20.9 C
Pristina
Friday, March 29, 2024

Ekonomia Islame – Nga Nicholas Klassen

Më të lexuarat

Ekonomia Islame  
 
 
Përfytyroni, në një të ardhme jo shumë të largët, ekonomia e SHBA bie pas dekadash akumulimi borxhesh. Ujditë (transaksionet) me letra (prej letre) dhe abuzimet e konsumit përparojnë pamëshirshem ndërkohë që rraskapitja e kapitalit real është në rritje. Spekullimi del jashtë kontrollit kur bankat nisin e kërkojne shlyerjen e kredive.
 
Politik-bërësit i përbuzin përkujdesjet për financat në kërkim të Pax Americana-s. E ndërkaq, një gjëmë mbarëbotërore apo sulmi terrorist e plotëson pikën kulminante për kolaps total ekonomik. 
Po pastaj? Vallë do kenë nxënë ekonomistët ndonjë mësim? Per t’u përgjigjur, mund të fillojmë me ekzaminimin e etikës së kapitalizmit. Më saktë, me mungesën e saj. Kapitalizmi shquhet për mungesë vlerash morale. Për komisarin e teorisë ekonomike neo-liberale, Milton Friedman, pretendimet se biznesi mbart ndopak “përgjegjësi sociale i korrespondojnë një doktrine rrënjësisht përmbysëse (subversive)”. Pretendimi i vetëm i kapitalit është rritja e fitimeve. Si rrjedhim, veprohet në një ekonomi në të cilën studentëve në administrim biznesi (business administration) u mësohet që “babëzia është e mirë”, shpirti i garës theksohet mbi solidaritetin, e të varfërve u lihet hapësirë të çalltisin për vetveten.
Në konktekstin e kësaj zbrazjeje morale, nuk është për t’u habitur që pasaniket e botës e kanë manipuluar lojën e ekonomisë globale në favor të tyre. Popujt e veriut, të rehatuar u gëzohen thesareve të tyre ndërkohe që komshinjtë e jugut luftojnë për mbijetesë. Edhe nismat në dukje të mirëqëllimshme për të lehtësuar varfërinë globale, si ato të Bankës Botërore apo të Fondit Monetar Ndërkombetar (FMN), ia dalin ta keqësojnë gjithnjë e me shumë çështjen. Që nga formimi i këtyre institucioneve financiare 60 vjet me parë, diferenca e të ardhurave ndërmjet botës së parë e botës së tretë është zgjeruar. Sot, 1,5 miliard njerëz jetojnë me më pak se 1 $ në ditë. 
Shembull: Populli i Argjentinës u mirëinformua për anën e errët të recetave të Bankës Botërore e të FMN. Argjentina nuk e ka të nevojshme të përfytyrojë ç’pamje mund të ketë një kolaps ekonomik. Në 2002, pasi ndoqi prej vitesh direktivat mbi çrregullimin e tregjeve, uljen e shpenzimeve publike e liberalizimin e tregtisë, Argjentina u zgjua në katrahurë financiare. Po ky vend, i cili u trumpetua si i suksesshëm, e pa veten të lëkundur pas mësymjes së masave të ashpra; investitorët u frikësuan, fitimet u larguan nga vendi e rritja e borxhit kombëtar ngriti kokën si këpurdhat pas shiut. Argjentinasit e panë me sy, dëshpërimisht të pambrojtur, falimentimin e bankave dhe avullimin e kursimeve të tyre. Recetat e Bankës Botërore kanë qenë shkatërrimtare edhe gjetke. Nën hyqmin e Programit të Rregullimeve Strukturore (Structural Adjustment Programs – SAPS), vendeve në zhvillim u është kërkuar të zhvlerësojnë monedhat, të presin shërbimet shoqërore, të privatizojnë kapitalet e shtetit, si dhe të heqin kontrollin mbi çmimet e tarifat e importit të cilat shërbenin për mbrojtjen e industrive lokale. Në një vend si Zambia, rezultatet negative kanë qenë kaq dërrmuese sa që njerëzit janë bindur që SAP do të thote “satani ali pano” (shejtani mes nesh). Falë Bankës Botërore, shumica e fëmijëve të vegjël nuk shkojnë dot në shkolla publike për shkak të shpenzimeve që u kërkohen. Fuqia blerëse është shpuar falë zhvlerësimit të monedhës dhe sëmundjet e shërueshme lihen të patrajtuara për faj të reduktimit të shërbimeve mjeksore. Këto politika i kanë vrarë njerëzit, literalisht. Edhe banka Botërore është e ndërgjegjeshme për këtë re të errët që mbulon SAPS-in e saj, ndaj dhe me djersë e mund ia ka ndërruar emrin në Letrat e Strategjisë për Uljen e Varfërisë (Poverty Reduction Strategy Papers). 
Padyshim ironia qëndron tek fakti se vendet e pasura i detyrojnë vendet e varfra të hapin tregjet e të liberalizojnë politikat tregtare, por ama nuk aderojnë tek këshillat e veta. Shembulli ndoshta më i famshëm i kësaj mungese aderimi janë $300 miliardët e shpërndara në subvencione çdo vit nga BE dhe SHBA për bujqësinë e tyre. Me gjithë këta banorë të botës së tretë që mbijetojnë vetëm me bujqësi, eliminimi i proteksionizmit nga SHBA e BE në këtë fushë do të bënte mrekullira për ekonomitë e jugut.
 
 
A është e mundur që ky sistem ekonomik kaq i korrupuar të ndreqet? Organizata Tregtare Botërore e ka qortuar SHBA për subvencionet e pambukut dhe amerikanët eventualisht mund të detyrohen t’u nënshtrohen retorikës së tyre për tregti të lirë, por këto korrigjime të vogla do t’i ndryshojnë vetëm shumë pak perspektivat afatgjata për drejtësi ekonomike globale. اdo përpjekje e vërtete për të trajtuar varfërinë e botës së tretë do të kërkojë ndryshim drastik të paradigmës ekonomike, e kolapsi katastrofal është ndoshta e vetmja mënyrë për ta provokuar. Po në qoftë se nga rrënojat e saj të shfaqej një tjetër ekonomi e frymëzuar nga fuqia e moralit? 
Rritja e disiplinës ekonomike islame tenton drejt potencialit të fuqizimit të një ekonomie me preokupime etike. Muslimanet kanë ndërthurur për shekuj me rradhë principet ekonomike me ligjet e fesë apo Sheriatin. Në dekadat e fundit kjo sintezë është zhvilluar në një sistem formal ekonomik islamik. Nën këto rregulla, skeleti bazë i ekonomise i lihet tregut, por është gjithashtu i organizuar rreth rregullave të etikës së investimit, të cilët e ndalojnë vënien e parasë në shoqëri që përfitojnë nga alkooli, kumari, duhani, armët apo prodhimet e derrit e derivatet e tij. Ekonomia islame mandaton edhe rregullimin e pjesëmarrjeve investuese në kapital dhe në krah pune, por ndalon interesin. Ky rregull rrjedh nga mirëkuptimi që përderisa Zoti vendos mbi dështimin e një projekti financiar , huamarrësi nuk duhet ta përballojë çmimin e humbjes i vetëm. 
Ndërkohë që ekonomisë së formalizuar islame i është rritur pjesëmarrja, institucionet finaciare islame (IFIS) kanë gëzuar rritje të pabesueshme të ardhurash. IFIS-et implikohen realisht në aktivite ekonomike – në ndryshim nga spekullimet pasive – dhe e përdorin paranë si kapital, jo si borxh. Dhe pse bankat islame u përmbahen parimeve të përgjegjësisë sociale, e janë më pak fitim-gjurmuese se bankat perëndimore të bazuara mbi interesin, ato kanë vërtetuar se janë mjaft fitimprurëse. Madje ekziston dhe një Treg Ndërkombetar Financiar Islamik, i ngarkuar të planifikojë kurset e përafërtsisht 200 bankave e instituteve finaciare islame në mbarë botën. Por parimet e ekonomise Islame nuk u aplikohen vetëm bankave. Shoqërite e sigurimeve të ngritura mbi respektin e ligjeve të Sheriatit po fitojnë gjithnjë e më shumë popullaritet. 
Të tilla koncepte si “bankë pa interes”, mund t’u duken imagjinare skeptikëve perëndimorë, por një ekonomi me kod moral është në gjendje të ofrojë lehtësim çlodhës për të varfërit në botë. Fatkeqësisht, do të duhet ndoshta një kolaps ekonomik për t’ia arritur kësaj. Por, pasi të shpluhurosemi e të fillojmë të rindërtojmë, nuk do të ketë më vend për reflektime financiare neo-klasike. Lumturisht, vëllezërit tanë muslimane do të jenë te gatshëm të na pajisin me instrumentet për një sistem alternativ.
 
 
Nga Nicholas Klassen 
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit