Fjalë dhe porosi

0

Ka thënë Jahja ibn Muadhi, Allahu e mëshiroftë: “Kërkimi i së mirës është i vështirë, ndërsa lënia e së keqes është më e vështirë, sepse çdo të mirë nuk ke nevojë ta marrësh, kurse çdo të keqe duhet ta lësh.”

Thuhet: Të durosh për të mbajtur të fshehtën është më lehtë sesa të pendohesh që e ke zbuluar.

Thuhet: Dijetarët janë më modestë se të tjerët, sikurse uji që qëndron më shumë në vendin më të ulët.

Porosia është dy llojesh: Porosi e të gjallëve për të gjallët- ajo është edukata e mirë, të urdhërosh për të mirë dhe të ndalosh nga e keqja, mos të pasosh epshin dhe të veprosh punë të mira. Porosia e dytë është porosia e të vdekurve për të gjallët para se të vdesin, e këtu obligohen ta kryejnë amanetin, sikurse është lënia e borxhit që duhet të kthehet.

Ka thënë Hakimi: “Për të pasur sukses duhet ta ruash përvojën.”

Kanë thënë: “Kush fillon nga vetja e tij, do të arrijë politikën e njerëzve.”

I është thënë një mbreti që po i mbaronte mbretërimi: “Për çfarë je penduar më së shumti?” Tha: “Punën e sotme që e kam lënë për nesër dhe duke pranuar arsyet, më ka humbur koha kot.”

Disa njerëz i kanë porositur bijtë e tyre duke u thënë: Përmirësoni gjuhët tuaja, se njeriut i mungon ndonjëherë diçka e ai mund ta huazojë nga shoku i tij, p.sh, rrobat, transportin. Mirëpo kush ta huazon gjuhën?

Një njeri tha: “Bëhu ambicioz i diturisë, falës fisnik i shoqërisë, rob falënderues i Perëndisë, i dëgjueshëm në kohë të pleqërisë.”

 

Përktheu: Eroll Rexhepi
15.8.2008