7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Është thjesht vetëm një lëng

Më të lexuarat

Redi Shehu

 

Ai është thjesht vetëm një lëng ngjyrë kafe me shkumë i futur në një poç porcelani me dorezë, që thjesht na ka kapur për veshi të gjithëve. Me aromën dhe shijen e vet ka neutralizuar pavarësinë tonë për të cilën kaq shumë krenohemi dhe na ka bërë fansa të cilët pa bërtitur fare, një e nga një, njëri pas tjetrit, bëjnë të paktën më shumë se një herë në ditë ritualin e pirjes së tij dhe këtë duke rënë në kompromis të rëndë me punët që kemi.

Një lëng pothuaj i pazëvendësueshëm, që me efektin e vet, kurdis për punë secilin dhe e formaton në versionin “i gatshëm”.

Servirur në një pjatancë elegante nga kamarierë po aq elegantë mbi një tavolinë luksi në ambiente që ngjajnë me oaze në raport me realitetin shqiptar, kafeja kënaq sistemet tona të shijimit.

Pothuaj e barabartë me bukën, është ndoshta artikulli më i konsumuar për ne shqiptarët. Nëse vende prodhuese si Brazili e kanë ngritur frutin e saj në kult duke e vendosur edhe në flamurin e tyre kombëtar, neve pa frikë mund të themi se kemi kthyer në kult lëngun që del prej tij. Kjo nuk është e tepruar kur kujtojmë se terminologjia me bazë kafenë, përdoret në të gjitha sferat e jetës sonë.

Kafeja është kthyer padyshim tradicionalisht në logon e mikpritjes shqiptare. Kafeja është ajo që na shoqëron në ditët tona dhe netët tona, në pritjet dhe përcjelljet, në ftesat tona miqësore, në bizneset tona, në lindjet tona dhe në vdekjet tona.

Ne jemi një shoqëri që do ta kishim të vështirë të shprehnim ndjenjat ndaj njëri-tjetrit nëse do të duhej të hiqej termi kafe.

Ekonomikisht lokalet si komponentët e shërbimit të këtij lëngu, janë padyshim industria jonë më e përhapur dhe më e konsoliduar. Me investime që në shumë raste ia kalojnë linjave të prodhimit, kjo industri është kthyer në kapitullin kryesor të sektorit tonë të shërbimeve.

Falë marrëdhënieve tona të mira me kafenë, po ashtu dedikuar kulturës tonë të mangët post-moderne industriale, që prodhon një mënyrë jetese jashtë orarit tradicional të punës, kafenetë, lokalet janë kthyer në të ashtuquajturin parlament i popullit ku marrin “zgjidhje” gjitha hallet dhe problemet tona.

Kaq shumë është e pandarë lidhja jonë me lëngun intrigues ngjyrë kafe, sa në çdo rast, rrethanë, biznes, takim formal apo informal, kudo, është e nevojshme të merret aprovimi apo “noterizimi” tek tavolina e kafesë.

Kafeja në situata të ndryshme merr trajta të ndryshme. Ndryshe shijon një kafe në një rast vdekjeje, ndryshe shijon një tjetër para marrjes së një tenderi. Megjithëse i njëjti lëng dhe e njëta ngjyrë, ndonjëherë vlen miliona, ndonjëherë është thjesht kafeja e blerë tek kthesa e rrugicës së shtëpisë.

Pushtetit të kafesë nuk i kanë shpëtuar as edhe pushtetarët. Çdo kafe është e pranueshme për ta përveç asaj të mirëkuptimit politik. Aq shumë kafeja dhe kafenetë kanë ndërhyrë në jetën politike sa nuk janë të rralla rastet kur politikanë e deputetë të shquar, japin deklarata të rëndësishme politike në kafenetë e kryeqytetit, ku zërit të tyre autoritar i bashkangjitet në sfond tringëllima e lugëve dhe gotave të sapolara nga banakieri që zhurmshëm mundohet t’i sistemojë.

Ftesa për të pirë një kafe është ndoshta ftesa më pak e refuzuar nga ne. Si popull kafedashës dhe kafedhënës e kemi spostuar këtë traditë nga ambientet familjare të shtëpive tona, në ambientet publike siç janë baret dhe kafenetë, duke sjellë një epokë te re në konceptin e mikpritjes. Ndryshe nga ajo kafeja që piqej në prushin e purpurt dhe që u servirej burrave hijerënë këmbëkryq në sofrën tradicionale shqiptare, kjo kafeja jonë moderne nën emra apo marka të ndryshme, që sapo ia ka bërë bisht doganës, nën pseudonimet “espresso” apo “macchiato”, i bën shoqëri burrave e grave të sotme aspak hijerëndë dhe jo këmbëkryq të tretur në mjegullën e shtëllungave të pambarimtë të duhanit.

Sidoqoftë ai është vetëm një lëng ngjyrë kafe që do të dëshironim ta pinim vetëm në raste të mira. Ai është thjesht një lëng ngjyrë kafe që është i pandashëm me ne… ai ështe thjesht vetëm një lëng…/tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit