16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Fëmija palestinez synon rekordin Guinness me elasticitetin e tij

Më të lexuarat

Jusuf el-Behtini, 12 vjeçar, i cili përpiqet të zhvillojë edhe më tepër talentin e tij përmes lëvizjeve gjimnastikore që bën në Gaza, arrin të magjeps njerëzit me elasticitetin e tij

GAZA (AA) – Një fëmijë palestinez është duke synuar të hyjë në Librin e Rekordeve Guinness me elasticitetin e tij, raporton Anadolu Agency (AA).

Jusuf el-Behtini, 12 vjeçar, i cili përpiqet të zhvillojë edhe më tepër talentin e tij përmes lëvizjeve gjimnastikore që bën në Gaza, arrin të magjeps njerëzit me elasticitetin e tij. Behtini mund të përshkojë 20 metra për 14 sekonda në formë të urës, duke lënë pas personin që mban rekordin prej 17 sekondash në Librin e Guinnessit.

Duke folur për AA, ai tregon se talentin e tij e ka zbuluar para dy viteve, në saje të vëllait më të madh. “Që nga ajo kohë e deri më tani, unë kam punuar shumë që ta zhvilloj këtë aftësi time në mënyrë që të hyj në Librin e Rekordeve Guinness. Dua të marr pjesë në gara ndërkombëtare, në mënyrë që e gjitha bota ta dijë se është e mbushur me talente”, tha Behtini.

Nëse arrin ta kalojë kufirin, do të marrë pjesë në programin testues në Jordani

Vëllai i madh i Jusufit, njëherësh trajneri i tij, Muhammed el-Behtini, thotë se vëllai i tij ka trup tejet elastik, duke shtuar se ai bën lëvizje që një njeri i zakonshëm nuk mund t’i bëjë. Ai thotë se ushtron vëllain e tij përmes videove që ka gjetur në internet. Vëllai i madh i tij thotë se pjesën më të madhe të ushtrimeve i bëjnë në shtëpi, meqenëse nuk ka kurs të gjimnastikës.

Behtini tregon se ka kontaktuar me zyrtarë të Guinnessit dhe ua ka dërguar videon e vëllait të tij, ndërsa zyrtarët e kanë informuar se do t’i përgjigjen, duke i dhënë leje të marrë pjesë në programin testues në Jordani.

Ata shpresojnë që të hapet kalimi kufitar Refah mes Egjiptit dhe Gazës, dhe që aty të kalojnë në programin në Jordani.

Rripi i Gazës mbahet prej vitesh i bllokuar nga Izraeli, ndërsa dalja nga ky vend bëhet nga vendkalimi Refah me leje të Egjiptit.

Qeveria egjiptiane, pas puçit ushtarak të 3 korrikut të vitit 2013, kohë pas kohe hap në afate të shkurtra vendkalimin Refah.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit