13.7 C
Pristina
Thursday, March 28, 2024

Edhe me çka duhet të “na bindin” politikanët, që pas asaj do të hiqen vizat?!

Më të lexuarat

Analizë, përmes shembullit të një formati debatues…
Enis Reçica, Msc. Integrime Evropiane dhe Administratë Publike
Mundoheshim ta bindnim grupin tjetër, se ajo që thoshim ne është e drejt, për një temë të diskutimit, që mbase ishim kundër saj (shpeshherë edhe ishim në vete të bindur ndryshe, dhe kundër asaj që mbronim). Por, loja e debatit ishte e tillë! Ta bindësh kundër garuesin me të dhëna mirë argumentuara për një temë të përbashkët diskutimi. Herë jepje ti faktet e tua, herë pala dialoguese, për të argumentuar rreth një teme. Në fund vendoste juria për palën më bindëse, të mbështetur edhe nga simpatia e publikut.
Stili i debatit ta impononte që të dilje dhe të mbroje një ngjarje, vendim, politikë, apo diçka tjetër relevante…, pavarësisht qëndrimeve të tua të brendshme që ishin krejtësisht ‘kundër’ të njëjtës temë.
Ti mbase ishe kundër, psh. komunitetit homoseksual, por në stilin e debatit, me short, të binte ta mbroje atë, duke sjellë argumente për “të drejtat” e këtij komuniteti, në çfarëdo lloj aspekti. Të binte të flisje “për” apo “kundër” abortit, pa të pyetur për bindjet tua personale.
Thelloheshe në mendime, e analiza të pandalshme vetëm e vetëm të sillje qëndrim bindës në favor të kundërshtimit të medieve që kërkojnë liri të shprehjes, apo edhe, të sillje fakte që kriminelët e luftës duhet të lirohen. Krejt kjo qasje, e llojeve të debatit si ai i British Parliamentary, apo ai Karl Popper, kishin synim për të forcuar mendimin kritik të personalitetit të garuesit.
E pse të mos diskutohet edhe për liberalizimin e vizave, “për” dhe “kundër” një veprimi të tillë për kosovarët.
Ne nuk po duam, që përmes këtij shqyrtimi analitik, të sjellim argumente të asnjërës hipotezë, ani se nga të dyja qasjet mund të gjesh fjali edhe të mira, që lehtë bind palët. Por, tentojmë të sjellim palë argumentuese, krahun e atyre që kanë bërë, po bëjnë dhe besohet se do ta bëjnë në vazhdimësi, derisa të ndodh heqja e vizave – politikanët.
Si është e mundur që politikanët, çdo lloj politike ditore të tyre, e sjellin edhe në debatin për “të mirën” e liberalizimit të vizave?
Ulrike Lunaçek, përmes një postimi në rrjetin social Twitter, para më shumë se një viti pati shkruar se “tri kushtet e Kosovës për liberalizimin e vizave janë: Demarkacioni, luftimi i korrupsionit dhe ai i krimit të organizuar”.
Gjithë ditën politikanët sjellin letra, mirë të shkruara, ani se me disa gabime drejtshkrimore, se po luftohet korrupsioni. Pavarësisht se administrata publike është e stër mbushur, dhe se prej kritereve të BE-së është edhe shkurtimi i numrit të tyre. Siç kemi rastin e disa objekteve komunale, të financuara dhe të përpiluara në letrat e arkitektëve nga Komisioni Evropian. Sipas të fundit, përmes projekteve të tyre për objektet e administratës publike, parashihet një numër shumë më i vogël i stafit që duhet të punojnë aty. Por, komunarët në vend të dy personave në një zyre, vazhdojnë t’i fusin aty pesë e gjashtë, sepse i kanë punësuar dikur, e vazhdojnë ta bëjnë, pa nevojë, pa arsye, e pa asnjë lloj obligimi. Vetëm ata e dinë pse i punësojnë!
Por, këtë pikë, tentojnë ta arsyetojnë në debatet e tyre, me një lloj qasje të lehtë, se po e zbusin papunësinë në vend.
Krim të organizuar nuk ka në Kosovë, thonë politikanët. E sipas tyre janë plotësuar kriteret për liberalizim të vizave. Megjithëse të njëjtit vazhdojnë të marrin vendime për monopole gjithandej në ekonominë tonë, duke ua hapur dyert një biznesi apo një organizate, që të kryej një lloj aktiviteti, si e vetme në tërë vendin. Pavarësisht që shkelin Ligjin për mbrojtjen e Konkurrencës apo Ligjin për Mbrojtjen e Konsumatorit. Politikanët vazhdojnë të thonë se punët i kemi mirë me ligje, pavarësisht që palët e përballura me efektet e ligjeve (që janë shumë të pakta në legjislaturat tona) ankohen se ligji i ri është në kundërshtim me një ligj tjetër paraprak. Por, mirë i kemi punët, vazhdojnë të argumentojnë politikanët rreth harmonizimit të ligjeve me acuis communitare (ligjet e BE-së).
Luftë politikanësh gjithandej në vrapim për të sjellë argumente se falja e disa hektarësh Malit të Zi është në dobinë e Kosovës drejt rrugës së saj për në Bashkimin Evropian. Shumica, mbase se të gjithë, janë akoma në ndër dijen e tyre, të bindur se falja e tokës është e dëmshme – por sillnin argumente për të kundërtën, në mënyrë që ta bindin votuesin e tyre dhe të kaloj situata lehtas, pa u vërejtur. Megjithatë, u dallua shumë, se u nda edhe një liqe atje në kufij, por fitoi Mali i Zi, e Kosovës iu larguan plot të rij. Ikën!
Tani, në çdo takim mes politikanëve kosovar dhe atyre ndërkombëtarë, kryesisht nga Evropa, të tanët u thonë se Kosova është e gatshme për liberalizim të vizave, dhe është më afër drejt BE-së, sepse i kemi plotësuar të gjitha kushtet…
Edhe fundviti, që u prit të jetë i gëzueshëm për kosovarët (ata që kanë mbetur këndej akoma), po del të jetë argument i dështuar i politikanëve. Me bindje than se “Kosovës iu hiqen vizat”. Nejse, me një “premtim” të tillë, që as hipotezë nuk është, jemi mësuar prej vitesh, që desh sa dyshuam që për kosovarët vizat hiqen shumë herë, e jo vetëm një.
Diku thuhet se fajin e kanë pesë shtetet anëtare të BE-së që akoma nuk po e njohin pavarësinë e vendit, se pas një veprimi të tillë të njohjes do të ishte e dobishme për procesin e normalizimit të raporteve mes Beogradit dhe Prishtinës. Fjalët janë kështu, por terreni i politikës së jashtme është ngushtuar, edhe pa njohje tjera të kahershme.
Së fundmi, filluan argumentet e reja, për ta arsyetuar “gënjeshtrën” e fundvitit. Janë emigrantët ata që po rrezikojnë liberalizimin e vizave, po thuhet në një ekran. Sikur tentojnë të dalin hapa para, pa ecur nëpër shkallët e para për t’i treguar shkaktarët e ikjeve.
Në një format të debatit Karl Popper do të ishte e mirëseardhur një temë debatuese e llojit:
Nga kush po ikin kosovarët nga Kosova?
Palët dialoguese do tentojnë të argumentojnë dy përgjigje; atë “nga pushteti’ apo “nga vet dëshira”.
A thua u ka shkuar në mendje politikanëve të dialogojnë edhe mbi temën: Çfarë duhet të bëjmë për tua përmirësuar mirëqenien njerëzve këtu?
Sa shumë alternativa ka kjo temë diskutimi, që lehtë do shpallej fitues ai më i sinqerti
Gjyqtari, në një situatë të tillë do të thoshte: Filloi debati!
Debati, së fundmi po tentohet të drejtohet nga sjellja e argumenteve për përmbylljen përfundimtare të dialogut mes Kosovës dhe Serbisë, duke e futur si ‘kushtin e fundit’ për liberalizim vizash. Pse jo, në këtë mes gjen vend edhe tema “pro” dhe “kundër” korrigjimit të kufijve mes dy shteteve fqinjë. Me një veprim të tillë, tentohet të argumentohet se do zgjidhet njëherë e mirë çështja “Serbi”. Nëse nuk bëhet ky veprim, vazhdojnë ornamete fjalësh për të lënë fajin se kjo është arsyeja pse nuk hiqen vizat. E nëse ndodh Kosovës i hiqen vizat, e Serbisë i hapen dyert për anëtarësim të plot. Kosova, akoma të mbetet e fundit në hapat drejt integrimit në BE.
Tash, a do të jetë tema e formatit të debatit Karl Popper, “A duhet t’i japim diçka Serbisë në marrëveshjen e fundit?
Palët (pushteti) dialogojnë duke sjellë argumente mbi alternativën: “Duhet t’i japim sepse fitojmë liberalizimin e vizave”.
Dikush që nuk i di rregullat e këtij debati, nga publiku, që duhet të jenë të heshtur, reagon: “E Serbia çka fiton, se ne u mbytëm duke dhënë e asgjë s’po marrim?!”
Gjyqtari: Qetësi publiku! Debati fillon tani!
*Politikanët kanë të drejt të sjellin argumente, por faktet janë ndryshe në popull, përgjigjja e të cilëve janë nevoja për heqje vizash, e nëse jo ikjet heshtazi. Këtë fakt e dinë, por loja e debatit është që të sjellin argumente në mbrojtje të diçkaje që e dinë se nuk është ashtu siç thonë.
- Advertisement -spot_img

Më tepër

Të fundit