6.6 C
Pristina
Friday, April 26, 2024

Enes Goga: Hoxhallarët, çdo herë kanë qenë në shërbim të atdheut

Më të lexuarat

Kryeimami thekson se pjesa më e madhe e hoxhallarëve të cilët sot janë eminentë kanë qenë pjesë direkte e luftës së Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës (UÇK). Kjo për të nuk paraqet ndonjë befasi të madhe, sepse sipas tij, dalja në ndihmë atdheut është traditë dhe amanet edhe nga hoxhallarët të cilët çdo herë kur ka qenë nevojë kanë sakrifikuar për lirinë dhe dinjitetin e vatanit.

Kryeimami i Bashkësisë Islame në Pejë, Enes Goga në një prononcim për Telegrafin ka thënë se hoxhallarët në trojet tona çdo herë kanë qenë në shërbim të atdheut, dhe sipas tij, këtë gjë ata janë duke vazhduar ta bëjnë.

Ai ka theksuar se befasohet kur dikush i akuzon hoxhallarët në Kosovë, se po angazhohen për t’ia dëmtuar imazhin Kosovës, kur sipas tij, ata në momentet më të vështira për vatanin, kanë qenë në gjendje që ta rrezikojnë edhe jetën e tyre.

“Nuk i them këto me mburrje as për të marrë merita e lëvdata, por dëshiroj që bashkëqytetarëve të mi tua sqaroj disa fakte ndoshta të panjohura për ta, sepse misioni të cilin e kemi mbi supe na obligon që të angazhohemi për liri dhe dinjitet. Në luftën e fundit, mbi 35 pesë hoxhallarë i kemi dëshmorë e martirë, të cilët për lirinë e vendit nuk i kursyen as jetët e tyre. Unë kam dëshirë t’i pyes ata të cilët po na akuzojnë si anti-shqiptar, anti-kombëtar, eksportues e importues , ju lutem na thoni ku keni qenë në ditët kur vendlindja juaj digjej nga të katër anët”, ka thënë Goga.

“Imamët, nga qyteti i Pejës, që kanë qenë pjesë e UÇK-së, përveç meje, janë: Musli Arifaj, Kushtrim Kelmendi, Eroll Rexhepi, Safet Pushka. Pastaj ndoshta nuk është e tepërt që qytetarëve të vendit tonë t’iu tregojmë se në frontet e luftës, në zonën operative të Drenicës, kanë qenë edhe hoxhallarët: Ekrem Avdiu, Sabri Jonuzi, Faruk Lohaj, Fatmri Latifi (invalid i luftës), Enis Rama, Driton Lekaj, Arsim Morina, Nehat Ajeti, Lulzim Susuri, Sabit Gashi, Esat Qesakj, Bahri Curri. Duke mos e harruar këtu edhe myftiun e BIK-ut, veprimtarin e të cilit e njohin arkivat e luftës së fundit. Kërkoj ndjesë nëse e kam harruar ndokënd”, ka thënë ai.

Në të gjithë literaturën dhe terminologjinë Islame nuk ka term “Vehabi”

Goga, duke i komentuar akuzat se në Kosovë veprojnë rryma Vehabite, ka theksuar se ende asnjë person nuk ka arritur të ja sqarojë se çka do të thotë “Vehabizëm”. Unë iu them me sinqeritetin më të madh që në të gjithë literaturën dhe terminologjinë Islame nuk do të hasni në termin Vehabi.

“Nëse i kthehemi asaj çka pretendojnë disa persona se është vehabizmi, është interesante se ata me këtë emërtim synojnë që t’i linçojnë disa persona si terroristë, fundamentalistë, ekstremistë, të cilët kanë dukje ndryshe, konkretisht burra që bartin mjekra dhe i shkurtojnë pantallonat dhe vajza të cilat bartin shami. Nëse i referohemi kontekstit historik, në shekullin 18 ka jetuar Muhamed Abdul ibn Wehabi, që bën pjesë në historiografinë e shtetit së Arabisë Saudite, dhe i cili njëkohësisht është figurë që ka kontribute në çështjet e fesë Islami si dijetar i shquar”, ka thënë ai për Telegrafin.

Sipas tij, është për keqardhje kur njerëzit flasin për historiografinë e një personi dhe pretendojnë se e njohin një personalitet të caktuar, e madje as një libër të vetëm se kanë lexuar, e lere më të bëjnë studime shkencore.

“Ne nuk e pranojmë emërtimin me këtë term, sepse përveç që ka qëllime degraduese dhe linçuese, parimet e Islamit nuk e lejojnë që njerëzit të grupohen ose rreshtohen në bazë të personave të caktuar, me përjashtim të rreshtimit pas relatës hyjnore (Kur’anit) dhe mësimeve dhe praktikës së profetit Muhamed. Por, edhe nëse e marrim të mirëqenë këtë pretendim, që nuk ka kurrfarë baze, ju lutem a kështu diskutohet me personat të cilët mendojnë ndryshe, akuzat në distancë me nga gjysmë fjalie, ofendime e çka tjetër jo. A nuk ka mundësi të organizohen tryeza, tribuna, konferenca ku do të rraheshin mendimet dhe të nxjerrshin përfundimet të sakta”, ka thënë Goga.

Madje, ai ka theksuar se është i gatshëm që me këdo qoftë të diskutojnë, por sipas tij, vetëm në mënyrë akademike (fakte,argumente) dhe jo me fletushka dhe doracak, për të gjitha çështjes e fesë, duke përfshirë këtu edhe për pretendimin se në Kosovë ka Vehabizëm.

“Ne nuk kemi tabu përballë asnjë teme, zaten këtë na e mëson edhe feja Islame, madje këtë në mënyrë të shkëlqyer mund ta shihni tek personaliteti i profetit Muhamed, i cili është përgjigjur edhe në çështjet më të thjeshta”, ka thënë Goga.

Kur hoxhallarët bënin thirrje që mos të shkohet në Siri, Qeveria e Kosovës “ndiqte trendet ndërkombëtare”

Kryeimami i Pejës, nuk ka lënë pa folur edhe për Luftë në Siri, e cila sipas tij, është bërë njëra nga temat kryesore në përditshmërinë e kosovarëve.

Ai ka theksuar se qëndron ende prapa fjalëve, të cilat i ka thënë që prej fillimit të revolucionit sirian, se e mbështet kauzën e drejtë të sirianëve për largim të tiranisë dhe shtypjes nga jeta e tyre, për arsye se sipas tij, të njëjtën gjë e ka përjetuar edhe populli i tij para hiq më shumë se 15 viteve.

Ndërsa, përpjekjet kinse për nxitje të të rinjve kosovarë për të shkuar në këtë konflikt nga ana e hoxhallarëve dhe BIK-ut, ai e quan perfide dhe jo aspak të logjikshme.

Ai thekson se kur kanë bërë thirrje hoxhallarët që të rinjtë tonë të mos i bashkohen këtij konflikti, Qeveria e Kosovës bënte takime me opozitën siriane, duke i ndjekur trendet ndërkombëtare të zhvillime karshi kësaj çështje.

“Po më çudit sa iracional janë ata të cilët na akuzojnë ne për nxitje, po ju lutem si mund të ndodhë që një njeri ta thërras në diçka kur vetë nuk e bën atë gjë. Nuk është prej moralit të besimit tonë që të thërrasin në diçka të cilës nuk i përgjigjemi vetë, madje ky qortim vjen edhe nga Kur’ani famëlartë. Po nëse hoxhallarët do të kishin porositur që të shkohet në Siri, numri i atyre që janë në tokën siriane nuk do të ishte 40, 50 persona por disa mijëra. Po kujt i ka kushtuar më shumë se komunitetit mysliman përfshirja e të rinjve tonë në atë konflikt”, ka thënë Goga.

Ai madje ka theksuar se asnjë nga analistët, të cilët kërkojnë që të persekutohen hoxhallarët, nuk është kërcënuar nga përkrahësit e ISIS-it. Mirëpo, sipas tij, janë kërcënuar hoxhallarët për shkak se e kanë quajtur të dëmshme për myslimanët këtë organizatë kriminale.

“Lajmi për kërcënimet ka qenë i publikuar edhe në media. Kur forumet, asambletë e dijetarëve, që ne si hoxhallarë i kemi referencë për dije dhe vendime fetare, e kanë denoncuar ISIS-in, shumica e atyre që po na akuzojnë as idenë nuk e kanë pasur se kush është kjo organizatë famëkeqe”, ka thënë Goga.

Ndërsa, sa i përket BIK-ut dhe funksionimit të tij, ai këmbëngul se institucioni përfaqësues i myslimanëve të Kosovës, ndonëse mund të ketë bërë ndonjë gabim, sipas tij, ky institucion mbetet kredibil dhe kontributdhënës në ruajtjen e interesave shtetërore.

“Po, a e pyet ndonjëherë dikush veten për arsyen se përse në Kosovë kemi tolerancë fetare. Pikërisht është kontributi i BIK-ut dhe qasje shumë e arsyeshme e këtij institucioni në ruajtjen e kësaj vlere. BIK-u është institucioni që e përfaqëson shumicën e qytetarëve të Kosovës, në aspektin fetar, andaj para akuzave dhe shpifjeve duhet që t’i analizojmë kontributet dhe veprimet të cilat janë bërë në këtë drejtim”, ka vlerësuar Goga.

Kryeimami shprehet se vetëm në Kosovë ka dëgjuar për Islamin tradicional, sekular dhe laik, duke shtuar se “kemi filluar të përdorim terminologji mjaft ‘inovative’ për ta përshkruar fenë Islame”.

“Me përgjegjësi të plotë para Zotit, e pastaj edhe para njerëzve e them se askund në doktrinën Islame nuk gjeni këso terme, madje për këtë e sfidoj këdo që mendon kështu. Është për keqardhje se këtë gjë e din edhe një studiues fillestar i Islamit. Nëse dikush me Islamin tradicional, ose praktikumin e Islamit tradicional mendon në praktikumin e fesë sikurse në kohën e partisë komuniste, kur hoxhallarët kanë marrë pjesë vetëm ne dasma, syneti dhe morte, ai duhet ta harroj këtë gjë. Ju lutem nuk jemi duke jetuar në Kubë, po as në Korenë e Veriut. Ky vend ka traditë fetare Islame mbi gjashtë shekuj, dhe kthehuni tek gjyshet dhe gjyshërit tuaj, pothuajse asnjë prej tyre nuk mund ta gjeni që nuk ka falur namaz, ose tek femrat që nuk kanë pasur mbi kokat e tyre mbulesë. Jemi duke jetuar në një vend që, territorialisht është në Evropë, mirëpo tenton që edhe në aspektin e rregullimit shtetëror të jetë pjesë e kontinentit të vjetër. Shikojeni Londrën, Brukselin, Vjenën e Londrën, askush nuk të pyet për pamjen tënde e aq më pak ta ndalon shkollimin e punësimin. Për Shtetet e Bashkuara të Amerikës (SHBA) mos të flasim, ku feja është absolutisht një gjë e cila praktikohet pa ndonjë problem. Nëse flet dikush për islam tradicional, burimor, me baza në Kur’an dhe Sunet (praktika dhe mësimet e profetit Muhamed) ne atë po e kërkojnë dhe asgjë më tepër.

Goga, mendon se euforia e disa të rinjve në çështjet fetare dhe marrja me komentime të caktuara të çështjeve të fesë Islame, krijon kaos dhe amulli tek njerëzit.

Ai ka theksuar se çdo veprim që ndërmerret nga çdo kush në aspektin fetar, vetëm se duhet të jetë në sinkron me imamët, hoxhallarët, dhe institucionin e BIK-ut.

Përndryshe, sipas tij, çdo emocion i pakontrolluar, sa do që është i sinqertë, mund të bëjë dëme të pariparueshme dhe me pasoja për komunitetin mysliman.

Kryeimani është ndaluar edhe tek çështje e një varreze, përmes së cilës sipas tij, po tentohet të rrënohet ai dhe institucioni i BIK-ut, duke shtuar se kjo është, çështja e varrezave, një temë e vjetër.

“Unë, në konsultim me ekspertët juridik, jam duke përgatitur padi ndaj atyre që kanë drejtuar shpifje ndaj meje, duke traumatizuar edhe familjarët e mi. Mendoj se është koha e fundit kur shpifjet duhet të ndëshkohen. Askush, për teke, inate, dhe ambicie personale, nuk ka të drejtë të rrënoj dikë tjetër. Kur një person nuk është i dëshiruar nga besimtarët ne nuk i kemi faj, le të angazhohet me dituri dhe me punë – rrugët janë të hapura”, ka thënë ai për Telegrafin.

Goga ka theksuar se rasti i çështjes së varrezave është i hapur në prokurori që nga fundi i vitit 2013, dhe sipas tij, nëse dikush ka dëshirë dhe gatishmërinë që t’i referohet procesverbalit të BIK-ut në Pejë, “aty mund të shihet se është marrë një vendim përballë kësaj përpjekje të mjere për të më njëllosur, që ka ardhur nga individ të caktuar”.

Goga ka theksuar se hoxhallarët janë të popullit dhe me popullin, madje ata sipas tij, e luajnë në një farë forme rolin e shoqërisë civile.

“Kemi shumë raste të evidentuara që me ndërmjetësimin e hoxhallarëve shumë persona janë larguar nga narkomania, lojërat e fatit, kazino, bastoret. Sa here kemi ndikuar që njerëzit të mos japin para me kamatë (fajde). Ju lutem kemi dhjetëra raste kur ne si imam, unë personalisht tri katër raste, kemi ndërmjetësuar në pajtim të gjaqeve, duke larguar hasmërinë në mes familjeve shqiptare. Kush flet sot për dëmin e divorcit në shoqëri, fenomen që po na e rrënon shoqërinë dal nga dalë, me përjashtim të hoxhallarëve. Kemi qenë dhe jemi aktiv në aspektin social, kur në shumë raste hoxhallarët në bashkëpunim me xhematin i kanë ndihmuar skamnorët, jetimët, të pastrehët, madje edhe aty dikush ka tentuar të hedhë akuza ndaj nesh. Unë një gjë e di, ne kemi detyra dhe obligime ndaj këtij populli. Besoj se jemi në të drejtën dhe të vërtetën, andaj le të thotë kush çfarë të dojë, ne do të vazhdojmë sikurse kemi vazhduar deri më tani. Zoti na fali në këtë tokë dhe me dinjitet do t’i shërbejmë vendit tonë, në fushën qe jemi të profesionalizuar”, ka përfunduar Goga.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit