7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Erdogan fiton përsëri – histori dashurie kjo e jona

Më të lexuarat

Nga Bujar M. HOXHA

Partia për Drejtësi dhe Zhvillim (AKP) i ka fituar dhe një herë tjetër zgjedhjet në Turqi. E vetme apo në koalicion, kjo parti triumfon në mënyrë të pandërprerë që nga viti 2002. Ky është përfundimi i parë që meriton të nënvizohet me forcë. Harta e zgjedhjeve vendore në Turqi ka pësuar ndryshime pas së dielës së 31 marsit, por duhet parë në tërësi, nga mesazhet që ajo përcjell.

Të gjitha zgjedhjet e zhvilluara që prej asaj kohe e deri më sot kanë patur ngjyrimin e një referendumi për Rexhep Tajjip Erdoganin, kryetarin e AKP-së, njeriun qeverisja e të cilit e ka ndryshuar me rrënjë Turqinë. Si referendum nga kundërshtarët e tij janë parë dhe këto zgjedhje lokale, kështu që nuk është e tepërt të thuhet se të 15 fitoret elektorale janë dhe triumf për figurën e kryetarit të sotëm të shtetit, shprehje e besimit që turqit kanë në të.

Zgjedhjet lokale nuk marrin vëmendje të madhe zakonisht, për shkak të karakterit të tyre. Nuk ndodh kështu me Turqinë, për vetën pozitën e saj rajonale, qoftë edhe globale. Pikërisht për këtë arsye pesha e këtyre zgjedhjeve ka qenë shumë më e madhe se e lokaleve të thjeshta.

Pritshmëri të mëdha ka patur në këto muajt e fundit nga kundërshtarët e pushtetit të sotëm, nga kundërshtarët e Erdoganit, brenda dhe jashtë vendit. Parashikime ogurzeza kanë qarkulluar prej muajsh, fjalë për krijim partish nga ish-“vëllezër” ideali të Erdoganit, etj. Një aleancë e panatyrshme u krijua kundër tij, kundër aleancës së AKP-së me nacionalistët e MHP-së. Në javët e fundit pati dhe një goditje të tregut financiar, të ngjashme me atë të gushtit të vitit të kaluar, me lëkundje të fortë deri diku të monedhës vendase.

Karshi presionit, presidenti turk u angazhua fort në fushatën elektorale, me mitingje të panumërta anembanë vendit. Ashtu siç u shpreh ai në ligjërimin e tij, Turqia gjendej përballë një problemi ekzistencial, të varur shumë dhe nga rezultati i këtyre zgjedhjeve.

Në fund të tyre, Aleanca Popullore, e AKP-së me Partinë e Lëvizjes Nacionaliste (MHP), doli fituese, me gati 52 për qind të votave. AKP-ja u rikonfirmua si partia më e votuar në vend, mbledhëse e mbi 44 për qind të votave të turqve.

AKP-ja nuk ka mundur dot të rimbajë Ankaranë, siç ka bërë në mbi dy dekada, ndërsa akoma është i paqartë fati i Stambollit. Surpriza e vërtetë kanë qenë rezultatet në lindje dhe juglindje të vendit, ku partia kurde mbështetëse e PKK-së terroriste ka lëshuar terren në fortesat e saj. Tre fitore të bujshme të kandidatëve bashkiakë të AKP-së janë në Shërnak (Şırnak), Bitlis dhe Arë (Ağrı). Erdogani e falenderoi në mënyrë të posaçme popullsinë kurde për sjelljen elektorale dhe për mosnënshtrimin gjuhës kërcënuese të HDP-së, të tkurrur në 4.22 për qind në shkallë vendi.

Po, AKP-ja, aleanca e saj, ka humbur kryeqytetin, ndoshta dhe Stambollin (pa përfshirë humbjen në Izmir, të pritshme, pasi atje fitojnë tradicionalisht të majtët e CHP-së), por duke lënë mënjanë votimin për kryebashkiakët, ka marrë sërish mbështetje të madhe.

Humbja e kryeqytetit, mbase dhe e Stambollit, duhen parë në këndvështrimin dialektik. Ato mund të shihen si dramatike, por dhe si një mundësi e mirë për të nxjerrë mësime. AKP-ja është pasuria më e çmueshme politike e Turqisë, por ka nevojë për rifreskim, edhe për shkak të qëndrimit të gjatë në pushtet. Ka nevojë për njerëz me ideale, si kryetari i saj!

Në shikimin e gjerë të këtyre zgjedhjeve lokale, suksesi i përgjithshëm elektoral i AKP-së dhe i Aleancës Popullore u pret rrugën përpjekjeve për destabilizim, shumë të dëshiruara nga jashtë dhe nga brenda Turqisë. Vendi ka mbyllur një periudhë zgjedhjesh, dhe përpara janë katër vite e gjysmë pa zgjedhje, gjatë së cilave përqendrimi do të jetë te reformat ekonomike. Një kohë kaq e gjatë pa zgjedhje përpara është lajmi më i mirë për Turqinë dhe turqit që e duan stabilitetin dhe prosperitetin. Kjo nuk do të thotë se nuk do të ketë më përpjekje për minim!

* * *

Lajtmotivi i fushatës zgjedhore të AKP-së dhe aleancës së saj u bë një këngë e njohur turke, në të cilën thuhet: “Histori dashurie kjo e jona…”

Vetë Erdogani do të këndonte gjatë mitingjeve: “Këto trëndafila, për ty; kjo zemër, për ne të dy; hiç mos u dëshpëro, mos qaj; qesh ti, gjithmonë…”

Është historia e dashurisë mes tij dhe njerëzve që e duan, në Anadoll, në tërë Turqinë, në Lindjen e Mesme, në Ballkan…

Kush i pa zgjedhjet si referendum për Erdoganin, duhet ta shohë rezultatin e përgjithshëm, fitoren e AKP-së dhe të aleancës së saj. Kush kërkon të kapet te fija e kashtës e humbjes së Ankarasë, nuk e ndalon kush ta bëjë këtë… /tesheshi.com/

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit