7.1 C
Pristina
Wednesday, April 24, 2024

Fahri Xharra për Joshuan: Është shqiptar, pasardhës i Neriman Joshanit nga fshati Protapapë i Korçës

Më të lexuarat

Tashmë duket të jetë e qartë se nuk ka një njeri të suksesshëm në botë, i cili nuk është pjesë e njërës nga degët e trungut autokton në kontinentin e vjetër të Evropës, trungun pellazgo-iliro-shqiptar. E për të ia vënë tapën kësaj pune, triumfuesi i meçit të mbrëmshëm në boks ndaj ukrainasit Wladimir Klitschko, anglezi Anthony Joshua, del të ketë po ashtu rrënjë të thella në mesin e shqiptarëve.

Kështu të paktën mendon, por edhe fuqishëm argumenton, njohësi i historisë, antropologjisë, trungjeve autoktone dhe zdrukthëtarisë gjenealogjike, gjithologu Fahri Xharra. Ai ekskluzivisht për popullin më të vjetër në gjithësi ka sjellë skemën tronditëse e cila hap pas hapi i sjellë rrënjët e boksierit më të përfolur në botë aktualisht, Anthony Josha, në Ballkanin e nxehtë, më saktë në Shqipërinë londineze, të këtillë çfarë Xharra nuk e deshi asnjëherë.

Trungologu pellazgo-ilir Xharra, i cili njihet edhe ka specializuar në fushën e bungologjisë, ka thënë për PamPress se Anthony Joshua është pasardhës, më saktë stërnipi i veprimtarit të çështjes nacionale shqiptare, Neriman Joshani, i cili në shekullin XIX jetoi në fshatin Protopapë, fshat ky i komunës së Moglicës, në rrethin e Korçës.

Sipas Xharrës, familja Joshani është një ndër familjet mëë të vjetra shqiptare jo vetëm në rrethin e Korçës, por gjithë Shqipërinë dhe trojet etinke shqiptare. Ai tregon se familja Joshani ishte familje ortodokse, e cila u islamizua nga okupatori osman, me ç’rast kjo familje ndahet edhe në dysh. Nga familja e madhe Joshani degëzohen dy familje, të cilat më pas edhe shpërngulen nga Protopapa dhe Korça. Bëhet fjalë për familjen Nishani, e cila u shpërngul në Durrës dhe brenda Islamit zgjodhi sektin bektashi, pasardhës i të cilës familje është edhe presidenti në shkuarje i Shqipërisë, Bujar Nishani. Kurse, familja tjetër është familja Joshua, e cila morri udhë drejt Britanisë së Madhe, më saktë në shtetin Hertfordshire të Anglisë, në qytetin e Watfordit, ku edhe u rrit si jetim dhe si musliman sunit, Anthony Joshua.

Siç shpjegon Fahriu, nga mbiemri Josh-ani, familja Joshua mori pjesën e parë “Josh”, kurse ajo Nishani, pjesën e dytë “ani”, pjesë kjo e cila në kohërat moderne bëhet edhe tekst i këngës “Uh, na na na, Ani, Ani, rrina, Ani, Ani, pina”.

Në fund, kushërir gjitholog i gjithologes në ardhje, Arbana Xharra, më lot në sy tha se s’mund ta fsheh gëzimin se shqiptarët dalëngadalë po e invadojnë botën në katër anët e saj. E këtë, ai thotë se nuk arriti ta ndalë asnjë pushtues, dhe e përmbyll rrëfimin për ne me fjalët: Zoti vonon, por nuk harron. /PamPress/

 

  • Satirë nga Pamperss
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit