që njeriu të ketë durim (sabër) kur të shohë ndonjë padrejtësi që i bëhet atij apo dikujt tjetër, apo nëse sheh dikend tjetër se është në rrugë të gabuar dhe, në vend që të mundohemi ta heqim atë nga ajo rrugë, të themi se kemi durim. Sepse All-llahu i Madhërishëm thotë: “E tërë krenaria i takon All-llahut, të Dërguarit të Tij dhe besimtarëve”,[45] që do të thotë se njeriu duhet të jetë krenar kur të mundohet të bëjë përpjekje për të mirë. Mu për këtë Muhammedi [sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem] thotë: “Nëse dikush prej jush sheh ndonjë vepër të keqe, le të mundohet që ta ndalë atë me dorë; nëse s’ka mundësi ta ndalë me dorë, atëherë le të mundohet me gojë (fjalë); e nëse edhe këtë nuk mundet, atëherë le ta urrejë me zemër, por kjo tregon imanin e dobët”.[46]

Rezyme

Kur’ani është udhërrëfyes për njeriun që ai të jetë i lumtur në këtë botë dhe botën tjetër, andaj ai duhet të punojë sipas porosive të tij. Po ashtu edhe kjo sure, të cilën u munduam ta komentojmë, shumë qartë tregon mënyrën se si njeriu, për të qenë i shpëtuar, duhet t’u përshtatet këtyre kushteve. Pra, All-llahu në këtë sure betohet se të gjithë njerëzit janë në humbje, përveç atyre që besojnë, kryejnë vepra të mira, këshillojnë njëri-tjetrin për të vërtetën dhe për durimin. Sipas porosive kur’anore, puna që kryhet pa iman nuk konsiderohet punë e mirë. Sikurse në ajetet e tjera, po ashtu edhe në këtë sure All-llahu tregon qartë se përpara se të kryhet puna e mirë duhet që njeriu të ketë besim (iman). Në asnjë ajet të Kur’anit nuk ceket se puna që kryhet pa iman konsiderohet si vepër e mirë, dhe për këtë të shpërblehet njeriu. Po ashtu edhe imani pa vepër të mirë nuk ka peshë të madhe, nuk ka shpërblim tek All-llahu, por njeriu me këtë mundohet të mashtrojë vetveten. Përderisa nuk hudhet fara në tokë, dihet se edhe bima nuk mbinë, mirëpo edhe sikur të hudhet fara në dhé e të mos mbijë bima, do të thotë se ajo farë është prishur. Premtimi i All-llahut është valid vetëm për ata persona që përpos imanit punojnë edhe punë të mira. Kur’ani nëpërmjet kësaj sureje tregon formulën e shpëtimit të njeriut, edhe atë nëpërmjet këtyre katër gjërave. Përgjatë historisë, dijetarë e filozofë të ndryshëm gjatë tërë jetës së tyre janë munduar që të gjejnë formulën e shpëtimit të njeriut, por pa sukses. Ndërsa Kur’ani këtë e cek përmes tre ajeteve të kësaj sureje, gjë që vërteton se Kur’ani është fjalë e All-llahut. Po qe se njeriu dëshiron të jetë i shpëtuar në këtë dhe në botën tjetër, ai duhet patjetër të punojë sipas kësaj recete. Rrugëdalje tjetër nuk ka.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit