12.6 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

EVOLUCIONI I GJITHËSISË

Më të lexuarat

Duke i përkujtuar idetë bashkëkohore mbi formimin e Gjithësisë e kemi treguar evolucionin që ka ndodhur duke filluar nga mjergullnajat fillestare e deri te formimi i galaktikave, i yjeve dhe i sistemit diellor, deri në paraqitjen e planeteve që kanë rrjedhur nga Dielli në një shkallë të evolucionit të tij. Të dhënat bashkëkohore lejojnë mendimin që në sistemin diellor dhe përgjithësisht në Gjithësi evolucioni vazhdon akoma. Kur dihet kjo, atëherë si mos ta krahasojmë me disa pohime që i gjejmë në Kur’an, kur evokohen manifestimet e plotëfuqisë së Zotit?

Në disa raste Kur’ani rikujton se: “… Ai mbizotëroi Arshin dhe nënshtroi Diellin e hënën që çdo njëri udhëton deri në një afat të caktuar;…”

Këtë fjali e gjejmë në suren 13, ajeti 2; në suren 31, ajeti 29; në suren 35, ajeti 13; në suren 39, ajeti 5.

Por, për më tepër, ideja mbi afatin e caktuar është e lidhur me idenë mbi cakun në suren 36, ajeti 38:

” Dhe Dielli udhëton për në kufirin e vet ( në cakun përfundimtar). Ai është (udhëtim) përcaktim i Ngadhënjyesit, të Dijshmit.”

Kufiri i caktuar është përkthim i fjalës mustekarr. Nuk ka dyshim se me këtë fjalë është e lidhur ideja mbi vendin e caktuar.

Si duket konfrontimi i këtyre i pohimeve me të dhënat që i ka vërtetuar shkenca bashkëkohore?

Kur’ani ja cakton Diellit afatin evolutiv dhe cakun. Hënës gjithashtu ia cakton afatin. Që të mund të kuptohet domethënia e mundshme e këtyre pohimeve, duhet t’i sjellim ndër mend njohuritë bashkëkohore mbi evolucionin e yjeve në përgjithësi, e të Diellit në veçanti, dhe, me anë të konkluzionit, mbi formacionet qiellore të cilat detyrimisht e ndjekin lëvizjen e tyre në Gjithësi, e të cilave u përket Hëna.

Dielli është yll, vjetërsinë e të cilit astrofizikanët e vlerësojnë në 4,5 miliard vjet. Si për të gjitha yjet edhe për të mund të caktohet stadi evolutiv. Dielli tani është në stadin e parë, të cilin e karakterizon transformimi i atomeve të hidrogjenit në atome të heliumit: stadi i tanishëm, teorikisht, do të duhej të zgjaste edhe 5,5 miliard vjet, sipas llogaritjeve të bëra tek yjet e tipit të Diellit, stadit të parë të tanishëm, tek yjet e tipit të Diellit, ia caktojnë kohëzgjatjen e përgjithshëm prej gjithsej 10 miliard vjet. Pas këtij stadi, siç është vërejtur tek yjet e tjerë, pason stadi i dytë të cilin e karakterizon përfundimi i transformimit të hidrogjenit në helium, pasojë e të cilit janë zgjerimi i shtresave të jashtme dhe ftohja e Diellit. Në stadin e fundit drita është e zvogëluar shumë dhe densiteti i rritur shumë: kjo shihet në tipin e yjeve të cilëve u është dhënë emri i xhuxhëve të bardhë.

Nga e gjithë kjo nuk duhet mbajtur mend datat, të cilat janë interesante vetëm sa për të dhënë vlerësimin e përafërt të faktorit kohë, por vetëm atë që më së shumti del në pah: kuptimi i evolucionit. Të dhënat bashkëkohore e bëjnë të mundur parashikimin që brenda disa miliardë vitesh kushtet në sistemin diellor nuk do të jenë këto të sotmet. Si edhe për yje të tjerë, transformimet e të cilëve janë regjistruar deri në stadin e fundit, mund të parashikohet fundi edhe për Diellin.

Ajeti i dytë që është dhënë më sipër (S36 – A38) evokon se Dielli shkon drejt cakut të vet.

Astronomia bashkëkohore e ka caktuar në mënyrë të përkryer duke i dhënë edhe emrin e apeksit diellor: sistemi diellor me të vërtetë lëviz në Gjithësi drejt një pike të vendosur në yllësinë e Herkulit, në fqinjësi me yllësinë Vega (yllësia e Lirës), koordinatat e të cilit janë të përcaktuara mirë: lëvizja ka shpejtësi të caktuar prej 19 km/sek.

Të gjitha këto të dhëna nga astronomia meritojnë të paraqiten lidhur me dy ajetet e Kur’anit, të cilët, siç duket përputhen me njohuritë e sotme shkencore në mënyrë të përkryer./islam.mk/kohaislame

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit