16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Fëmijëria në Islam

Më të lexuarat

Kujdesi islam ndaj fëmijëve

I nxitur me rastin e ditës ndërkombëtare të fëmijëve dhe me rastin e shkrimit të vogëlushes së hendikepuar në gazetën e mirënjohur të Katarit, “Merjem”, sot do t`u flas mbi kujdesin e islamit ndaj fëmijëve, e posaqërisht ndaj fëmijëve të hendikepuar. Islami, si fe e pastër e All-llahut, shpreh kujdes të veçantë ndaj njeriut si qenie njerëzore. Njeriu, në porositë, dispozitat dhe literaturën islame, zë vend të rendësishëm, kurse vend të posaqëm në to zënë njerëzit që njihen si të dobët dhe të mjerë.

Vëllezër të dashur. Pa dyshim se fëmijëria dhe hendikepimi paraqesin dobësi. All-llahu i lartësuar në Kur`anin famëlartë thotë: “All-llahu është Ai që ju krijoi në një gjendje të dobët, pastaj pas asaj dobësie ju dha fuqi, e pas fuqisë, dobësi e pleqëri.”

Andaj, fëmijëria dhe pleqëria paraqesin dobësi, ndërkaq jeta e rinisë paraqet fazë të fuqisë mes dy dobësive. Islami kujdesin e tij ndaj fëmijërisë e shpreh ende duke qenë njeriu në fazë të parakrijimit si fëmijë, ende duke qenë fetus në barkun e nënës. Islami nuk lejon që gruaja në periudhën e shtatzënisë ta mundon veten pa nevojë, gjë e cila do të shkaktonte abortimin e fëmijës. Islami nuk lejon që mbi gruan, tek e cila është vërtetuar krimi i amoralitetit, të zbatohet dispozita e haddit (gurëzimi i saj) në gjendje kur ajo është shtatzënë. Na përkujtohet rasti kur gruaja Gamidije kishte shkuar te i Dërguari i All-llahut, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke pranuar veprën e bërë të amoralitetit dhe faktin se ajo gjatë këtij akti kishte mbetur shtatzënë, mirëpo i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk zbatoi mbi të dispozitën e paraparë të gurëzimit, por i tha: “Kthehu, derisa të lindish foshnjën.” Kaluan muaj të tërë, derisa erdhi koha që gruaja të kishte lindur foshnjen e saj, kur ja, ajo prapë po qëndronte para Pejgamberit sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, me qëllim që të pastrohej nga vepra e shëmtuar me zbatimin e dispozitës së gurëzimit, gjë të cilën edhe e meritonte për krimin e bërë. I Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Jo, por kthehu derisa foshnja nuk kalon periudhën e thithjes.”

Kjo na bën për të kuptuar se foshnja meriton kujdes të veqantë, edhe në qoftë se ka ardhur në këtë botë në mënyrë të padrejtë (haram); ai meriton të jetojë, qysh nga momenti kur në të fillon procesi i jetës, e me këtë njeriut i bëhet e ndaluar çdo armiqësi ndaj procesit të tillë.

Në qoftë se Islami përcakton dispozitë ndëshkuese ndaj njeriut që ka bërë një vepër të shëmtuar, ç’farë është amoraliteti, ai megjithatë nuk lejon që për shkak të asaj vepre të ndaluar të dëmtohet fetusi në barkun e nënës: “Dhe asnjë mëkatarë nuk do të bartë mëkatin e tjetrit.”

Islami lejon që gruaja në periudhën e shtatzënisë të mos agjërojë, nëse frikohet nga dëmi që mund t’i ndodhë asaj gjatë kohës së agjërimit, kur gruaja e tillë abstenon nga ushqimi dhe pija. Ndërsa në rastet kur dëmi konfirmohet, Islami edhe e obligon gruan shtatzënë që të mos agjërojë.

Foshnja e posalindur lind i pajisur me obligime dhe detyra, të cilat i meriton në veqanti. Foshnja e tillë sjell dispozita dhe obligime të cilat janë të lidhura ngushtë me të, për të cilat në detaje foli dijetari i famshëm, Ibn Kajim El-Xhevzi në librin e tij “Tuhfetul mevdud fi Ahkamil-mevlud”. Ndër ato dispozita dhe obligime janë: t‘i lexohet ezani në veshin e djathtë, të emërohet me emër më të bukur, në ditën e shtatë të lindjes t’i pritet kurban dhe t’i bëhet akika (moment festiv me të afërmit e foshnjës, për gëzimin e sjellur), ndërsa nëna obligohet që të i japë gji, bile edhe nëse është e shkurorëzuar. Mbi këto dhe gjërat tjera Kur`ani famëlartë zbriti ajet në suren El-Bekare: “Nënat, ato që duan ta plotësojnë gjidhënien, janë të obliguara t`u japin gji fëmijëve të vet dy vjet të plota – nëna e shkurorëzuar nuk guxon të dëmtojë foshnjen e saj për shkak të bashkëshortit të saj të shkurorëzuar. I ati i fëmijës është i obliguar për furnizimin dhe veshmbathjen e tyre (gruas) ashtu si është rregulli. Askush nuk ngarkohet më tepër, vetëm aq sa ka mundësinë e tij. Asnjë nënë nuk bën të dëmtohet me fëmijën e saj, e as babai me fëmijën e tij. Po ashtu është i obliguar edhe trashëgimitari ( i fëmijës).”

Ky ajet në mënyrë të veçantë e thekson meritën e fëmijës për gjidhënie dhe faktin se ky obligim nuk duhet të lihet anash për shkak të mospajtimit të dy bashkëshortëve. Kjo është mëshira e All-llahut të lartësuar ndaj kësaj krijese të vogël. Prindërit, në veçanti, posedojnë detyra dhe obligime të cilat u përkasin vetëm atyre dhe për të cilat duhet treguar kujdes të veçantë, siç është edhe furnizimi i nënës dhe foshnjës sipas mundësive të ofruara për të atin. Prindi luan rol të rëndësishëm në edukimin e foshnjës qysh në vegjëli, e përkëdhelë dhe luan me të qysh në moshën shtatëvjeçare, siç thanë disa nga të parët: “Me fëmijën tënd luaj dhe përkëdhele shtatë vjet, edukoje shtatë vjet, e më pastaj vëllazëroje po aq vite.”

Në shtatë vitet e para ndaj fëmijës mbizotërojnë ndjenjat e zbavitjes dhe lojës. Pa dyshim se All-llahu i lartësuar foshnjen dhe fëmijën e tillë e pajisë qysh në atë moshë me fuqi dhe energji të dhuruar nga ana e Tij. Vallë, a thua ku do të harxhohet ajo energji? Pa dyshim se në “Lojë”. Fëmiu me fuqinë e tij lëvizë andej e këndej, kurse ne, medoemos, duhet të jemi të kujdesshëm për ndihmën të cilën i duhet ofruar që ai të luajë, por edhe të luajmë me të. Prindi i madh e mbikqyrë të perceptuarit e logjikës së foshnjës së vogël, e me këtë ai në të shumtën e rasteve luan me të dhe zbavitet.

I tillë ishte edhe vetë i Dërguari i All-llahut, zotëriu i gjithë krijesave, Muhammedi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem i cili, edhepse ishte i Dërguar i All-llahut, zbavitej dhe luante me nipat e tij, Hasanin dhe Husejnin si dhe me fëmijët e shokëve të tij.

Një herë, duke qenë në sexhde, të dy nipat e tij u ulën mbi të. Ai e zgjati sexhden aq shumë, saqë shokët e tij menduan se mos vallë i ra të fikët apo ndoshta edhe ka vdekur. Kur më vonë nga sexhdeja dhe e përfundoi namazin shokët e tij e pyetën: “O i dërguari i All-llahut, e zgjate shumë sexhden derisa nuk na kapluan mendime të ndryshme.” Ai tha: “Biri im ishte mbi mua, e nuk desha që ta shpejtojë e t’ia ndërpresë kënaqësinë që ndiente duke qenë mbi mua.”

Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem nuk deshi ta ndërpriste kënaqësinë që ndienin nipat e tij duke qenë mbi te, ai nuk deshi që fëmijët të jenë të dëmtuar dhe as që t’ua ndrëpresë kënaqësinë që ndienin duke qëndruar mbi të, përkundrazi, ai i la të kënaqen përderisa nuk u bezdisën dhe përderisa nuk zbritën vetë.

Shokët e tij hynë tek ai, ndërkaq të dy nipat e tij, Hasani dhe Husejni po rrinin mbi shpinën e tij. Njëri nga sahabet u tha: “Po sa në vend të mirë që keni hypur”, ndërkaq Pejgamberi sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem tha: “Po sa kalorës të mirë që janë.”

Vëreni, kjo është natyra e pastër dhe e shëndoshë në procesin e edukimit të shëndoshë dhe të drejtë të fëmijës: të lozim dhe të argëtohemi me fëmijët tanë.

I Dërguari i All-llahut sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem hyri në shtëpinë e Ummu Selemes, bija e Talha Ensariut, e cila kishte një fëmijë të vogël, dhe i tha vogëlushit: “O Eba Umejr, çfarë ka bërë Nugejri (emër i zogut me të cilin po luante vogëlushi).” I Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem, u argëtua me fëmijën dhe aspak nuk i pengoi atij që edhe ta përgëzojë me emër me të cilin përgëzohen vetëm të mëdhenjtë – Eba Umejr…!

Kjo është mirësjellja dhe edukata e Pejgamberit të All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem.

Një ditë te ai hyri Ekre bin Habis Et-Temimi, kryepari i një fisi, dhe e gjeti Pejgamberin sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem duke përqafuar nipat e tij, Hasanin dhe Husejnin dhe i tha: “O i Dërguari i All-llahut, unë kam dhjetë fëmijë dhe asnjërin prej tyre nuk e kam përqafuar asnjëherë.”

I Dërguari i All-llahut tha: “Ai i cili nuk mëshiron, nuk do të mëshirohet.”

Nëse nuk e mëshiron fëmijën tënd, edhe mëshira e All-llahut nuk ka për të përfshirë ty, ngase mëshiruesit i mëshiron Mëshiruesi Suprem.

Aisha r.a. tregon se një beduin hyri te i Dërguari i All-llahut, sal-lall-llahu alejhi ve sel-lem dhe tha: “Ju po i përqafoni fëmijët tuaj, ndërsa neve kurrë nuk bëjmë një gjë të tillë.”
I Dërguari i All-llahut tha: “Ç`të bëj, kur All-llahu ka larguar nga zemra yte mëshirën.”

Ç`të bëj, kur nga zemra yte është larguar mëshira e All-llahut ndaj fëmijëve tu, nga kënaqësia më e madhe e kësaj bote, nga palca e mushkërive tuaja, fëmijëve tu të cilët janë nga mishi yt, fëmijëve të cilët ti nuk i mëshiron. Ç`të bëj, kur All-llahu nga zemra yte ka larguar mëshirën.

Me zemër plot mëshirë ndaj fëmijërisë së fëmijëve tanë, shprehim kujdesin e veçantë ndaj tyre dhe sjellim edukatë të pastër dhe të shëndoshë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit