16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Fale namazin që të jesh i shpëtuar

Më të lexuarat

Vëlla i dashur, motër e nderuar!

A e di se cila është gjëja e parë për të cilën do të llogaritet robi në Ditën e Gjykimit?

Nëse nuk e di, atëherë lexoje këtë thënie të të Dërguarit të Allahut, Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Puna e parë për të cilën do të llogaritet robi në Ditën e Gjykimit është namazi. Nëse atë e ka në rregull, të gjitha punët do t’i ketë në rregull, e nëse atë nuk e ka në rregull as punët tjera nuk do t’i ketë në rregull.”[1]

Pra, qenka namazi, e kuptove tashmë?!

Pas dëshmisë se Allahu është i Vetmi që meriton të adhurohet dhe se Muhamedi është rob dhe i dërguar i Tij, namazi është shtylla më e rëndësishme e fesë.

A e di ti se i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, ka thënë: “Ajo që na dallon ne nga ata (jobesimtarët) është namazi, andaj ai që e lë namazin ka rënë në kufër (mosbesim).”[2] Gjithashtu ka thënë: “Ndërmjet njeriut dhe kufrit e shirkut qëndron lënia e namazit.”[3]

Atëherë, si mund të rrish i qetë kur imani yt është vënë në pikëpyetje?!!

A e di ti se si do të përgjigjen banorët e zjarrit kur të pyeten se çka i solli ata në atë vend të tmerrshëm?! Lexo se çfarë thotë Allahu i Lartësuar lidhur me këtë, që ta kuptosh përgjigjen:

Çdo njeri është peng i veprave të veta, përveç njerëzve të krahut të djathtë; të cilët në kopshtet e Xhenetit pyesin njëri-tjetrin për keqbërësit: “Çfarë ju ka sjellë në Sekar?” Ata do të përgjigjen: “Nuk ishim nga ata që falnin namaz…” (Kuran, 74:38-43).

Pra, mosfalja e namazit qenka prej shkaqeve kryesore që i çojnë njerëzit në zjarr të Xhehenemit. Allahu na ruajttë nga zjarri!

I Madhërishmi i kërcënoi rëndë ata që e vonojnë namazin derisa t’i kalojë koha, duke thënë:

Mjerë për ata, të cilët kur falen, janë të pakujdesshëm për namazet. (Kuran, 107:4,5).

E, si është puna atëherë me atë që fare nuk e fal namazin?!

Ai që ia kthen shpinën Allahut dhe nuk e fal namazin do të ketë jetë të mjerë në këtë botë, ndërsa në botën tjetër do të jetë prej të humburve. Lexo se çfarë thotë Allahu i Lartësuar në Kuran:

Kushdo që i kthen shpinën Këshillës Sime, do të ketë jetë të mjeruar dhe Ne, në Ditën e Kiametit, do ta ringjallim të verbër. (Kuran 20:124).

A e di ti se Allahu nuk e ka liruar nga namazi as të sëmurin e as udhëtarin, madje as atë që lufton në rrugën e Tij?!  Në rast se ndokush nuk mund të falet në këmbë, atëherë duhet të falet ulur, e nëse nuk mundet as ulur, atëherë falet i shtrirë, por assesi nuk lirohet nga namazi. Vetëm i çmenduri nuk e ka për detyrë të falet.

Namazi është prej shkaqeve kryesore për shlyerjen e mëkateve. Ja se ç’thotë Allahu i Madhërishëm përkitazi me këtë:

Fale namazin në mëngjes e mbrëmje dhe në një kohë të natës, sepse veprat e mira i shlyejnë veprat e këqija. Kjo këshillë vlen për ata që i pranojnë këshillat. (Kuran, 11:114).

Ndërsa, i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, u tha shokëve të vet: “Çka mendoni, sikur para derës së ndonjërit prej jush të ishte një lumë, ku do të lahej pesë herë në ditë, a do të mbetej ndonjë ndyrësi në trupin e tij?” Ata thanë: “Nuk do të mbetej asnjë ndyrësi.” Atëherë, i Dërguari tha: “Kështu është edhe shembulli i pesë kohëve të namazit, me to Allahu i shlyen mëkatet.”[4]

Atëherë, si mendon të të shlyhen mëkatet në qoftë se ti vazhdon të mos falesh?!

A nuk të mjafton ty ta kuptosh rëndësinë e namazit, kur dihet që Allahu e bëri detyrë namazin mbi shtatë palë qiej?! Madje, Allahu në fillim i caktoi 50 namaze të detyrueshme ditore, por pas kërkesës së të Dërguarit tonë, Muhamedit, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, e zbriti numrin e namazeve të detyrueshme në pesë, por shpërblimin e la të njëjtë, pra pesë namaze me vlerë të pesëdhjetë namazeve.

Vëlla dhe ti oj motër, nëse dëshiron të jesh prej të shpëtuarve, atëherë përgjigjju muezinit kur të thotë “hajje ales-salah, hajje alel-felah” (eja në namaz, eja në shpëtim), sepse këtu qëndron shpëtimi i vërtetë.

Namazi nuk është punë e rëndë, përkundrazi në qoftë se i kthehesh Zotit tënd dhe e fal namazin, Allahu do të ta zgjerojë gjoksin dhe do të t’i largojë brengat dhe pikëllimin. Lexo çfarë thotë Allahu në Kuran:

Cilindo mashkull ose femër që kryen vepra të mira, duke qenë besimtar, Ne do ta bëjmë që të kalojë jetë të bukur dhe do ta shpërblejmë sipas veprave më të mira, që ka bërë. (Kuran 16:97).

Po pra, nëse dëshiron jetë të lumtur duhet t’i kthehesh Atij që të ka krijuar, Ai më së miri e di se ku qëndron lumturia.

Fale namazin dhe këshilloje edhe familjen tënde ta falin atë dhe mos ki frikë nga varfëria, sepse Allahu është Ai i Cili të furnizon ty dhe familjen tënde. Ai thotë:

Urdhëroje familjen tënde, që të falë namazin dhe këmbëngul për këtë! Ne nuk të kërkojmë ty ndonjë ushqim: jemi Ne që të ushqejmë! Përfundimi i lumtur qëndron në frikën ndaj Allahut. (Kuran, 20:132).

I Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të, thoshte: “Namazi është dritë…”[5] Andaj, fale namazin e mos rri në terr!Namazi për robin është dritë e zemrës, dritë në fytyrë, dritë në varr dhe po ashtu dritë në Ditën e Ringjalljes, siç thotë i Dërguari i Allahut, Muhamedi, paqja dhe lavdërimi i Allahut qofshin mbi të: “Ai që e ruan namazin, ai do të jetë për të dritë, argument dhe shpëtim në Ditën e Gjykimit, ndërsa ai që nuk e ruan atë, nuk do të jetë për të dritë, as argument e as shpëtim në Ditën e Gjykimit dhe do të ringjallët me Faraonin, Karunin, Hamanin e Ubej ibn Halefin.”[6]

Pra, ai që nuk e fal namazin, për të nuk do të ketë dritë dhe në Ditën e Gjykimit do të ringjallet me njerëzit më të këqij!

A e di ti se të gjitha krijesat që gjenden në tokë e në qiej i përulen Allahut dhe e madhërojnë Atë?! Allahu i Lartësuar thotë:

A nuk e vëren ti, se Allahun e lavdëron çdo krijesë që ndodhet në qiej dhe në Tokë, madje edhe shpezët krahëhapur?! Çdokush e di se si t’i falet e ta lavdërojë. Allahu e di mirë çfarë bëjnë ata. (Kuran, 24:41).

Po ashtu thotë:

A nuk e sheh ti se, në të vërtetë, Allahut i përulen në sexhde ata që gjenden në qiej dhe në Tokë, edhe Dielli, edhe Hëna, edhe yjet, edhe malet, edhe drurët, edhe kafshët dhe shumë nga njerëzit (muslimanët)? Por ka shumë njerëz (mohues), që meritojnë dënimin. E atë që e poshtëron Allahu, askush nuk mund ta bëjë të nderuar. Allahu, me të vërtetë, bën çfarë të dëshirojë. (Kuran, 22:18).

Andaj, nënshtroju edhe ti Allahut që të shpëtosh nga zjarri i Xhehenemit dhe ta fitosh Xhenetin, në të cilin ka gjëra për të cilat veshi nuk ka dëgjuar, që syri nuk i ka parë dhe as që mund t’i paramendojë ndokush.

Kushdo që shpëton nga zjarri i Xhehenemit dhe hyn në Xhenet, ai ka fituar (gjithçka që mund të dëshirohet). Ndërsa jeta e kësaj bote është vetëm kënaqësi mashtruese. (Kuran, 3:185).

 

Përgatiti: Hoxhë Jusuf Kastrati
Burimi: Shembulli.com

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit