6.8 C
Pristina
Saturday, April 20, 2024

Fetaria e kërkuar

Më të lexuarat

Sedat Islami

Hyrje

Allahu i Madhëruar e shpalli Islamin si sistem jete të cilit besimtarët duhet t’i përmbahen në tërësi. Adhurimet me të cilat na urdhëroi (namazi, agjërimi, zekait, haxhi) nuk janë qëllime në vete. Ato, në fakt, janë mjete që na shpijnë tek qëllimet e kërkuara. Namazi është ligjësuar të na largojë nga të këqijat (El Ankebut: 45.), agjërimi që të na bëjë të devotshëm (El Bekare: 183.), zekati që të pastrohemi shpirtërisht (Et Teube: 103.), haxhi që të na gdhendi moralisht e të na pastrojë nga mëkatet (El Bekare: 197.). Nëse këto adhurime nuk kryejnë qëllimet për të cilat janë ligjësuara, atëherë ato ngelin formalitete të cilat nuk na kryejnë punë. Feja reduktohet dhe tkurret në imazhe dhe lëvizje të cilat nuk reflektojnë. Për pasojë, gjen besimtar që falet, por mëkatar; besimtar që agjëron, por arrogant; besimtar që jep zekatin, por shpirtzi; besimtar që kryen haxhin, por ngatërrestar; besimtar që, shprehur sipas mendimtarit mysliman, Gazaliut, ka ‘fetari mashtruese’ false, formale, ku vetëm trupi është aktiv ndërsa shpirti, ndërgjegjja, morali, etika, sjellja janë pasive.

Imazhe të këtilla të zhveshjes së fesë nga shpirti dhe qëllimet gjejmë edhe në shoqërinë tonë. Kjo edhe na detyron që ta trajtojmë si problematikë.

Fetaria e vërtetë

Që fetaria të jetë e vërtetë, duhet të reflektojë në praktikën dhe raportet tona me Allahun, njerëzit dhe ambientin (Kardavi). Allahu i Madhëruar në Kur’anin famëmadh kërkon që ne t’i dorëzohemi plotësisht dhe ta respektojmë fenë e Tij në çdo pore të jetës:

﴿ يَا أَيُّهَا الَّذِينَ آمَنُوا ادْخُلُوا فِي السِّلْمِ كَافَّةً ﴾

“O ju që besuat, hyni në islamizmin e tërësishëm (Përqafoni fenë islame në tërësi),…” [El Bekare: 208.]

﴿قُلْ إِنَّ صَلَاتِي وَنُسُكِي وَمَحْيَايَ وَمَمَاتِي لِلَّـهِ رَبِّ الْعَالَمِينَ﴾

“Thuaj: “Namazi im, kurbani im dhe vdekja ime janë thjesht për All-llahun, Zotin e botëve.” [El En’amë: 162.]

Fetaria e vërtetë kërkon që të kesh frikë Allahun kudo që të jesh: “Ke frikë Allahun kudo që të jesh!”- i tha Profeti ﷺ Ebu Dherit (r.a.).

Fetaria e vërtetë kërkon që krahas lëmoshës, njerëzve t’iu dhurosh edhe dashurinë e çiltër, respektin, sigurinë. Profeti Muhammed ﷺ duke përshkuar myslimanin e vërtetë thotë: “Mysliman është ai që nuk shqetëson të tjerët me gjuhën dhe dorën e tij.” Nëse ke falur namazin, ke agjëruar, e madje edhe ke dhënë lëmoshë, por ke dështuar me etikën tënde, atëherë nuk ke përfituar nga feja sepse ke patur fetari të gabuar. Kur Profetin Muhammed ﷺ e pyetën për punën e një gruaje, e cila falej, agjëronte dhe jepte sadaka ama ma gjuhën e saj shqetësonte fqinjët, Profeti ﷺ tha: “Ajo është në xhehennem.” Kjo nuk i nënvlerëson këto vepra (namazin, agjërimin dhe sadakanë) por është tregues i dështimit tonë në mishërimin me qëllimet e vërteta të tyre.

Fetaria e vërtetë kërkon që krahas aspektit teknik të fesë, të përmbushet edhe aspekti i brendshëm, ai që nuk e sheh syri. Një shok i Profetit Muhammed ﷺ fitoi Xhennetin, jo pse dallonte nga të tjerët me namaz apo agjërim më të shumtë por për shkak se e kishte zemrën e pastër.

Fetaria e vërtetë është ai zinxhiri që nuk guxon të shkëputet. Fetaria duhet të menaxhojë me çdo çështje të jetës. Ndryshe, ajo ngel e thatë dhe aspak produktive. Profeti Muhammed ﷺ na flet për një njeri, i cili ka qenë në udhëtim, është lodhur dhe rraskapitur, ka ngritur duart dhe ka lutur Allahun: O Zot! O Zot! Mu përgjigj!, por Allahu nuk i është përgjigjur. Ky njeri ka plotësuar aspektin formal të lutjes: ka ngritur duart kah qielli, ka lutur Allahun me përgjërim, ka qenë i rraskapitur, ka qenë në udhëtim ku duaja pranohet, megjithatë këtij nuk i është pranuar, përse? Sepse ushqimin dhe pijen i ka fituar me mashtrim. Pra, ka bërë një shkëputje të fetarisë, nuk e ka aplikuar atë në tërësi, dhe për pasojë, nuk i është pranuar lutja.

Fetaria e vërtetë kërkon që besimtari të jetë besimtar në xhami dhe jashtë saj. Një njeriu që kishte bërë mashtrime në treg, Profeti ﷺ i tha hapur: “Kush na mashtron, nuk është prej nesh!”

Fetaria e vërtetë reflekton një besimtar i cili kujdeset për ambientin ku bëjnë pjesë kafshët dhe natyra. Profeti Muhammed ﷺ na ka treguar se një grua shkaku i një mace ka shkuar në Xhehennem, sikur që na ka treguar se është pjesë e imanit të largosh pengesat nga rruga.

Të parët për fetarinë e vërtetë

Fetaria e vërtetë tek të parët, veçmas shokët e Profetit ﷺ, ka qenë me këto botëkuptime. Nëse kanë munguar rezultatet e adhurimeve në praktikë, ata nuk i kanë parë adhurimet të mjaftueshme për të dëshmuar fetarinë dhe sinqeritetin e dikujt. Për ta kuptuar më mirë, si shembull do të marrim një rast nga koha e Sahabeve (r.a.). Një njeri erdhi të dëshmojë tek Omer bin Hattabi (r.a.) por duke qenë se nuk e njihte i kërkoi ta sillte ndonjë dëshmitar. Erdhi një njeri dhe tha: Unë e njoh. E si e njeh?- e pyeti Omeri. E njoh për të drejtë dhe të mirë- u përgjigj njeriu. Mirë, a e ke fqinj të afërm, që ta dish se çfarë bën natën e çfarë bën ditën, çfarë sjell në shtëpi e çfarë nxjerr prej saj? – e pyeti. Jo – tha njeriu. A ke qenë ortak me të në tregti, ngase devotshmëria e njeriut dhe ruajtja nga harami (drejtësia dhe besnikëria) njihen nëpërmjet dinarit dhe dërhemit? Tha: jo. A ke udhëtuar me të sepse udhëtimi shpalos tiparet e moralit? -e pyeti. Tha: jo. Dejnuri e ka përmendur se Omeri (r.a.) i tha: Po të shoh se e ke parë duke u falur në xhami dhe për këtë po dëshmon se është i drejtë. Shko se ti nuk e njeh këtë njeri. Pastaj iu drejtua njeriut që erdhi për të dëshmuar: Shko dhe sille dikë që të njeh.

Që të jemi fetarë të vërtetë

Për feja të reflektojë pozitivisht tek ne, duhet, para së gjithash, të përmbushen dy kushte themelore:

1) Raportet ndërmjet të fshehtës dhe të dukshmes, ndërmjet bindjes dhe veprimeve, ndërmjet shpirtit dhe trupit, duhet të jenë korrekte. Nuk guxojmë të bëhemi hipokritë duke thënë atë që nuk e veprojmë (Es Saff: 2-3.).

2) Përmbledhjen e formaliteteve dhe qëllimeve në adhurime. Duhet të falemi në përputhje me fenë, por edhe të synojmë me namazin largimin nga të këqijat; duhet të agjërojmë duke braktisur bukën dhe ujin (formalitetet), por edhe duke braktisur të këqijat. Kështu, mund të bëhet fetarë të vërtetë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit