9.2 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ertugruli – luftëtar sypatrembur dhe udhëheqës i mençur

Më të lexuarat

Tregimi për njeriun e quajtur Ertugrul, është një koleksion i tregimeve emocionuese dhe të pazakonta. Ajo fillon me një njeri të thjeshtë dhe të zakonshëm, i cili ishte në krye të një familjeje ose fisi Turkmen, që nuk numëronte më shumë se 4.000 njerëz. Ky njeri nuk ishte aq i njohur në kohën e tij, dhe është e mundur që tregimi i tij të jetë ritreguar në mesin e miliona tregimeve të ngjashme, sikur Allahu të mos përcaktonte vazhdimësi dhe kujtesë tek pasardhësit e tij.

Ertugruli është një person rreth të cilit janë ndërthurur mijëra anekdota dhe legjenda. Ai vjen nga skaji i Lindjes, prej nga rrjedhin turkmenët, deri në Azinë perëndimore, në zonën e Anadollit, ku e mbolli farën, prej të cilës më vonë u zhvillua pema në formën e Perandorisë Osmane të fuqishme.

Disa transmetime thonë se ai vjen nga një familje, që kishte emigruar nga rajonet e Turkistanit, kur atje u shfaq Gjingiskani dhe shteti Mongol, pastaj u drejtua kah perëndimi, derisa erdhi në Anadoll. Në Anadoll u zhvillua një betejë në mes të ushtrisë së sulltanit selxhuk Alauddin Kajkubadit të I- rë dhe ushtrisë kundërshtare, ku Ertugruli iu bashkua ushtrisë së Alauddin Kajkubadit të I-rë. Kur Alauddini arriti t’i mundë kundërshtarët, Ertugrulit ia dhuroi një pjesë të tokës (bejllëk). Ekziston edhe transmetimi në të cilin thuhet, se ajo ishte një betejë mes Selxhukëve muslimanë, të udhëhequr nga sulltan Alauddin Kajkubadi i I-rë, dhe ushtrisë bizantine, meqë rast Ertugruli iu bashkua ushtrisë Selxhuke muslimane, duke e mbrojtur Islamin dhe muslimanët nga kryqtarët. Prona të cilën e mori Ertugruli nga sulltan Alauddin Kajkubadi i I-rë, ndodhet në Anadollin perëndimor në rajonin Sogut (Sögüt), në kufi me Bizantin. Dhe kështu Ertugruli e vuri gurin e themelit të Perandorisë Osmane.

Çka bëri Ertugruli në emiratin apo bejllëkun e ri?

Duhet të theksohet se informacionet në dispozicion për Ertugrulin janë shumë të pakta, por, mbi bazë të tyre, ne mund ta formojmë një pasqyrë të personalitetit të tij dhe të mënyrës së menaxhimit të fisit dhe bejllëkut.

Ertugruli ishte 40 vjeç kur e mori pronën e re. Ai jetoi gjatë dhe bejllëkun e tij e menaxhoi 50 vjet, që do të thotë, se ai vdiq si 90 vjeçar. Gjatë kësaj periudhe, ai arriti ta dyfishojë bejllëkun e tij, nga 2.000 m2 në 4.000 m2, ose diçka më tepër se kaq. Zgjerimi i bejllëkut të tij bëhej në territorin bizantin dhe rreth tij.

Ertugruli ishte shumë inteligjent, mendjehollë dhe i balancuar në veprimet e tij. Ishte shembull i një udhëheqësi të mençur, i cili dinte ta vlerësonte fuqinë dhe forcën e tij dhe nuk e konsumonte aty ku nuk kishte dobi. Ai nuk është përpjekur të zgjerohej në shtetin bizantin apo në emiratet e afërta islamike, por shtrirja e bejllëkut të tij shkoi ngadalë dhe gradualisht. Ai ishte i vetëdijshëm për fuqinë e tij të vogël në krahasim me forcat gjigante që e rrethonin dhe arriti ta dyfishojë territorin e bejllëkut të tij pa shkaktuar turbullira të mëdha dhe armiqësi rreth vetes.

Ertugruli kishte fokusim të qartë islamik dhe kjo shihet në shumë gjëra, duke përfshirë si më poshtë:

– E edukoi djalin e tij Osmanin dhe vëllezërit e tij në parimet e Islamit dhe për ta dashur Islamin dhe muslimanët mbi të gjitha.

– Kurrë nuk kishte qëndrim armiqësor ndaj fqinjëve muslimanë (nuk i ka sulmuar ata), edhe nëse i ka konsideruar të dobët.

– Brenga e tij për ndërtimin e xhamive në fshatrat e vogla të cilat i ndërtoi në bejllëkun e tij.

Ai ishte pasues i sulltanit Selxhuk dhe mbeti i përkushtuar i tij deri në fund. Ertugruli nuk deshi ta mohoj bindjen ndaj sulltanit Selxhuk dhe t’i ndajë muslimanët, edhe pse nuk u përkiste selxhukëve. Pikërisht, për shkak se ishte besnik ndaj sulltanit Selxhuk, shteti të cilin e themeluan bijtë e tij, kurrë nuk iu atribuua atij, por i atribuohet djalit të tij Osmanit.

Ertugruli e mbajti veten si udhëheqës i bejllëkut të tij për 50 vjet, pavarësisht të gjitha forcave që e rrethuan. Ai ishte shembull i pastërtisë morale dhe mirësisë, andaj e tillë ishte edhe fara që e mbolli, e cila më vonë u zhvillua në një pemë të madhe, në formën e Perandorisë Osmane të fuqishme, degët e së cilës ishin të larta kah qielli.

Allahu i Plotfuqishëm ka shpallur: “Vallë a nuk sheh se si Allahu jep shembullin – fjala e bukur si druri i bukur: rrënja është e fortë në tokë, kurse degët kah qielli; – që me lejen e Zotit të saj jep fryt në çdo kohë. Dhe Allahu u tregon shembullin njerëzve për t’u këshilluar ata.” (Ibrahim, 24-25)

Allahu ka përcaktuar që fara të cilën e mbolli muxhahidi dhe luftëtari i patrembur, por edhe lideri i mençur dhe i drejtë Ertugrul, të zgjasë më shumë se gjashtë shekuj. Shteti osman, të cilit Ertugrul ia hodhi gurin e themelit, nuk ishte një shtet i zakonshëm, por shtet – perandori e cila la gjurmë të pashlyeshme në historinë e njerëzimit, ashtu që efekti i tij zgjati më shumë se 100 vjet edhe pas rënies së tij.

Pas 50 vjet të sundimit, udhëheqësi i madh Ertugruli, vdiq në vitin1281, (viti 680 hixhrij) në moshën 90 vjeçare, duke ia lënë amanet bejllëkun djalit tij Osmanit.

Allahu e mëshiroftë Ertugrulin dhe pasardhësit e tij dhe i shpërbleftë me xhenetin e përjetshëm për hyzmetin e tyre ndaj Islamit dhe muslimanëve.

Përkthim: Miftar Ajdini

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit