15.9 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Esra Albajrak i bën thirrje shoqërisë ndërkombëtare për tu vënë në veprim për palestinezët

Më të lexuarat

Kryetarja e Këshillit Konsultativ të Grave të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI), Esra Albayrak, paralajmëroi se më së shumti gratë dhe fëmijët do ta paguajnë çmimin e procesit të filluar nga presidenti amerikan Donald Trump për Jerusalemin.

Kryetarja e Këshillit Konsultativ të Grave të Organizatës për Bashkëpunim Islam (OBI), Esra Albayrak, paralajmëroi se më së shumti gratë dhe fëmijët do ta paguajnë çmimin e procesit të filluar nga presidenti amerikan Donald Trump me njohjen e Jerusalemit si kryeqytet të Izraelit.

Duke folur për Agjencinë Turke të lajmeve Anadolli (AA) në lidhje me zhvillimet pas vendimit të Trumpit lidhur me Jerusalemin dhe për Këshillin Konsultativ të Grave, Albayrak tha se këshilli në fjalë kishte ardhur në rend të ditës në Samitin e OBI-t në Stamboll në vitin 2016, nën kryesimin e presidentit turk Recep Tayyip Erdoğan.

“Presidenti propozoi themelimin e një këshilli të këtillë. Këshilli Konsultativ i Grave mori si qëllim forcimin e rolit shoqëror të grave në shtetet islame, rritjen e pjesëmarrjes së tyre në proceset politike dhe ekonomike dhe kontributin për përfshirjen e tyre në pozicione vendimmarrëse”, thotë Albayrak.

“Në këtë mënyrë, këshilli ynë, i cili për herë të parë u mblodh në Stamboll në maj të vitit 2016, punon me nëntë anëtare femra që përfaqësojnë tre rajone kryesore të gjeografisë islame dhe të cilat janë të suksesshme në fushat e tyre dhe të përkushtuara ndaj misionit dhe qëllimeve të këshillit. Këto anëtare zgjidhen për periudha dyvjeçare dhe dorëzojnë detyrat kur t’u mbarojë koha”.

“SHBA-të demonstruan se nuk do të jenë ndërmjetës”

Albayrak vuri në dukje se vendimi i presidentit amerikan Trump për Jerusalemin u deklarua në një mënyrë shumë vulgare dhe shtoi se këtë vendim e ka pritur me trishtim dhe reagim, si të gjithë të tjerët që kanë ndërgjegje.

“Kjo çështje nuk është çështje që mund të përdoret në mënyrë të papërgjegjshme si material politik të brendshëm”, tha Albayrak.

“Ky vendim i njëanshëm për Jerusalemin, për të cilin ka rezoluta të OKB-së dhe konsensus botëror që tejkalon popujt e Lindjes së Mesme, kërkohet të pranohet nga bota, përfshirë edhe Palestinën. Për dekada të tëra, po e shikojmë pushtimin e tokave palestineze në një mënyrë të qetë, edhe përkundër rezolutave të OKB-së. Kjo deklaratë e papërgjegjshme nga presidenti amerikan duket se është një përpjekje për të legjitimuar këtë okupim aktual. Megjithatë, kjo iniciativë nuk shpërfill vetëm vendet palestineze apo myslimane, por edhe vetë OKB-në, ndërsa SHBA-të, duke mos hezituar të marrin anë në krizën më të thellë të Lindjes së mesme, demonstruan qartë se nuk do të jenë ndërmjetëse”, tha Albayrak.

“Shprehja ‘Jerusalemi është kryeqyteti i përjetshëm i hebrenjve’ nga presidenti amerikan për Jerusalemin, i cili ka rëndësi të veçantë për tre fetë hzjnore, është lënduese dhe madje edhe kërcënuese jo vetëm për myslimanët, por edhe për të krishterët, të cilët e konsiderojnë të shenjtë Jerusalemin”, shtoi ajo.

“Viktimat më të mëdha, gratë dhe fëmijët”

Albayrak tha se në qytetin e bekuar të Jerusalemit gjendet Xhamia Aksa, kibleja e parë e botës myslimane, dhe se ishte destinacion i Profetit Muhamed për kryerjen e Miraxhit.

Albayrak, duke theksuar se gratë dhe fëmijët janë viktimat më të mëdha të çështjes palestineze shikuar në kontekstin e grave myslimane, sikurse në konfliktet e tjera në botë, tha:

“Çmimin e këtij procesi të fundit, që u ndez nga presidenti i amerikan me njohjen e Jerusalemit si kryeqytet i Izraelit, fatkeqësisht më shumë do ta paguajnë gratë dhe fëmijët përsëri. Ndalimi i këtij procesi, i cili ka uzurpuar të drejtat themelore të popullit palestinez dhe i ka vështirësuar shpresat e qindra mijëra refugjatëve palestinezë për t’u kthyer në vendlindjen e tyre, është borxh i bashkësisë ndërkombëtare ndaj palestinezëve, veçanërisht grave dhe fëmijëve palestinezë”, vlerëson Albayrak.

“Nuk është koha për ndarje”

“Unë besoj se mund të bëjmë më shumë për gratë palestineze”, tha Albayrak, duke shtuar se kanë sjellë së bashku të rinj të suksesshëm të cilët dëshirojnë të japin një kontribut pozitiv në të ardhmen nga 50 vende të ndryshme islame në programet “All For Future” të organizuara rishtazi për lidership dhe sipërmarrësi të grave, në mesin e të cilave kishte edhe palestineze.

“Si gra të botës islame, ne kemi parë se është vërtetë nevojë themelore për të njohur njëri-tjetrin para çdo gjëje tjetër për të forcuar lidhjet vëllazërore dhe se është e mundur të zhvillohet një kulturë solidariteti pasi të njihemi. Në këtë pikë, është e rëndësishme të rritet kapaciteti i të rejave tona për të prodhuar aftësi udhëheqëse dhe zgjidhje, pa marrë parasysh kushtet politike dhe sociale në të cilat ato jetojnë”, thotë Albayrak.

Ajo vuri në dukje se ekzistojnë shumë më tepër nevoja themelore të cilat u mungojnë veçanërisht grave palestineze, siç janë “qasja në shërbimet themelore sociale, siguria dhe krijimi i kushteve të shëndetshme për kalim në prodhim”.

“Për sa i përket sigurimit të këtyre, përgjegjësi e madhe bie sidomos mbi organizatat ndërkombëtare dhe veçanërisht vendet islame. Është koha që të gjitha kombet që kujdesen për paqen botërore të bashkohen për ta zgjidhur këtë problem”, thekson Albayrak.

Thirrje grave hebreje

Duke iu referuar rolit të grave hebreje në përpjekjet për paqe dhe ndërmjetësim, Albayrak tha:

“Është fakt i pranuar që gratë tani luajnë rol të rëndësishëm në procesin e ndërmjetësimit. Unë besoj se gratë duhet të marrin rol më efektiv në ndërtimin më të shpejtë të proceseve të paqes. Në këtë pikë, unë personalisht e di se ka fraksione të ndryshme brenda hebrenjve. Kisha rastin të njihem nga afër me shumë shoqe hebreje të ndërgjegjshme dhe të dashura për mua dhe e di se ato në mënyrë aktive kanë treguar rezistencë ndaj politikës okupuese të qeverisë izraelite dhe janë përpjekur për të ngritur vetëdijen në opinionin publik perëndimor. Ato janë pjesë e shumë aktiviteteve të ndryshme, siç është lëvizja BDS (Iniciativa e bojkotimit të Izraelit për Palestinën). Unë besoj se këto lëvizje duhet të forcohen dhe se shteti izraelit duhet të vihet nën presion më të madh nga hebrenjtë për shkak të vendimeve dhe praktikave që shpërfillin të drejtat e njeriut”, vlerëson kryetarja e Këshillit Konsultativ të Grave.

Albayrak, e cila shprehet se ka vështirësi në ruajtjen e optimizmit ditëve të fundit, megjithatë deklaron se besonte në ndërgjegjen njerëzore, veçanërisht në arsyen e shëndoshë të grave dhe aftësinë e tyre për të prodhuar zgjidhje.

“Lëvizje larg arsyes së shëndoshë”

Albayrak më tej theksoi se është e frikshme që lëvizjet e politikës së jashtme të bëra për përfitime afatshkurtra për politikën e brendshme në një mënyrë larg arsyes së shëndoshë mundësojnë bazament për organizatat radikale.

“Bota perëndimore nuk e ka luksin ta injorojë këtë gjë”, tha Albayrak. “Terrorizmi global dhe organizatat radikale sot po i shkaktojnë vuajtje gjithë botës. Për këto organizata, komunitetet e dëshpëruara dhe të pashpresa janë terrenet më të mëdha të rekrutimit. Nuk duhet ta lejojmë këtë”, shtoi ajo.

Albayrak në fund tha se do t’i vazhdojnë përpjekjet për rikthimin e shpejtë të paqes në agjendë, krijimin e shtetit palestinez me kryeqytet Jerusalemin Lindor dhe tërheqjen e Izraelit në kufijtë e vitit 1967 dhe për të siguruar një mjedis në të cilin fëmijët dhe gratë palestineze mund të jetojnë sërish në paqe. (AA)

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit