14.2 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Fakihu admiral

Më të lexuarat

Shejh Ali Tantavi

Fjala admiral, rrjedh nga arabishtja dhe në origjinë do të thotë “emirul ma” (princi i ujit). Tek popullata andaluziane dhe marokene, ky term i jepej komandantit të flotës detare.

Sot, ne kemi ardhur në Tunizi dhe bëhet fjalë për 1200 vite më parë. Është një ditë e shënuar e vitit 172 hixhri, ditë kur një nxënës dijesh, do të ndërmarrë një udhëtim për këtë qëllim.

Personi për të cilin janë mbledhur njerëzit për ta përcjellë në këtë rrugëtim, është 30 vjeç. Origjina e tij është Nejsaburi dhe ka lindur në Dijarbekr. I ati qe vendosur në Magreb pas një fushate të organizuar nga Almansor, kundër rebelimit të fiseve berbere. Kështu, ky i ri u rrit, u edukua dhe përftoi dije nga dijetarët e Tunizisë. Kur ndjeu se Tunizia nuk mund ti ofronte më shumë, ai vendosi të niset për rrugë.

I riu Esed ibnul Furat e la Tunizinë dhe brodhi vend më vend, gjersa arriti në Medine. Asokohe, dijet dhe shkollimi kishin dy qendra të rëndësishme, ose thënë me gjuhën e kohës, dy universitete. Universiteti i parë ishte konservator, pasi i kushtonte rëndësi studimit të teksteve dhe si qendër kishte Medinen. Përfaqësuesi dhe themeluesi i kësaj shkolle ishte imam Malik. Sakaq, universitet tjetër reformues, i cili fokusohej tek arsyetimi, përfaqësohej nga imami i madh, Ebu Hanife, me qendër Irakun.

Kështu, i riu ynë u vendos në Medine, ku të gjithë mësimet zhvilloheshin në xhami. Ai iu qep pas imam Malikut, i cili njihej si autoritar dhe me karakter të fortë. Mënyra si komunikonte me studentët gjatë mësimit ishte e tillë; Ai fliste dhe studentët e dëgjonin, pa debatuar përveçse ndonjë rasti të rrallë. Atyre nuk u lejohej të pyesnin mbi gjëra që nuk kanë ndodhur, siç ndodhte rëndom në Irak. Ata fokusoheshin vetëm në çështjet e ndodhura, gjë e cila mesa duket nuk i pëlqeu të riut nga Tunizia. Pas shtjellimit të një meseleje fikhu, ai e bombardonte imam Malikun me pyetje, gjë e cila e bezdisi imamin. Një ditë, imam Maliku nuk e përmbajti veten dhe ia ktheu:”Ohu! Sikur të ndodhte kështu, e sikur të ndodhte ashtu! Po qe se të interesojnë gjëra të tilla, nisu për Irak!”

Pasi kishte qëndruar dy vite pas imam Malikut, i riu tunizian vendosi të nisej për Irak. Para se të ndahej me mësuesin e tij, imam Malikun, ai ia tha:”Më këshillo o imam!” Imami ia ktheu:”Të këshilloj të jesh i devotshëm me Zotin, të mos i ndahesh Kuranit dhe të këshillosh njerëzit.”

Ishin tre këshilla të cilat përfshinin shumë gjëra në vetvete. Ai që nuk ka devotshmërinë me veten, nuk mund ti bëjë fajde dija. Kurse Kurani është shtylla e fesë, përmbledhja e dijeve dhe shtegu i të mirës. Kurse këshilla është vetë morali.

Kur i riu tunizian mbërriti në Irak, imam Ebu Hanife kishte ndërruar jetë. Vendin e tij në mësimdhënie e kishin zënë nxënësit  e tij të dalluar, Ebu Jusufi dhe Muhamedi. Vetë Ebu Jusufit i ishte besuar gjykata, kurse Muhamedi jepte mësim dhe merrej me hulumtime. Ndër nxënësit e Muhamedit ishte dhe imam Shafiu, mësuesi i imam Ahmedit. I riu tunizian iu qep shejh Muhamedit, duke dëgjuar mësimet e tij para publikut. Por, sikur kjo metodë nuk ia shuante etjen që kishte për dije. Ai i kërkoi imam Muhamedit që ti kushtonte pak më shumë kohë, pasi kërkonte që këto dije ti çojë në vendin e tij.

Imam Muhamedi e mori në shtëpinë e vet dhe i lëshoi një dhomë pranë dhomës së tij. Natën, ai mbante pranë një enë me ujë, sa herë që dremiste, lagte duart dhe fytyrën me ujë që të zgjohej. Imam Muhamed as nuk i kërkoi dhe as nuk i mori qira, madje ai i kishte garantuar dhe ushqimin. Në këndvështrimin e të parëve tanë, dhënia e dijes shihej si ibadet dhe mënyrë për tu afruar më shumë me Zotin. Studentët e kërkonin dijen për hatër të Zotit dhe jo për të shtënë në dorën një diplomë. Po kështu, edhe mësuesit e jepnin për hatër të Zotit dhe jo sepse synonin ndonjë post. Esed ibnul Furat qëndroi për një kohë të konsiderueshme me imam Muhamedin. Ai arriti të ndërthurë mes shkollës së imam Malikut dhe Ebu Hanifes. Më pas, ai vendos të niset për Egjipt, ku jetonin dy dijetarë, që të dy nxënës të imam Malikut. Njëri ishte Esh’heb, kurse tjetri Ibnul Kasim, që të dy muxhtehidë dhe kishin mendimet e tyre që binin ndesh me ato të imam Malikut. Esh’heb, kishte gjuhë të mprehtë dhe ndonjëherë fliste shumë, kurse Ibnul Kasim ishte i butë. Tuniziani, e dëgjoi një ditë Esh’hebin në një çështje, e cila binte ndesh me mendimet e imam Ebu Hanifes dhe imam Malikut. Madje, Esh’heb nuk u ndal këtu, por i ofendoi këto dy figura me fjalë të rënda, gjë e cila e nervozoi tunizianin e ri. Ai u prek nga këto fjalë që Esh’heb ia adresonte dy figurave islame të dijes dhe siç e kishte bërë zakon, brof në këmbë dhe i jep një përgjigje të rëndë Esh’heb-it. Nëse më lejoni, do ua rrëfej se çfarë i tha. Ai i tha:”Në krahasim me ata dy burra, ti je si dikush që iu afrua vendit ku takoheshin dy dete dhe urinoi. Për shkak të shkumës që la pas urina e tij, ai tha:”Uau! Urina ime formoi një det të tretë.”

Që atë ditë, ai e la Esh’hebin dhe iu bashkëngjit Ibnul Kasim, pas të cilit qëndroi për një farë kohe. Pasi mësoi dhe nga Ibnul Kasim, ai shkroi një libër të cilin e titulloi “El-esedije” ku hodhi gjithçka që kishte mësuar në Tunizi, Medine, Irak dhe Egjipt.

Studentët e tjerë i kërkuan ta kopjojnë librin e tij, por ai refuzoi duke u thënë:”E kam shkruar për veten time.” Megjithatë, studentët nuk e lanë me aq, por e paditën tek kadiu. Ishte një padi e çuditshme, apo jo. Kur i erdhi në dorë kjo padi, kadiu nuk dinte si të veprojë. Në fund, ai vendosi:”Meqë libri ishte një koleksion i çështjeve të Ibnul Kasim, i cili ishte akoma gjallë, studentët mund të shkonin tek ai dhe ti marrin ato mësime, ashtu siç kishte vepruar i riu tunizian.” Q ë këtu, ai e hodhi poshtë padinë. Megjithatë, kadiu ndërhyri personalisht tek i riu tunizian dhe e bindi që t’ua japë librin kolegëve të tij dhe ashtu ngjau. Që atëherë, libri i tij u shndërrua në referencë për shkollën juridike maliki.

Mandej, i riu tunizian u kthye në Kairavan, kryeqendrën e Magrebit dhe qytetin e themeluar nga Ukbe ibnu Nafi. Ai u kthye pas njëzet vitesh rrugëtim në kërkim të dijes, ditët dhe netët e  të cilave i kishte kaluar kryesisht me dije.

Me të mbërritur, iu kushtua mësimdhënies, për të mësuar të rinjtë e vendit nga dijet që kishte marrë.

Mosha e tij asokohe ishte tek të pesëdhjetat. Libri që kishte hartuar shumë shpejt u shndërrua në referencë kryesore për të gjithë studiuesit e medh-hebit maliki. Pasi njëzet vitesh me dijet, të riut tunizian i vjen dhe posti dhe karriera. Atij iu besua gjykata bashkë me Ebu Mahrez i cili njihej për butësi. Sakaq, Esed ishte siç kishte dhe emrin, luan, kur bëhej fjalë për drejtësinë.

Gjer këtu, folëm për Esedin si student dhe nxënës dijesh, fakih dhe kadi. Tani, le të shohim Esedin si komandat të flotës, pra, si admiral.

Asokohe, myslimanët sundonin brigjet e Mesdheut. Ata kishin nënshkruar marrëveshje me Italinë dhe Sicilinë. Një nga fisnikët e Sicilisë, vjen tek emiri Zijadetullah dhe i tregon se qeveria siciliane e kishte shkelur marrëveshjen me myslimanët, pasi mbanin robër myslimanë dhe keqtrajtonin komunitetin mysliman atje.

Emiri mysliman hezitoi në pranimin e këtij informacioni. Ai deshi të dijë gjykimin e dijetarëve myslimanë, nëse duhej ti besonte informacionit, ta konsideronte marrëveshjen të prishur dhe të shpallte luftë. Menjëherë, ai thirri dy gjykatësit për tu këshilluar me ta. Kadiu Ebu Marez nuk e konsideroi të mjaftueshëm këtë informacion. Sakaq, Esed tha:”Për mua, marrëveshja është shkelur.” Kur dëgjoi këto fjalë, emiri urdhëroi të përgatitej flota menjëherë.

Kadiu Esed, i kërkoi emirit që ti bashkëngjitej ushtrisë në këtë luftë, por emiri refuzoi. Megjithatë, duke parë insistimin e kadiut, e pranoi kërkesën e tij dhe e caktoi komandant kryesor të kësaj fushate.

Kadi Esedi donte të jetë një ushtar i thjeshtë dhe jo komandant. Prandaj, i tha emirit:”Po më largon nga posti i kadiut dhe i mësuesit, për të më bërë komandant të një fushate ushtarake?!”

Emiri iu përgjigj:”Jo, nuk të kam larguar nga posti i kadiut, thjesht të shtova dhe postin e e komandantit të flotës.”

Ishte hera e parë që dikush mbante edhe postin e kadiut edhe të admiralit.

Flota e përgatitur përbëhej nga nëntëdhjetë e tetë anije luftarake, dhjetë mijë luftëtarë dhe nëntëqind kalorës.

Njerëzit që kishin dalë për të përcjellë ushtrinë ishin të shumtë. Atë ditë folën shumë hoxhallarë dhe predikues, e mes tyre dhe kadiu ynë. Ai nuk u fry siç fryhen shumë komandantë, as kërcënoi armikun. Këtë moment, ai e shfrytëzoi për të përcjellë një mesazh shumë të rëndësishëm. Ai u tha njerëzve:

O njerëz! As babai dhe as gjyshi nuk kanë pasur ndonjë post në të kaluarën. Për Zotin, askush nga të parët e mi nuk e kanë arritur këtë pozitë. Ajo që më ngjiti këtu ku jam, është vetëm dija. Prandaj i përkushtohuni kësaj rruge! I shtrydhni trutë dhe i lodhni trupat në nxënien e dijes, sepse kështu fitoni dynjanë dhe ahiretin…

Ndoshta, ju mund të pyesni: E ç’i duhej një plaku të vihej në krye të flotës? Aq më tepër që nuk ia kishte haberin nga çështjet e luftës dhe lundrimit në det!

Në fakt, fushata e drejtuar nga kadi Esedi, doli e suksesshme. Për ta vërtetuar këtë, do të cek një ngjarje që ndodhi gjatë fushatës, e cila tregon se ai ishte luan, siç kishte emrin.

Duke qenë se beteja nuk po përfundonte dhe ushqimet po mbaronin, një pjesë e ushtrisë filloi të lëkundej. Disa elementë ishin organizuar dhe kishin vendosur të ktheheshin në vendlindje. Ata e rrethojnë kadiun Esed ibnul Furat dhe për të biseduar me të, nxjerrin të parin e tyre, Esed ibnu Kadim. Ky i fundit, i tregoi kadiut mbi vuajtjet e ushtarëve dhe dëshirën e tyre për të hequr dorë nga kjo ekspeditë dhe për tu kthyer në vendlindje. Në pamje të parë, dukej sikur ai po i merrte mendim kadiut, por në brendësi ai po shpallte një revoltë të brendshme.

Fillimisht, kadiu reagoi me urtësi, u tha se dita e fitores është shumë afër dhe se shpërblimi është i madh. Megjithatë, këto fjalë ua shtuan kryeneçësinë. Dy Esedët (luanët) u afruan dhe rebeli i tha kadiut:”Në një moment të ngjashëm është vrarë dhe Uthman ibnu Affan!” Që do të thoshte se ne rebelohemi dhe nuk të bindemi.

E çfarë mund të bënte në ato çaste kadiu dhe fakihu ynë? Mos duhej ta pranonte situatën e krijuar dhe të dorëzohej, e për rrjedhojë, ta humbiste betejën aq shumë të pritur? E për çfarë? Për shkak se disa ushtarë të pabindur po refuzonin dhe po ngrinin krye? Apo të tregohej i vendosur dhe ti shkonte gjer në fund këtij misioni. Po sikur të zgjidhte vendosmërinë, si duhej të vepronte?

Ai bëri një akt që as shkrimtarëve të romaneve nuk do u shkonte ndërmend për personazhet e tyre të lavdishëm. Në çast, ai brofi në këmbë, ia rrëmbeu kamxhikun njërit prej rojeve dhe ia përplasi disa herë fytyrës përfaqësuesit të rebelëve. Energjia dhe fuqia e besimit kishte shpërthyer në ato çaste vendimtare. Mandej, ai iu drejtua ushtarëve duke bërtitur me sa forcë kishte:”Përpara!”

Ai u vu në krye të ushtrisë dhe fitorja ishte e sigurt. Ajo ditë, ishte zanafilla e sundimit islam në Sicili, sundim që zgjati për shekuj të tërë. Por çmimi që u desh paguar ishte i madh. Vetë admirali, kadiu dhe fakihu Esed ibnu Furat dha jetën në atë betejë. Ai vdiq duke mbajtur flamurin e fitores. Varri i tij mbeti i panjohur. \ardhmeriaonline\

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit