11.2 C
Pristina
Thursday, April 18, 2024

Fjalë imzot, fjalë

Më të lexuarat

BALIL GJINI

Po. Kështu ishte zoti Rama. Ju, kur u betuat në Parlament, thatë se fjala e qeverisë do të ishte puna, kurse puna e opozitës do të ishte fjala. Në fakt, gjatë këtyre gjashtë viteve ju jeni shndërruar në një mulli që rreh krahët në erërat e propagandës, dhe bluan në mokrrat e gurta kallëzat e verdha të fjalëve. “Fjalë, imzot, fjalë!” – kështu i përgjigjet Hamleti Pollonit, kur e pyet se çfarë po bënte. Por le ta themi hapur: Hamleti shtirej si i marrë, ju me ç’duket jeni i tillë me të vërtetë.

Asnjëherë fjalët s’kanë qenë kaq të shkëputura nga sendet dhe objektet që përfaqësojnë, sesa në ligjërimet tuaja. Dihet se sendet i krijoi Zoti . Ai, në të madh të vet, thoshte “kun!” (të bëhet!) dhe sendi buiste nga Hiçi. Emërtimet ia la në dorë Adamit. Kësisoj, lidhja është arbitrare. Kur ti thua mace (në këtë rast s’e kam fjalën për mackat e kabinetit qeveritar, por për një mace reale), në kokën tënde ka ndodhur një plojë: macja në kokën tënde vinte si imazh, domethënë e ngordhur. Jo më kot Blanchot ftillon se sa herë shqiptojmë një fjalë, ne bëjmë një vrasje. Jo më kot edhe shumë njerëz të penës, që i njohin këto huqe të fjalës, para se të fillojnë të shkruajnë, namatisin e yshtin letrën e bardhë.

Po si kështu mor, zotëri? Ç’u bënë fjalët “shok”, “vëlla”, “ekip”, fjalë atletike të veshura me kilota e bluza sportive, që synonin të na e paraqitnin qeverinë të re, të freskët, tamam si dikush që e ka zhytur surratin mu te burimi i kultit të rinisë së përjetshme? Ky kult do të fillonte të ushqehej duke përdorur si biberon fjalët «risi» dhe «novitet», fjalë të huajtura nga fusha e artit dhe s’kanë shumë lidhje me politikën. Po nejse! E kemi fjalën në çfarë lëndine leksikore kullotin tani këto fjalë, çfarë ujqish të murrmë u rrinë në shteg, ç’humnerë i pret përpara!

Zotëri, ju që e mbani veten pasues të Konicës e Nolit, duhet t’ju vijë disi turp kur flisni kësisoj. Sepse te ju kemi parë veçse personazhet e Konicës, ata doganierë që lëpijnë gishtat nga lyshtra e korrupsionit, ata administratorë allaturka që ishin të gatshëm të fusnin panxhat e duarve në xhepat e gjithkujt. Ju, në fakt, na jeni shfaqur me pamjen dhe aletet e një mastershefi kuzhine, që i zbrazni fjalët nga rropullitë e tyre, ashtu siç zbrazin ata një speckë të kuqe nga farërat dhe të brendshmet. Tani mbi parvazin e buzëve tuaja s’rrinë më fjalët koketa, që tundin këmbë nazike, me buzët e lyera me të kuq, por fjalë që e kanë ngjyer trupin me zift të zi: fjalët burg, arrestim.

Personazhet më interesante në dramat e Shekspirit janë Lolot. Buzët e tyre të hapura nga e qeshura janë humnera dhe varri i çdo situate tragjike. Flasin allasoj, vishen allasoj (përngjasimi juaj me ta është tëpkë). Lolot ose klounët thonë edhe fjalë të mençura, por ama, në thelb mbeten klounë. Në të vërtetë zoti Rama, te ju ka diçka kontroverse: sa kuturisnit të ishit artist, shtireshit si politikan, tani që jeni politikan, shtireni artist. Populli ju besoi votat dhe ju dha skeptrin e mbretit, ju mbani në dorë kapelën e Lolos. Por vjen një kohë që kjo kapele s’shkakton dot më magjira. Koha e klounizmit mbaron dhe kapela zgjatet përpara për të kërkuar mëshirë, a ndjesë…

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit