20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Fjalët janë më të rëndësishme se liria për t’i shprehur ato

Më të lexuarat

REDI SHEHU *

Dhuna kundër së vërtetës përmes fjalës është një nga format më të rënda të diktaturës verbale, të mishë-ruar në pretendimin se liria e shprehjes është një e drejtë absolute dhe jo një princip i përgjithshëm i ligjit për të drejtat e njeriut. Ne nuk mundemi të pranojmë lirinë e qytetarëve për të qenë të informuar bazuar mbi deformimin e lirisë së tyre të të shprehurit. Fakti i të qenët të lirisë së shprehjes në të ashtuquajturën e drejtë, që gëzon një status më të lartë në raport me të gjitha drejtat, për shkak se shijimi i të gjitha të drejtave dhe lirive varen nga shkalla e lirisë së të shprehurit, nuk e bën atë të padisiplinueshme në marrëdhëniet e saj me liritë e tjera dhe me vetë shoqërinë. Ekuilibrimi i lirive është karakteristika themelore e një demokracie të vërtetë. Por, për shkak të keqkuptimit dhe keqadministrimit të kësaj lirie, del si nevojë rishikimi dhe rimoralizimi i kësaj të drejte të rëndësishme, pasi modernizmi e keqvendosi atë në raport me moralin dhe të vërtetën. Kjo, edhe për arsyen se angazhimi për promovimin e lirisë së fjalës, jo domosdoshmërish na pengon neve nga të gjitha përpjekjet për rregullimin e fjalës. Sigurisht, që kjo e fundit është tepër larg të konsideruarit censurë. Angazhimi për rregullimin e fjalës, nënkupton se ne e vlerësojmë fjalën dhe lirinë e saj të të shprehurit aq shumë, saqë ajo ta meritojë fuqinë dhe rëndësinë që ka.

Mirëpo, e pambështetur mbi një kuadër vlerash, lira e të shprehurit nuk merr kuptim dhe as që mund të ekzistojë. Është pikërisht këtu që modernizmi krijoi konfuzion me këtë liri, kur ai relativizoi kuadrin e vlerave, ku secili mund të krijojë vlerat e tij dhe të ketë lirinë t’i shprehë ato pa u merakosur mbi përplasjen që mund të krijojë me vlerat e të tjerëve në të njëjtën kohë. Nxjerrja e njeriut nga kodi i përbashkët i vlerave, e bëri atë që të mos kujdesej në zgjedhjen e fjalëve të tij përballë audiencave të ndryshme. Për më tepër, çështja rëndohet akoma më shumë kur një grup i caktuar, përdor abuzivisht lirinë e shprehjes për të treguar se kuadri i vlerave që ai mbron, është më superior se ai i vlerave të një grupi tjetër, e në këtë kuptim, atëherë liria e të shprehurit nuk gëzon më ngjyrën e lirisë, por të një metodologjie presioni dhe kërcënimi me synim poshtërimin e “tjetrit” dhe vlerave që ai përfaqëson.

Gjuha ka qenë dhe është një mjet për ndërtimin e karaktereve, por në të njëjtën kohë edhe e shkatërrimit të tyre. Liria e shprehjes, si qëllim në vetvete, nuk ndihmon askënd nëse ajo nuk i bashkëshoqërohet një kuadri vlerash. Po ashtu, mënyra dhe fjalët që përdoren për ta konsumuar këtë liri, janë më të rëndësishme se vetë liria për t’i shprehur ato. Por, a mund të konceptohet liria e fjalës jashtë një rregulli të përgjithshëm, jashtë një rendi ku ajo merr kuptim?

PA KUFIZIM, LIRIA NUK DO TË KISHTE KUPTIM

Ne jetojmë në një botë ku rendi dhe ligji fizik, në kuptimin kozmologjik, është tipari themelor i ekzistencës. Ai (rendi) projektohet në një kozmos ku rregulli perfekt dhe ligji fizik janë formë e jashtme e mirëmbajtjes. Ky rend zbret edhe në ekzistencën tonë, duke strukturuar jetën e gjallesave e sendeve. Është pak e vështirë të argumentosh faktin, se liria si koncept duhet të qëndrojë e shkëputur, apo thënë ndryshe, e emancipuar nga rendi, norma dhe rregulli, çka do të thotë se, për sa kohë ajo është pjesë e rendit dhe rregullit, duhet të jetë subjekt i kufizimeve dhe përkufizimeve të cilat i japin kuptim asaj.

Të jesh i lirë, në fakt, do të thotë të dalësh nga statusi i të qenët i penguar. Nëse nuk do të ekzistonte pengesa dhe kufizimi, liria nuk do të kishte kuptim dhe as që do të emërtohej si e tillë. Ajo çka ne mund të themi, është se liria merr kuptim përmes kufizimeve dhe është pikërisht përmes marrëdhënies më to që ajo shfaqet si situatë. Çdo gjë e cila bashkëshoqërohet me nevojën, në të njëjtën kohë është bashkudhëtare me kufizimin. Nëse rendi kozmologjik është në nevojë të ligjësive rregulluese, të cilat garantojnë ekzistencën e tij, atëherë ky rend është në vetvete i kufizuar. Nëse njeriu, qeniet e tjera si dhe ekzistenca në tokë është në nevojë të ligjeve dhe rregullave fizike për të marrë kuptim, atëherë edhe ato janë të kufizuara. Kjo sjell si pasojë rrjedhimin logjik që një ekzistencë e kufizuar nuk mund të prodhojë veti absolute, një qenie e kufizuar nuk mund të aktualizojë liri absolute.

Për me tepër, qenia e kufizuar nuk mund as edhe ta konsumojë një liri absolute nëse i jepet, sepse përsëri atë do ta shpërfaqte brenda kufizimeve të veta. E nëse ne po flasim për lirinë në shoqëri, atëherë e vetmja rrugë për të folur për lirinë është përmes kufizimeve të saj. Meqë kufizimi qenka tipar i lirisë, menaxhimi i këtij kufizimi është detyrë themelore për të përcaktuar atë që i zgjat jetën lirisë, e ajo që i zgjat jetën lirisë në një shoqëri është ndërtimi i ekuilibrit të saj. Një ekuilibër i nevojave të lirisë, i cili shtrihet në terrene të paracaktuara. Nëse do të ndodhte e kundërta dhe terrenet e lirisë të mos paracaktoheshin, atëherë në sajë të shpengimit të vet, liria do të humbte pikën e referencës, që, në fakt, është vetë humbje e modelit të lirisë. Pra, për të pasur besim te liria dhe për ta kuptuar drejt ashtu si duhet atë, duhen njohur arsyet e ekzistencës së saj.

PAPËRGJEGJSHMËRIA E LIRISË KONSIDEROHET KRIM NDAJ ARSYES

Dikur, të thoshe diçka dhe të besojë në të, ishte e njëjta gjë. Në shoqëritë e sotme, të besosh në atë që thua, është kthyer në një fenomen të rrallë, sidomos atëherë kur mund të fitohet një sasi e mirë parash, qoftë kjo përmes fyerjes apo përmes dhunës së gjuhës duke e shpërbërë tjetrin moralisht. Detyrimi moral dhe ai njerëzor për të mos fyer, është bërë sot më shumë se kurrë, në epokën e multikulturalizimit, një normë e respektimit të tjetrit.

John Stuart Mill në veprën e tij “On Liberty”, e shtron si argument faktin se pse liria e shprehjes duhet t’u nënshtrohet terreneve kufizuese nëse ajo bëhet shkas për të dëmtuar të tjerët, pikërisht për të parandaluar diktaturën e dhunës verbale. Ai e konsideron dëmtim të interesave të të tjerëve nëse si pasojë e lirisë së shprehjes, dikush mund të ngrihet në mesin e një teatri të mbushur plot e përplot me njerëz dhe të bërtasë “Zjarr!” Në raste të tilla, dëmi i shkaktuar si pasojë e lirisë së dikujt në raport me të tjerët mund të jetë dëm i matshëm në parametra fizikë, financiarë apo edhe moralë.

Pretendimi për të qenë i lirë për të ofenduar dhe në të njëjtën kohë po përsëri, pretendimi për t’u mësuar me ofendimin, harron një fakt, se ky fenomen shkakton dy procese. Së pari, shpërndan informacion dhe ide jo te sakta audiencave, dhe së dyti, vepron mbi ndjenjat e njerëzve. Por pyetja që del në këto raste është se si mund t’i bashkërendojmë të dyja liritë? Lirinë nga fyerjet dhe lirinë nga censura? Atëherë, në këto raste na thuhet se balanca mes tyre duhet të jetë standardi kulturor i pjesës më të madhe të shoqërisë. Por, ama, “standardi kulturor” i maxhorancës së një shoqërie është subjekt i ndryshimeve të shpeshta të tipit nga pizhame në bikini. Për më tepër, ne sot jetojmë në një kulturë postmoderniste të atomizuar, në një subjektivizim të kulturës nga njëra anë dhe nga ana tjetër në globalizim të saj. Pra, dy forca të kundërta që veprojnë brenda saj, e cila e bën më aktuale pyetjen se në fund të fundit, çfarë përfaqëson sot një kulturë nëse bashkë me të nuk gjallon një kuadër konsensual vlerash?

E gjitha ka të bëjë më atë se çfarë vendi zë në një shoqëri përgjegjshmëria? Çfarë vendi zë dinjiteti? Është ky i fundit kufiri ndarës mes lirisë dhe ofendimit, është dinjiteti njerë- zor dhe raporti me të, që e bën një shoqëri të përgjegjshme dhe liritë e saj cilësore. Thirrja për të qenë i mësuar me ofendimin është thirrje për të degraduar jo vetëm cilësinë e lirive, por edhe cilësinë e personave që i aktualizojnë ato. Edhe etërit e asaj, që më vonë u quajt shoqëria e kapriçiove individuale, nga Locke dhe Bayle e deri te Voltaire dhe Diderot, thoshin se një shoqëri tolerante është e paplotësuar kur ajo kufizohet vetëm në ndalimin e dhunës fizike dhe lë të paprekur ofendimin dhe dhunën verbale.

Liria për t’u shprehur pa kufi për çdo gjë dhe për gjithçka, për më tepër duke ofenduar e mos respektuar kufij dhe ndjeshmëri kulturore, është liri irracionale e rënë pre ndaj dëshirave autonome dhe bindjeve vetjake të disa individëve apo grupeve, që e ushtrojnë atë. Pra, kthehet në irracionale, për sa kohë sfera publike konsiderohet si disiplinuese vetëm për të dëgjuar një argument dhe për të qenë e shurdhët ndaj argumentit tjetër. Prandaj, dhuna verbale përmes alibisë “liri e shprehjes”, noton vazhdimisht në irracionalitet dhe e ka të domosdoshme të kthehet në racionalen e saj përmes kufizimit si ekuilibrues dhe një kuadri vlerash bazuar mbi dinjitetin njerëzor për t’i dhënë kuptim të qëndrueshëm asaj.

* Shkrim i botuar në “Medius”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit