6.5 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Fati i hidhur i 22 ujgurëve: Si u shitën dhe përfunduan në Guantanamo

Më të lexuarat

Rajoni perëndimor autonom i Xinjiangut në Kinë është vendbanimi i pakicës ujgure përgjithësisht muslimane. Por shumë kanë ikur nga Kina gjatë viteve të fundit për t’i shpëtuar persekutimit nga autoritetet kineze, që kanë ndaluar disa prej traditave të tyre kulturore dhe fetare.

Një grup ujgurësh që kërkuan strehë në Afganistan dhe Pakistan në tetorin e 2001-shit u përballën me një fatkeqësi të re dhe të papritur. Kërkimi i tyre për një jetë më të mirë përfundoi me burgosje.

Në kundërpërgjigje të sulmeve të 11 shtatorit, Shtetet e Bashkuara nisën një ndërhyrje ushtarake në Afganistan për të gjetur Osama bin Ladenin dhe luftëtarët e El Kaedës, dhe popullsia lokale u inkurajua të raportojë dhe t’i dorëzojë terroristët në shkëmbim të shumave të mëdha me para.

22 meshkuj ujgurë u kapën dhe iu shitën SHBA-ve si “terroristë”. Ata u transportuan për në Gjirin e Guantanamos, në burgun famëkeq ushtarak amerikan, ku u burgosën për shumë vite, fillimisht pa ndonjë formë procesi gjyqësor, dhe më vonë dolën të pafajshëm.

Nga Kina në Guantanamo, më poshtë tregohet historia e pabesueshme e tre “të burgosurve të absurdit”, të lidhur jo për faj të tyre me rrjetet botërore të terrorit.

 

Abu Bakker Qassim

Qazimi u përfshi në “Avokatinë Islame” pas demonstratës së Ghulja-s, në Xinjiang, më 5 shkurt 1997,download (1) dhe u arrestua në qershor të 1998-ës.

“Ata më akuzuan se isha pjesë e lëvizjes separatiste. Dhe më burgosën për shtatë muaj.”

Pas lirimit, Qazimi vendosi të përpiqej të gjente një fshat ujgur në Afganistan. Shumë ujgurë që ikin nga Kina zgjedhin të shkojnë në Afganistan, sepse është një nga vendet e pakta në rajon që nuk ka një marrëveshje ekstradimi me Kinën. Ai e gjeti fshatin pranë maleve, pak orë larg Xhelalabadit. Ky fshat u quajt më vonë nga ushtria amerikane si një kamp stërvitor taliban.

“Të gjithë ne që qëndruam atje kishim respekt të madh për popullin afgan, dhe për talibanët, sepse askush tjetër nuk i dha strehë popullit ujgur. Nuk u nevojitej një pasaportë apo diçka tjetër. Edhe nëse nuk bënit para, kishit prapëseprapë tre vakte ushqim në ditë. Unë u jam ende mirënjohës atyre. Asnjë vend tjetër nuk u ka dhënë refugjatëve ujgurë diçka të ngjashme me këtë,” thotë Qazimi.

Pas ngjarjeve të 11 shtatorit, SHBA-të i ofruan shuma të mëdha parash në dorë popullsisë lokale për çdo informacion mbi aktivitetin terrorist apo për dorëzimin e terroristëve të dyshuar. Kina u kërkoi gjatë kësaj kohe SHBA-ve ta shtonin dhe Organizatën e Çlirimit të Turkestanit Lindor në listën e mbikëqyrjes së terrorit, duke e klasifikuar lëvizjen separatiste ujgure si një grup terrori.

Pas fshehjes në shpella dhe pas kalimit të shumë muajve duke u sjellë rrotull maleve të Tora Borës, Qazimi hyri në Pakistan, por u kap shpejt dhe u dorëzua te forcat amerikane.

“Qeveria pakistaneze na shiti si terroristë te amerikanët, për 5.000 dollarë secilin,” thotë ai.

Më 8 qershor të vitit 2002 u transferua në burgun e Gjirit të Guantanamos. Një delegacion kinez u lejua atje ta shihte informacionin e tij personal, dhe qe i pranishëm gjatë pyetjeve.

“Më pas ata kërkuan të na fotografonin. Unë nuk pranova, siç bënë të tjerët. Dy ushtarë amerikanë më mbërthyen për fyti, kështu që kinezët mund të më fotografonin.”

Në fund ai doli para Bordit të Rishikimit të Statusit të Luftëtarit dhe u klasifikua si joluftues. Ai dhe tre të burgosur të tjerë ujgurë u pranuan në Shqipëri.

“Ata na sollën në një stacion policor pranë aeroportit. Na hoqën prangat. Pastaj na dhanë ujë për të pirë. Nisëm të ndjeheshim më të çliruar kur na hoqën prangat. Menduam: jemi të lirë!”

Qazimi thotë se përvoja e ndryshoi atë përgjithmonë. “Këto katër vite në burg ma shkatërruan të ardhmen. Në Shqipëri, ndonëse pjesa më e madhe e njerëzve e dinë se çfarë kemi kaluar, ka prej tyre që na shohin ende me dyshim. E njëjta gjë është në tërë botën. Fjala ‘terrorist’ më është shkruar në ballë. Shpesh ndjej se njerëzit ruhen kur flasin me mua. Edhe sikur të doja të nisja një punë të re, nuk mund ta bëj lehtësisht.”

Ahmat Abdulahad

Ahmeti ishte një nga shumë njerëzit e arrestuar pas demonstratës së Ghulja-s në Xinjiang më 5 shkurtdownload 1997.

“Brenda na morën shenjat e gishtave. Na torturuan, na qëlluan me shufra metalike, na mbuluan me akull. Sollën qentë të na kafshonin. Pashë atje gra dhe vajza të reja.”

Abdulahadi ia mbathi drejt një fshati ujgur në Afganistan, por u kap nga ushtarët e afganit Abdul Rashid Dostum. Ai u çua në burgun Kala-i-Xhengi, dhe ishte një prej të paktëve që i mbijetoi sulmit amerikan, të njohur tashmë si “beteja e Kala-i-Xhengisë”.

I plagosur rëndë, u çua në spitalin e Sheberganit, e më pas, në fund të janarit të 2002-shit, u transferua në Guantanamo. Atje doktorët do t’ia prisnin këmbën e plagosur.

“Ushtarët thanë se ata do të ma prisnin këmbën. Në rrethana të tilla, ju doni të flisni me të dashurit, të kërkoni këshillën e tyre. Vështrova përreth. Nuk njihja asnjeri, nuk mund të kuptoja asgjë nga ato që mund të thoshte dikush. Isha vetëm fare. Pasi u mendova një çast, u dhashë pëlqimin.”

Pasi u klasifikua si joluftues, Abdulahadi priti vite të tëra përpara se SHBA-të të qenë në gjendje të gjenin një vend që ta pranonin atë e pesë ujgurë të tjerë: ishullin e Palaut në Paqësorin perëndimor.

“Me të arritur këtu e ndjemë vërtet se ishim të lirë. Por ende nuk kishim një shije të vërtetë të lirisë. Supozohej që të merrnim një pasaportë. Ne kemi vetëm një kartë identiteti. Nuk lejohet të kërkojmë shtetësinë. Edhe pse kemi ca të drejta, nuk kemi kombësi. Ne nuk jemi qytetarë të asnjë vendi,” thotë Abdulahadi.

Khalil Mamut

Halil Mamuti e la Kinën në gushtin e 1998-ës për të studiuar në Pakistan. Në vitin 2001 u kap ngaimages ushtarët pakistanezë dhe iu shit ushtrisë amerikane si “terrorist”.

Ai u çua në burgun e Kandaharit, dhe më 10 qershor të vitit 2002 u transferua në Guantanamo.

Mamuti e çoi një pjesë të ndalimit të tij në Kampin 6, një prej burgjeve më të egër të Guantanamos.

“Nuk kishte njeri për të folur, nuk kishte libër për të lexuar nëse doja të lexoja. Nëse kërkoja të shkruaja, nuk kishte laps e letër. Nuk kisha asgjë atje. Mendoja ç’më kishte ngjarë, ç’do të ndodhte me mua. Isha i qetë përbrenda. Do të mendoja pa pushim mbi tërë jetën time. Brenda një dite mund ta sillni shumë herë në mendje jetën tuaj.”

Pasi u klasifikua si joluftues, Mamutit dhe tre të tjerëve iu dha strehim në Bermuda.

“Arritëm në Bermuda mëngjesin e 11 qershorit. Isha i habitur për diçka: u dërgova në Guantanamo më 10 qershor 2002, e dola prej tij më 10 qershor 2009. Shtatë vite të jetës sime kishin kaluar saktësisht atje. Ato qenë menduar të ishin vite të bukura të jetës sime. Shtatë vite të kohës sime. U bëra atje 25, 26, 27 vjeç. Koha e bukur e jetës sime, vitet e mia të bukura,” thotë Mamuti.

“Unë jam viktimë e manipulimeve mes politikanëve. Ata do të luanin me mua si një gur shahu në një fushë shahu. Dhe bënë të njëjtën gjë me vëllezërit e mi.”

Materiali është marrë nga Al Jazeera, dhe i përket një filmi të realizuar nga Patricio Henriquez. 
Përgatiti: Tesheshi.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit