7.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Erdogan: gjatë vizitës sime të ardhshme në Shqipëri, namazin e xhumasë do ta fali në këtë xhami

Më të lexuarat

Dy presidentët, Recep Tayyip Erdogan dhe Bujar Nishani, vunë në mënyrë simbolike gurin e parë të ndërtimit të xhamisë së Namazgjasë në kryeqytet.
“Kjo xhami, kur të përfundojë ndërtimin, në ambientet e brendshme të saj do të mund të falen 5000 persona. Do të jetë simbol i qartë dhe kuptimplotë i marrëdhënieve dhe lidhjeve mjaft të mira mes popujve tanë. Shpresoj që gjatë vizitës sime të ardhshme në Shqipëri, namazin e xhumasë ta mbaj në këtë xhami”, u shpreh Erdogan.
 
“Le të jetë xhamia e Namazgjasë, kjo faltore kaq e merituar dhe e vonuar, për të gjithë besimtarët shqiptarë, një gur i ri kilometrik i shtuar në autostradën e miqësisë së sinqertë, që njerëzit e dy kombeve tona ndërtojnë përditë, me objektivin e qartë për një Ballkan dhe Europë më të mirë, më të paqtë dhe më të sigurt”, deklaroi Nishani.
 
Presidenti turk u ndal edhe te strukturat paralele që veprojnë në Turqi, një referim për aktivitetet e armikut të tij më të madh, Abdullah Gulen, për të cilat Erdogan u shpreh se ushtrojnë aktivitetin e tyre edhe në Shqipëri.
 
“E trajtova këtë çështje me vëllezërit e mi Rama dhe Nishani, dhe kam bindjen se ata do të bëjnë atë që duhet. Institucionet shqiptare nuk do ta tolerojnë asnjëherë këtë organizatë”, theksoi Tayyip Erdogan.
 
Ndonëse kryeministri Edi Rama mungoi në ceremoninë për xhaminë e Namazgjasë, Erdogan së bashku me Ramën kanë diskutuar edhe për këtë çështje në takimin që patën pak më herët.
 
Por, veç xhamisë, Turqia ka marrë përsipër financimin e projektit të Parlamentit të ri, atje ku janë zyrat e Kryesisë së Kuvendit, dhe rikonstruksionin e kalasë së Gjirokastrës, por edhe të gjithë pjesës muzeale të qytetit, që përfshin edhe rikonstruksionin e 40 shtëpive karakteristike.
 
“Ne presim me kënaqësi që pas përfundimit të fushatës zgjedhore në Turqi, të kemi një takim dypalësh në nivelin e të dy qeverive, mbledhje të përbashkët të të dy kabineteve, ku do të nënshkruajmë edhe dokumentin e partneritetit strategjik”, tha kryeministri Edi Rama.
 
“Sa i përket çështjes së ripërtëritjes së Parlamentit, moment që do të jetë pikë kthese, sepse Turqia do ta marrë përsipër kryerjen e kësaj pune. Projekti arkitektonik është gati tashmë. Pas kësaj do të hapim një xhami tjetër”, tha më tej Presidenti Erdogan.
 
Presidenti Erdogan pati takime edhe me kryetarin e Parlamentit, Ilir Meta, dhe kryetarin e opozitës, Lulzim Basha. /Top Channel

“>

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit