12.2 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Fasada e shtetit që bie në një ditë

Më të lexuarat

Disa ngjarje të rënda që kanë ndodhur sot, kanë llogjikën dhe ligjësinë e tyre, burojnë nga konflikte e interesa të forta, por patjetër që e vënë në dyshim, madje e çjerrin rëndë propagandën e shtetit, me të cilën mburret rilindja prej 7 vitesh.

Pjesa më e madhe e njerëzve janë në kufizim lirie, në orare fikse, në privime të imponuara nga qeveria, me urdhëra që shpallen në “Facebook” nga kryeministri, por ama, kjo nuk ka penguar disa persona të dalin me armatim të rëndë nga banesat e tyre, të qarkullojnë me makinë disa kilometra, dhe të vrasin 4 vetë. Dy në Lezhë, dy në Durrës.

Qeveria ka arritur t’u kallë datën e të mbyllë brenda krejt njerëzit, në mbarë në vendin. Bëri shembull një djalë që takoi prindërit e moshuar, i cili nuk e dinte se ishte mbartës i covid 19. Ndryshoi kodin penal, rriti ndëshkimet. Kërcënon e u bën benë çdo ditë shefi i madh atyre që guxojnë të shkelin ndonjë dekikë nga koha dhe hapësira që u jep ai me bujurdinë e tij on-line.

E gjitha kjo përbën veçse fasadën. Shteti, ai me struktura, me polici të organizuar, me informacionin e duhur, lypset pikërisht për të parandaluar ngjarje të rënda si këto sot në Lezhë e në Durrës me 4 viktima.

Ku vallë parakaluan me kallash e me pistoleta autorët e krimeve të rënda në mesditë? Ku aplikuan për daljen? Kush ua miratoi? Nëse jo, pse nuk u ndaluan, teksa ishin në shkelje të rëndë të rregullave strikte.

Po sot, dolën lajme se shumica e të infektuarve me coronavirus, janë në qelitë e burgjeve më të sigurta në vend, aty ku nuk mund të depërtojë asgjë e dyshimtë nga jashtë. Por e vërteta është se vipat e krimit në vend, realizojnë takime dhe kanë shoqërizim më tepër se një pensionist i zakonshëm dhe i frikësuar tek Komuna e Parisit.

Të gjitha të dhënat tregojnë se të fortët, që në të shumtën e rasteve janë agjentë elektoralë të shumicës në fushata e zgjedhje, kanë privilegje më shumë se njerëzit e zakonshëm. Nëse ne do të ishim ai rasti i madh i suksesit në luftën me armikun e padukshëm, siç thotë Rama, si mundet që flama të ketë depërtuar pikërisht aty ku sita e filtrat, duhet të jenë më të larta se kudo tjetër.

Thjesht fjalë.

Ngjarjet sot, nuk dëshmojnë aspak shtetin e fortë që propagandon rilindja. Dëshmojnë vetëm fasadën e dalë boje të propagandës shtet.

Mapo

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit