10 C
Pristina
Friday, April 19, 2024

Efektet negative të lojërave elektronike tek fëmijët

Më të lexuarat

Dr Mustafa Ebu Sad

Lojërat elektronike dhe playstation me të cilat luajnë fëmijët tanë, për mua janë shkatërruese të personalitetit të tij. Efekti negativ i tyre fillon me trurin dhe aftësitë e tij.

Njeriu mëson dhe ndërvepron me botën që e rrethon nëpërmjet pesë shqisave, të cilat gjatë shtatë viteve të para të jetës së njeriut janë në zhvillim e sipër. Kur fëmija shtatë vjeç e poshtë luan lojëra elektronike, ai humbet shansin për zhvillimin e pesë shqisave të tij. Kjo, sepse ai qëndron i ulur për orë të tëra totalisht pasiv, vetëm duke luajtur dy gishtat.

Kur trupi i njeriut aktivizohet për një kohë të gjatë, ai ndjen lodhje dhe për këtë njeriu ulet dhe pushon. Sakaq lodhja e trurit nuk është e njëjtë me lodhjen fizike. Lodhja e trurit e jep efektin e vet në tre aftësi të tij.

Efekti negativ i lojërave elektronike shtrihet tek të gjitha lojërat të cilat përmbajnë rivalitet, përndjekje dhe shpejtësi si në rastin e futbollit, garat e makinave etj… Çdo lojë e cila bazohet në lëvizje shumë të shpejta, nëse luhet çdo ditë për tre muaj rresht, ajo dëmton tre aftësi themeltare të trurit: Përqendrimin, vëmendjen dhe kujtesën. Nëse një fëmijë luan çdo ditë, e pakta gjysmë ore, për tre muaj rresht, tek ai do të shfaqen shenja të humbjes së kujtesës, vëmendjes dhe përqendrimit.

Gjatë një loje elektronike e cila ka në bazë shpejtësinë, fëmija garon, përndjek, shpejton… ndërkohë që trupi i tij është krejt pasiv. Ndërveprimi i vetëm i fëmijës me lojën është me trurin e tij.

Në valët Beta të trurit, kemi 14 – 28 lëvizje për sekondë të trurit. Nga 14 deri 20 konsiderohet si normale lëvizja e trurit, por kur kjo arrin në 28 lëvizje për sekondë truri po funksionon me të gjithë kapacitetin e tij. Nëse kjo gjendje vazhdon për njëzet minuta apo gjysmë ore, truri fillon të lodhet dhe dobësohet.

Është e njëjta gjë me vrapin, ku nëse më duhet të përshkoj një distancë prej një mijë metrash, e marr shtruar. Ndërkohë që nëse më duhet të përshkoj një distancë prej njëqind metrash, vrapoj me maksimumin e shpejtësisë time. Por unë nuk mundem të vrapoj me maksimumin e shpejtësisë për një mijë metra.

Disa mendojnë se lojërat elektronike rrisin koeficientin e inteligjencës tek fëmija! Nëse lojërat elektronike rrisin diçka tek famija, duhet ditur se kjo është idiotësia e tyre.

Po të shohim një fëmijë i cili ka luajtur për një vit të plotë me lojëra elektronike, menjëherë do të konstatojmë se ai ka probleme me vëmendjen, përqendrimin dhe kujtesën. Një fëmijë i tillë e ka të vështirë ta fokusojë vëmendjen tek një gjë e vetme, duke i anashkaluar ngacmuesit e tjerë përreth. Ai ka probleme edhe me përqendrimin, pasi e humbet atë pas disa minutave duke u shpërqendruar totalisht. E njëjta gjë vlen dhe për kujtesën.

Nëse fëmija ka probleme me njërën nga tre elementët e mësipërm, ose njërin prej tyre, klasifikohet tek fëmijët me probleme në të mësuar dhe i nevojitet një program i gjatë i përgatitur dhe nën kujdesin e ekspertëve. Të tre këto probleme ose njëri prej tyre mund të jenë dhe të lindur me fëmijën. Por nëse fëmija nuk i ka të lindura, atëherë ato janë të fituara për shkak të këtyre lojërave.

Dimensioni moral

Mos harrojmë se këto lojëra kanë dhe dimensionin e tyre moral dhe vleror. Kur fëmijët arrijnë një nivel të lartë në lojë, atyre u jepen dhe stimuj të ndryshëm, të cilët përgjithësisht cenojnë vlerat dhe moralet e një besimtari. Zakonisht, stimujt janë materiale erotike, një imazh, një lëvizje, një foto etj… Stimuj të tillë nxisin instinktet seksuale tek adoleshentët, gjë e cila i motivon më shumë që të luajnë dhe të kapërcejnë nga një nivel në një tjetër në pritje të këtyre stimujve. E gjitha kjo, bëhet në kurriz të shëndetit dhe të mësimeve.

Në nivel psikologjik, një fëmijë që luan lojëra elektronike fillon e vetëmbyllet, bëhet jo social, preferon vetminë dhe izolimin, bëhet i plogësht dhe përjeton ankth. Fakti që ai përjeton ankth, e bën që të tërhiqet nga aktivitetet dhe jeta sociale.

Pikërisht për këtë, këto lojëra duhen hequr nga shtëpitë tona dhe mund të zëvendësohen me shikimin e televizorit, i cili me gjithë dëmet, është shumë më pak i dëmshëm sesa lojërat elektronike. Unë mund të shoh një film horror në televizion, por në këtë rast unë jam thjesht shikues. Sakaq në lojërat elektronike unë jam aktiv, pra unë e ndjek viktimën dhe e vras me duart dhe armën time. Ta vras me duart e mia, është një programim i brendshëm i dhunës. Sigurisht që unë jam kundër edhe filmave aksion dhe horror, por ndikimi i tyre është shumë herë më i vogël sesa ndikimi i lojërave elektronike.

Dimensioni fetar i lojërave

Shumë nga lojërat me dhunë dhe vrasje, përmbajnë dhe imazhe të shenjta për myslimanët, si Qabeja, Kurani etj… të cilat në një moment përdhosen nga personazhet e lojës. Po, mund të shkelet me këmbë Kurani, mund të vriten personazhe që simbolizojnë myslimanët, shpërthehet Qabeja, xhamia etj…

Përktheu: Elmaz Fida

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit