12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Feja e vërtetë i zgjidhë të gjitha enigmat e jetës (Besimin, shkencën, pasurinë, politikën)

Më të lexuarat

Këtë që e përshkruajmë më poshtë e kanë argumentuar shqisat dhe përvojat ashtu siç e argumenton legjislacioni islam, natyra e pastër e njeriut dhe logjika e shëndoshë.

Falenderimi i plotë i takon All-llahut, salavatet dhe selamet qofshin mbi shpirtin e Muhamedit [alejhis-selam], mbi familjen dhe shokët e tij.
Këto janë disa fjalë që kanë të bëjnë me temën “FEJA ISLAME”, fe e cila udhëzon në atë që është më e drejta dhe më e mira dhe i orienton njerëzit kah besimi, morali, sjellja, direktivat dhe themelet e saj, të dobishme për këtë botë dhe botën tjetër.
Gjithashtu do të vihet në pah e vërteta se nuk ka rrugë për përmirësimin e gjendjes së njerëzve përveç Islamit dhe se çdo sistem që bie ndesh me këtë fe pamundëson mirëqenien e botës dhe fesë pëderisa nuk mbështetet në parimet e Islamit.
Këtë që e thamë e kanë argumentuar shqisat dhe përvojat ashtu siç e argumenton legjislacioni islam, natyra e pastër e njeriut dhe logjika e shëndoshë.
Pa mëdyshje se tërë feja është mirësi dhe përmirësim, pengim i të këqiave dhe dëmeve, thërrret në të mirë dhe mbarësi dhe nënçmon çdo të keqe dhe poshtërsi. Kjo e vërtetë bëhet e qartë për çdo të mençur pas ekspozimit të disa shembujve nga mësimet dhe udhëzimet e Islamit. Në atë rrast kuptojmë se të gjithë njerëzit janë të nevojshëm për këtë fe, në çdo moment, sepse këtë botë e kanë kapluar problematika të ndryshme të jetës. Njerëzit si të marrë bredhin në vorbullin e errët të jetës duke e gjetur rrugën në një sferë e duke e humbur në shumë të tjera. Ndonjëherë normalizohet jeta e tyre në një aspekt e çregullohet në shume aspekte tjera dhe këtë për dy shkaqe:
– ose për shkak paditurisë në mësimet dhe udhëzimet e fesë
– ose për shkak mendjemadhësisë e vetëmashtrimit dhe qëllimeve të këqia e intereseve të prishura që kanë shpier njerëzimin në situatën të cilën e dëshmojmë.
Për këtë arsye e kërkon nevoja që të përmendim disa enigma të ndërlikuara të jetës sikur: çështja e fesë, shkencës, pasurisë dhe varfërisë, shëndetësisë dhe sëmundjeve, luftës dhe paqes, bashkimit dhe ndarjes, armqësisë dhe urrejtjes si dhe çështje tjera në shqyrtimin e të cilave dallojnë pikpamjet e njerëzve duke e ndriçuar metodën objektive që e aplikon feja Islame në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe alternativat e dobishme që i propozon kjo fe.

 

ENIGMA E PARE: FEJA DHE BESIMI (AKIDEJA)
Kjo është enigma më e rrëndësishme e jetës dhe më e ndërlikuara. Mbi të ndërtohen të gjitha botëkuptimet. Në bazë të mirëqenies apo shkatërrimit të saj vlerësohen të gjitha gjërat. Njerëzit sipas fesë dhe besimit janë ndarë në grupe të shumta varësisht prej metodologjisë që kanë ndjekur. Të gjitha metodologjitë janë të shtrembëruara, të dëmshme, jo të dobishme (dhe ithtarët e tyre janë të humbur) përveç atij që është udhëzuar në fenë Islame të vërtetë e cila cilësohet me korrektësi, mirësi dhe qetësi në të gjihta aspektet.
Shumë prej njerëzve i mashtroi djalli dhe adhuruan përpos All-llahut tjetërkënd sikur drunjë, gurrë, fotografi, pejgamberë, melekë, njerëz të devotshëm e të këqinj duke pranuar se All-llahu është Zot i tyre, Krijuesi i tyre i parival. Pranuan teuhid-er-rubububije (njëshmërinë e All-llahut në krijim, zotërim dhe rregullim të gjithësisë) dhe devijuan nga teuhid-ul-uluhije (veçimi i All-llaut me adhurim). Këta janë politeistët të cilët ndahen në shkolla dhe frakcione të ndryshme. Të gjitha librat qiellorë kanë dhënë shenjë për devijimin dhe shkatërrimin e tyre. Në anën tjetër të gjithë pejgamberët janë bashkuar në një qëllim: urdhërimin në teuhid (monoteizëm), ndalimin e shirkut (politeizmit) si dhe kanë theksuar privimin nga xheneti dhe hyrjen në zjarr për atë i cilin i bën shirk All-llahut. Logjika e shëndoshë dhe natyra e pastër e njeriut vërtetojnë çregullsinë e shirkut, hynjëzimit të krijesave dhe adhurimit të tyre. Pra shirku sipas legjislacionit islam është kotësi, sipas arsyes njerëzore është anomali kurse përfundimi i pronarëve të tij është shkatërrimi dhe dëshprimi. Një pjesë e njerëzve besuan disa pejgamberë dhe libra qiellor dhe përgënjeshtruan disa të tjerë edhepse pejgamberët dhe librat qiellor dëshmojnë në mënyrë reciproke vërtetësinë e tyre dhe përputhen në bazamentet e tyre. Përgënjeshtrimi i tyre mohon besimin e tyre. Mospranimi i disa pejgamberëve dhe librave qiellor zhvleftëson besimin e tyre në disa pejgamberë dhe libra të shenjtë. Këta kanë mbetur të devijuar në fenë e tyre, të humbur në besmin e tyre, kontradiktor në diturinë e tyre. All-llahu [subhanehu ve teala] thotë: “S’ka dyshim se ata që nuk besojnë All-llahun dhe të dërguarit e Tij, dëshirojnë të bëjnë dallim mes All-llahut dhe të dërguarve të Tij e thonë:”Ne i besojmë disa e nuk i besojmë disa të tjerë dhe që duan të bëjnë për vete një rrugë të ndërmjetme, të tillët janë jobesimtarët e vërtetë…” (Nisa – 150, 151). All-llahu [subhanehu ve teala] gjykoi se ata janë “jobesimtarë të vërtetë” sepse thirrja e tyre në besim është vetëm një pretendim që nuk mban në vete realitet. Sikur të ishte pretendimi i tyre i realtë do t’i besonin të gjitha faktet në të cilat kanë thirrur të gjithë pejgamberët, mirëpo ata thanë:”Ne besojmë në atë që na është dërguar neve. Dhe në këtë mënyrë ata nuk besojnë në çfarë erdhi më pas, ndërsa ajo është e vërteta që përforcon atë që gjindet në duarte tyre.” (Bekare-91). Për këtë arsye pretendimi i tyre është gënjeshtër për të cilën ka thënë Allahu:”Përse atëherë i keni vrarë pejgamberët e All-llahut në kohët e mëhershme, nëse me të vërtet keni qenë besimtarë?” (Bekare- 91).
Një grup tjetër i njerëzve rekomanduan filozofinë dhe racionalizmin, e me këtë sollën lajthitjen më të madhe dhe absurditet të paparë, e mohuan Zotin e Madh, ekzistencën e Tij, e mos të flasim për besimin në pejgamberët, në librat qiellor dhe gajbin (botën e fshehtë). Mohuan argumentet e All-llahut, u mbështetën në vetvetet e tyre me kryelartësi, padrejtësi dhe mendjemadhësi. I përgënjeshtruan dituritë e të Dërguarve dhe librave të shpallura. U bënë mendjelartë ndaj shpalljes së All-llahut të shtyrë nga mendjemadhësia dhe nga ajo që mësuan prej shkencave natyrore dhe degëve të tyre. Mohuan të gjitha të vërtetat përveç asaj që e perceptuan me shqisat dhe përvojat e tyre të mangëta e shkurtpamëse në krahasim me dituritë e Pejgamberëve. Kështu natyrën e bënë Zot, qëllim kryesor dhe kulminacion të diturisë së tyre. Tërë çështjen ia lanë natyrës së tyre pa mos u kufizuar me legjislacionin fetar e as me etikën njerëzore. Në këtë mënyrë e ulën veten me poshtë se kafsha sepse prej kafshës nuk kërkohet moral. Gjithashtu çdo gjë ia lanë epsheve të tyre shtazarake, pa patur qëllim që do ta shpresonin, as përfundim që do ta kërkonin: “Dhe thonë: Nuk ka tjetër veçse jeta e kësaj bote, vdesim dhe jetojmë dhe asgjë nuk na shkatërron ne veçse koha.” (Xhathije-24). Në këtë mënyrë politeistët me gjith shirkun dhe kufrin e tyre ishin në gjendje më të mirë dhe më pak të dëmshme se ata. Për fat të keq ky botëkuptim i fëlliqur ka përfshirë në kohën e fundit pjesën dërmuese të njerëzimit për shkak dobësisë së fesë, vetëdijes së cekët dhe kurthës së popujve të fuqishëm ndaj të tjerëve me të cilën i kanë shkatërruar njerëzit.
Sa i përket fesë islame, ajo i ka nxjerrë njerëzit prej errësirave të injorancës, kufrit, padrejtësisë, armiqësisë dhe llojeve tjera të së keqes në dritën e shkencës, imanit, bindjes, drejtësisë, mëshirës dhe tërë të mirës:
“Vërtet Allahu derdhi mbi besimtarët mirësi të madhe kur Ai çoi ndërmjet tyre një të dërguar (Muhamedin) nga mesi i tyre, duke iu lexur atyre vargjet e Tij (Kuranin), duke i pastruar ata (nga gjunahet e tyre duke e ndjekur atë) dhe duke u këshilluar atyre Librin (Kuranin) dhe Hikmetin (urtësinë dhe sunnetin e Pejgamberit [alejhis-selam], rrugën e tij të zbatimit në jetë të rregullave të Islamit, fjalët, veprimet e faljes e tjerë), edhe pse para kësaj ata kanë qenë në gabim (humbje) të qartë” (Ali Imran-164)
“Allahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim.” (Nahël-90)
“Sigurisht që ky Kur’an udhëzon drejt më të drejtës dhe më të vërtetës” (Isra-9)
“Këtë ditë, Unë përsosa fenë tuaj për ju, plotësova Mirësinë Time mbi ju dhe zgjodha për ju Islamin si fe” (Maide-3)
“Dhe Fjala e Zotit Tënd është plotësuar me vërtetësi dhe drejtësi.” (En’am-115) – d.m.th. Fjalët e Tij të cilat u bënë ligje dhe dispozicione, të cilat Allahu i përsosi në të gjitha aspektet dhe në të cilat nuk ka asnjë mangësi. Të vërteta në lajmërimin për Allahun, për njëshmërinë (teuhidin) e Tij, për shpërblimin e teuhidit dhe realitetin e gajbit (botës së fshehur) për të cilën kanë lajmëruar pejgamberët. Të drejta në ligjësimin e dispozitave. Të gjitha urdhërat e Tij janë drejtësi, mirësi, mirëqenësi dhe përmirësim. Ndalesat e tij janë urtësi e plotë, ndalojnë padrejtësinë, armiqësinë dhe dëmet e nduarnduarta, ” E kush është më i mirë në gjykim se sa Allahu për një popull që ka një besim të fortë?” (Maide-50). Mënyra pyetëse në këtë ajet është me kuptim të mënyrës mohore i fiksuar në logjikën dhe natyrën e pastër të njeriut. Nuk ka urdhëruar Islami ndonjë gjë e të thotë logjika e shëndoshë: sikur të ishte e ndaluar, as që ka ndaluar ndonjë vepër e të thotë logjika e shëndoshë: sikur të ishte e lejuar. Kjo fe e ka lejuar çdo të bukur e të dobishme dhe e ka ndaluar çdo të shëmtuar e të dëmshme, “Ata të cilët ndjekin të Dërguarin, Pejgamberin që s’di as të shkruaj e as të lexoj (d.m.th. Muhamedin) të cilin e gjejnë të shkruar në Teurat që e kanë në duart e tyre dhe në Inxhil – ai i udhëzon ata për çdo gjë që është e mirë; i ndalon nga çdo gjë që është e keqe; ai i çliron ata nga barrët e rrënda dhe nga prangat që qenë mbi ta.” (A’raf-157)
Islami i udhëzon njerëzit në çdo gjë që është e dobishme për ta në dunja dhe në Ahiret, i pengon nga çdo gjë që është e dëmshme për fenë dhe mrëqenien e tyre në përgjthësi. Kur dobia dhe dëmi janë të paqartë ai urdhëron që të konsultohemi për t’u bërë dobia e qartë dhe për t’u larguar nga dëmi.
Ajo është fe madhështore, gjithëpërfshirëse e cila ka urdhëruar besimin në çdo libër të shpallur dhe çdo pejgamber të dërguar, “Kështu pra vetëm te kjo fe ftoji (njerëzit, o Muhamed) dhe qëndro fortë i paepur (në Islamin e pastër) siç je urdhëruar dhe mos ndiq dëshirat e tyre, por thuaj: Unë besoj në gjithë ç’ka zbriutr Allahu nga librat e shenjtë dhe jam i urdhëruar të gjykoj drejt mes jush. Allahu është Zoti ynë dhe Zoti juaj. Për ne punët tona dhe për ju punët tuaja. Nuk ka polemikë mes nesh e jush (sepse u bë e qartë e vërteta nga e pavërteta). Allahu do të na mbledhë ne dhe tek Ai është kthimi i fundit.” (Shura-15)
Ajo është fe madhështore për vërtetësinë dhe përsosurinë e së cilës ka dëshmuar Allahahu i madhëruar, kanë dëshmuar edhe krijesat më të mira tek Allahu: “Allahu dëshmon se nuk ka të adhuruar tjetër me të drejtë përveç Atij; dëshmojnë edhe melekët edhe ata që kanë dituri. Ai e mban krijimin e tij në drejtësi të plotë. Askush nuk meriton të adhurohet përveç Atij, është i Gjithëfuqishmi, më i Urti. (Ali Imran-18,19)
Ajo ëshë fe që kush cilësohet me të Allahu mbledhë në të bukurinë e brendësisë dhe pamjes së jashtme, etikën e përkryer dhe veprën e mirë “Kush ka fe më të mirë se ai i që sinqerisht i është bindur All-llahut dhe, duke qenë bamirës, e ndjek fenë e drejtë të Ibrahimit?” (Nisa-18,19). Nuk ka më të mirë se ai që është i sinqertë ndaj Allahut, bëmirës ndaj robërve të Tij. I sinqertë ndaj Allahut, ndjekës i ligjit të Tij i cili është ligji më i mirë dhe metodologjia më e drejtë, ngjyros zemrën e tij me sinqeritet dhe teuhid dhe kështu morali dhe veprat e tij vihen në rrugën e udhëzimit dhe drejtësisë “(kjo fe jona është) Njgyrosje e All-llahut, e kush ngjyros (me fe) më mirë se All-llahu. Ne vetëm atë e adhurojmë.” (Bekare-138)
Ajo është fe ithtarët e së cilës kanë çliruar zemra me anë të diturisë dhe besimit dhe kanë çliruar anët e botës me drejtësi, mëshirë dhe këshillë ashtu si i përshtatet qenies njerzore.
Ajo është fe me të cilën Allahu përmirësoi besimet, sjelljet dhe jetën në përgjithësi, bashkoi shumë zemra të ndara dhe mendime të përçara.
Ajo është fe madhështore, e përsosur deri në kulminacion në lajmet dhe ligjet e saj. Cdo lajm i saj është i realtë, çdo ligj i saj është i drejtë. Nuk ndodh që dituria e vertetë të bie ndesh me lajmet e saj, e as që ka ligj më të mirë se ligji i saj.
Themelet e saj janë ecuri e të kaluarës dhe të ardhmes. Kudo që mardhëniet ndermjet individëve apo shoqërive zhvillohen në përputhje me themelet e saj shohim drejtësi, mëshirë dhe mirësi sepse janë shpallje nga i Urti, i Lavdishmi “Elif, Lam, Ra, (ky është) Libër, ajetet e të cilit janë radhitur (në mënyrë të përsosur, njëkohësisht) edhe shkoqitur nga i Dijshmi i të gjitha çështjeve në hollësi.” (Hud-1). “Atij nuk mund t’i mvishet e pavërteta nga asnjë anë; është i zbritur prej të Urtit, të lavdishmit” (Fussilet-42) “Ne me madhërinë Tonë e shpallëm Kur’anin dhe Ne gjithsesi jemi mbrojtës të tij.” (Hixhër-9), fjala “mbrojtës të tij” d.m.th. mbrojtës të fjalëve të tij nga shtesat, heqjet dhe ndryshimet. Mbrojtës i ligjeve nga shtrembërimi dhe mangësimi. Ligjet e tij janë të plota në drejtësi dhe lehtësim.
Ajo është fe madhështore që udhëzon kah e vërteta dhe rruga e drejtë. Ciltëria është simbol i saj, drejtësia epiqendër, e vërteta shtyllë, mëshira shpirt dhe qëllim, e mira ortak, mirësia dhe përmirësimi bukuri dhe veprimtari, udhëzimi nozull i saj.
Ajo është fe që i ka bashkuar kërkesat e shpirtit dhe trupit. Allahu i urdhëroi besimtarët atë që i urdhëroi pejgamberët, adhurimin e Allahut dhe kryerjen e veprave të mira, ngrënien e gjërave të lejuara dhe shfrytëzimin e të mirave që Allahu i krijoi për njeriun. Allahu i ngriti në piedestal të lartë praktikuesit e kësaj feje. Kush mëson cilësitë dhe rregullat e saj e kupton vlerën e madhe të dhuratës së Allahut ndaj krijesave të Tij. Kush e le pas dore këtë fe bie në kotësi, humbë rrugën e drejtë dhe dështon në jetë sepse fetë tjera që kundërshtojnë Islamin sillen mes gjërave të kota dhe shtrembërimit dhe mes ateizmit dhe materializmit. Veprat e tyre i vdesin zemrat, i bëjnë si të kafshëve madje edhe më të humbura sepse kur zemra zbrazet nga feja e vërtetë zbrazet edhe shpirti i tij prej etikës dhe zëvendësohet me të kundërten e saj dhe ithtarët e saj zbresin në shkallën më të ulët. Qëllimi kryesor i tyre është kënaqja në këtë jetë.

 

ENIGMA E DYTE: DITURIA (SHKENCA)
Shumë prej njerëzve kanë gabuar në përcaktimin e konceptit “dituri e vërtetë” të cilën duhet mësuar dhe nxituar drejt saj. Tek ata gjejmë dy mendime me skaje të kundërta, asnjëri nuk është më pak i rrezikshëm se tjetri.
Mendimi i parë: përkufizimi i nocionit “dituri” në diturinë e sheriatit që ka të bëjë me përmirësimin e besimeve, moraleve, regulllave të adhurimit, pa mos përfshirë atë që në të vërtetë aludon Kur’ani dhe suneti se nocioni “dituri” nënkupton shkencat e sheriatit me degët e tyre dhe shkencat e kësaj bote (shkencat natyrore dhe shoqërore). Këtë mendim e pëfaqëson një grup njerëzish të cilët nuk e kanë kuptuar sheriatin , mirëpo ata kanë filluar të lirohen nga ky mendim pasi që panë të mirat e mëdha në shkencat e kësaj bote si dhe aludimin e argumenteve të sheriatit për të.
Mendimi i dytë: përkufizimi i nocionit “dituri” në shkencat bashkëkohore të cilat janë disa prej shkencave të kësaj bote. Zanafilla e këtij mendimi ishte devijimi nga feja, shkencat dhe morali i saj. Ky është gabim i madh pasi që mjetet i bënë qëllime dhe mohuan çdo shkencë dhe të vërtetë që nuk ka të bëjë me shkencat e kësaj bote. Ata u mashtruan me prodhimtarinë dhe zbulimet e tyre. Për këta njerëz bëhet fjalë në versetin kur’anor “Kur u erdhën atyre të dërguarit me argumente të qarta, ata iu gëzuan dijenisë së vet dhe atëherë i përfshiu ajo që e tallnin.” (Gafir-83) Ata u gëzuan me diturinë e tyre dhe u bënë mendjelartë ndaj diturive të pejgamberëve derisa i përfshiu dënimi për shkak talljes së tyre ndaj të vërtetës dhe për shkak përgënjeshtrimit të pejgamberëve e në këtë botë u dënuan me vulosje të zemrave, dëgjimeve dhe shikimeve dhe kështu u verbëruan para të vërtetës kurse “dënimi i botës tjetër është shumë më i rëndë. Ata nuk ka kush t’i mbrojë prej ndëshkimit të All-llahut.” (R’ad-34)
Vështrimi i Kur’anit dhe sunetit në përcaktimin e nocionit “dituri” është: çdo njohje që shpien drejt qëllimeve të larta, jep fryte të dobishme – nuk ka dallim në këtë mes asaj që lidhet me këtë botë dhe Ahiretit- pra çdo dituri që të udhëzon kah rruga e drejtë, ngritjes së besimit, moralit dhe veprave është prej diturisë.
Shkencat (dituritë) ndahen në dy grupe: qëllime dhe mjete.
Qëllime: janë shkencat fetare
Mjete: çdo shkencë që është në dobi të fesë sikur shkencat filologjike dhe shkencat tjera natyrore e shoqërore të kësaj bote fryt i të cilave është njohja e Allahut, njëshmërisë së Tij, përsosurisë së Tij dhe njohja e vërtetësisë së pejgamberëve.
Fryti i këtyre shkencave: ndihma për të adhuruar dhe falendëruar Allahun dhe mëkëmbja e fesë. Allahu [subhanehu ve teala] na ka lajmëruar se gjithësinë ia ka nënshtruar njeriut dhe e ka urdhëruar që të meditoj në të dhe të zbuloj dobi fetare dhe të kësaj bote. Urdhërimi për një gjë (d.m.th. urdhëri për të medituar gjithësinë që të kuptojmë madhërinë e Allahut, sh.p. ) është urdhër në vete dhe ajo pa të cilën nuk mund të kryhet një urdhër është urdhër në vete gjithashtu. E tërë kjo është nxitje për njohjen e shkencave të kësaj bote me anë të së cilës do të përfitojmë nga ajo që e ka nënshtruar Allahu për njeriun sepse të mirat në këtë botë nuk përfitohen pa mund, meditim dhe eksperimentim “Ne e kemi zbritur edhe hekurin që në të ka forcë të fortë dhe dobi për njerëz” (Hadid-25). Kjo dobi nuk arrihet përveç se me njohjen e shkencave industriale për të ditur mënyrën e prodhimit.
Argumentet kur’anore dhe të sunnetit që flasin për dobitë e shkencës dhe mbivlerësimin e shkencëtarëve ndaj të tjerëve janë të shumta. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Thuaj: “A janë të barabartë ata që dinë dhe ata që nuk dinë?” (Zumer-9), dhe se dijetarët janë ata që i frikohen Allahut dhe njohës të Tij “All-llahut ia kanë frikën nga robërit e Tij, vetëm dijetarët” (Fatir-28). Gjithashtu Allahu [subhanehu ve teala] urdhëroi të paditurit të pyesin të diturit.
Allahu ka urdhëruar veprimin e ibadeteve (adhurimeve) të shumta dhe ndaloi gjëra të shumta, e urdhëri dhe ndalimi nuk mund të zbatohen përveç se me dituri. Të gjitha urdhërat dhe ndalesat e sheriatit tregojnë obligueshmërinë e mësmit të shkencës përkatëse me urdhërin. Gjithashtu Allahu [subhanehu ve teala] lejoi mardhënie të veçanta dhe ndaloi disa të tjera, e dallimi i të lejuarës nga e ndaluara nuk mund të realizohet vetem se me dituri. Allahu [subhanehu ve teala] i ka qortuar ata që nuk i dinë rregullat dhe urtësitë që i ka zbritur Ai në librin e Tij.
Prej gjërave që Allahu [subhanehu ve teala] i urdhëroi në shumë ajete kur’anore është xhihadi. Urdhëroi të përgaditemi aq sa kemi mundësi, e kjo nuk mund të arrihet vetëm se me njohjen e arteve ushtarake si dhe prodhimeve industriale me të cilat është e lidhur ngushtë forca luftarake.
Allahu urdhëroi mësimin e rregullave të tregtisë dhe bazave të ekonomisë, madje urdhëroi që të vihen në provim fëmijët e vegjël bonjakë për të mësuar trgtimin dhe fitimin “Provoni bonjakët derisa të bëhen për martesë, e nëse vëreni te ta pjekuri, atëherë dorëzonju atyre pasurinë e tyre” (Nisa-6), pra nuk urdhëroi përgjegjësin e bonjakëve që t’ua jep paurinë atyre derisa të arrijnë pjekurinë, dhe të mësojnë mënyrën e fitimit dhe tregtimit.
Legjislacioni i përkryer islam urdhëroi të gjitha dituritë e dobishme si: Teuidin (Besimi i njëshmërisë së Allahut, sh.p.), Bazat e fesë, Fikhun (shkenca që studion ligjet praktike islame në detaje, sh.p.), gjuhën dhe degët e saj, shkencat politike dhe ekonomike si dhe shkencat tjera që u bëjnë dobi shoqërive dhe individëve.
Nuk ka ndonjë dituri të dobishme që lidhet me këtë botë apo me botën tjetër e që nuk e ka urdhëruar ligji islam dhe që nuk ka nxitur kah ajo dituri. Të gjitha shkencat që janë të lidhura me këtë botë apo botën tjetër janë të mbledhura në legjislacionin islam, madje disa prej shkencave që kanë të bëjnë me këtë botë janë emërtuar si shkenca fetare në ligjin islam.
Ekstremistët e përkufizuan kuptimin e shkencës në disa shkenca fetare dhe me këtë gabuan thellë.
Materialistët në anën tjetër e përkufizuan kuptimin e shkencës në disa shkenca natyrore dhe shoqërore dhe mohuan të tjerat e me këtë devijuan dhe u çrregullua feja dhe morali i tyre. Shkencat e tyre u bënë arte të zbrazura që nuk pastrojnë shpirtrat as mendjet e as që ushqejnë moralin. Dëmi i këtyre shkencave ishte më tepër se sa dobia. Ata fituan nga ato shkenca në aspektin e prodhmtarisë dhe zbulimeve dhe u dëmtuan në dy aspekte:
E para: zbulimet e tyre u shndëruan në fatkeqësi më të madhe ndaj tyre sepse shkaktuan zhdukje, luftëra katastrofale dhe shkatërrime.
E dyta: i pëlqyen zbulimet e tyre dhe u bënë mendjelartë dhe nënçmuan dituritë e pejgmberëve dhe çështjet e fesë “Ata që kundërshtojnë shpalljen e All-llahut pa pasur argument, nuk kanë tjetër në zemrat e tyre vetëm se një mendjemadhësi, me të cilën nuk do t’ia arrijnë qëllimit, e ti kërko mbrojtje te All-llahu, se Ai të gjitha i dëgjon dhe i sheh.” (Gafir-56), “Ne u patëm mundësuar atyre (fuqi, pasuri, jetë të gjatë), atë që nuk u mundësuam juve, u patëm dhënë të dëgjuar, të parë e edhe zemra (të menduar), por atyre nuk u bëri dobi asgjë, as të dëgjuarit e tyre, e as të parit e tyre e as zemrat e tyre, pse ata ishin që i mohonin argumentet e All-llahut, andaj, i përfshiu ajo me të cilën talleshin.” (Ahkaf-26), “Kur u erdhën atyre të dërguarit me argumente të qarta, ata iu gëzuan dijenisë së vet dhe atëherë i përfshiu ajo që e tallnin.” (Gafir-83)
Prej asaj që përmendëm u qartësua se shkencat e dobishme janë ato të kësaj bote dhe botës tjetër. Ato janë shkencat që janë cekur në Librin e Allahut dhe sunnetin e Pejgamberit [alejhis-selam] të cilat përfshijnë çdo dituri të dobishme, njohje të saktë, pa dalluar në mes bazave dhe degëve as në mes atyre fetare dhe të kësaj bote ashtu siç pçrfshinë akideja besimin në çdo të vërtetë, në shpallejn e librave të Allahut, në dërgimin e pejgamberëve, e Allahut i takon falendërimi.

 

ENIGMA E TRETE: PASURIA DHE VARFERIA
Politika e njerëzve dhe qëllimet e tyre në çështjen e pasurisë dhe varfërisë janë të ndryshme, varësisht prej interesave personale, e jo varësisht prej pasimit të së vërtetës dhe shikimit të interesave të përgjithshme. Ata gabuan rrugën e dobishme për shkak se nuk janë përqëndruar në udhëzimet e fesë Islame dhe me këtë dalluan pikpamjet e tyre në bazë të së cilave vepruan dhe sollën dëm të madh, shkaktuan mosmarrëveshje të ashpëra ndërmjet atyre që pretendojnë ndihmën e të varfërve e punëtorëve dhe ndërmjet pronarëve të pasurive të mëdha që mbajnë qëndrim përbuzës ndaj tjerëve. Ata rreth kësaj çështjeje kanë biseda të gjata të cilat janë përplot gabime dhe devijime. Allahu i udhëzoi besimtarët e Tij në rrugë të drejtë në të gjitha çështjet e në veçanti në çështjen e pasurisë dhe varfërisë.
Legjislacioni islam erdhi për të mirën e të pasurve dhe të varfurve sipas mundësisë, pasi që Allahu s.v parapërcaktoi që njerëzit të jenë në grada të ndryshme, të pasur dhe të varfur, të ndershëm dhe të pështër, tërë këtë për urtësi të mëdha dhe fshehtësi që nuk ka shprehje për përshkrimin e tyre. I lidhi fortë dy grupet (të pasurit dhe të varfërit, sh.p.) njëri me tjetrin, i përcaktoi shërbimet ndaj njëri tjetrit, interesat e ndërsjellta kështu që çdo grup u bë i nevojshëm për tjetrin.
Fillimisht Ligjdhënësi ligjësoi që ata të jenë vëllezër në mes vete dhe të mos e shfrytëzojnë njëri tjetrin porse i udhëzoi të dy palët që të kryejnë obligimin fetar ndaj njëri tjetrit në bazë të së cilës arrihet deri te bashkimi dhe ngritja e jetës normale.
I urdhëroi të gjithë që të drejtohen kah interesat e përgjithshme të dobishme për të dy palët sikur adhurimet që kryhen me trup, projektet humanitare, luftimin e armiqve, kundërshtimin e tyre dhe pengimin e armiqësisë së tyre në çdo mënyrë, çdonjëri sipas mundësisë dhe forcës që posedon. Njëri me trupin dhe pasurinë e vet, tjetri vetëm me trup, tjetri vetëm me pasuri, tjetri me famë dhe instruksion, ndonjëri me dituri dhe mësimin e tjerëve sepse qëllimi është një, interesat janë të përbashkëta, synimi është i lartë dhe mjetet për realizim të lejuara.
Më pas Allahu [subhanehu ve teala] urdhëroi të pasurit me dhënien e zekatit ashtu siç është cekur në detajet e ligjt islam. Këtë e bëri për përmbushjen e nevojave të atyre që kanë nevojë, për arritjen e qëllimeve fetare mbi të cilat ngritet feja dhe jeta. Nxiti bamirësinë në çdo kohë dhe çdo rrast, obligoi të ndihmohet i detyruari, të ushqehet i urituri, të vishet i zhveshuri. Obligoi shpenzmin e veçantë për familjen dhe çdo gjë që ka të bëjë me ta, dhe urdhëroi zbatimin e obligimeve ndërnjerëzore. Megjithkëtë i urdhëroi që të mos mbështeten në fuqitë e tyre as mos jetë qetësia dhe rehatia në pasuritë e tyre por qëllimi i tyre të jetë kah Allahu dhe shpërblimi i Tij duke kërkuar ndihmë prej Allahut, Atë ta falendërojnë për të mirat që ua ka adhuruar dhe që i ka dalluar me bollëk. Allahu [subhanehu ve teala] i obligoi të pasurit që të ndalen në kufijtë e caktuar nga Ai, të mos zhyten në komoditet dhe abuzim për të mos dëmtuar moralin, pasurinë dhe gjendjen e tyre në përgjithësi por të bëhen ashtu si ka thënë Allahu [subhanehu ve teala] “Edhe ata që kur shpenzojnë nuk e teprojnë e as nuk janë dorështrënguar, por mbajnë mesataren e janë të matur” (Furkan-67). Megjithëkëtë Ai i urdhëroi që fitimi i pasurisë të jetë në mënyrë të ndershme dhe të pastër, të mos e ndytyn pasurinë e tyre me fitime të fëlliqura sikur kamata, bixhozi, mashtrimet, tradhëtimet e tjerë, por t’u përmbahen rregullave të drejta të sheriatit në veprimtarinë e tyre ashtu siç iu përmbahen ligjeve islame në adhurimet e tyre. Gjithashtu i urdhëroi të pasurit të shikojnë të varfurit me sy përdëllues e bamirës, jo me shikim të vrazhdë, të ashpër, egoist apo mendjelartë.
Në bazë të këtyre mësimeve të urta pasuria merr ngjyrë fetare, arrinë kulmin e nderit dhe vlerësimit të plotë. Nga ky këndvështrim pasuria trajtohet si cilësi e lavdëruar, përsosuri dhe gradë e lartë pasi që ligji islam e pastroi, nxiti largimin nga gjërat e poshtëra dhe ofroi përfitimin e gjërave të vlefshme.
Sa i përket qëndrimit të Islamit ndaj të varfërve, ai i ka urdhëruar ata dhe të gjithë të tjerët që nuk i kanë arritur dëshirat e shpirtit që të bëjnë durim dhe të pajtohen me përcaktimin e Allahut [subhanehu ve teala] dhe të pranojnë se Ai është i Urtë, Atij i takon gjykimi pas të cilit fshehen dobi të mëdha “Por mund që ju ta urreni një send, e ai është shumë i dobishëm për ju, dhe mund që ju ta doni një send, e ai është dëm për ju. All-llahu di (fundin e çdo sendi) e ju nuk dini.” (Bekare-216). Pra ky botëkuptim i tyre e largon pikëllimin i cili shkakton plogështi dhe përtaci.
I urdhëroi të varfërit të mos kërkojnë nga krijesat të heqin varfërinë, as mos i lusin ata përveç kur nuk kanë rrugëdalje, por nga Allahu të kërkojnë një gjë të tillë, nga Ai i cili është një, i parival, duke kërkuar shkaqet që i ka caktuar Allahu për largimin e verfërisë dhe arrijten e pasurisë. Shkaqet janë punë të ndryshme, çdonjëri angazhohet me shkakun i cili i përshtatet dhe që i ka hije. Në këtë mënyrë ai përfiton pavarësinë nga krijesat, ushtrohet në punë dhe zell dhe lufton përtacinë dhe amullinë. Megjithëkëtë nuk lejohet që në zemrat e tyre të kenë zili ndaj të pasurve për shkak asaj që ua ka dhënë Allahu “Mos lakmoni në atë, që All-llahu gradoi disa nga ju mbi disa të tjerë. Burrave ju takon hise nga ajo që fituan ata dhe grave gjithashtu ju takon hise nga ajo që fituan ato. All-llahut kërkoni nga të mirat e Tij. All-llahu është i dijshëm për çdo send.” (Nisa-32)
I urdhëroi të varfërit që të marrin këshillë në punët, marëdhëniet dhe veprimtarinë e tyre dhe të mos e shpejtojnë rrizkun me zhytje në fitimet e poshtëra të cilat e humbin fenë dhe botën.
I urdhëroi me dy gjëra që u ndihmojnë kundër varfërisë:ekonomizimin në jetë dhe të kënaqurit me rizkun (furnizimin) e Allahut [subhanehu ve teala] sepse rrizku i vogël me ekonomizim të urtë është shumë kurse të kënaqurit me të është thesar që nuk harxhohet dhe është pasuri pa të holla.
Ka shumë prej të varfërve që kanë korrur sukses me ekonomizim dhe kënaqje me atë që kanë, nuk lakmojnë të pasurit të cilët e teprojnë në harxhime dhe nuk mërziten për shkak furnizimit të paktë që kanë.
Atëherë kur të varfërit do të udhëzohen me udhëzimin e fesë, në sabër, varësi vetëm prej Allahut dhe pavarësi nga krijesat, mundim dhe lodhje në punët e ndershme, kënaqje me caktimin e Allahut, do të lehtësohet barra e varfërisë dhe rrëndësia e saj. Ata edhe më tej do të nxitojnë kah arritja e pasurisë dhe do të shpresojnë nga Zoti i tyre e do të presin premtimin e Tij dhe do t’i kenë frikë Allahut sepse “sepse kushdo që ka frikë Allahun dhe përmbush detyrimin ndaj Tij, Ai do të sjellë rrugë për të për të dalur (nga çdo vështirësi). Dhe Ai do t’i sjell atij furnizim prej nga ai as nuk mund ta mendonte. Dhe kushdo që mbështetet e vë shpresat tek Allahu, atëherë Ai do t’i mjaftojë atij plotësisht.” (Talak-2-3)
Të gjitha këto udhëzime dhe mësime fetare nga Allahu dhe i Dërguari i Tij për të pasurit dhe të varfurit sjellin të mira për dy palët, pengojnë të këqiat dhe dëmet dhe japin frytet më të bukura në këtë dhe botën tjetër.
Kjo është zgjidhja e vetme nga Zoti i lavdishëm për enigmën e pasurisë dhe varfërisë e çdo gjë tjetër është shqetësim dhe dëshprim, dëm dhe shkatërrim kurse Allahu është Ai që udhëzon.
E ngjashme me këtë është çështja e shëndetit dhe sëmundjes. Legjislacioni islam është i pëkryer edhe në këtë aspekt, urdhëroi çdo gjë që e ruan shëndetin dhe e mirëmban atë, çdo gjë që i largon sëmundjet apo i lehtëson ato sipas mundësive. Rreth kësaj teme janë shkoqitur gjëra të dobishme që kanë të bëjnë me shëndetin dhe mirëmbajtjen e tij dhe mbrojtjen nga rreziqet e dëmet e ndryshme. Njeriu e ka për obligim që të mbrohet prej sëmundjeve para se të goditet me ta, megjithëkëtë ligji islam e urdhëroi atë që të mbështetet në Allahun [subhanehu ve teala] pasi që është e ditur se ai që jep begatinë dhe që e largon të këqen është Allahu [subhanehu ve teala] me diturinë e Tij për hollësirat, me fuqinë, mëshirën e Tij dhe me shkaqet e shumta të cilat ua ka mësuar njerëzve dhe i ka urdhëruar ndjekjen e tyre.
Allahu urdhëroi përballimin e sëmundjeve edhe me diç tjetër përveç barnave konkrete sikur durimi nga vështirësitë me besim të plotë në Allahun dhe duke shpresuar shpërblimin e Tij. Me këtë vështirësia e sëmundjeve lenohet për shkak imanit dhe bindjes që gjendet tek i sëmuari.
Allahu urdhroi mbështetjen e fortë në Të nga goditja e fatkeqësive dhe gjërave të palakmueshme, urdhëroi që të mos gjunjëzohet njeriu, mos të dobësohet zemra dhe vullneti i tij e të mbizotërojnë mbi të iluzionet të cilat janë sëmundje vrasëse në vete. Sa prej sëmundjeve fillimin e kanë të thjeshtë e që zmadhohet barra e tyre për shkak dobësisë së zemrës dhe mashtrimit të saj me iluzione e fantazma! Sa prej sëmundjeve të mëdha lenohet vështirësia e tyre kur zemra mbështetet në Allahun [subhanehu ve teala], forcohet imani, tevekuli dhe largohet frika prej tij. Tërë kjo është realitet i dëshmuar. Feja Islame njëkohësisht ka urdhëruar në dy gjëra:
-veprimin e shkaqeve duke u mbështet në Allahun për dobinë e tyre.
-arritjen e gjërave të dobishme dhe largimin e gjërave të dëmshme sipas mundësisë.
Njëjtë veprohet edhe me të mirat, të neveriturat dhe fatkeqësitë sipas ligjit islam i cili është i përkryer.
Allahu [subhanehu ve teala] dhe i Dërguari i Tij urdhëruan që të shfrytëzohen begatitë dhe njëkohësisht të shprehet nevoja ndaj Allahut për ato begati, pranimi i plotë se ato begati janë nga mëshira e Allahut [subhanehu ve teala] dhe nga përcaktimi i Tij. Urdhëroi të falendërohet Allahu pandërprerë për ato begati, të shfrytëzohet çdo gjë në vendin e vet, të jenë begatitë ndihmë për adhurimin e Allahut, të mos bëhet njeriu i cili i posedon ato begati keqbërës, as mendjemadh por të jetë modest dhe falenderues ndaj Allahut [subhanehu ve teala]
Allahu [subhanehu ve teala] urdhëroi njeriun të shfrytëzojë gjasat e mira për të fituar në këtë botë dhe botën tjetër, të shfrytëzojë shëndetin, fuqinë, zellin, famën dhe fëmijët e tij dhe të mos mashtrohet me këto begati duke i shndëruar në të mira të përkohshme porse duhet që t’i shndëroj në të mira të njëpasnjëshme, të vazhdueshme dhe të përhershme. Pejgamberi [alejhis-selam] thotë: “shfrytëzo pesë gjëra para pesë të tjerave, rininë para pleqërisë, shëndetin para sëmundjes, kohën e lirë para zënies, pasurinë para varfërisë dhe jetën para vdekjes.”
Atëherë kur njeriu të kuptojë qëllimin e begative, se ato janë mjete për të arritur të mirat e Ahiretit bashkohen tek ai dy gjëra: kënaqje me ato të mira në këtë botë dhe përfitimi i të mirave ne Ahiret. E jep obligimin e asaj pasurie dhe me këtë bëhet pasuri e vërtet e kësaj bote dhe botës tjetër, përkundër asaj që veprojnë të devijuarit nga mësimet e sheriatit të cilët kënaqen me të mirat e kësaj bote ashtu siç kënaqen kafshët dhe i përdorin sipas kërkesave të epshit shtazarak. Begatia tek ata është kënaqësi e cila shpejtë kalon dhe e cila pasohet me dëshprim dhe pendim, kurse të parët i shoqërojnë këta në kënaqësinë e kësaj bote madje edhe ua tejkalojnë atyre me qetësinë e zemrave, rehatinë e shpirtit dhe shpëtojnë nga shqetësimi dhe lakmia e madhe.
Sa i përket fatkeqësive, njerëzit nuk mund t’iu ikin atyre as që mund të shpëtojë ndonjëri, për këtë arsye Ligjdhënësi i Urtë e caktoi kohëzgjatjen e tyre pastaj i udhëzoi njerëzit kah durimi, dorëzimi, shpresa në shpërblimin e Allahut dhe i ndaloi nga shqetësimi dhe dobësia e shpirtit në ballafaqimin e fatkeqësive, por të tejkalohen me fuqi, mbështjetje në Allahun [subhanehu ve teala] dhe me iman të sinqertë. Në këtë mënyrë lenohet vështirësia dhe barra dhe arrihen shpërblime të shumëfishta. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Ne do t’ju sprovojmë me ndonjë frikë, me uri, me ndonjë humbje nga pasuria e nga jeta e edhe nga frytet, po ti jepju myzhde durimtarëve. Të cilët, kur i godet ndonjë e pakëndëshme thonë: “Ne jemi të All-llahut dhe ne vetëm tek Ai kthehemi!” Të tillët janë që te Zoti i tyre kanë bekime e mëshirë dhe të tillët janë ata të udhëzuarit në rrugën e drejtë.” (Bekare-155,156,157), gjithashtu thotë: “Thuaj: “O robërit e Mi që keni besuar, keni frikë ndaj Zotit tuaj. Ata që bënë mirë në këtë jetë, kanë të mirë të madhe, e Toka e All-llahut është e gjërë, ndërsa të durueshmive u jepet shpërblimi i tyre pa masë!” (Zumer-10), “Grave jepnu dhuratën e kurorës së tyre (niqahin) më të mirë, e në qoftë se ato nga vullneti i vet ju falin diçka nga ajo, atëherë hane atë hallall të mirë.” (Nisa-104)
Shiko se si zemra qetësohet në këto udhëzime të sheriatit në pranimin e begative dhe të mirave në një anë dhe ballafaqimin e fatkeqësive dhe të këqiave në anën tjetër. Jeta në këtë mënyrë është e bukur, e mira arrihet dhe shpresohet kurse fitimi është i vazhdueshëm. Muhamedi [alejhis-selam] thotë: “Eshtë e çuditshme çështja e basimtarit, tërë puna e tij është mirësi. Nëse e godet ndonjë e mirë e falendëron Allahun dhe kjo është mirë për të, e nëse e godet ndonjë e keqe bën durim dhe kjo është mirë për të, e kjo nuk është për askënd tjetër përveç besimtarin.” Sa dallim të madh ka mes kësaj gjendjeje të ndershme dhe gjendjes së atyre që kanë devijuar nga feja, ata të cilët kur arrijnë ndonjë begati bëhen mendjemëdhenj dhe çoroditen si kafshët, ashpërsohen ndaj të tjerëve dhe kalojnë çdo kufi. Kur i godet ndonjë e keqe nuk bëjnë durim, dobësohen madje kjo i shpien edhe deri te vetvrasja për shkak mosdurimit dhe frikësimit të cilin nuk mund ta mbjietojnë, Allahu na mbroftë.

 

ENIGMA E KATERT DHE E PESTE: POLITIKA E BRENDSHME DHE E JASHTME
Legjislacioni islam i vuri themelet e politikës në mënyrë të përkryer. Udhëzoi kah gjithë ajo që duhet ndjekur kur janë në pyetje muslimanët dhe të tjerët në mënyrë më të mirë dhe më të drejtë, bashkoi në ligjin e tij ndërmjet mëshirës dhe forcës dhe ndërmjet butësisë e mëshirës ndaj njerëzve sadopak që mundësojnë rrethanat. Kur butësia nuk mund të shprehet atëherë përdorë forcën me urtësi dhe drejtësi e jo me dhunë e ashpërsi. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “All-llahu urdhëron drejtësi, bamirësi, ndihmë të afërmve, e ndalon nga imoraliteti, nga e neveritura dhe dhuna. Ju këshillon ashtu që të merrni mësim. Meqë keni premtuar, pra zbatojeni premtimin e dhënë ndaj All-llahut, e mos i prishni betimet pasi i keni vërtetuar ato, duke qenë se All-llahun e bëtë garant tuajin. Vërtet, All-llahu e di se çka punoni.” (Nahël-90,91)

Allahu [subhanehu ve teala] urdhëroi drejtësinë me çdonjërin dhe bamirësinë dhe mëshirën ndaj çdokujt e sidomos ndaj të afërmve dhe ndaj atyre që kemi obligim të veçantë. Ndaloi imoralitetin dhe shtypjen e njerëzve në gjakun, pasurinë, nderin dhe të drejtat e tyre. Urdhëroi përmbushjen dhe ruajtjen e premtimeve dhe tërhoqi vërejten nga thyerja e tyre. Këto urdhëra dhe ndalesa ndahen në dy grupe:

1- gjëra të qarta të cilat duhet t’i zbatojë çdo musliman, nuk kanë në këtë lirinë e të zgjedhurit as të drejtën e kundërshtimit. Për këto rregulla bëhet fjalë në ajetet kur’anore ” Kur All-llahu ka vendosur për një çështje, ose i dërguari i Tij, nuk i takon (nuk i lejohet) asnjë besimtari dhe asnjë besimtareje që në atë çështje të tyre personale të bëjnë ndonjë zgjidhje tjetërfare. E kush e kundërshton All-llahun dhe të dërguarin e Tij, ai është larguar shumë larg së vërtetës.” (Ahzab-37), ” Për Zotin tënd jo, ata nuk janë besimtarë (të asaj që të zbriti ty as të asaj para teje) derisa të mos zgjedhin ty për të gjykuar në atë konflikt mes tyre, e pastaj (pas gjykimit tënd) të mos ndiejnë pakënaqësi nga gjykimi yt dhe (derisa) të mos binden sinqerisht.” (Nisa-65), ” O ju që besuat, bindjuni All-llahut, respektoni të dërguarin dhe përgjegjësve nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, drejtojuni All-llahut dhe të dërguarit dhe përgjegjësit nga ju. Nëse nuk pajtoheni për ndonjë çështje, atëherë parashtrojeni atë te All-llahu (te libri i Tij) dhe te i dërguari, po qe se i besoni All-llahut dhe ditës së fundit. Kjo është më e dobishmja dhe përfundimi më i mirë.” (Nisa-59), ” Për çdo send që nuk pajtoheni, gjykimi për të është te All-llahu.” (Shura-10)
Këto rregulla pas studimit u vërtetua se janë në përputhje me drejtësinë dhe urtësinë, në pajtim me interesat e përgjithshme dhe pengim i dëmeve.

2- gjëra të paqarta në origjinë apo gjatë nxjerrjes në praktikë. Futja e këtyre gjërave në punët faktike duke i mohuar apo pohuar, duke i kërkuar apo ikur nga ato, për të gjitha këto gjëra janë urdhëruar të konsultohen, t’i studiojnë nga të gjitha këndet, të meditojnë rreth kushteve e rregullave në bazë të së cilave vihet deri te përfundimi, cilat janë synimet që kihen parasysh, peshimi i dobisë dhe dëmit dhe dhënia e përparësisë asaj që është optimale. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “konsultohu me ta në të gjitha çështje..” (Ali Imran-159), Allahu [subhanehu ve teala] thotë për të gjithë muslimanët: “dhe që (i rregullojnë) punët e tyre me këshillim mes tyre” (Shura-38)
Në këto gjëra Allahu [subhanehu ve teala] ka lënë hapsirë të lirë pasi që vuri rregullat dhe themelet e përshtatshme për çdo kohë dhe vend sadoqë ndryshohen rrethanat dhe zhvillohen gjërat. Rregullat e sheriatit kur zbatohen në çështjet e përgjithshme dhe të pjesërishme përmirësohen të gjitha punët dhe arrihet mirëqenia e fesë dhe botës, përmirësohen veprat e njerëzve dhe pengohen të këqiat dhe dëmet prej tyre. Mirëpo e gjithë kjo kërkon formimin e një kuvendi ku do të tubohen burrat e mençur, këshilltarëe mendjegjërë që mendojnë drejtë dhe larg të cilët do t’i studiojnë çështjet e brendshme në mënyrë të njëpasnjëshme nga të gjitha këndet duke pasur pasqyrim të plotë për çështjen, pasqyrim të dobive dhe interesave të përgjithshme e të veçanta që do të rezultojnë, kërkimi i metodave më të mira dhe më të lehta për arritjen e dobive, largimi i dëmeve duke i pëcjellur shkaqet nga të cilat rrejdhin ato dhe mjekimi i tyre sipas mundësisë, nxitimi për zhdukjen e dëmeve nëse mundësohet një gjë e tillë apo zvoglimi i tyre. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Andaj, sa të keni mundësi ruanu prej dënimit të All-llahut.” (Tegabun-16) Pejgamberi [alejhis-selam] thotë: “Kur të ju urdhëroj për ndonjë gjë, aplikonie sa të keni mundësi.”
Prej themeleve më të rrëndësishme të sheriatit është nxitja e muslimanëve për aplikimin e fesë së tyre, aplikimin e obligimeve ndaj Allahut [subhanehu ve teala] dhe nënshtrimit ndaj Tij dhe kryerja e obligimeve ndaj njerëzve. Gjithashtu nxitja në njëmendësi dhe bashkimin e fjalës, marrja e shkaqeve të butësisë dhe dashurisë dhe largimi i mllefit dhe zilisë ndërmjet tyre. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “S’ka dyshim se besimtarët janë vëllezër” (Huxhurat-10), ” Përkujtojeni nimetin e All-llahut ndaj jush, kur ju (para se ta pranonit fenë islame) ishit të armiqësuar, e Ai bashkoi zemrat tuaja dhe ashtu me dhuntinë e Tij aguat të jeni vëllezër.” (Ali Imran-103), ” Përmirësoni gjendjen e unitetit tuaj dhe nëse jeni besimtarë, respektojeni All-llahun dhe të dërguarin e Tij.” (Enfal-1), ” E mos u bëni si ata që u ndanë dhe u përçanë pasi u patën zbritur argumentet.” (Ali Imran-105), ” Dhe kapuni që të gjithë ju për litarin (fenë dhe Kur’anin) e All-llahut.” (Ali Imran-103). Këto janë vetëm disa prej argumenteve të sheriatit të cilat urdhërojnë në parimin e lartëpërmendur me ndihmën e të cilit arrihet mirëqenia dhe ngritja e muslimanëve në shkallën më të lartë të përsosurisë.
Allahu [subhanehu ve teala] thotë:” O ju që besuat, kur të konfrontoheni me ndonjë grup, përqëndrohuni dhe përmendni çdo herë All-llahun që të arrini fitoren e dëshiruar. Dhe respektojeni All-llahun e të dërguarin e Tij, e mos u përçani mes vete e të dobësoheni e ta humbni fuqinë (luftarake). Të jeni të durueshëm se All-llahu është me të durueshmit. Mos u bëni si ata që dolën prej shtëpive të tyre sa për krenari e për t’i parë bota, e që pengonin nga rruga e All-llahut. All-llahut nuk mund t’i shpëtojnë me atë veprim të tyre.” ( Enfal-45,47). Në këtë ajet Allahu urdhëroi respektimin e Tij dhe repektimin e të Dërguarit, nën këtë urdhër hynë tërë feja. Ndaloi grindjen e cila shkakton përçarjen e zemrave. Urdhëroi të përmendet shumë Allahu [subhanehu ve teala] për çdo gjë, urdhëroi durimin i cili është i lidhur me çdo veprim. Urdhëroi sinqeritetin dhe drejtësinë dhe ndaloi të kundërtën e saj – punën për sy e faqe, mburjen me veprat e mira, mendjemadhësinë, qëllimet e këqia dhe devijimin e njerëzve. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “E ju përgatituni sa të keni mundësi force, (mjete luftarake) e kuaj të caktuar për betejë kundër atyre (që tradhtojnë) e me të, (me përgatitje) ta frikësoni armikun e All-llahut dhe armikun tuaj.” (Enfal-60). Në këtë ajet Allahu [subhanehu ve teala] urdhëroi përgatitjen e mundshme të forcës e cila përfshinë forcën politike e mendore, prodhimet, përgatitjen e armëve dhe gjithë ajo që nevojitet kundër armikut dhe që i frikëson ata. Nën këtë urdhër hynë të gjitha rregullat ushtarake dhe artet lufatrake, armët e ndryshme dhe mbrojtjen nga e keqja e armiqve, Allahu [subhanehu ve teala] thotë:” O ju që besuat, rrini të përgatitur (të armatosur)” (Nisa-71) Të gjitha këto rregulla e kanë kohën dhe vendin e përshtatshëm.
Shiko se si këto mësime të sheriatit janë shkak i vetëm dhe metodë shembullore për mirëvajtjen e politikës së brendshme dhe të jashtme dhe se mirëqenia dhe përsosuria janë në udhëzimet e saj dhe se mangësia e krijuar apo e paramenduar ndodhë në rrast të lënies së këtyre mësimeve pas dore.
Prej politikës së sheriatit është aftësimi shkencorë në çdo sferë nga një grup i cili do të derdhë tërë mundin në përkryerjen e mundshme për interesa të përgjithshme. Allahu [subhanehu ve teala] thotë:” Nga ju le të jetë një grup që thërret në atë që është e dobishme, urdhëron për punë të mbara dhe ndalon nga e keqja.” (Ali Imran-104), ” Nuk është e nevojshme të dalin në luftë të gjithë besimtarët. E përse nga çdo grumbull i tyre të mos shkojë një grup për t’u aftësuar në diturinë fetare, për ta mësuar popullin e vet kur të kthehet tek ata, në mënyrë që ata ta kuptojnë (e të ruhen).” (Teube-122)
S’ka dyshim se arritja e interesave të përgjithshme në këtë mënyrë që na ka udhëzuar Allahu është metoda e vetme për përsosurinë e fesë dhe botës, siç e din çdënjëri. Prej atyre metodave është fjala e Allahut [subhanehu ve teala] ” Ti (Muhammed) thirr për në rrugën e Zotit tënd me urtësi e këshillë të mirë dhe polemizo me ata (kundërshtarët) me atë mënyrë që është më e mira.” (Nahël-125)
Ky ajet përfshinë thirrjen (davetin) e muslimanëve të cilët kanë devijuar në disa çështje të fesë dhe thirrjen e jobesimtarëve. Të parët thirren në plotësimin e fesë së tyre kurse të tjerët thirren në hyrjen në fenë islame e cila është në dobi të njerëzimit.
Kjo thirrje shoqërohet me urtësi e cila nënkupton ndjekjen e rrugës më të afërt dhe metodës më të sukseshme për të arritur të mirën apo për të plotësuar atë dhe për të larguar të keqen apo për të zvogluar atë varësisht prej kohës dhe vendit, njerëzve të cilët thirren dhe rrethanave.
Poashtu kjo thirrje shoqërohet me këshillë të mirë. Këshilla është qartësim i dobive dhe dëmeve duke përmendur frytet e punëve të dobishme në këtë dhe në botën tjetër dhe duke përmendur të këqiat e punëve të dëmshme në dy botët. Allahu [subhanehu ve teala] e përshkroi këshillën me cilësinë “e mirë” për shkak se vetë këshilla është e mirë në thelb si edhe metoda e saj e cila bëhet me përdëllim, butësi, urtësi, durim dhe mënyra tjera të thirrjes (davetit).
Nëse gjatë thirrjes ka nevojë për polemizim për të bindur kundërshtarin, duhet që ky polemizim të jetë në mënyrën më të mirë: thirret polemizuesi në të vërtetën, i sqarohen të mirat e të vërtetës dhe dëmet e të kundërtës së saj, i ofron përgjigje kundërshtarit për dyshimet që i paraqet ai, tërë këtë me fjalë të buta, me edukatë të mirë e jo me ashpërsi e vrazhdësi, as me sharje e nënçmim sepse shkaktohet dëm i madh. Allahu [subhanehu ve teala] thotë: “Ti ishe i butë ndaj atyre, ngase All-llahu të dhuroi mëshirë, e sikur të ishe i vrazhdë e zemërfortë, ata do shkapërderdheshin prej teje, andaj ti falju atyre.” (Ali Imran-159)
Me këtë e përfundojmë fjalën sepse arrihet qëllimi e Allahu [subhanehu ve teala] e din më së miri, ve sal-lallahu ala Muhammedin ve sel-lem.

 

Abdurahman iben Nasir Essa’dij
Përktheu: Agim Bekiri

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit