7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Fizikani kosovar thotë se Ajnshtajni ka gabuar

Më të lexuarat

Një fizikan kosovar ka mbledhur të enjten pasdite në Bibliotekën Kombëtare dhe Universitare të Kosovës shumë njerëz. Shukri Klinaku do t’ua tregonte atyre se ku ka gabuar gjeniu Albert Ajnshtajn.

Ligjëruesi i fizikës në Fakultetin e Edukimit në Universitetin e Prishtinës ka promovuar librin e tij ““Lëvizja relative, shpjegimi i drejtë dhe gabimet e Ajnshtajnit”. E hedhja poshtë e një teorie të Ajnshtajnit për shumëkënd ka qenë diçka që nuk mund të merret me mend. Këtë thotë se e ka vërejtur edhe vetë Klinaku. Sipas tij, në kuadër të propagandës që i ka bërë reklamimit të librit atij i ka ndodhur një ekses.

“Fatkeqësisht unë nuk mund t’ua argumentoj një fakt, i cili veç sa më ka bindur edhe më shumë se kam të drejtë me atë që e them në këtë libër”, është shprehur Klinaku. Nga të gjithë vendet ku ai kishte vendosur posterët e promovimit të librit, në vetëm një hapësirë i është shqyer.

“E ai vend është Departamenti i Fizikës, por unë e kam ngjitur tjetrin”, ka thënë Klinaku. Sipas tij, arsyeja se përse është shqyer ai poster është se në atë Departament Ajnshjanin e kanë idhull.

“Edhe nuk duan të shikojnë se çfarë ka thënë dhe nuk duan të ballafaqohen nëse ka gabuar diku”, ka thënë ai.

Sipas tij, argumentet kundër teorisë speciale të relativitetit, që thotë se koha rrjedh më ngadalë në sistemin që lëviz, trupat shkurtohen në drejtim të lëvizjes dhe masa e trupit rritet me rritjen e shpejtësisë së tij janë të shumta.

Sipas tij, po të shihen skicat dhe punimet e Ajnshtajnit dhe të tjerëve që përkrahin TSR-në, ato janë plot pa shpjegim.

“TSR-ja e ka futur fizikën në një rrugë të gabuar. E ka kthyer prapa. Janë ndërtuar fusha të ‘studimit’ pa bazë shkencore”, ka thënë ai. Sipas tij, rrënimi i kësaj piramide do ta lironte fizikën dhe do të hapte horizonte shumë të dobishme për shkencën. Klinaku thotë se nuk e hedh poshtë kontributin e Ajnshtanit në fizikë, por me teorinë speciale të relativitetit ka gabuar. E kundërargumentet e kësaj teorie, sipas Klinakut, janë në librin e tij që ofron shembuj praktikë se ku është gabuar. Në prezantimin e tij në BKUK, Klinaku ka prezantuar përmes shembujve dhe ekuacioneve fizike gjithë atë që, sipas tij, shpërfaq gabimin e Ajnshtajnit.

“Nxënësit sot janë të bombarduar me fotografitë dhe citatet e Ajnshtajnit. Ai mund të jetë gjeni dhe që i ka ndihmuar botës sikurse Ptolemeu, por me TRS-në ka gabuar”, ka thënë ai. “TRS-ja dhe përgjithësisht teoria e relativitetit e Albert Ajnshtajnit do të bien”.

Por në cilën ditë do të rrëzohet kjo teori, sipas Klinakut, do të varet nga ajo se sa do të mund të “qëndrojnë të barrikaduar relativistët që tani kanë pushtetin në fizikë”, përballë argumenteve gjithnjë e më të qarta kundër kësaj teorie.

“Por shpresoj shumë se do ta mbijetoj”, ka thënë Klinaku./koha/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit