16.5 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Erdogan, letër Mbretit saudit: pse duhet të sillemi si vëllezër…

Më të lexuarat

Presidenti turk Rexhep Tajip Erdogan, ka shfrytëzuar Ditën Kombëtare të Arabisë Saudite, për t’i përcjellë nje mesazh bashkëpunimi udhëheqësit saudit, Mbretit Salman bin Abdul-Aziz.

Ankaraja dhe Riadi ndodhen në një moment jo aq vëllazëror nga pikëpamja e unitetit fetar, për shkak të pozicioneve të ndryshme në gjeopolitikat rajonale e globale, por Erdogan është përpjekur ta miklojë me “fjalë zemre” monarkun e njohur, pozita e të cilit në botën islame ka një peshë jo të vogël.

“Vëllai im i dashur, në emrin tim dhe në emër të popullit turk, ju përgëzoj ju dhe popullin e Arabisë Saudite për Ditën Kombëtare të vendit tuaj. Ju përcjell ndjenjat më të bukura që më dalin nga zemra”, i është drejtuar Erdogan, udhëheqësit saudit.

Më tej, në letër Erdogan i vë në dukje rëndësinë e të qënit në një front përballë zhvillimeve globale.

“Bota islame po përballet me sfida serioze dhe se më shumë se kurrë, është e nevojshme paqja dhe stabiliteti, si dhe solidariteti emes vendeve mike të cilat kanë të njëjtin vizion.”

Në këtë kontekst, Erdogan ka përsërituar dëshirën unitet mes dy vendeve që janë lidershipi i botës islame: “për të vazhduar konsultimet dhe bashkëpunimin me Arabinë Saudite në të gjitha fushat në fazën e ardhshme, përmes mekanizmave të përbashkëta institucionale dhe vizita të vazhdueshme të ndërsjellta në nivelin më të lartë.”

Urimi i Presidentit turk përfundon me fjalët: “Me këtë rast dëshiroj për ju vëlla Selman, shëndet të mirë dhe vëllazëri, ju dhe çdo sauditi; paqe, begati dhe mirëqenie”

Arabia Saudite e ka 23 shtatorin si Ditën Kombëtare të Mbretërisë, sepse pikërisht në këtë ditë të vitit 1932, u shpall zyrtarisht unifikimi i Mbretërisë me dekret mbretëror të Mbretit Abdul-Aziz Ali Saud, dhe kur emri i vendit nga Mbretëria e Hixhazit dhe Nexhdit u ndryshua në Mbretërinë e Arabisë Saudite.

Mbretëria Saudite dhe Turqia trashëgojnë një rivalitet tradicional për pozitën e liderit në botën islame. Vitet e fundit kjo është theksuar më tej nga protagonizmi i fuqishëm në skenën botërore i Erdoganit, si pasojë e rifuqizimit ekonomik dhe politik të Turqisë, si dhe tendencave të ngjashme të shfaqura në familjen Mbretërore Saudite, nga Princi i Kurorës Mohamed bin Salman.

Dy vendet kanë një ftohje mes tyre për rastin e Katarit, ku ndërsa Saudia e ndjekur nga Egjipti, Emiratet dhe Bahreni i kanë bërë bllokadë vendit të vogël por mjaft të pasur të Gjirit, Turqia i ka dalë në krah. /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit