7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Europa në stinën e zgjedhjeve

Më të lexuarat

Para përfundimit të vitit 2016, në Rumani, Austri dhe Maqedoni do të mbahen zgjedhje të përgjithshme. Italia do të votojë për reforma kushtetuese dhe Franca për ta caktuar kandidatin presidencial

Përderisa dalëngadalë kanë filluar përgatitjet për vitin e ri, në Evropë disa vende do të shkojnë në zgjedhje të cilat do t’ua përcaktojnë fatin, raporton Anadolu Agency (AA).

Para përfundimit të vitit 2016, në Rumani, Austri dhe Maqedoni do të mbahen zgjedhje të përgjithshme, ndërkohë që Italia do të votojë për reforma kushtetuese dhe Franca për ta caktuar kandidatin presidencial nga qendra e djathtë.

Në Francë, e cila radhitet e para në kalendarin e këtyre zgjedhjeve, më 27 nëntor do të mbahen zgjedhje për caktimin e njërit nga dy kandidatët presidencialë të qendrës së djathtë, François Fillon dhe Alain Juppe.

Raundi i parë i zgjedhjeve për kandidatin presidencial të qendrës së djathtë, e cila në gjuhën frënge është emëruar si “Primaire”, u mbajt më 20 nëntor dhe fitues i tyre doli ish-kryeministri François Fillon me 44.1 përqind të votave.

Pas Fillon-it u radhit ish-kryeministri Alain Juppe, duke e përfunduar garën me 28 përqind të votave. Ndërkaq, ish-presidenti Nicolas Sarkozy arriti të radhitet vetëm në vendin e tretë me 21 përqind të votave.

Fillon, i cili kreu detyrën e kryeministrit gjatë periudhës kur Sarkozy ishte president, është pro rritjes së dialogut me Rusinë, Iranin dhe Asadin, ndërkohë që Juppe thekson se nuk do të ulet në tryezë me Asadin dhe se është e nevojshme të mbahet distancë me Rusinë dhe Iranin.

Që nga viti 1993 Fillon ka kryer detyra në ministri të ndryshme. Ndërkaq, zëdhënësja e tij është e njohur për opinionin turk. Deputetja nga Marseja Nathalie Boyer, mbështetësja më fanatike e pohimeve mbi ngjarjet e vitit 1915 për Turqinë dhe projekt-ligjeve në lidhje me të është zëdhënësja e fushatës së Fillon-it.

Fillon dhe Juppe janë kundër anëtarësimit të Turqisë në Bashkimin Evropian (BE). Që të dy disa herë kanë dhënë deklarata se “Turqia nuk ka vend në BE”. Ndërsa Fillon është më i rreptë sa i përket anëtarësimit të Turqisë, Juppe ka shfaqur një qëndrim më të matur dhe jo të rreptë.

Diskurset djathtiste ekstreme në Francë ndikojnë thellësisht në zgjedhjet presidenciale. Sulmet ndaj të huajve dhe muslimanëve dhe diskurset islamofobike shihet se kanë ndikuar te të dy liderët.

Fillon ka deklaruar se “Franca nuk ka problem me fetë, por me fenë islame”, kurse Juppe ka dhënë mesazhe më të buta ndaj muslimanëve. Para dy viteve Fillom botoi një libër me emrin “Mposhtja e totalitarizmit islam”, në të cilën ka deklarata që shënjestronin mbi 5 milionë muslimanët që jetojnë në Francë.

Liderët kanë qëndrime të ndryshme edhe në lidhje me BE-në. Fillon është pro krijimit të një Administrate të Eurozonës, ndërsa mbështet reformat për reduktimin e burokracisë dhe krijimin e forcave mbrojtëse të BE-së. Që të dy liderët japin mesazhe mbështetëse për një BE më të fortë dhe për përfaqësim më të lartë të Francës në BE.

Tre tema të rëndësishme të prekura nga të gjithë kandidatët gjatë fushatës ishin arsimi, punësimi dhe reformat ekonomike. Stagnimi dhe kriza ekonomike në të cilën gjendet Franca viteve të fundit, papunësia e të rinjve dhe ndalimet e investimeve ishin ndër temat kryesore në fjalimet e Fillon-it dhe Juppe-s.

Austria dhe Italia do të votojnë në të njëjtën ditë

Në zgjedhjet presidenciale që do të mbahen më 4 dhjetor në Austri do të garojnë kandidati i së djathtës ekstreme Nobert Hofer dhe kandidati i Partisë së Gjelbër Alexander Van der Bellen.

Sondazhet tregojnë se Hoger do të fitojë 52 përqind të votave, ndërsa Vand der Bellen 48 përqind.

I njohur me deklaratat e tij antiturke dhe antiislame, Hofer është pro ndalimit të mbulesës islame në hapësira publike dhe kërkon që marrëveshjet TTIP (Partneriteti Transatlantik për Tregti dhe Investim) dhe CETA (Marrëveshja Gjithëpërfshirëse Ekonomike dhe Tregtare) të votohen nga populli.

Ndërkaq, Van der Bellen mendon se duhet përkrahur refugjatët, megjithatë duhet të ketë kujdes më të madh ndaj atyre që vijnë për shkaqe ekonomike.

Van der Bellen është kundër marrëveshjeve CETA dhe TTIP dhe ka thënë se nëse bëhet president, nuk do t’i nënshkruajë ato.

Van der Bellen njihet për mbështetjen e hapur që ka ndaj organizatës terroriste PKK. Ai është shprehur se nuk beson që gjatë detyrës së tij Turqia do të mund të anëtarësohet në BE. Nga ana tjetër, në Itali në të njëjtën ditë do të votohet në një referendum kyç.

Reforma kushtetuese që u soll deri në referendum duke u përgatitur dhe kaluar në parlament para dy viteve nga qeveria e kryesuar nga Matteo Renzi, që përbëhet nga Partia Demokratike në Itali, e cila pozicionohet në qendrën e majtë, dhe partitë e Qendrës së Djathtë të Re, ngërthen ndryshime rrënjësore për Italinë.

Italia ka kaluar në Republikë me referendumin e vitit 1946 pas Luftës së Dytë Botërore. Pushteti ligjvënës i vendit bazohet në sistem parlamentar dydhomësh. Reforma kushtetuese në fjalë në masë të madhe ka kuptimin e lamtumirës për sistemin parlamentar dydhomësh.

Reforma parasheh ta zvogëlojë nga 315 në 100 numrin e ulësve të Senatit Republikan, që paraqet dhomën e lartë të parlamentit, dhe ta ngushtojë autoritetin ligjvënës të tij. Në këtë mënyrë, reforma synon ta përshpejtojë procesin e ligjvënies.

Ndërkaq, opozita ka bërë thirrje të votohet kundër reformës me tezën se ajo do t’i hap rrugën autoritarizimit në vend, ndërkohë që fushatën zgjedhore e ka përgatitur mbi humbjen e Renzit dhe largimin e tij.

Me premtimin e tij gjatë fushatës se do të japë dorëheqje nëse qytetarët nuk thotë “po” në referendum, Renzi në njëfarë mënyre i është përgjigjur pozitivisht kërkesës së opozitës. Më vonë, duke cituar deklaratën në fjalë, Renzi pranoi se është gabim të personalizohet referendumi, ndërkohë që në deklaratën e fundit ai theksoi se do ta vlerësojnë rezultatin e referendumit.

Referendumi ka rëndësi kyçe dhe paraqet një test edhe nga pikëpamja e qeverisë. Ditëve të fundit, ajo ka zënë më shumë hapësirë në politikën e brendshme.

Sipas ligjeve, në vend është e ndaluar të shpalosen rezultate nga hulumtime të opinionit publik në lidhje me rezultatin dy javë para zgjedhjeve ose referendumeve, në mënyrë që të mos ndikohet opinion. Shtypi italian të premten e kaluar publikoi rezultatet e anketës së fundit.

Ajo që ka tërhequr vëmendjen nga anketat është përqindja tejet e lartë e personave të papërcaktuar në lidhje me referendumin. Në hulumtimet në terren, përqindja e personave të papërcaktuar është mes 21 dhe 24, ndërkohë që hulumtuesit dhe analistët politikë ndajnë mendimin se kjo pjesë e njerëzve do të luajë rol kyç në referendum.

Maqedonia dhe Rumania do ta zgjedhin qeverinë më 11 dhjetor

Më 11 dhjetor Maqedonia do të shkojë në zgjedhje për caktimin e qeverisë së re.

E përkufizuar si parti demokristiane dhe nacionaliste, VMRO-DPMNE ende nuk ka shënuar progres në anëtarësimin e vendit në BE dhe NATO të cilat ajo i ka përcaktuar si synime strategjike, për shkak të kontestit të emrit me Greqinë.

Partia e dytë më e madhe në vend, Lidhja Social Demokratike (LSDM), ka qëndrim në favor të integrimeve të vendit në strukturat euroatlantike.

Partia e tretë më e madhe në skenën politike është Bashkimi Demokratik për Integrim (BDI). Ky subjekt është partner i koalicionit të VMRO-DPMNE-së.

Parti tjetër që përfaqëson shqiptarët është Partia Demokratike Shqiptare (PDSH). PDSH-ja ka qenë partner qeverisës në periudhën 1998-2002 dhe 2006-2008.

Partia më e re shqiptare në vend është Lëvizja BESA, e cila zuri vend në politikë në nëntor të vitit 2014. Gjatë dy viteve të saj të ekzistencës, BESA profilizon veten si parti që është alternativë për shqiptarët e papërcaktuar, por edhe për të gjitha komunitetet e tjera në vend, përfshirë turqit, muslimanët maqedonas, madje edhe boshnjakët, duke ofruar bashkëveprim në politikë.

Edhe Rumania do ta caktojë qeverinë e saj në të njëjtën ditë me Maqedoninë. Protestat e rrugëve që kishin filluar pas zjarrit që kishte kapluar një klub të natës në Bukuresht në nëntor të vitit 2015 kishin ndryshuar fatin e vendit, ndërsa kryeministri Victor Ponta, lideri i Partisë Social Demokratike, ishte detyruar të japë dorëheqje.

Me këtë, parlamenti i Rumanisë kishte miratuar qeveri teknokratësh për periudhën transitore dhe në detyrë të kryeministrit ishte zgjedhur Dacian Ciolos, ish-anëtar i Komisionit Evropian.

Në zgjedhjet e 11 dhjetorit në Maqedoni do të marrin pjesë 6 parti dhe 5 koalicione, ku do të zgjidhen 123 deputetë. Ndërkaq, në Rumani do të marrin pjesë 9 parti, ku do të zgjidhen 332 deputetë dhe 134 senatorë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit