10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Fillon Samiti i 28-të i Ligës Arabe

Më të lexuarat

Në rajonin e Detit të Vdekur në Jordani ka nisur Samiti i 28-të i Ligës Arabe me pjesëmarrjen e presidentëve të 16 shteteve

AMAN (AA) – Në rajonin e Detit të Vdekur në Jordani ka nisur Samiti i 28-të i Ligës Arabe me pjesëmarrjen e presidentëve të 16 shteteve, raporton Anadolu Agency (AA).

Samiti zhvillohet në rajonin e Detit të Vdekur, 55 kilometra në jugperëndim të kryeqytetit Aman, ndërsa përmes tij shtetet arabe synojnë rritjen e bashkëpunimit dhe solidarizimit dhe zhvillimin e një qëndrimi të përbashkët mbi çështjet që kanë të bëjnë me tema që prekin botën arabe, me theks të veçantë “çështja palestineze” dhe “lufta kundër terrorizmit”.

Mbreti i Jordanisë Abdullahu II, nikoqiri i Samitit, në fjalën e hapjes së Samitit theksoi se rajoni nuk mund të ketë paqe dhe stabilitet nëse nuk gjendet zgjidhje e drejtë dhe gjithëpërfshirëse për problemin e Palestinës. Mbreti Abdullah i ka cilësuar si “jetike” problemet me të cilat përballen shtetet dhe popujt arabë, ndërsa tërhoqi vëmendjen edhe drejt luftës kundër terrorizmit.

“Terrori kërcënon arabët dhe muslimanët më shumë se këdo tjetër. Shumica e viktimave nga terrori janë nga muslimanët. Është e pashmangshme që mes shteteve tona dhe botës të bashkohen përpjekjet për ta luftuar këtë kërcënim në një mënyrë gjithëpërfshirëse”, u shpreh mbreti Abdullah.

Duke folur edhe për krizën në Siri, Abdullah tha se takimet për paqe në Gjenevë dhe Astana janë shpresëdhënëse.

Ndërkaq, Sekretari i përgjithshëm i Ligës Arabe Ahmed Ebu Gajt, në fjalën e tij në hapje i kushtoi rëndësi çështjes së refugjatëve. “Çdo i dyti refugjat në botë është arab. Ne duhet të jemi kundër kësaj katrahure dhe pasiviteti që prek jetën dhe dinjitetin e arabëve”, tha Gajt, duke shprehur falënderime për shtetet që kanë ndihmuar refugjatët.

Samiti do të zgjasë dy ditë, kurse do të përfundojë me pranimin e Komunikatës së Ammanit.

Ndryshe, vendimi për mbajtjen e Samitit të Ligës Arabe në Jordani ishte marrë pasi Jemeni kishte njoftuar se nuk do të mund të jetë organizator i Samitit për shkak të luftës që ka kapluar vendin.

Krerët e shteteve dhe qeverive të Ligës Arabe së fundmi ishin takuar më 25 gusht të vitit 2016 në kryeqytetin e Mauritanisë, Nuakshot, me pjesëmarrjen e vetëm tetë liderëve.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit