10.3 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Emrat e Allahut nuk janë të përkufizuar nga numër i caktuar

Më të lexuarat

Duke u bazuar në fjalën e të Dërguarit të Allahut, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të: “O Zot, të lus me çdo emër Tëndin, që ke emërtuar Veten Tënde, ose e ke zbritur në Librin Tënd, ose ke mësuar dikë nga krijesat Tua, ose ke ruajtur në diturinë e fshehtë tek Ti!”, ajo që ka ruajtur Allahu në diturinë e fshehtë nuk ka mundësi të përfshihet e të përkufizohet. Ndërsa bashkimi mes kësaj që thamë dhe mes hadithit të të Dërguarit të Allahut: “Allahu ka nëntëdhjetë e nëntë emra; kush i njehson, do të hyjë në xhenet”, është se ndër emrat e Allahut të Lartësuar janë nëntëdhjetë e nëntë emra, ndaj kush i njehson, do të hyjë në xhenet. E, nuk ka për qëllim përkufizimin e emrave të Allahut të Lartësuar me këtë numër. Kjo, është sikur të thuash: “Kam njëqind dërhemë, i kam përgatitur për t’i dhënë sadaka.” Kjo nuk do të thotë se ti nuk ke edhe dërhemë të tjerë, të cilat nuk i ke për sadaka.

 

Shuarje e çdo dëshire për të kuptuar domethënien e vërtetë të këtyre cilësive

Allahu i Lartësuar thotë: “…po dija e tyre nuk mund ta përfshijë atë.” (Taha 110). Ndërsa Imam Maliku, Allahu e mëshiroftë, kur është pyetur rreth “istivasë” (ngritja), është përgjigjur: “Istiva” është e njohur, ndërsa mënyra e saj është e panjohur, të besuarit në të është obligim (vaxhib), ndërsa pyetja për mënyrën e saj është bidat.”
Ndërsa nga Aliu, Allahu qoftë i kënaqur me të, është transmetuar të ketë thënë: “Ai i cili ka formësuar diçka nuk pyetet për të me si.”

 

Emrat e bukur të Allahut të Lartësuar nuk janë sinonime

Ibn Tejmija, Allahu e mëshiroftë, në librin e tij “Hyrje në shkencën e tefsirit” thotë: “Sinonimet në gjuhë janë të pakta, ndërsa në shprehjet kuranore ose janë të rralla ose joekzistuese.”
Gazaliu në librin e tij: “El meksad el esna” thotë: “Këta emra, edhe pse janë të përafërt në domethënie, megjithatë nuk janë sinonime. Thënë përgjithësisht, në nëntëdhjetë e nëntë emrat e Allahut nuk ka sinonime.”
Ndërsa Muhamed Abduh thotë: “Të ashtuquajtura sinonime gjuhësisht nuk mund të themi se ekzistojnë në Kuran. E kjo ndodh tek ai i cili dëshiron zbukurimin e fjalëve të tij, ndërsa në gjuhën arabe ka forma të tjera për këtë.”

 

Besimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit për emrat e bukur të Allahut të Lartësuar

Besimi dhe qëndrimi i Ehli Sunetit dhe Xhematit për emrat e Allahut mund të përmblidhet në këto pika vijuese:
-besimi në emrat e bukur të vërtetuar në Kuran dhe Sunet pa kurrfarë shtimi dhe kurrfarë mungese;
-besimi se Allahu është Ai i Cili emëron Veten e këtë nuk e bën askush nga krijesat, ngase Allahu ka folur me këto emra. Emrat e Tij janë nga Ai e nuk janë të shpikura e të krijuara, siç thonë xhehmitë, mu’tezilitë, kulabitë e të tjerë si ata;
-besimi se këta emra tregojnë dhe kanë domethëniet më të përsosura. Ata janë emra të përveçëm dhe atribute;
-respektimi i domethënieve të këtyre emrave dhe ruajtja e shenjtërisë së tyre pa kurrfarë shtrembërimi ose mohimi, siç bëjnë apologjetikët;
-besimi në atë që obligojnë këta emra dhe në dispozitat që rezultojnë prej tyre.
Me fjalë të tjera, Ehli Suneti dhe Xhemati besojnë në emrat e Allahut të Lartësuar me një besim të vërtetë ashtu siç urdhërojnë tekstet kuranore dhe hadithet e të Dërguarit, paqja dhe bekimi i Allahut qoftë mbi të, dhe sipas asaj në të cilën kanë qenë të parët tanë (selefët) për dallim nga të devijuarit, të cilët mohojnë ose shtrembërojnë; mohojnë emrat e Allahut pjesërisht ose përgjithësisht.

Husejn Serraxh
11.1.2008

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit