12.2 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Fëmijët dhe interneti – Për shumë prindër një sfidë

Më të lexuarat

Shumë prindër kanë vështirësi t’u shpjegojnë fëmijëve sjelljen e përshtatshme me internetin. Por ndihmë për këtë ka: në fillim mësojnë prindërit dhe pastaj fëmijët.
Situatë e njohur: kur ulesh para kompjuterit lexon diçka, klikon më tej dhe pa e kuptuar kanë kaluar dy orë, e nganjëherë edhe tre ose katër. Në fund të fundit në rrjet ka shumë oferta interesante dhe informuese. Por kur është fjala për fëmijët pjesa më e madhe e prindërve është në një mendje se koha në internet duhet të kufizohet në 20 minuta në ditë ose pak më shumë, sipas moshës. Sjellja me internetin duhet mësuar. Megjithatë kjo nuk vlen vetëm për fëmijët por edhe për të rriturit pasi të edukosh do të thotë në pjesën më të madhe të jesh shembull.

Përgjegjësi për vetveten
“Edukimi medial duhet të fillojë që herët”, thotë pedagogia e medieve Kristin Langer, “më e mira që në moshën katër deri pesë vjeç”. Ajo është këshilltare pranë iniciativës “SCHAU HIN!” (në shqip: “Shih me kujdes!”), e cila u themelua në vitin 2003 nga Ministria gjermane për Familjen për t’u ardhur në ndihmë prindërve dhe edukatorëve, që të orientohen në peisazhin e medieve elektronike.
Edukatore mediale Kristin Langer
Kristin Langer përjeton shpesh prindër që nuk dinë nga t’ia mbajnë: nga njëra anë është frika se fëmijët mund të mbingarkohen dhe nga ana tjetër shqetësimi se mos humbasin mundësinë për të hyrë në botën e medieve. Edhe në këtë rast ajo thekson funksionin e prindërve si model: “Ajo që prindërit përfaqësojnë para fëmijëve mund të vijë vetëm nga ata vetë. Mua si individ më nevojitet një qendrim parimor se si të sillem me atë çfarë më ofrohet. Kjo do të thotë se duhet të vendos kufij edhe për veten.”
Kjo vlen edhe më shumë qëkurse telefonët inteligjentë (smartphones) kanë hyrë nëpër familje. Sipas një studimi aktual të shoqatës kërkimore për pedagogji të medieve, “Südwest”, në Gjermani një në dy të rinj nga 12 deri 19 vjeç ka një aparat të tillë dhe si rregull edhe mundësinë për të hyrë në internet kudo që ndodhet.
Edhe në këtë rast fjala magjike është “sqarim”. “Fëmijëve duhet t’u bëhet e qartë se ekzistenca e medieve është vërtet shumë pozitive por në botë ka edhe gjëra të tjera”, thotë Kristin Langer. Sa më shumë rriten fëmijët aq më shumë duhet të zhvillojnë ata një përgjegjësi të tyren. Për këtë është mirë të fillohet shpejt: “Prindërit dhe fëmijët mund të kërkojnë së bashku mundësi për të kuptuar se çfarë u bën mirë dhe çfarë jo. Atëherë fëmija do të jetë në gjendje të vendosë vetë për ose kundër diçkaje.”
Lidhja në Facebook për shumë fëmijë normale

Edukimi përpara sfidave të reja

Për të shoqëruar në mënyrë të përshtatshme fëmijët në botën e medieve, prindërit janë të detyruar të përballen vetë me këtë temë. Ka makina kërkimi në internet enkas për fëmijë, një ofertë të madhe faqesh të përpunuara në mënyrë pedagogjike, të cilat u shpjegojnë prindërve dhe fëmijëve përparësitë dhe kurthet e internetit, si dhe programe për mbrojtjen e të rinjve, të cilët bllokojnë faqe të caktuara. Por me avancimin e moshës përdoruesit e stërvitur të internetit janë shpesh në gjendje t’i shmangin këto barriera. Ndalimi nuk sjell rezultatet e dëshiruara, thekson Thomas Heine nga projekti “internet-fuehrerschein.de” (shqip: patentë për internetin). Edukimi është bërë më i vështirë, thotë Heine. Si shembull ai përmend rregullat ligjore për përdorimin e internetit: “Ky është një faktor i ri, i cili është bërë pjesë edukimit dhe me të cilin shumë prindër kanë vështirësi.”

Shkollat duhet të veprojnë
Duke pasur parasysh që jo të gjitha familjet kanë të njëjtat mundësi për të sqaruar dhe shoqëruar fëmijët e tyre në botën e medieve, një masë e madhe përgjegjësie bie mbi shkollat. Në gjimnazin Heinrich-Mann në Köln për shembull, tema e kërkimit në internet është pjesë përbërëse e mësimit. Në shkollë fëmijët mësojnë të përdorin programe të caktuara dhe të orientohen në rrjetin e shkollës. Një lëndë të veçantë për këtë nuk ka. Tema si mobbing apo sfera private në internet janë trajtuar megjithatë në orët e mësimit, e pikërisht në ato orë ku diskutohet për unitetin social të klasës.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit