7.5 C
Pristina
Thursday, April 25, 2024

Edhe përbuzja është dhunë!

Më të lexuarat

Kim MEHMETI

Nuk është dhunë vetëm kur huliganët maqedonas i rrahin nxënësit e pambrojtur shqiptarë nëpër autobusët urbanë të Shkupit, por edhe kur nëpër muret e ndërtesave lexon grafitet ‘Vdekje shqiptarëve’. S’është dhunë vetëm kur rrugaçët e tërbuar maqedonas i djegin dhe i demolojnë dyqanet dhe pronat e shqiptarëve, por dhunë është edhe kur nëpër përballjet sportive – ku nuk merr pjesë asnjë skuadër shqiptare – dëgjon brohorima ‘Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”. Jo, nuk është dhunë vetëm kur polici të dënon edhe për pafajësinë vetëm pse je shqiptar, por dhunë është edhe kur jeton me trishtimin se mund të pësosh në ndonjë proces të montuar gjyqësorë, siç u dënuan edhe me burg të përjetshëm ata të rastit të ‘Sopotit’ e të ‘Monstrës’ si dhe kush e din edhe sa të tjerë në raste që nuk dihen.
Po pra dhunë nuk është vetëm kur protestuesit shqiptarë dënohet me disa vite burg vetëm pse kanë gjuajtur me gurë godinën e gjykatës, e ata maqedonas mbeten të ‘panjohur’ edhe kur djegin dyqanet e shqiptarëve, por dhunë është edhe kur jeton me bindjen se policia mund të të ekzekutoj sikur Harun Aliun me shokët dhe askush të mos përgjigjet për këtë dhe askush të mos jep shpjegim si është e mundur të të vret atdheu? Dhe dhunë mbi të gjitha dhunimet nuk ato që të shkaktojnë varrë trupore, por përbuzja që të lë vrrag në shpirt, siç është ajo kur e sheh se ke përfaqësues e pushtetarë shqiptarë që nuk mund të të mbrojnë nga asnjë dhunë, madje përfshi edhe përbuzjen që e lexon nëpër librat shkollor, ku thuhet se ‘malokët’ shqiptarë janë zaptues të pronave maqedonase, apo kur Akademia e Shkencave boton dhe promovon enciklopedi ku poshtërohet i tërë populli shqiptar.

Dhe kështu, duke mos qenë dhunë vetëm ‘dhuna’, por edhe shumëçka tjetër që të dhemb më shumë se sa kur të rrjedh gjak nëpër trup, në Maqedoni u rritën gjeneratat e shqiptarëve të lindur viteve kur edhe u vunë themelet e këtij shteti të pavarur, e që sot kanë mbushur thuajse tri dekada jetë, pra që sot janë burrëruar e bërë prind e zot shtëpie, por të cilët mase ende nuk e kanë të qartë se a thua në këtë shtet dhuna e ushtruar mbi shqiptarin është vepër spontane e shovenëve maqedonas apo e nxitur institucionalisht nga vetë strukturat shtetërore. Nuk e kanë të qartë ngaqë huliganët që dhunuan nxënës të pambrojtur shqiptarët dhe shovenët rrugaç që dëmtuan e dogjën pronat shqiptare, thuajse ishin të mbrojtur nga policia e gjykata, nga po ajo polici që likuidon shqiptarë dhe nga po ai gjyqësor që dënon shqiptarë nëpërmjet proceseve të montuara policore e gjyqësore. Kjo paqartësi ka t bëjë edhe me atë se jo rrallëherë, burrështetasit maqedonas rrinin përkrahë tifozëve, të cilët edhe në ndeshjet sportive ku nuk merrte pjesë asnjë skuadër shqiptare, brohoritnin ‘Vekje shqiptarëve’ dhe “Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë”.
Po pra, shqiptarët që lindën apo që ishin fëmijë kur u soll kushtetuta e parë e Maqedonisë së pavarur, u rritën e u bënë djelmosha me të drejtë vote, duke dëgjuar se i takonin popullit i cili vetëm “kërkonte” që tjetri t’ia jepte atë që ishte e tij. Fëmijët e etnitetit maqedonas, që në kohën e mëvetësimit të shtetit nuk kishin më shumë se një dekadë jete, u rritën dhe u bënë për martesë, duke dëgjuar të njëjtën melodi, por me tekst tjetër, ku thuhej se shqiptarët pandërprerë vetëm diçka “kërkonin”, pangishëm merrnin nga ajo që ishte vetëm e tyrja, se ata duhej gjithmonë të ishin dorëlirë e të japin. Pra, Maqedonia rriti gjeneratat e atyre që ishin larguar nga një e vërtetë thelbësore kur bëhet fjalë për shtetet shumetnike, shumëkulturore e shumëreligjioze: për shtetet me koncept të qartë qytetar, e ku e drejta individuale është e pamundur pa të drejtat kolektive. Maqedonia, pra rriti gjeneratat e dy etniteteve numerikisht më të mëdha – të etnitetit maqedonas dhe shqiptar – me bindjen se të parët duhej të mbajnë dorën e djathtë gjithmonë shtrirë për të dhënë, e shqiptarët gjithmonë me dorën e majtë të gatshme për të marrë. Ose thjesht, Maqedonia kultivonte gjeneratat e “lypsarëve” të pangirë – shqiptarëve, dhe gjeneratën e “dorëlirëve” zemërgjerë që ishin lodhur duke dhënë – maqedonasit etnikë.
Dhe, jo se të rinjtë shqiptarë si edhe ata maqedonas nuk ia bënin me dije shtetit se kështu ai atyre ua harxhonte ardhmërinë. Shumë herë ata dilnin rrugëve të Shkupit ose të Tetovës. Kështu që, të rinjtë e etnitetit maqedonas protestonin kundër hapjes së shkollave me mësim në gjuhën shqipe, madje edhe duke ngritur tenda përpara kuvendit republikan, e duke bërë grevë urie. E nga ana tjetër, të rinjtë shqiptarë vërshonin rrugët e Tetovës që të tregonin se sa i nevojshëm u ishte arsimimi në gjuhën amtare. Në të shpeshtën e rasteve, protestuesit e rinj të etnitetit maqedonas, ishin të shoqëruar nga parlamentarët e ndonjë partie të vet, dhe shumica nga ata që i organizonin këto protesta, e kishin të siguruar karrierën politike. Të gjithë ata “filipa, milloshovska, gjorçevska”…, do bëheshin funksionarë të lartë shtetërorë dhe do të merrnin paga mujore edhe nga taksat që do i paguajnë moshatarët e tyre shqiptarë, të cilëve dikur ua kishin kundërshtuar mësimin në gjuhën amtare.
Duke rritur gjenerata të tilla, Maqedonia arriti deri te 2001-shi. Më pastaj, të gjithë besonin se pas këtij konflikti shteti nuk do të rriste më gjenerata “lypsarësh” shqiptarë dhe “dorëlirë” të etnitetit maqedonas. Pra se nuk do rriste të rinj shqiptarë të dhunuar në forma nga më të ndryshmet, e as dhunues maqedonas të prirë nga bindja se shteti ekziston vetëm që ata t’i mbrojë nga shqiptarët. Pas konfliktit të 2001 të gjithë besuan se Maqedonia do të rriste gjenerata të qytetarëve që kanë të njëjtat pozita nismëtare në jetë, të njëjtat parakushte për të arritur ardhmëri më të mirë për vetveten dhe për tërë shtetin. Pra, të gjithë besonin se e kaluara do mbetej e harruar, se për politikanët e ardhshëm, të gjitha ato që ndodhën në të kaluarën, do të ishin udhëtregues nga nuk duhej të shkonte Maqedonia.
Por, Maqedonia është shtet i çudirave. Ky shtet duron aq naivitet, injorancë dhe amatorizëm politik, sa do të mjaftonte të shkatërrohej një perandori e tërë. Kështu që kur të gjithë mendonin se Maqedonia do t’i linte pas grindjet ndëretnike, se duke realizuar sa më shpejt Marrëveshjen e Ohrit do të përqendrohej në problemet ekonomike, ndodhën çudi të panumërta dhe shteti sërish përfundoi i zhytur në baltën e mosmarrëveshjeve ndëretnike. Kështu që edhe njëherë u tregua se ngjarjet ndodhin e harrohen, se vitet vijnë e shkojnë, pleqtë vdesin e fëmijët rriten, por vetëm Maqedonia mbetet ajo e njëjta – atdheu i naivitetit politik dhe ku të duket se maqedonasit do bëhen popull vetëm për inat të shqiptarëve, e shqiptarët i durojnë gjitha dhunimet e përbuzjet vetëm pse duan t’i ndihmojnë bashkëqytetarët e tyre maqedonas gjatë ‘stërvitjeve’ për t’u bërë popull shtetformues!
Mbase një situatë e tillë ishte e pashmangshme sepse Maqedonisë kurrë nuk i mungonin burrështetas që kapital më “të vlefshëm” politik kishin të kaluarën antishqiptare. E udhëhequr edhe nga ata që kishin biografi të pasur si organizatorë të protestave kundër shkollimit të shqiptarëve në gjuhën amtare, Maqedonia edhe nuk mund të shkonte më larg e më tej, se të bëhej ajo që është sot: një kënetë e bezdisshme politike ku pandërprerë vazhdon kënga me vite e dëgjuar, kënga për shqiptarët që gjithmonë duan të “grabisin” diçka nga shteti dhe e pushtetarëve që duhet ta pengojnë “grabitjen”. Dhe si e tillë ajo shpesh edhe të ngjanë në shtet që drejton një bandë pijanecësh hajdut maqedonas dhe një grup injorantësh shqiptarë që besnikërisht u shkërbejnë të parëve.
Maqedonia e sotme mundohet të shpëtojë nga kthetrat e atyre që e kanë vështirë të dalin nga lëkura e vet e ngushtë nacionaliste. Dhe ndoshta shqiptarët presin të pamundurën. Ndoshta elitat maqedonase bashkëjetesën me shqiptarët ende e konsiderojnë si fatkeqësi të domosdoshme, si sëmundje kronike e cila duhet mjekuar pandërprerë me arrogancë politike dhe mospërfillje ndaj të vërtetës së Maqedonia nuk mund të ekzistoj vetëm si dëshirë e maqedonasve. Andaj edhe vazhdojnë të jenë më popullor politikanët që famën e mbështesin vetëm mbi injorimin e kërkesave shqiptare dhe në gjetjen e vasalëve shqiptarë që do ua mbulojnë edhe projektet antishqiptare.
Duke u shtirë se nuk janë ata të dikurshmit, duke përdorur si mbulesë partitë shqiptare që bëhen pjesë e pushtetit pa pasur shtet, shumë nga burrështetasit maqedonas me pedigre antishqiptare, u ngjajnë monedhave të rrejshme, të cilat nga jashtë duken si të vërteta, por posa i gërvisht pak, të mbetet në duar ngjyra e tyre e antishqiptarisë, që e kanë thellë në vetvete. Si të tillë, ata edhe ndoshta arrijnë ta gënjejnë një pjesë të popullit të tyre maqedonas, por jo edhe shqiptarët. Si të tillë, ata më shumë ngjajnë me shitës të ardhmërisë së rreme, sesa në politikanë që kanë vizion për të nesërmen e shtetit. Me çka, ata në të vërtetë e çuan shtetin drejt shumë “marrëveshjejeve” të reja për të pasur përse të mos merren vesh . E me çka ndoshta i ndihmuan shqiptarët e këtushëm që me kohë të kuptonin se projekti i një Maqedonie shumetnike është i pamundur nëse ndërkohë nuk arrihet edhe “një marrëveshje” me të cilën do u mbyllen dyert mandatarëve të etnitetit maqedonas, që demokracinë ta përdorin ashtu që ajo të ngjajë më shumë në rrugaçëri politike sesa në veprim të mbështetur mbi standarde dhe ligje.
Maqedonia rriti gjenerata të rinjsh që vonë e kuptuan se partiakët shqiptaro-maqedonas ishin ata që më së shumti ndihmuan që edhe pas thuajse tri dekadave, ky shtet të mos bëhet shtet. Disa nga ata partiak antishqiptar maqedonas, ende janë pushtetarë dhe marrin paga edhe nga taksapaguesit shqiptarë. E ndërkohë, nga dita në ditë dëshmojnë se nuk njohin rrugë tjetër politike pos asaj që të çon drejt “marrëveshjeve” të reja shqiptaro-maqedonase, që tregojnë se nuk janë të thella mosmarrëveshjet ndëretnike, por shumë të cekëta janë mendësitë shtetëformuese të elitave maqedonase. Apo, që tregojnë se elitat maqedonase e kanë të vështirë ta kuptojnë se ëndrra e tyre për një Maqedoni me shqiptarë të nënshtruar në të, është më e largët se ta ribësh ish-Jugosllavinë. Dhe me këtë, në të vërtetë, ata më së paku i dëmtojnë shqiptarët. Me këtë ata e marrin në qafë Maqedoninë. Dhe nuk do arrijnë ta shpëtojnë politikisht as vetveten. Dhe nëse nuk ndryshon kjo mendësi, Maqedonia kurrë nuk do prodhojë tinguj të pastër politikë, të cilët do të jenë të ndershëm ndaj shtetit dhe të kuptueshëm për qytetarët.
Si do qoftë, Maqedonia vazhdon t’i ngjajë prodhimit me gabime. Apo gatimit të konservuar që është i ndjeshëm ndaj ndryshimeve të paparashikueshme të temperaturave politike të Ballkanit, e që duhet ruajtur në frigorifer. Dhe që nga mëvetësimi, ky shtet ndodhet i ngrirë në frigoriferin e bashkësisë ndërkombëtare. Veçanërisht në atë të administratës amerikane, e cila bënë çmos që frigoriferi të mos mbetet pa rrymë elektrike, që “prodhimi” të mos shkrihet, të mos derdhet e të lagë, ta çojë drejt kalbjes, tërë këtë pjesë të Ballkanit.
Por, Maqedonia e viteve të fundit tregoi se lehtë ajo arrin kufirin kur njeriu nuk e ka të qartë a thua më shumë atë e dëmton durimi i shqiptarëve, apo arroganca e qarqeve antishqiptare maqedonase, që sillen sipas mendësisë “sa shumë bëhemi ne kur të na bashkohen edhe rusët!” Po pra, Maqedonia e viteve të fundit tregoi shenja kalbjeje si para konfliktit të 2001 dhe as të huajt nuk e kanë të lehtë ta kuptojnë se ku qëndron gabimi: te mirëmbajtësit e frigoriferit, apo te materiali i ngrirë. E mbase problemi nuk është as te mjeshtrit që kontrollojnë temperaturën e duhur për të mbrojtur mallin nga prishja, as te materiali, por te paketimi i gabuar shtetëror i Maqedonisë. Paketim që i ka hije një shteti ku edhe prodhimet bujqësore nuk mund të depërtojnë në tregun perëndimor, vetëm pse janë të ambalazhuara jashtë standardeve evropiane.
Maqedonia shpeshherë është përballur me defektet e rendit të saj shtetëror. Ajo dhjetë vite jetoi me iluzionin e Kushtetutës së vitit 1991, kur të shumtë ishin ata që thoshin se ajo kushtetutë nxit mosmarrëveshje ndëretnike, por të gjithë bëheshin të shurdhur. Dhe ajo shurdhëri, e solli Maqedoninë deri te konflikti i vitit 2001. Maqedonia u përball me defektet e veta kushtetuese dhe ligjore edhe pas zgjedhjeve parlamentare të paskonfliktit, të cilat i lejonin mandatarit të shkelë mbi vullnetin e shumicës së shqiptarëve të Maqedonisë. Dhe kur shumica thoshin se duhet të bëhet një “ripaketim” i ri i rendit shtetëror, që do të pranonte realitetin e organizimit partiak në baza etnike, sërish të gjithë u bënë të shurdhër. Kështu që sunduesve maqedonas iu lejua të vazhdonin ta sundonin shtetin shumetnik, sipas standardeve njëetnike. Maqedonia pra vazhdoi t‘i ikë përballjes me realitetin se fatin e saj e përcaktojnë dy etnitë numerikisht më të mëdha – ata që veten e quajnë maqedonas etnikë dhe shqiptarët – dhe u zhyt edhe më thellë në vetëgënjimin, se nuk janë banorët ata që përcaktojnë përkatësinë etnike dhe fetare të fshatit, po kryqi ortodoks mbi kodrinën ku ndodhen fshatrat shqiptarë, është ai që cakton fenë e shtetit.
Maqedonia i mbijetoi suksesshëm të gjitha mangësit e deritanishme të organizimit shtetëror, vetëm nga shkaku i rrethanave ballkanike. Rrethana të cilat ishin në favor të krijimit të një shteti të cilin ta ndash, s’ke ku e çon, e të tërë, s’ke si e mbron. Rrethana të cilat ngritën një krijesë shtetërore, ku do të ndërtohej demokraturë, e jo rend demokratik, jo shtet që do t’i përshtatej realitetit shumetnik. Do ndërtohej një shtet i mbetur në mjegullnajën e ëndrrave të etnitetit maqedonas. Dhe në atë mjegullnajë, e humbën rrugën e vet edhe partitë shqiptare, të cilat nga joshja që të jenë pjesë e pushtetit, nuk vërejtën se dikush ua merrte shqiptarëve shtetin që u takonte edhe atyre. Kur e vërejtën këtë, sunduesit maqedonas e kishin lexuar drejt etshmërinë e tyre për pushtet. Andaj edhe bënë të mundshmen: thuajse pas gjitha zgjedhjeve parlamentare, ata u hidhnin shqiptarëve farën e grindjes, duke ua ndarë partive të tyre “hisen e qenit” – ashtin e përfitimeve personale për një grusht partiakësh shqiptarë. Këtë farë grindjeje ata ua hedhin edhe sot, por pak më ndryshe, e që nuk lejon të shihet se shqiptarët e këtushëm nuk kanë problem vetëm me shpirtngushtësinë antishqiptare të sunduesve maqedonas, por edhe me partitë e tyre, të cilat nuk kanë koncept të qartë për ardhmërinë e popullit që përfaqësojnë, e as për shtetin, parti të cilat nuk shohin më larg se kabinetet ministrore, që nuk vërejnë se ky rend kushtetues, ua mundëson qarqeve politike të etnitetit maqedonas të blejnë kohë, të mohojnë realitetin se pa shqiptarët nuk ka Maqedoni. Realitet të cilin shqiptarët e këtushëm mbase edhe nuk arritën ta dëshmojnë ashtu si duhet. Sepse, në vend që partitë shqiptare t’i përballnin sunduesit maqedonas me mundësinë që, nëse nuk e pranojnë vullnetin politik të shqiptarëve, të themelojnë Parlamentin Shqiptar në Shkup, ato vaponin drejt selisë së partisë fituese maqedonase të zgjedhjeve, duke pritur radhë që mandatari t’i lajmëronte se cila nga ato është më “e përshtatshme” për sundimin e ardhshëm katërvjeçar.
Duke biseduar për përfshirjen në koalicionin qeveritar me partitë shqiptare, mandatarët maqedonas arrinin qëllim të dyfishtë: përpara ndërkombëtarëve linin përshtypjen se angazhoheshin për harmoni ndëretnike, e brenda në Maqedoni, vazhdonin ta ushqenin dhe ta thellonin mosdurimin ndëretnik deri në armiqësi të hapur ndaj shqiptarëve. Si dhe të ndërtonin institucione të shtetit që thuajse kishin vetëm një qëllim: si ta mbronin shtetin nga shqiptarët! Me çka edhe stimuloheshin ata që besonin se ‘Vetëm shqiptari i vdekur është shqiptar i mirë” si dhe motivoheshin gjykatësit që dënimin e pafajësisë shqiptare e përjetonin si akt të madhërishëm patriotik e atdhetarë!? Dhe që e zhbëri forcën politike shqiptare, duke i bashkuar partitë shqiptare nën flamurin partiak të sunduesit maqedonas, mbase pse ky shtet edhe nuk ka një flamur shtetëror që do t’i bashkonte të gjithë. Dhe pse ky shtet ende nuk ka as zgjidhje kushtetuese dhe ligjore që t’i mbrojë shqiptarët nga majorizimi etnik, zgjidhje që do t’ia pamundësonin sunduesit maqedonas të sillej ndaj kërkesave shqiptare si ai që u ndan lëmoshë lypsarëve të vegjël, tek Ura e Gurit mbi lumin Vardar.
Ku ta dish, mbase edhe asgjë më shumë se lëmosha nuk u takon atyre që presin pas derës së mandatarit, që me çdo kusht të bëhen pjesë e qeverisë. Më në fund, lëmosha i takon lypësit, e jo atij që di të marrë atë që është pronë e tij, jo atij që di si ta materializojë vullnetin e popullit që përfaqëson. E lypës mbetën thuajse të gjitha partitë shqiptare që nuk ia dolën të dëshmojnë se Maqedonia edhe mund ta zgjidhë problemin që ka me grekët, se ajo mund të bëhet edhe anëtare e të gjitha strukturave euroatlantike, por kurrë nuk do të bëhet shtet i qëndrueshëm nëse mbetet me rend shtetëror të papranueshëm për shqiptarët. Të dëshmojnë se Maqedonia nuk mund të qëndrojë pafundësisht e ngrirë në frigoriferin ndërkombëtar, se një ditë edhe ashtu e ngrirë, ajo mund të bëhet e papërdorshme për qytetarët e saj.
Nuk ka dyshim se edhe në katërvjeçarët e ardhshëm Maqedonia do të ketë qeveritë e saja, Pa dyshim se së shpejti, ajo do e zgjidh problemin e emrit, do anëtarësohet në NATO…, por mbase nuk do ia del ta shlyejë mendësinë e mbrapsht se maqedonasit etnik janë mbrojtësit e shtetit, e shqiptarët rrënuesit e tij. Siç do jetë e vështirë për partiakët shqiptarë që të ndryshojnë sjelljen e tyre politike dhe nga vasal të sunduesit të bëhen drejtues të shtetit. Dhe më bindshëm të kërkojnë zgjidhje kushtetuese dhe ligjore që do t’ia mundësojnë kësaj popullate atë që kanë maqedonasit etnikë: vetë të vendosin për ‘Shqipërinë’ e tyre në Maqedoni. E kur të ndodhë kjo, shqiptarët e këtushëm do e shohin se grindjet ndërpartiake u vijnë edhe nga shkaku se tjetërkush ua përcakton orientuesin më elementar të vullnetit politik, se tjetërkush ua përcakton sjelljen politike, si dhe kriteret themelore të statusit të tyre politik.
Dhe vetëm pasi të ndodhin këto ndryshime kushtetuese, ndërkombëtarët mund ta nxjerrin Maqedoninë nga frigoriferi ku ndodhet sot. Përndryshe, edhe ashtu e ngrirë ajo do të fillojë të humbë lëndën e saj të parë. Do të fillojë të zhbëhet dhe nga ajo do të mbetet vetëm paketim i jashtëm, pa pasur asgjë brenda. E nëse ndodh kjo, ky shtet nuk do të vlejë më as i paketuar copa-copa, as si tërësi. Por vetëm si dëshmi se Ballkani ishte dhe ka mbetur hapësirë ku bëjnë gjumë ëndërruesit shpirtngushtë etnikë, e të cilët nuk e kanë kuptuar se fytyra e fjetur, i ka po ato rrudha si edhe kur është e zgjuar.
Si do qoftë, ka diçka që e kanë kuptuar gjenerata e shqiptarët që u rritën duke lexuar grafite ‘Vdekje shqiptarëve’. Ata e kuptuan se hera e parë është emocion, e dyta është përjetim, e treta pjekuri. Pra se hera e tretë është korrigjimi i garës, është ndërlidhje e sukseseve dhe e dështimeve të dy orvatjeve të mëparshme, është racionalizim i emocioneve dhe i përjetimeve. Ata pra e kuptuan se janë gjenerata e pjekurisë politike të cilës i bie në hise t’i korrigjojë gjitha gabimet e brezave të mëparshëm politikanësh shqiptarë. Njësoj siç e kanë kuptuar edhe kuptimin e ndalimit pas rrotullimit të tretë rreth vetes, e që ka të bëjë me atë të luftëtarit të ndarë nga njësitë e veta, e të humbur në vend të panjohur, i cili e ka përcaktuar drejtimin nga duhet të shkojë duke iu dorëzuar dorës së fatit. E që shqiptarëve të Maqedonisë shpesh u ka ndodhur ta praktikojnë: të rrotullohen tri herë rreth vetes, e të ndalen, duke shpresuar se kështu do e përcaktojnë drejt rrugëtimin e tyre të mëtejshëm të organizimit politik.
Kështu u ndodhi edhe nga mesi i dekadës së nëntë të shekullit të kaluar, kur ishin të pakënaqur nga Partia për Prosperitet Demokratik dhe Partia Demokratike Popullore, e kur fati i tretë ua solli Partinë Demokratike Shqiptare. Kështu ndodhi edhe pas konfliktit të 2001-shit, kur të pakënaqur nga dy partitë e mëparshme – PPD-ja dhe PDSH-ja, sërish u rrotulluan rreth boshtit të tyre kurrizor të organizimit partiak, që të niseshin rrugës nga i çoi i ardhuri i tretë, i dalë nga ish-luftëtarët e UÇK-së – Bashkim për Integrim Demokratik.
E që pastaj të arrijnë këtu ku ndodhen sot, të përballur me dilemën se vallë do të duhet sërish të fillojnë gjurmimin pas fatit që duhet të korrigjojë pamundësinë e BDI-së që të mbrojë vullnetin e shumicës së shqiptarëve të këtushëm.
Shqiptarët e Maqedonisë ishin dhe mbetën populli i fatit të tretë. Ata disa herë me radhë i janë dorëzuar trerrotullimit, duke shpresuar se do të gjejnë rrugën e mirëfilltë të organizimit partiak, e që nuk do t’i ngjajë politikës inferiore e injorante të drejtuesve të BDI-së. Që do t’i shpëtojë edhe nga politika e kryesuesve partiak, të cilët mbyten në ujin e turbullt të mercenarizmit dhe jeniçerizmit demokratik, mbase duke shpresuar se pasi ta kryejnë detyrimin ndaj kryeministrit të radhës të Maqedonisë, do t’i kthehen vetvetes e do të bëhen Skënderbe.
Por, shqiptarët e Maqedonisë sot janë mbase më të pavendosur se kurdoqoftë më parë. Jo vetëm pse e kanë humbur besimin në partitë e tyre dhe e kanë kthyer shikimin nga ato maqedonase, jo edhe shkaku se ndiejnë marramendje nga trerrotullimet e shpeshta partiake të deritanishme, por pse rrugët politike të hapura nga partitë ekzistuese, nuk çojnë thuajse askund më larg se tek humbja e shpresës rinore për një të ardhme më të mirë në këtë shtet.
Shqiptarët më të vullnetshëm të Maqedonisë, pra ata që ende i besojnë fatit të tretë, sot kanë drejtuar shikimin drejt metropoleve perëndimore. Me çka gjithnjë e më të paktë janë ata që presin të vijë ndonjë politikan që do i bindë të rinjtë shqiptarë se ky shtet do mund të bëhet arë e përbashkët, por me kufij të saktë se deri ku kush mbjell, e kush korr. Mbase ky mund të jetë koncepti i vetëm tërheqës për shqiptarët e këtushëm, pasi i provuan gjithë të deritanishmit. Pasi i lexuan të gjitha grafitet dhe i dëgjuan të gjitha brohorimat antishqiptare dhe pasi e kuptuan se shtet i dhunshëm nuk është vetëm ai që u lejon huliganëve të të përgjakin, as vetëm ai ku policia të likuidon e gjykatësi e dënon me burg të përjetshëm pafajësinë shqiptare, por edhe shteti që të përbuzë dhe ofendon.

Marrë nga Revista “MEDIUS”

- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit