9.4 C
Pristina
Tuesday, April 23, 2024

Ekstradimi i liderit të FETO-s sërish në fokus

Më të lexuarat

Ekstradimi i Fetullah Gülenit, kreu i Organizatës Terroriste FETO, nga SHBA në Turqi, sërish ka ardhur në qendër të vëmendjes pas një pretendimi në SHBA, shkruan Anadolu Agency (AA).

Shtëpia e Bardhë po shqyrton metodat ligjore të ekstradimit të Gülenit në Turqi me qëllim që të zbusë presionin turk ndaj Rijadit për vrasjen e gazetarit saudit Jamal Khashoggi, tha kanali NBC News të enjten.

Khashoggi, kolumnist i gazetës The Washington Post, u vra më 2 tetor në Konsullatën Saudite në Stamboll.

Pas disa javësh mohime për përfshirje në krim, Arabia Saudite më vonë pranoi se Khashoggi ishte vrarë brenda konsullatës, por pohoi se familja mbretërore saudite nuk ka pasur njohuri paraprake për ndonjë komplot për vrasjen e gazetarit.

Trupi i tij ende nuk i është kthyer familjes së tij, ndërkohë që disa raportime kanë theksuar se ai është tretur kimikisht.

Megjithatë, raporti nga NBC News u hodh poshtë nga zëdhënësja e Departamentit të Shtetit Heather Nauert.

“Kemi marrë kërkesa të shumta nga qeveria turke lidhur me ekstradimin e Gülenit”, tha Nauert.

“Ne vazhdojmë të vlerësojmë materialin që qeveria turke ka paraqitur duke kërkuar ekstradimin e tij”, tha ajo.

Nauert shtoi se nuk ka lidhje mes ekstradimit të Gülenit dhe rastit Khashoggi.

Katër ditë pas 15 korrikut të vitit 2016, kur përpjekja për grusht shteti nga FETO u mposht, Turqia kërkoi nga SHBA të ekstradonte Gülenin, por qeveria e SHBA-së ende nuk i përgjigjet Turqisë.

SHBA duhet dërguar në adresë të autoriteteve gjyqësore shtatë dosje ekstradimi që mbahen në Departamentin e Drejtësisë.

Këto dosje përfshijnë dëshmi kundër Gülenit rreth tentativës për grusht shteti dhe veprave të mëparshme.

FETO, e udhëhequr nga Gülen, orkestroi përpjekjen e dështuar për grusht shteti më 15 korrik të vitit 2016, i cili la 251 persona të martirizuar dhe rreth 2.200 të plagosur.

Ankaraja akuzon FETO-n se qëndron pas fushatës së gjatë për të përmbysur shtetin përmes infiltrimit në institucionet turke, veçanërisht në ushtri, polici dhe gjyqësor.

– Procesi i ekstradimit të liderit të FETO-s

Që nga 15 korriku i vitit 2016, ka pasur shumë bisedime mes Turqisë dhe SHBA-së lidhur me ekstradimin e Gülenit.

Pas puçit të dështuar, Ministria e Drejtësisë e Turqisë nisi punët rreth ekstradimit të tij.

Më 19 korrik të vitit 2016, ministria turke dërgoi katër dosje të ndara në SHBA për Gülenin në mënyrë që të nisë procesin zyrtarisht. Turqia kërkoi nga SHBA që menjëherë të arrestojnë Gülenin.

Në atë kohë, zyra turke brenda Ministrisë së Drejtësisë, Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtën Ndërkombëtare dhe Marrëdhnie të Jashtme, dërguan një dokument të shkruar për arrestimin provizional të Gülenit.

Më 7 gusht të vitit 2016, Departamenti Amerikan i Drejtësisë dërgoi një letër në Turqi rreth bissedimeve për ekstradimin e Gülenit.

Përmes kësaj letre, ai ftoi një delegacion turk nga Ministria e Drejtësisë që të vizitojë SHBA-në, ose që një delegacion amerikan të shkonte në Turqi për bisedime.

Ministria turke e Drejtësisë, në përgjigjen e kësaj letre, tha se një delegacion i SHBA-së mund të vijë fillimisht në Turqi, pas çka delegacioni turk mund të mbajë bisedime me SHBA-në.

– 17 orë bisedime me SHBA-në

Më 22-23 gusht të vitit 2016, një delegacion katër anëtarësh i SHBA-së nga Departamenti i Shtetit mbërriti në Ankara për të mbajtur takime me zyrtarët e Ministrisë turke të Drejtësisë.

Gjatë bisedimeve të cilat zgjatën për rreth 17 orë në total, zyrtarët zhvilluan diskutime të hollësishme mbi provat që kanë të bëjnë me puçin e dështuar, rolin e Gülenit në planifikimin dhe zbatimin e tij, si dhe mbi ekstradimin e tij në Turqi.

Si rrjedhojë e daljes në sipërfaqe të provave të reja inkrimnuese kundër FETO-s, Ministria turke e Drejtësisë bëri thirrje për përshpejtim të arrestimit provizional të Gülenit, për çka më 10 shtator dërgoi kërkesën e parë.

Kërkesa bënte thirrje për arrestimin e Gülenit me arsyetimin se ai kreu puçin e dështuar, ndërsa akuzohej edhe për përfshirje në themelimin e një organizate terroriste të armatosur, vrasje të shkallës së parë, tentativë për vrasjen e presidentit turk, si dhe për përpjekjen për të shpërndarë parlamentin dhe për të aboluar Republikën e Turqisë.

– Bisedimet në Washington

Ministri i atëhershëm i drejtësisë i Turqisë realizoi vizitën parë në Washington më 27 tetor të vitit 2016, duke kërkuar arrestimin e provizional të Gülenit.

Ai u takua me Prokuroren e atëhershme të Përgjithshme Loretta Lynch për të përcjellë ndjeshmërinë e çështjes për Turqinë dhe se Gülen kishte dhënë urdhrin për tentativën për grusht shteti.

Në janar të vitit 2017, Turqia përcolli detajet e vizitave të zyrtarit të lartë të FETO-s Adil Öksüz në SHBA pak para puçit të dështuar më 15 korrik.

Aktakuza e përgatitur nga gjyqësori i Turqisë lidhur me rolin e shquar të Gülenit në ngjarjen e 15 korrikut dhe dëshmitë e dy dëshmitarëve të fshehtë iu dorëzuan edhe zyrtarëve të SHBA-së.

– Bisedimet e dyta

Pasi Donald Trump u zgjodh president i Shteteve të Bashkuara, ministri i atëhershëm i Drejtësisë i Turqisë, Bekir Bozdağ, njoftoi Prokurorin e Përgjithshëm të SHBA-së, Jeff Sessions, për procesin e ekstradimit për Gülen në një letër që ai dërgoi në shkurt të vitit 2017.

Në një bisedë telefonike me Sessions më 22 mars të vitit 2017, Bozdağ tha se Gülen duhet të ekstradohet në Turqi.

Bozdağ u takua gjithashtu me zyrtarët amerikanë përpara vizitës së presidentit Recep Tayyip Erdoğan në SHBA më 15-17 maj të vitit 2017.

Duke u takuar me Sessions gjatë vizitës së tij në Washington më 8 maj, Bozdağ i dha informacion mbi dokumentet e reja që tregonin se përpjekja e grushtit të shtetit u hartua sipas urdhrit të Gülenit.

Një delegacion i kryesuar nga Ndihmësdrejtori i Përgjithshëm i Drejtësisë dhe Punëve të Jashtme pranë Ministrisë së Drejtësisë, Faris Karak, i cili e shoqëroi ministrin Bozdağ gjatë vizitës së tij në SHBA, gjithashtu u takua me një delegacion amerikan.

Delegacioni ndau informacione me zyrtarët e SHBA-së mbi Gülenin dhe FETO-n gjatë një takimi dhjetë orësh gjatë dy ditëve.

Ekstradimi i Gülenit u aktualizua gjithashtu gjatë takimit mes Erdoğan dhe Trump në Washington më 15-17 maj 2017.

– Yıldırım gjithashtu takon zyrtarët amerikanë

Kryetari i parlamentit, Binali Yıldırım, atëherë kryeministër, zhvilloi bisedime me zëvendëspresidentin Mike Pence në Konferencën e Sigurisë në Mynih, i njohur si një nga forumet më të rëndësishme ushtarake dhe të sigurisë.

Yıldırım theksoi se Turqia ishte gati të shfaqë çdo lloj bashkëpunimi me administratën amerikane mbi ekstradimin e Gülenit.

– Kërkesa të reja për ekstradim

Abdulhamit Gül, i cili u bë ministër i drejtësisë në korrik të vitit 2017, gjithashtu mbajti bisedime mbi ekstradimin e Gülenit.

Turqia ka vazhduar t’i paraqesë prova të reja SHBA-së dhe të bëjë kërkesa për ekstradim pasi Gül u bë ministër i drejtësisë. Ai gjithashtu shoqëroi presidentin Erdoğan gjatë vizitës së tij shtatorin e kaluar në SHBA.

Dosja e fundit mbi ekstradimin e Gülenit u dërgua në SHBA më 3 nëntor 2017, duke e çuar numrin e dosjeve në shtatë.

Një skedar mbi komplotin e vrasjes së Erdoğanit gjatë tentativës për grusht shteti ishte në mesin e dosjeve të dërguara në SHBA.

Gül gjithashtu zhvilloi një bisedë telefonike me homologun e tij amerikan Sessions mbi ekstradimin e Gülenit më 7 nëntor 2017.

Gjatë bisedimeve të tij, Gül i dërgoi një letër homologut më 15 dhjetor 2017, duke përsëritur kërkesat e Turqisë për ekstradimin e Gülenit.

– Dëshmi të reja

Përveç dosjeve të ekstradimit, një numër i provave dhe dosjeve në lidhje me FETO-n janë dërguar në SHBA deri më tani përmes Ministrisë së Drejtësisë.

Së fundi, Ministria e Drejtësisë dërgoi dëshmi të reja më 30 qershor të këtij viti në SHBA, duke zbuluar se zyrtari i FETO-s Hakan Çiçek ka pasur bisedime me Gülenin.

Në letrën e dërguar nga Ministria turke e Drejtësisë në Departamentin e Drejtësisë të SHBA-së, u riafirmua rkërkesa e Turqisë për ekstradimin e Gülenit.

“Roli i Gülenit në tentativën e 15 korrikut u provua pa dyshim nëpërmjet autoriteteve gjyqësore turke”, thuhej në letër.

Në një vizitë në Turqi më 13 korrik 2018, delegacioni amerikan zhvilloi bisedime me zyrtarët turq gjatë takimi pune Turqi-SHBA në Ministrinë e Jashtme në Ankara.

Gjatë takimit u diskutuan tema si ekstradimi i Gülenit.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit