6.4 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

FJALË, fjalor shqip online për nevojat e kohës

Më të lexuarat

Jo gjithçka ecën me hapin e kohës në Shqipëri, dhe ndër gjërat që kanë çapitur deri tani është edhe eksistenca e një fjalori shqip online të denjë për kohën. Edhe pse përpjekjet për diçka të tillë kanë nisur më shumë se një dekadë më parë, ato kanë qenë teknikisht të varfra dhe brendësisht të vjetëruara, duke u ofruar brezit të ri shpjegime të ngarkuara ideologjikisht edhe pse komunizmi ka rënë prej më shumë se njëçerek shekulli.

Për këto arsye para afro një viti u hodhën hapat e para për të ndërtuar fjalorin FJALË me tri synime fillestare në mendje: ndërtimin i një produkti dixhital të denjë për kohën, pastrimin fjalëve nga ngarkesa ideologjike komuniste dhe pasurimin i fjalorit me fjalë dhe kuptime të reja të shqipes.

Produkti Dixhital

FJALË duke qenë fjalor shqip online duhet të kishte pikë shumë të fortë faqen e internetit. Gjatë gjithë procesit të ndërtimit të fjalorit i është dhënë rëndësi faktit që fjalori të jetë i thjeshtë dhe i këndshëm për t’u përdorur.

Pamja e FJALË në ekrane të ndryshme

Ndërfaqja është mbajtur minimale dhe të shpejtë. Kurse përvojën e këndshme e përdorimit është përpjekur të arrihet duke i dhënë ndërfaqes disa efekte dhe duke e ndihmuar vizitorin me sugjerime kur fjala nuk gjendet në fjalor apo me komentet përkatëse kur vizitori përcillet nga një fjalë e shkruar gabim, tek ajo e shkruar mirë.

Një risi e FJALË është dhënia e çdo fjale një URL unike, duke lejuar citimin e çdo fjale me lehtësi nga palë të treta.

Përvoja e përdorimit është shumë e rëndësishme dhe shihet me prioritet gjatë vendimeve që merren për zhvillimin e mëtejshëm të produktit.

Pastrimi i komunizmave

Ngarkesa ideologjike komuniste në përkufizimet e fjalëve ishte një nga arsyet kryesore që nxiti krijimi e këtij fjalori dhe një nga frustrimet më të mëdha me fjalorët ekzistues, prandaj kësaj pike i është kushtuar dhe do vazhdojë t’i kushtohet vëmendje e veçantë.

Përkufizimi i fjalës ‘polici’ në një nga fjalorët online

Është e pafalshme që rinisë së sotme me qasje të plotë në internet t’i ofrohet vetëm një produkt një çerek shekulli i vjetër dhe që ka pasur si funksion parësor propagandimin e ideologjisë vrastare komuniste para funksionit të pritur si fjalor shpjegues.

Një pjesë e mirë e fjalëve të ngarkuara ideologjikisht janë pastruar dhe përmirësuar dhe po punohet vazhdimisht për pjesën tjetër në mënyrë që fjalori të jetë rrjedhimisht tërësisht i ripërtërirë në këtë aspekt.

Pasurimi i mëtejshëm

Lënda e parë e fjalorit FJALË është marrë nga “Fjalorin e Gjuhës së Sotme Shqipe” të vitit 1984, i fundit i fjalorëve komunistë. Si rrjedhojë, përveç faktit që është i tejmbushur me propagandë kundër borgjezisë dhe mikroborgjezisë, është edhe i vjetruar për shkak se më shumë se tri dekada kanë kaluar që atëherë dhe gjuha ka ndryshuar bashkë me jetën dhe zhvillimet teknologjike.

Për këtë arsye fjalori përditësohet vazhdimisht me neologjizma dhe me huazime që kanë përdorim të gjerë në shqip. Gjithashtu, shumë nga fjalët kanë marrë kuptime të reja, gjë e cila kihet vazhdimisht parasysh dhe fjalët përditësohen sipas rastit.

Pra, një përditësim i gjithanshëm i fjalorit është në proces e sipër. Dhe e gjithë kjo bëhet me zell dhe me shpresën që t’u ofrohet shqipfolësve një fjalor shqip të denjë.

Hapat e mëtejshëm

Hapësira për inovacion në fushën e gjuhësisë dhe veçanërisht atë të leksikologjisë është e gjerë dhe e paeksploruar. Në aspektin teknik, përveç përmirësimeve të vazhdueshme, shpresojmë që në të ardhmen të ofrohen edhe aplikacione përkatëse për platformat kryesore të celularëve dhe gjithashtu të implementohen funksionalitet e nevojshme që të na lejojnë ta hapim fjalorin për kontribute të personave të interesuar. Më tej, mundësitë janë të panumërta.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit