10.6 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Egesta Lopçi: lufta ime me tumoret

Më të lexuarat

Studiuesja shqiptare Egesta Lopçi, në një intervistë për Uami-n, tregon karrierën e saj dhe ambiciet profesionale e shkencore. E vlerësuar me çmimin ndërkombëtar për kërkimin më të mirë në fushën e diagnostifikimit të tumoreve nga Shoqata Europiane për Mjekësinë Bërthamore, ajo është ngjitur tashmë në majat e shkencës botërore në këtë fushë, teksa prej vitesh është lektore në një nga universitetet më të mira në Itali. Duket se studiuesja ka ndërtuar një të ardhme të shkëlqyeshme në Europë, por megjithatë ajo flet me mall për vendin e saj dhe qytetin e lindjes, Shkodrën. Me keqardhje ajo vëren se Shqipëria ka mbetur prapa në lidhje me studimet dhe kërkimet në fushën e saj, dhe kjo nuk vërehet tek fqinjët tanë në rajon si Greqia, Serbia apo edhe Maqedonia. Puna e saj kërkimore përqendrohet në përmirësimin e metodave diagnostikuese të tumoreve, duke krijuar mundësi më të mëdha kurimi, çka do t’i shërbejë pacientëve nëpër botë. Metoda të tilla nuk aplikohen në Shqipëri, gjë që ul ndjeshëm rendimentin në luftimin e këtyre sëmundjeve.

Jeni vlerësuar me një çmim mjaft prestigjioz, të cilin pak njerëz e ëndërrojnë. Çfarë do të thotë për ju ky çmim dhe si e pritët atë?
E.L: Do të ishte mbase e tepërt të nënvizoja emocionet e prodhuara nga ky vlerësim për profesionin tim, aq më tepër nga një çmim i këtij niveli. Rrethanat pastaj janë ato që e galvanizojnë akoma më tej momentin, pasi dorëzimi i çmimit bëhet gjatë ceremonisë përfundimtare të Kongresit vjetor të European Association of Nuclear Medicine, i cili këtë vit organizohej në Lion. Normalisht në ceremoni marrin pjesë kolegë nga gjithë bota, e pikërisht kjo e bën të veçantë. Presidenti i EANM shpall fituesin dhe pastaj presidentja e Kongresit jep çmimin. Është me të vërtet diçka shumë emocionuese.

 

Si e nisët karrierën tuaj dhe si mbërritët deri këtu?
E.L: Karriera ime studimore është shumë e përngjashme me atë të mijëra studentëve shqiptarë që çdo vit vijnë në Itali për të vazhduar studimet. Edhe unë, me të mbaruar gjimnazin ‘28 Nëntori’ në Shkodër, bëra kërkesën për të filluar universitetin në Itali dhe, pas provimit, u pranova në fakultetin e mjekësisë në Bologna, të cilin e përfundova në 2006 me notën maksimale (110 e lode), për të vazhduar me specializimin në mjekësinë bërthamore, të përfunduar pesë vite me vonë. Aktualisht, po në të njëjtin universitet, po ndjek doktoraturën mbi patologjinë tumorale të mushkërive, dhe njëkohësisht punoj këtu, në Humanitas Research Hospital (Rozzano, MI).

 

Ku përqendrohen më saktësisht kërkimet tuaja?
E.L: Kërkimet e mia fokusohen në përdorimin e një metode hetimi të patologjive tumorale që quhet PET-it, të cilat bëjnë të mundur diagnostifikimin nëpërmjet injeksionit të shenjuesve molekularë radioaktivë. P.sh ne mund të përdorim fluorodeoksiglukozën (FDG) për të hetuar tumoret agresive. Mund të përdorim substanca me bazë aminoacidike për të hetuar tumoret cerebrale ose mund të përdorim një analog hormonal, siç janë ato të somatostatinës, për të hetuar tumoret neuroendokrine. Në mënyrë specifike studimi për të cilin me është dhënë çmimi sivjet i përket tumorit të prostatës dhe ne kemi vëzhguar pacientët me ketë tip tumori, që janë të mundshëm për t’u trajtuar me radioterapi.

 

Cilat janë avantazhet e këtyre teknikave dhe çfarë ndryshimesh mund të shohim në të ardhmen?

 

E.L: Në mënyrë specifike, avantazhet e përmendura edhe në studimin janë të shumta. Elementi kryesor është se duke përdorur PET-in përpara radioterapisë ne kemi mundësi të identifikojmë në mënyrë të saktë indet e interesuara nga tumori e në këtë mënyrë ta orientojmë terapinë aty. Gjithashtu, është e mundur të evitojmë dëmet e radioterapisë mbi indet e shëndosha. Faktikisht tek grupi i ekzaminuar, mbi 50-60% e pacienteve kanë pasur një modifikim të trajtimit si pasojë e këtij studimi me PET. Ne këtë mënyrë është mundësuar përshtatja e trajtimeve në bazë të nevojave specifike dhe reale të sëmundjes, çka më përpara nuk veprohej, të paktën jo me një përqendrim të tillë.

 

A keni projekte të tjera kërkimore në këtë drejtim?
E.L: Interesat e mia janë të shumta. Faktikisht, në strukturën ku gjendemi në këtë moment, në Humanitas, bashkëpunimi me specialistë të ndryshëm është frytdhënës dhe të gjithë së bashku operojmë në përmirësimin e situatës së pacientit. Fushat e angazhimit tim mjekësor janë të shumëllojshme, por në mënyrë konkrete jam përqendruar kryesisht me tumoret cerebrale, tumoret e mushkërive, që janë edhe argumenti i doktoraturës, me linfomat e të rriturve, me patologjitë epatike etj. Gjithashtu, kooperoj me grupin italian të studimit të linfomës së Hodgkin tek fëmijët dhe jam referente e mjekësisë bërthamore për këtë grup. Së bashku me disa kolegë të tjerë italianë po ndjekim një studim për tumorin dhe neuroblastomën po tek fëmijët.

 

Si autore dhe bashkautore e disa artikujve dhe librave shkencorë në diagnostikimin e sëmundjeve tumorale, si e shikoni betejën me këto sëmundje?
Aktualisht mjekësia moderne përqendron këtë kërkim në identifikimin e atyre karakteristikave molekulare dhe gjenetike të tumorit për secilin individ, në mënyrë që të krijohet ilaçi specifik i trajtimit të tumorit dhe pacientit specifik. Kjo metodë quhet ndryshe terapi target ose shenjestër, pasi godet në mënyrë specifiketargetin e përkatës molekular ose gjenetik.

 

Mjekësia bërthamore në këtë kontekst nuk është fantashkencë, por diçka reale e viteve të fundit, dhe ajo vepron sidomos përmes PET-it, i cili vëzhgon tumorin nga jashtë për të identifikuar karakteristikat e përhapjes së tij. Këto informacione i shërbejnë pastaj onkologut dhe radioterapistit në goditjen precize të sëmundjes, duke reduktuar sa më shumë impaktin me pjesën e paprekur të trupit. Potencialisht mjekësia bërthamore lejon studimin e çdo tip tumori, me çfarëdolloj shënjuesi molekular.

 

 

Çfarë marrëdhënieje keni me Shqipërinë, përsa i përket anës profesionale, a ka hapësirë këtu për të aplikuar dijet tuaja?
E.L: Kjo pyetje prek një pikë pak delikate, sepse pavarësisht nga përmirësimet e shumta që Shqipëria ka njohur në disa kontekste, profili im – flas këtu për mjekësinë bërthamore – nuk ka gjetur të njëjtin lulëzim. Nuk ndodh kështu, fjala bie, tek fqinjët ballkanas, siç janë Greqia, Maqedonia, Serbia, të cilët kanë investuar dhe investojnë në krijimin e qendrave të përparuara të mjekësisë bërthamore. Sidoqoftë, unë shoh shpresa sepse është themeluar Shoqata Shqiptare e Fizikës Mjekësore, që merret edhe me mjekësinë bërthamore, kemi edhe një qendër, pavarësisht se në kontekst privat, të një spitali i cili ka krijuar tashmë një qendër PE. Kështu që shpresoj që në të ardhmen kjo fushë kërkimore të jetë më e përparuar.

 

Ku e shihni të ardhmen tuaj?
E.L: Kam më shumë se 14 vite që jetoj në Itali. Këtu kam familjen, këtu jam formuar dhe stabilizuar profesionalisht. Kam edhe lidhje të tjera më personale me këtë vend, të cilat më mbajnë të lidhur këtu, kështu që këtu e shoh edhe të ardhmen time. Megjithatë gjithçka mund të ndodhë, Zoti e di më mirë.

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit