7.8 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Ekologji qeveritare mbi masmediat

Më të lexuarat

REDI SHEHU

Nisma e fundit ligjore e qeverisë, e njohur edhe si “ligji antishpifje”, i cili menjëherë pas tërmeteve të fundit erdhi si një shtesë e goditjes psikologjike te shqiptarët, me të drejtë shkaktoi debate të mëdha si dhe refuzim nga komuniteti i gazetarëve. Ligje të kësaj natyre kanë qenë gjithmonë tema të mëdha debatesh në të gjithë botën e standardizuar, sepse futen në mesin e dy të drejtave kushtetuese në shoqëritë e lira, mes së drejtës për fjalën e lirë dhe së drejtës për t’u mbrojtur nga abuzimi me fjalën e lirë. Për këtë, këto shoqëri, më shumë sesa rregullime ligjore, kanë ndërtuar kalibrime ligjore për shkak se cenimi i këtyre dy të drejtave themelore është çështje aq e hollë, sa duhet të jetë detyrimisht e kopsitur mirë. Në fund të llogarive, ajo që përcakton kufirin ndarës të tërë kësaj meseleje, është shkalla që ka një vend i caktuar apo një shoqëri e caktuar lidhur me përgjegjshmërinë. Prej këtij përcaktimi pastaj shihet se si ky vend zhvillon sjelljen publike e për pasojë se si e bën edhe ndarjen mes dobisë dhe dëmit që shkakton liria e shprehjes në raport me dinjitetin njerëzor.

Zakonisht, kur qeveria jonë futet në debate të tilla, e bën këtë e prirur nga nevoja për dominim, nga sensi utilitar, dhe shpesh nuk karakterizohet nga thelbi dhe njohja e lëndës në veçanti. Media dhe komunikimi shihen prej saj si mekanizma, si mjete përdorimi të shkëputura nga natyra e tyre, shihen të përshtatshme për të mbajtur dhe restauruar pushtetin. Por, ama, sot, media nuk trajtohet vetëm si formë ndërmjetësimi mesazhesh, ajo prej kohësh po trajtohet dhe kuptohet si një ambient në tërësi, brenda të cilit kultura e popujve kultivohet, rritet dhe përshtatet. Ky ambient i ri, i cili na formëson të gjithëve ne, ka nevojë të pashmangshme për ekologjinë e vet. Ashtu si çdo ambient natyror nuk është i pastër pa ekologjinë e vet, edhe media tashmë e konceptuar si ambient shoqëror, ka nevojë për ekologjinë e saj. Prej kohësh McLuhan e instaloi këtë term, ai e quajti “media ecology”, duke i paraprirë vërtet faktit sot ku media si ambient përcakton edhe natyrën e shoqërive ideologjikisht, politikisht, si dhe i jep ngjyrë organizimit të saj social. Një interaktivitet mes njeriut dhe teknologjisë, të cilët krijojnë një realitet, që, si për ironi, transformon vetë njeriun dhe teknologjinë më vonë. Pra, media si ambient dhe ambienti si media.

Brenda kësaj pleksjeje ta pandashme të natyrës së medias si ambient dhe anasjelltas, futet në mënyrë mekanike një instrument qeverisës, për të përcaktuar ekologjinë e saj. Për të bërë dallimin mes lirisë së shprehjes dhe keqpërdorimit me lirinë e shprehjes, zakonisht merret kriteri i së vërtetës si kriteri ekologjik i këtij ambienti. Sepse, për sa kohë liria e shprehjes ndodhet në të vërtetën, pra, e pasqyron atë, ajo është një liri e virtytshme, racionale, e domosdoshme dhe një e mirë publike që duhet mbrojtur me çdo kusht. Në momentin që ajo del nga ekologjia, pra, nga e vërteta përmes shpifjes e ofendimit, atëherë ndodhemi në situatën kur liria humb lirinë e saj të paktën moralisht.

Ligji i fundit, i miratuar nga Parlamenti ynë i modifikuar gjenetikisht, sanksionon se ekologjinë e ambientit (lexo medias) tonë e përcakton jo e vërteta, por pushteti me mekanizmat e vet si AMA, e cila do të ketë të drejtën të përkufizojë atë. Pra, një produkt politik që kontrollohet gjithmonë nga maxhorancat, do t’i japë ekologjisë së ambientit tonë certifikatën e pastërtisë. Këtu ka qëndruar thelbi i gjithë kundërshtisë së këtij ligji, i cili pastaj përcakton edhe masën e dëmit që duhet të paguajë menjëherë i dënuari, duke u bërë bypass gjykatave si instancë e parë që duhej të merrej me këtë çështje.

Kemi dy pushtete që përplasen me njëritjetrin. Nga njëra anë kemi pushtetin politik, i cili prodhon vazhdimisht padrejtësi, dhe nga ana tjetër kemi pushtetin mediatik që prodhon edhe ai here pas here padrejtësi. Njëri, përmes mungesës së faktit politik, tjetri shpesh përmes mungesës së faktit mediatik. Në një ambient të ndotur politikisht e moralisht nga keqqeverisja, natyra e shprehjes së lirë përcakton edhe vetë karakterin e pushtetit politik e nëse ka probleme me shpifjen, atëherë edhe vete pushteti politik është produkt i kësaj shpifjeje ngase ai (pushteti) bën pjesë brenda ambientit tonë ku ekologjia e tij vihet tashmë në dyshim. Nëse në një shtet të standardizuar, shteti ruan ekuilibrin mes dëshirës për t’u shprehur i lirë dhe dëshirës për të qenë i mbrojtur nga shprehja e lirë e të tjerëve, në një shtet si ky i yni, roli ekuilibrues i tij vihet seriozisht në dyshim. Prandaj, gjëja më e mirë që kjo qeverisje duhet të bënte, ishte që të lejonte që të forcoheshin gjykatat për të përcaktuar shpifjen rast pas rasti.

Nga liria e shprehjes rrjedh i gjithë korpusi i lirive civile të një shoqërie. Cenimi i saj me pa të drejtë tregon thelbin e vetë pushtetit politik të asaj shoqërie. Liria e shprehjes, si një liri shumë e rëndësishme e korpusit të lirive themelore të njeriut, duhet parë në qenësinë e saj dhe jo si një licencë publike për ta ekzekutuar tjetrin. Por, ama, nën këtë pretekst, qeverisja nuk duhet që të kthehet në ekzekutuesin e parë të kësaj licence. Një shoqëri shihet se sa e avancuar është, duke parë shkallën e përgjegjshmërisë së lirisë. Një shtet shihet sa i standardizuar është, duke parë shkallën e ruajtjes së kësaj përgjegjshmërie. Një shoqëri e mirërregulluar është ajo shoqëri që dinjitetin njerëzor dhe mirëmbajtjen e saj e konsideron si detyrë të vazhdueshme dhe të përhershme dhe që nuk lejon që shpifja të adoptojë lirshmërinë e saj në sferën publike dhe për pasojë, në sajë të shpeshtësisë së saj, të kthehet në moral publik dhe politik.

Por, te ne, në fakt, shpifja dhe gjuha e urrejtjes, për shkak të përdorimit të papërgjegjshëm nga politikanët në instancat më larta të këtij vendi, në mënyrë të vazhdueshme, ka penguar që kjo e jona të transformohet në një shoqëri të mirërregullluar. Ambienti ynë është kthyer në një akuarium ku promotori më i madh i shkatërrimit të mirërregullimit ka qenë përherë pushteti politik. Për këtë arsye, i fundit që mund të përcaktojë të vërtetën e ambientit tonë mediatik është politika dhe maxhoranca me të gjitha mekanizmat që ajo zotëron.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit