8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Eksperimenti suedez duket se po jep fryte

Më të lexuarat

Nga Fredrik Erixon, Spectator

Dy javë më parë kam shkruar këtu për ‘eksperimentin suedez’. Teksa bota po izolohej, Suedia zgjodhi një qasje tjetër për të luftuar koronavirusin: qytetet, shkollat dhe restorantet mbetën të hapura. Kritikët thanë se kjo është një çmenduri, pasi do e lejojë virusin të përhapet shumë më shpejt se kudo, duke sjellë dhjetëra-mijëra vdekje. Spitalet do kthehen në zona lufte. Teksa Suedia ishte dy javë pas Britanisë në kurbën epidemike, ekspertët thanë se do e paguajmë çmimin kur të jemi në pikun e saj. Flasim sërish pas dy javësh, më thanë. Të shohim se çfarë do thoni. E pra, ja ku jam.

Jam i lumtur të them se këto frikëra nuk janë materializuar. Por presioni ndaj Suedisë nuk është zhdukur. Ne nuk kemi bërë kthesë. Jemi të kujdesshëm dhe qëndrojmë më shumë në shtëpi. Por shkolla dhe dyqanet janë të hapura. Ndryshe nga disa vende në kontinent, askush nuk na kërkon letrat kur lëvizim nëpër qytete. Policia nuk na ndalon që të na pyesë se përse po qëndrojmë kaq shumë jashtë, madje na inkurajon ta bëjmë këtë. Askush nuk na sheh çantat e pazarit për të parë nëse kemi blerë vetëm gjëra thelbësore.

Agjencia shtetërore e shëndetit publik dhe ‘epidemiologu i shtetit’, Anders Tegnell kanë ruajtur qetësinë dhe nuk rekomandojnë sërish një izolim. Ata janë duke u kritikuar nga modeluesit shkencorë, por agjencia po i qëndron modelit të saj. Qeveria sërish ndjek këshillën e agjencisë dhe asnjë parti në opozitë nuk kërkon izolimin. Madje, sondazhet tregojnë se suedezët janë thellësisht në favor të qasjes liberale ndaj pandemisë.

Por përse nuk po ndryshon qasje Suedia në luftën kundër pandemisë? “Djalli në botë vjen gjithmonë nga injoranca,” shkruante Albert Kamy në librin ‘Murtaja’- që pëshkruan vuajtjet njerëzore kur një sëmundje përhapet në shoqëri. Dhe së fundmi, shkencëtarët dhe vëzhguesit kanë gjetur një shpjegim publik: refuzimi i Suedisë për të vepruar si të tjerët vjen për shkak se Tegnell dhe ekipi i tij janë një tufë filistinësh.

Një grup prej 22 shkencëtarësh e bëri këtë akuzë në një editorial në gazetën Dagens Nyheter, duke i bërë thirrje qeverisë që të frenojë këta injorantë në Agjencinë e Shëndetit Publik. Javën e shkuar gazeta Daily Telegraph shkruante se suedezët po mashtrohen nga autoritetet injorante dhe një epidemiolog kryesor, që është joshur nga fama e tij e papritur.

Një gazetar francez, me të cilin bisedova të dielën, pranoi disi në mënyrë të pavullnetshme se “ne duam që Suedia të dështojë pasi atëherë do e kuptojmë se ishit ju që gabuat, jo ne”.

Ka një shpjegim më të thjeshtë: Suedia po i përmbahet kësaj politike sepse është e balancuar dhe e efektshme. Deri më tani zhvillimet po shkojnë sipas parashikimeve qeveritare. Të hënën, 1580 njerëz vdiqën dhe rezultuan pozitivë me Covid-19. Numri i vdekjeve ditore është pak a shumë 75, por në rënie. Sigurisht do vdesin të tjerë njerëz në vazhdim, por ky numër është shumë larg asaj që parashikonin se do të vdisnin deri 90 mijë njerëz.

Po ashtu ka shenja inkurajuese se rritja e rasteve të raportuara po ngadalësohet- si në Stokholm, ashtu edhe në pjesën tjetër të vendit. Agjencia e Shëndetit Publik kishte përllogaritur se 100 mijë njerëz do të shfaqeshin në spital dhe do testoheshin pozitiv për Covid-19: Aktualisht janë 14.899 raste, çka sugjeron se jemi plotësisht brenda këtij parashikimi, në mos poshtë tij.

Ndoshta më e rëndësishme është situata në spitale dhe qendrat e kujdesit intensiv. Ambicia kryesore e këtyre vendimeve ka qenë që të mos përmbyteshin spitalet me pacientë që nuk do mund të trajtoheshin. Modeluesit në Suedi thanë se në pikun e epidemisë do jenë deri 9 mijë njerëz në ditë në kujdesin intensiv. Situata është stresuese, por për fat, numri i atyre në kujdes intensiv është ndjeshëm në rënie.

Për momentin janë 530 pacientë në kujdes intensiv- kapaciteti total është 1100. Stokholmi ka çdo ditë mesatarisht 220 pacientë në kujdes intensiv, shumë larg përmbytjes. Kryeqyteti thotë se ka qindra shtretër të lirë nëpër spitale, ndaj njerëzit nuk duhet të hezitojnë dhe të kërkojnë kujdes spitalor nëse janë sëmurë.

Suedia nuk ka deklaruar fitoren, madje është larg. Pandemia është akoma në ditët e para dhe askush nuk e di se si do përhapet virusi pasi të hiqen kufizimet dhe se cila do jetë vdekshmëria kur kjo të mbarojë. Suedia akoma nuk e di sa i madh është ajsbergu i saj- sesa njerëz e kanë pasur virusin me simptoma të buta ose pa simptoma. Do mbetet e paqartë edhe për disa javë nëse pjesë të Suedisë, veçanërisht Stokholmi, kanë krijuar njëfarë shkalle të imunitetit të tufës.

Një studim i fundit nga Karolinska sugjeron se 11 përqind e njerëzve në Stokholm kanë zhvilluar antitrupa kundër virusit. Profesor Jan Albert, që zhvilloi testimet, tha se shifra mund të jetë më e lartë. Profesori Tim Britton ka kryer një studim dhe sugjeron se mes 25 dhe 40 përqind e popullsisë në Stokholm kanë kaluar virusin dhe rajoni do arrijë imunitetin e tufës në fund të majit.

Këto rezultate janë shpresëdhënëse, edhe pse janë akoma vëzhgime. Ato nuk do e ndryshojnë politikën e Suedisë. Në fakt, të gjithë paqartësitë e të ardhmes së kësaj pandemie janë një motivim për qasjen liberale të Suedisë. Ne kemi në plan që të vazhdojmë distancimin social për një kohë të gjatë dhe ky distancim nuk funksionon nëse është më i ashpër se sa është nevoja.

Vende si Austria dhe Danimarka kanë nisur të lehtësojnë izolimin, por virusi po përhapet në vendet e tyre, edhe pse në një shkallë më të ulët. Pasi të hiqen kufizimet, ato mund të rivendosen nëse ka një tjetër shpërthim të ri. Asnjë vend në Europë nuk e di se si do funksionojë politika e testimit, gjurmimit dhe zbulimit në një shkallë të madhe. Ne nuk e dimë as kur do jetë gati vaksina. Për një kohë, duket se baza e mbrojtjes kundër virusit do jetë distancomi social. Autoritetet suedeze propozuan një qasje liberale bazuar te përgjegjësia personale për shkak se mund të tolerohet për më gjatë dhe ka efekt në rrafshimin e kurbës.

Por ka edhe një tjetër arsye. Politikat e izolimit cenojnë liritë bazë njerëzore. Në Suedi këto liri janë të paprekura. Politikat e izolimit kanë pasoja të thella në shëndetin publik. Dhe ato dëmtojnë rëndë ekonominë. Suedia nuk bën përjashtim. Ekonomia po bie si një gur. Në qytetin ku jetoj unë, në Uppsala, njoftimet për falimentim janë bërë të zakonshme.

Megjithatë ne jemi prapë shumë larg rënies ekonomike të shumë prej vendeve në izolim. Në fakt, situata ekonomike suedeze duket thellësisht pozitive krahasuar me raportimet dhe skenarët e vendeve të tjera.

Kështu që po: ekonomia duhet të faktorizohet në një përgjigje të balancuar pandemike. Asnjë vend nuk mund të mbajë politika shtypëse nëse ato sjellin pasoja katastrofike për ekonominë. Shumë vende po marrin hua për të paguar njerëzit që nuk po punojnë dhe për të ndihmuar bizneset që janë në prag të falimentimit. Por kjo nuk është një mundësi e pakufizuar. Borxhi i akumuluar tani do paguhet më vonë. Mund të shpresojmë te një rimëkëmbje e shpejtë ekonomike, por shanset janë që ajo të jetë e ngadaltë dhe se do duhen vite për të rindërtuar prodhimin kombëtar. Dhe ne e dimë tashmë se çfarë do të thotë kjo: papunësi e lartë, njerëz më të varfër dhe më pak shpenzime. Suedia nuk do kursehet nga kjo, por ekonomia jonë nuk do jetë shkatërruar si të tjerat.

Kështu që Suedia nuk po zgjedh bllokimin. As skuadra e Tegnell nuk është në panik. Shumica e njerëzve mendojnë se Suedia zgjodhi një poltiikë të ekuilibruar dhe efektive, dhe se tendencat aktuale e mbështesin këtë pikëpamje. Të gjithë janë të mërzitur për pakujdesinë e treguar ndaj azileve të të moshuarve- pasi një pjesë e madhe e vdekjeve janë banorë të këtyre shtëpive. Disa thonë se planet e urgjencës ishin të dobëta dhe rezervat mjekësore ishin të vogla. Njerëzit do mbajnë përgjegjësi. Disa ‘koka do priten’. Supozimi im është se nuk do jetë ajo e Tegnell.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit